Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 7.2: Analizë Historia e Skënderbeut

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 7.2

Historia e Skënderbeut
Vepra kryesore e Marin Barletit është “Historia e Skënderbeut, Mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut, princit shumë të ndritur të Epirotëvet”.
Kjo vepër e bëri autorin e saj të njohur në Europë. Vepra u përkthye në disa gjuhë të huaja; gjermanisht, italisht, portugalisht, polonisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht. Këtë vepër ia kushtoi nipit të Skënderbeut, Don Ferrantes, i cili jetonte në Napoli. Vepra është e ndarë në 13 libra, pjesa e parë mbaron në librin e gjashtë, me luftën kundër Muratit II, ndërsa pjesa e dytë me vdekjen e Skënderbeut. Disa nga momentet kryesore të historisë së Skënderbeut që trajtohen në librat që e përbëjnë atë:

Libri i parë
■ Historia e lënies peng të katër djemve të Gjon Kastriotit.
■ Edukimi i Gjergjit pranë Sulltanit.
■ Kthimi i tij më 1443 në Shqipëri për të rimarrë kalanë e Krujës.

Libri i dytë
■ Hidhërimi i sulltan Muratit II ndaj “bukëshkalit” Skënderbe.
■ Fuqizimi e organizimi i ushtrisë së Skënderbeut.
■ Kuvendi i Lezhës, 1443 dhe fjalimi i Skënderbeut: “Lirinë nuk ua solla unë”.
■ Fitorja e parë kundër ushtrisë turke e drejtuar nga Ali Pasha (1444).
■ Fama që fiton ushtria e Skënderbeut dhe aleanca me hungarezët, përpjekjet për të ndihmuar ata në luftë me ndihma ushtarake, të cilat pengohen nga Gjergj Vukovici në kufi (vjehrri i sulltan Muratit II).

Libri i tretë
■ Pas shkatërrimit të ushtrisë hungareze, sulltan Murati nuk ndjehet aspak entuziast pa thyer ushtrinë e Skënderbeut, e cila ndërkohë kishte siguruar qetësinë e shqiptarëve.
■ Murati II ishte dobësuar nga lufta me hungarezët, por edhe nga beteja e Ali Pashës.
■ Letra e “pajtimit” që Murati II i dërgon Skënderbeut, duke i kujtuar nderet që i ka bërë dhe besnikërinë që Skënderbeu ka treguar dikur ndaj tij.
■ Përgjigjja e Skënderbeut lidhur me vuajtjet dhe të këqijat më shumë se të mirat që ky sulltan i ka sjellë vendit dhe vetë Skënderbeut.
■ Vdekja e Lekë Zaharias (i vrarë nga Lekë Dukagjini) dhe dorëzimi i Danjës (apo siç emërtohet në vepër, Dejës; është një kala malore, dy orë e gjysëm larg Shkodrës, mbi bregun lindor të Drinit të bashkuar) venedikasve nga e ëma e Zaharias.

Libri i katërt
■ Ndërkohë që shqiptarët po haheshin me njëri-tjetrin në muret e Danjës (Dejës), Sulltan Murati II po përpiqej të organizohej duke përfituar nga situata.
■ Përgatitjet e ushtrisë dhe mbrojtja e popullit nga sulmi i ri.
■ Fjalimi i Skënderbeut para luftëtarëve sfetigradas, si luftëtarët e parë që do të prisnin sulmin e radhës dhe nderimi i dibranëve të Moisi Golemit.
■ Ardhja e sulltan Muratit II, më 1449, viti i 11-të i drejtimit të Skënderbeut, (këto shifra sjell Barleti, ndërkohë që është viti i gjashtë i drejtimit të tij).

Libri i pestë
■ Fillimi i sulmit fillimisht me Sfetigradin, qytetin hyrës, duke u përballur me terrenin e vështirë.
■ Dueli i Skënderbeut me kapedanin armik Feri Pashën, (sipas Barletit jepet me trajtën Feribassa, kurse Noli e sjell me trajtën Firuz) i cili përfundoi shumë shpejt me fitoren e Skënderbeut.
■ Sulmet e vazhdueshme të ushtrisë armike, dështimet e tyre, urrejtja e Muratit, intrigat e tij.
■ Marrja me dredhi e Sfetigradit nga turqit.
■ Largimi me humbje në shifra i Muratit.

