Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 1.6: Drama dhe llojet e saj Analiza e elementeve të Dramës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 1.6

Drama dhe llojet e saj Analiza e elementeve të Dramës

Veçoritë e dramës
Dramatika përcaktohet si një nga gjinitë më të vjetra dhe më të mëdha të krijimtarisë letrare dhe artistike. Ajo përbëhet nga tërësia e veprave të shkruara për teatrin, pavarësisht nga lloji ose nënlloji i tyre.

Termi dramë vjen nga greqishtja e vjetër (dráhme – veprim) dhe përdoret në dy kuptime:
1. për të shënuar ato vepra të gjinisë letrare që dallojnë prej epikës dhe lirikës;
2. për të treguar një lloj dramatik brenda letërsisë dramatike.
Vepra letrare dramatike është e lidhur ngushtë me realizimin skenik, por vlera e saj nuk kufizohet vetëm me shfaqen teatrale. Si çdo vepër tjetër letrare, ajo i përket artit të fjalës, kurse teatri është një art i veçantë, që realizohet nga bashkëveprimi i disa arteve: letërsisë, artit dramatik, pikturës, muzikës, koreografisë etj.

Disa nga veçoritë e veprës dramatike, që e dallojnë atë nga veprat e gjinive të tjera, e sidomos nga proza, janë:
– Karakteristika kryesore e saj është veprimi (duke qenë se është e paracaktuar të vihet në skenë);
– nuk ka rrëfimtar;
– i rindërton ngjarjet nëpërmjet fjalëve, gjesteve dhe lëvizjeve të personazheve që veprojnë në skenë.

Elementet përbërëse të një vepre dramatike janë: aktet dhe skenat; personazhet; didaskalitë dhe batutat etj.

Aktet përbëjnë episodet kryesore, përmes të cilave ndërtohet ngjarja dhe përkojnë me kapitujt e teksteve në prozë. Akti përbëhet nga disa skena.

Tema e vërtetë e dramës është gjithmonë një veprim, pra, një ngjarje e cila ka burimin e saj dhe ndikon tek emocionet dhe mendimet njerëzore. Mjeti më i përshtatshëm për të shprehur kundërthëniet mes personazheve është dialogu (përmes batutave). Ai karakterizohet nga tensioni dramatik. Dialogu ndërthuret me monologët e personazheve të caktuara. Monologjet mund të përcaktohen si një lloj pauze në brendësi të veprimit dramatik, në të cilat personazhi flet me veten, duke zbuluar vetëdijen e tij, si dhe shprehen dilemat e brendshme, konflikti i tij me mjedisin, botëkuptimin apo me moralin që e rrethon.

Didaskalitë, që zakonisht shënohen me shkrim të pjerrët (kursiv) ose vendosen mes kllapave, ofrojnë udhëzimet e autorit në lidhje me:
• vendin dhe epokën në të cilën vendoset ngjarja;
• procedurat e aktrimit (toni i zërit, sjelljet, gjestet,veprimet, hyrjet dhe lëvizjet në skenë);
• lidhjet logjike mes skenave e kapërcimet kohore nga një skenë në tjetrën.

Llojet e veprave dramatike

Zhanri dramatik përfshin
tragjedinë
komedinë
dramën (pastorale; borgjeze; televizive; radiodramën)
melodramën

Format kryesore dhe më të vjetra të letërsisë dramatike janë tragjedia dhe komedia. Ato kanë lindur në Greqinë klasike nga integrimi i poezisë lirike me ritet e kultit të Dionisit (hyji i verës, qejfit dhe dehjes). Gjatë zhvillimit të mëtejshëm të dramaturgjisë lindi drama, e cila, si lloj i veçantë dramatik, është më afër tragjedisë se sa komedisë. Drama nxjerr në pah konfliktin e ndjenjave dhe kontrastin midis individit dhe mjedisit shoqëror. Megjithatë, ndryshe nga tragjedia ajo nuk karakterizohet nga stili i madhërishëm, as përfundimi tragjik, pasi heroi i saj, pavarësisht nga fundi i tij, nuk ngrihet në nivelin e heroit tragjik, pasi lufton për veten dhe jo për interesat e gjëra shoqërore.