Libri i gjashtë
■ Pas ikjes së forcave armike, njerëzit u hodhën përsëri në punët e mëparshme.
■ Purpurantët (luftëtarë që mbanin të hedhur krahëve një pelerine me ngjyrë të purpurt) e Skënderbeut dhe princët fqinj po mundohen t’i mbushin mendjen Skënderbeut për martesë.
■ Vazhdojnë përpjekjet pë të rimarrë Sfetigradin, përpjekje që nuk patën sukses.
■ Rrethimi i Parë i Krujës, 1450, i drejtuar nga sulltan Murati II.
■ Sëmundja dhe vdekja e sulltan Muratit II, pesë muaj pas ardhjes në Krujë.
Këtu mbyllet pjesa e parë e librit me shprehjen “Ky qe fundi i luftës me Muratin.”

Libri i shtatë
■ Marrja e pushtetit nga djali i Muratit, sulltan Mehmeti, që njihet si gjaksor.
■ Rindërtimi i Krujës, meretimi i mureve.
■ Martesa e Skënderbeut me vajzën e Arianit Komnenit, (i dëgjuar për mbretërinë e tij të madhe) Donikën, që shquhej për bukurinë e saj.
■ Betejat e reja të dërguara nga Mehmeti, njëra drejtuar nga Hamzai (turk) dhe tjetra nga Debrea; të dyja të fituara nga Skënderbeu.
■ Mehmeti po përpiqet të afrojë dhe joshë për nga ana e tij Moisiun.
■ Ndihmat me luftëtarë nga Alfonsi i Napolit, si dhe pëpjekja për të rimarrë Belgradin (Beratin).

Libri i tetë
■ Mehmeti kthen sytë nga Belgradi për mos lejuar marrjen e qytetit nga Skënderbeu, të cilit, sipas Mehmetit, i “duhej vënë freri tërbimit të asaj gjindjeje fort krenare”.
■ Natën, në fshehtësi, sulmohet Berati dhe vritet Muzaka, burri i Mamicës me të tijët.
■ Këtu Skënderbeu pësoi shumë humbje; vdesin të gjithë luftëtarët e Alfonsit.
■ Tradhtia e Moisiut dhe konfiskimi i pasurisë së tij.
■ Ardhja e Moisiut në pranverë me forcat otomane për të luftuar kundër Skënderbeut, betejë që përfundoi me turpin e Moisiut.
■ Rikthimi i Moisiut për t’iu dorëzuar atdheut dhe falja e Skënderbeut.

Libri i nëntë
■ Zemërimi i Mehmetit për rikthimin e Moisiut, duke e menduar si manovër të tyren gjithë këtë.
■ Tradhtia e Hamzait, i cili shpresonte të merrte pjesën e të drejtave stërgjyshore, dëshirë që iu shua pas martesës së Gjergjit.
■ Nisja për luftë e ushtrisë së Isak Pashës bashkë me Hamzain.
■ Fitorja e Skënderbeut, kapja e Hamzait dhe burgosja e tij në Napoli, bashkë me disa dhurata të caktuara për Alfonsin.
■ Vdekja e Alfonsit I, mbreti i Napolit, 1458, 73 vjeç; ardhja në pushtet e djalit të tij, Ferdinandit.
■ Kthimi i Hamzait në Shqipëri, pas burgosjes në Napoli dhe lutja për pajtim me Skënderbeun; lirimi i tij dhe largimi në Turqi, aty ku kishte krijuar familje.

Libri i dhjetë
■ Kohë të vështira për Ferdinandin e Napolit dhe ndihma që i ofron Skënderbeu, si mik i Alfonsit.
■ Nisja e ndihmave për të marrë anijet në Raguzë, ku merr lavde dhe vlerësime të mëdha, nisja e anijeve me Gjin Muzakën, Moisi Golemin dhe Andrea Zaharinë dhe pritja madhështore e Ferdinandit.
■ Shpartallimi i ushtrisë gale dhe fitorja e aleancës.
■ Fundi i luftës apuljane (puljeze) në vitin e 17-të të mbretërisë së Skënderbeut.

Libri i njëmbëdhetë
■ Sulmet e Sinamit, Hasan beut dhe Jusuf beut thyhen përballë ushtrisë epiriote dhe nxitën Sulltanin të kërkojë paqe me ta, gjë që u pranua nga epirotët sipas kushteve të vendosura prej tyre.
■ Lëvizje dhe plaçkitje të turqve kundër nënshkrimit të paqes.
■ Kjo paqe nuk zgjati shumë. Mehmeti e kërkoi paqen më tepër për të fituar kohë që të shpërndante dhe dobësonte ushtrinë e Skënderbeut. Skënderbeu e kupton hilenë dhe ndërmerr sulme kundër viseve turke në kufi, veprime të cilat e xhindosin Mehmetin.
■ Nisja e Sheremetit, kapedanit të Mehmetit në viset e Thrakës e të Maqedonisë. Skënderbeu bashkë me Pejkun e Manuelit dhe Pjetër Ëngjëllin, të birin e Andreas, nisen përballë kësaj ushtrie dhe dalin fitimtarë.
■ Vdekja e Papës Piu II (14 gusht 1464), sapo vuri këmbë në Ankona, ndërpreu me dhimbje dhe ardhjen e menduar të Tij në Epir për të nderuar me gradën e kardinalit Pal Ëngjëllin dhe të shpallte mbret të epirotëve dhe të arbërve Skënderbeun.
■ Humbja e Sheremetit ndez zemërimin e Mehmetit, i cili nisi një tjetër kapedan, Ballaban Baderën, me origjinë nga Epiri.
■ Ky libër përfundon me arratinë e Ballaban Baderës dhe humbjen e Jakup Arnautit.

Libri i dymbëdhjetë
■ Pas këtyre humbjeve, Mehmeti vendos të niset vetë kundër Skënderbeut, siç njihet me emrin Rrethimi i Dytë i Krujës, qershor 1466, bashkë me komandant Ballaban Baderën.
■ Mehmeti u largua dhe në kthim, meqë nuk mundi dot ta shfrynte egërsinë e vet kundër Skënderbeut, shkoi në thikë 8 mijë burra, gra e fëmijë. “I rëndë zemërimi i mbretërve, i rëndë inati i princëve, i cili nuk është prej puplash, por prej plumbi”.
■ Vazhdojnë luftimet, me komandantin e ushtrisë otomane, Ballabanin, i cili vritet nga Gjergj Aleksi, një ushtar krutan.

Libri i trembëdhjetë
■ Rrethimi i Tretë i Krujës, organizuar sërish në drejtimin e Mehmetit, me një ushtri edhe më të fuqishme, në pranverën e 1465-ës (për historinë, 1467). Ushtria vendoset pranë lumit Shkumbin, ku ishte zot Arianit Komneni.

 

Vepra mbyllet me humbjen e Mehmetit dhe vdekjen e Skënderbeut.

Në qendër të veprës është figura e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Barleti nuk flet në një vend të caktuar për tiparet e tij, por gjatë gjithë veprës sjell karakteristika të heroit. Skënderbeu shquhet:
1. në aspektin fizik
■ për bukurinë fizike;
■ për hijeshinë e gjymtyrëve;
■ shtatin e lartë.
2. në zotësinë si luftëtar e prijës
■ zotëron artin e luftës;
■ që në rini nuk la pa provuar asnjë nga trimëritë luftarake;
■ i zoti në taktikat ushtarake;
■ shquhej për forcën e kurajon e tij dhe shumë shpejt mori famë prej tyre.
3. në lidhje me natyrën e tij
■ kishte fuqi shpirtërore të pamposhtur;
■ ishte i dashur dhe tejet popullor;
■ tepër i matur dhe me shpirt të butë.