Dallimet kryesore mes tragjedisë dhe komedisë janë:

Tragjedia
– Është lloj dramatik me karakter serioz;
– Trajton tema të rëndësishme, me stil të lartë;
– Situatat janë dramatike. Konflikti zgjidhet vetëm me vdekjen e heroit kryesor;
– Personazhet e saj janë mitike dhe historike, fisnikë ose heronj. Heronjtë e tragjedisë zakonisht janë të pafajshëm, por veprimet e tyre lidhen me një faj të së kaluarës;
– Jeta e tyre qëndron mes detyrës së madhe, që duhet ta përmbushin me çdo kusht dhe dënimit të pashmangshëm; – Vuajtjet e personazheve marrin rëndësi dhe vlerë universale;
– Publiku edhe pse e ka të qartë fundin e tyre tragjik, i nënshtrohet një përshtypjeje të gjatë dhe të tensionuar shpirtërore, të shkaktuar nga lufta mes realitetit dhe idealit që synon heroi.Këtë efekt të përjetimit të publikut në tragjedi, Aristoteli e ka quajtur katarsë (katharizo-pastroj). Me këtë fjalë lidhet fisnikërimi i shpirtit të njeriut përmes artit. Pas antikitetit, kulmi i zhvillimit të tragjedisë arrin me veprat e Shekspirit (1564-1666).Tragjeditë e tij i marrin temat nga problematika shoqërore, duke përfshirë në to dhe elemente komike.
– Zhvillim të veçantë mori tragjedia në periudhën e klasicizmit francez, që parapëlqente modelet e antikitetit.

Komedia
– Përqendrohet në të metat, pasionet dhe nevojat e njeriut të zakonshëm;
– Trajton tema që lidhen me jetën e përditshme; Peripecitë e personazheve i shërbejnë qëllimeve morale dhe edukative;
– Ka konflikt, por ai zgjidhet në mënyrë të arsyeshme;
– Karakteristika kryesore e komedisë është e qeshura. Për të arritur këto efekte, komedia shfrytëzon atë që është e pazakonshme, që përbën shformim, mospërputhje mes fjalëve dhe veprimeve;
– Gjuha është e thjeshtë, e stilit bisedor; Lulëzimin më të madh komedia e arriti në periudhën e antikitetit, me veprat e Aristofanit (445-385 p.e.s) si: Paqja, Lisistrata, Zogjtë, Bretkosat. Karakteristikë e tyre është prania jo vetëm e komikes, por edhe e satirës, që ngrihet deri në nivelin e groteskut. Mjaft të vlerësuara në këtë lloj janë komeditë e Shekspirit, që ndërtohen në një formë të afërt me atë të tragjedisë. Në periudhën e klasicizmit u shqua komedia e Molierit, që krijoi modelin e komedisë së karakterit dhe zakoneve njerëzore.

Analiza e veprës dramatike
Ç’duhet të bëjmë përgjatë proceseve të mëposhtme të analizës:
-Kontekstualizimi i veprës që analizohet:
– të marrim parasysh poetikën dhe kontekstin historiko-kulturor në të cilin autori shkruan veprën dramatike;
– Përmbledhja e shkurtër e argumentit apo temës së trajtuar (maksimumi 10 rreshta)
– të përcaktojmë linjat kryesore të fabulës.
– Përcaktimi i hapësirës dhe i kohës:
– të përcatojmë hapësirën ku ndodhin ngjarjet, që përbëjnë subjektin: hapësirë e hapur ose e mbyllur; nëse përfshihen shumë hapësira të merret parasysh ndërveprimi mes tyre.
– të dallojmë kohën e veprimit: motin, stinën, ditën apo natën.

 

Analiza e subjektit dhe e strukturës:
– të dallojmë si organizohet fabula nga autori, duke nxjerrë në pah perspektivën ose këndvështimin e tij;
– të përcaktojmë ndarjen në skena, akte dhe simetrinë (uniformitetin, analogjitë ose strukturat e veçanta;
– të dallojmë skenat e veçanta që përcaktojnë veprimin.

Analiza e temave kryesore:
– të dallojmë temat që trajtohen;
– të verifikojmë temat që lidhen me një personazh të veçantë.

Analiza e personazheve:
– të dallojmë mes personazheve kryesorë, dytësorë dhe rolit që ata kanë në dramë: protagonistë, antagonistë, ndihmës, figurantë:
– të analizohen në cilat skena shfaqen karakteri dhe cilësitë e personazheve në brendësi të dramës.;
– të dallohet strategjia përmes së cilës ndërtohet fizionomia e personazhit.

Analiza e gjuhës dhe stilit:
të dallojmë karakteristikat e gjuhës dhe të stilit të autorit në varësi të llojit të zhanrit dramatik: tragjedi, komedi, dramë;
të përcaktojmë regjistrin apo tonin stilistik: i lartë, i ulët, i mesëm, komik, tragjik, ironik etj.
– të dallojnë karakteristikat e gjuhës, (në varësi të organizimit të saj, në vargje ose në prozë) në nivelet:
• leksikore (fjalët: të përzgjedhura apo të ligjërimit të zakonshëm; shtresat e leksikut, dialektalizmat, arkaizmat etj.);
• morfologjike dhe sintaksore (kohët e foljeve, rendin e gjymtyrëve etj.);
• metriko-ritmike;
• narratologjike (organizimi i çlirët i gjuhës, i ngjashëm me prozën);
• figurave retorike (figurat mbizotëruese: krahasimet, metaforat, krahasimet etj.).