Ai ishte dhe orator i shkëlqyer. Në çdo kuvend ose betejë, Skënderbeu arrinte t’u ngrinte zemrat peshë njerëzve. Edhe në diplomaci ishte i veçantë dhe spikaste inteligjenca për të manovruar në dobi të interesave të vendit. Në letërkëmbimin dhe komunikimet që kishte me miq dhe armiq, dinte të thoshte fjalët e duhura dhe të merrte vendime me bashkëluftëtarët. Skënderbeu dinte të qetësonte e të shuante çdo sherr që mund të krijohej, siç rëndom mund të ndodhë në luftë. Në ndonjë rast, kur luftëtarë të tij grindeshin për ndarjen e plaçkave të fituara në luftë dhe bëheshin gati të luftonin me shpata, ai arrinte t’i ndante e të vendoste drejtësi. Nëse kishin drekuar dhe e kuptonte që gotat e verës kishin ndezur gjakrat, gaztor e popullor siç ishte, u thoshte: “Bakhu e ndezi sherrin, Baku le ta shuajë, jo Marsi ose ndonjë perëndi tjetër”. Skënderbeu tregohet nga Barleti si njeri zemërgjerë, që di të falë, siç ndodhi me tradhtinë e Moisiut dhe të Hamzait. “Asnjeriu s’do t’i heqish dredhi, asnjeri s’do të gënjesh, o Hamzë, veçse veten tënde, në qoftë se do të vazhdosh edhe më të shkosh pas besimit dhe miqësisë së barbarit, sepse pranë tij janë në rrezik të barabartë si trupi, si shpirti yt dhe i njerëzvet të tu. Për ne, kurdoherë që të vish, s’do të ketë gëzim më të madh. Pranë nesh, ti do të kesh po atë vend fati dhe nderi.” Ishin këto fjalët që i tha Hamzait kur u largua prej tij. Asnjë mëri apo urrejtje.

Vlerësimet për të nuk vijnë vetëm nga goja e njerëzve të tij, por edhe nga armiqtë dhe miqtë e huaj. Në pritjen që i bën populli i Raguzës, disa nga fjalët drejtuar Skënderbeut janë:
“princ fort i ndritur, i shkëlqyer, diell vezullonjës, hyjni më mirëdashëse, mbrojtës jo vetëm i atdheut, por edhe i Maqedonisë, Daunisë, Italisë”, e quajnë “shpëtimtar, çlironjës, mbrojtës”, i thonë “lum atdheu që të nxori ty një burrë kaq të madh, yll i ndritur e i bukur i Arbërisë”, etj. Po kështu e lëvdonin para Mehmetit të gjithë kapedanët që ktheheshin të turpëruar nga humbja. Ballaban Badera thotë: “…shumë gjëra dëgjoj të thonë për Skënderbenë, gjëra për Herkulin, mbinjerëzore, se ai është i pathyeshëm në luftë, i pamposhtur në armë, që s’merr plagë nga hekuri”. Skënderbeu, sipas Baderës, ishte një burrë trim e luftëtar, i rrahur në punë të luftës e të ushtrisë, që njeh mirë shkencën dhe artin ushtarak, zbret në betejë dhe përleshet me armikun si ndonjë rrufe e vetëtimë. Ai është njeri i vdekshëm dhe që ka patur humbjet e tij, humbje të cilat e bëjnë të besueshëm si njeri me aftësi drejtuese dhe jo mbinjerëzore; këto fjalë ia ngrenë më lart figurën heroit tonë. Barleti e sjell të përkryer figurën e Skënderbeut, figurë të idealizuar, modeli i heroit humanist.

Barleti si autor
Vepra e Barletit na jep mundësinë të flasim edhe për vlerën e tij si historian. Për këtë arsye, vepra i jep rëndësi burimeve; së pari, ato që i ka parë me sytë e tij, mbi bazën e të cilave është ndërtuar “Rrethimi i Shkodrës” dhe, së dyti, nga të dhënat e marra nga bashkëqytetarë të tij, që kanë qenë luftëtarë në ushtrinë e Skënderbeut. Në parathënien e librit të tij, Barleti si historian thotë: “jam një spektator jo i huaj i lumturisë së dikurshme”. Ai nuk ia njihte vetes meritën dhe aftësinë e të shkruarit bukur; siç e thotë dhe vetë në parathënien e Historisë së Skënderbeut, “barra që kam marrë përsipër më rëndon e më tremb edhe më shumë, sepse unë i peshoj mirë forcat e mia dhe e kam parasysh madhësinë e punës dhe lëndën e gjerë për t’u shkrojtur, e cila do të duhej të trajtohej nga një pendë më me fat dhe do të kërkonte, siç u dëgjua të ankohej dikur për vehten e tij Aleksandri, – “një lavdëtar më bilbil se unë” dhe “s’pata mundësi të shikoj as anale të vjetra, as historira të reja, të cilat, një njeriu të ri dhe që hyn në një det kaqë të madh, do t’i jepnin një farë ndihme”.

M. Barleti është i ndërgjegjshëm për vështirësinë e shkrimit të kësaj vepre, përderisa nuk ka patur, siç pohon ai, një tjetër vepër ku të mbështetet. Ai interesohet t’ua lërë brezave sa më të vërtetë veprën dhe disa herë, kur ia do puna, nuk përmend vetëm një të dhënë, por disa prej tyre ose, në disa raste kur nuk bindet, shkruan “unë s’i besoj”, ose “secila nga të dy thëniet mund të jetë e vërtetë”; hedh poshtë thënie sipas tij të gabuara ose indinjohet kur pohohen gjëra të pavërteta. Po ashtu përpiqet të ndërhyjë duke dhënë mendimin e tij, (siç ndodh kur flet për dorëzimin e Sfetigradit armikut), mbi kapedanin e kështjellës, Prelatin: “Por unë do të mbronja mendimin se Perlati meritonte, ndoshta më fort të qortohej, se sa të lavdërohej dhe se faji për humbjen e qytetit do të mund t’i hidhej jo mençurisë, por butësisë së tij të tepëruar ose, më mirë, paurtësisë së tij…”

Autori përpiqet herë pas here në tekst të konfirmojë vërtetësinë e të dhënave të diskutueshme të historisë së tij. P.sh., në Librin e katërt, numri i ushtrisë armike në Rrethimin e Parë jepet i diskutueshëm nga grupe të ndryshme, por që për Barletin nuk kanë rëndësi nëse ishin 150 mijë apo 120 mijë luftëtarë. Dhe thotë “megjithëkëtë mendja më anon nga numëri më i madh, që të mund të themi se gatitja në fjalë e asaj lufte i përgjigjet më mirë kohës aqë të gjatë që u harxhua për të…”. Të vrarët turq i shton me mijëra, ndërsa humbjet shqiptare duzina. Në vepër ka pasaktësira historike, siç është, p.sh,. rasti kur vitin 1449 e quan viti i njëmbëdhjetë i drejtimit të Skënderbeut, ndërkohë që kanë kaluar vetëm 6 vjet nga ardhja e tij, më 1443. Edhe pse Barleti përpiqet t’i sigurojë veprës së tij karakterin objektiv të historisë, kjo s’do të thotë që ia arrin gjithmonë.

Si humanist, Barleti është gjithashtu nën ndikimin e konceptit artistik dhe estetik të historisë, që përtej saj t’i sjellë kënaqësi lexuesit, sidomos në teprimet apo fjalimet e vrullshme e plot ngjyra, e tepër të gjata. Ai ka besim në mendjen dhe gjykimin njerëzor, sepse “asgjë s’është aq e vështirë, sa që të mos mund të zgjidhet nga mendja e njeriut. Natyra është e zonja për ta mbrojtur vehten e vet dhe çdo gjë që bëhet drejt ka zakonisht përfundime fatbardhë”. Kjo del më qartë përmes konceptit të lirisë që ushqen zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Është kjo ndjenjë që nuk pengon asgjë të realizohet. Dashuria për atdheun është një nga idetë më të larta që përshkon tërë veprën. Si humanist, ai dallon edhe në adhurimin e botës së vjetër greke-latine dhe shpesh krahason Skënderbeun dhe ushtrinë e tij me ushtri të shquara të lashtësisë. Po ashtu, shohim humanistin edhe në himnizimin dhe idealizmin që i bën figurës së Skënderbeut. Përmes veprës Historia e Skënderbeut, Barleti sjell jo vetëm figurën e Skënderbeut dhe historinë e tij, por edhe tragjedinë shqiptare, forcën e një populli, drejtësinë e luftës së tij, rolin e popullit dhe Skënderbeut në luftë kundër barbarisë turke; ai synon t’u tregojë të gjithëve një popull me dinjitet njerëzor dhe kombtar. Prandaj kjo vepër duhet vlerësuar si pasuri për idetë që përcjell.

Gjuha në veprën e Barletit
Vepra është e shkruar me gjuhë të pasur, stil të rrjedhshëm, të gjallë, plot pasion. Përdorimi i fjalive të gjata me ndërprerje e vështirëson disi kuptimin. Shpesh ndalon rrëfimin e tij, si p.sh., kur kërkon të sqarojë diçka më tepër mbi historikun e ndonjë qyteti, kur kërkon të sqarojë më mirë lexuesin mbi marrëdhëniet midis Alfonsit të Napolit me Skënderbeun, kur ndalet në historinë e papëve etj. Historia e treguar në mënyrë kronologjike plotësohet shpesh me letra të gjata, që zënë një pjesë të rëndësishme të librit, p.sh., letërkëmbimi (si dokumente me data të sakta) midis Skënderbeut e sulltanëve (Muratit II e Mehmetit). Po ashtu, të bie në sy edhe oratoria dhe retorika e fjalimeve të mbajtura në takime të rëndësishme, ose në fillime betejash. Në njërën prej tyre, kur u duhet të luftojnë me Ballaban Pashën, Skënderbeu u thotë ushtarëve të tij: “Unë kujtoj se do të ishte turp dhe e tepërt, o bashkëluftëtarë të mij fort të dashur, që të thurja sot për ju një fjalë të re dhe të gjatë, sepse ne na duhet të luftojmë jo me ndonjë armik të ri dhe kapedan të ri, por me atë armik që është mësuar të mundet dhe të shpartallohet lehtë prej jush. A nuk është ky, o ushtarë, ai Ballabani, kapedani i Otomanit, i aftë, siç e dini, më tepër për shatë dhe për pluar e bujqësi se sa për armë e për punë të luftës, të cilin ju jo njëherë, por shpesh e kini dërrmuar dhe ia kini arritur fitores mbi të me plaçkë shumë të madhe? A nuk është kjo ushtëri armike, që kini përpara syvet një mbeturi e kërdisë së mëparshme?”, një fjalë që ndërtohet mbi pyetje të cilave ushtarët ua dinë përgjigjet. Dhe në fund lëshohet kushtrimi me folje të shumta: “mpriheni hekurin, shiloni kuajt, ngjeshni shpatat, rrëmbeni shigjetat, merrni mburojat, ndiqni armiqtë, ndrydhini, dërmoini të pabesët, shtypini me këmbë, shkatërroini dhe çfarosni krejt se po ua mbathin”. Noli thotë: “Barleti e koncepton historinë si një degë të retorikës, të përbërë prej betejash dhe fjalimesh”.

Figurat kryesore letrare që përdor më shpesh janë krahasimet dhe antitezat. P.sh., Sfetigradi dhe kështjella të tjera krahasohen me fole shqiponje në majë të malit, apo përshkrimi i Hamzait si rob, në antitezë me momentet e krenarisë së tij kur përshkonte krenar vendin. Gjithashtu, herë pas here, për të treguar qëndrimin e tij si autor në favor të shqiptarëve, kur i duhet të flasë me gjuhën e armikut, përdor ironinë. P.sh., kur Hamzai i është bashkuar otomanëve, autori thotë me ironi: “Nipçja e priti këtë ugur si të mbarë, prandaj tërë qejf e gëzim për të gjitha këto, filloi të vepronte tani edhe më me zell dhe të kërkontë të fitonte edhe më shumë, me fjalë e me vepra, simpatinë e turmës”, gëzim ky që i vjen nga lëvdatat që i bën pashai para ushtarëve osmanë duke e thirrur mbret të Epirit, ndërsa kundër Skënderbeut s’la mallkim pa nxjerrë nga goja.