Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 3.1 Letërsia antike

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 3.1

Letërsia antike
Rëndësia e antikitetit grek është e jashtëzakonshme, pasi me të zë fill kultura e Europës. Përgjatë antikitetit lulëzuan letërsitë dhe artet me të gjitha gjinitë dhe llojet, u zhvillua filozofia, oratoria, filologjia, lindën historia dhe gjeografia, matematika dhe gjeometria, mjekësia dhe sportet. U përpilua kushtetuta e parë dhe u promovua forma demokratike e qeverisjes. Duke përdorur mjeshtërisht kulturën dhe shpatën, grekët e vjetër e shtrinë ndikimin e tyre në tërë botën e njohur, por mbi të gjitha ata i dhanë jetë një qytetërimi të ngjashëm me të vetin, atij romak, me të cilin u shkrinë në mënyrë harmonike.

Vështrim i përgjithshëm për letërsinë greke dhe romake
Letërsia greke dhe ajo romake, të dyja së bashku, formojnë një unitet (tërësi) që quhet letërsi antike. Antikiteti greko-romak përbën një shkallë të veçantë zhvillimi në historinë e njerëzimit. Ai u zhvillua në kushtet e shoqërisë skllavopronare, prandaj dhe letërsitë që u zhvilluan në Greqi dhe në Romë kanë ngjashmëri të madhe. Krijues i letërsisë dhe artit grek ka qenë populli që e ka quajtur veten helen, kurse Europa e njeh me emrin grek.

Grekët ishin të prirur drejt së bukurës, drejt kultit për artin, ndaj dhe poetët e artistët krijuan vepra të mahnitshme që lanë gjurmë nëpër shekuj dhe edukuan qytetarët me ndjenjën e së bukurës dhe të së vërtetës. Në fillim të epokës historike grekët ishin të ndarë në katër fise kryesore: akejtë në Tesali, në Peloponezin Qendror dhe në Beoti; eolët në lindje të Greqisë Qendrore, në pjesën veriperëndimore të Azisë së Vogël të quajtur Eoli, si edhe në ishujt fqinjë; dorët në Peloponezin Lindor, në ishujt jugorë të Egjeut dhe në jugperëndim të Azisë së Vogël; dhe jonët në Atikë, në ishullin Eube, në ishujt në mes të Egjeut dhe në brigjet perëndimore të Azisë së Vogël me dialektet e tyre përkatëse gjuhësore që luajtën një rol të veçantë në zhvillimin e letërsisë greke.

Zhvillimi i letërsisë greke përfshin katër periudha:
1. Periudha arkaike, që shtrihet afërsisht nga shekulli XII deri në shekullin VII para erës sonë. Fitorja e fiseve helene kundër Trojës, forcon unitetin mes tyre dhe bën të lindë te grekët vetëdija për identitet të përbashkët. Ky proces shprehet qartë në krijimtarinë gojore mitologjike dhe poetike e cila, në këtë periudhë, është mjaft e begatë. Lindin kështu cikli mitologjik trojan dhe eposi mbi Luftën e Trojës, që gjejnë mishërim në poemat epiko-heroike “Iliada” dhe “Odisea”. Po në këtë periudhë, Hesiodi krijon poemën didaktike “Punët dhe ditët” dhe “Teogonia”. Këto katër poema u bënë burimi që ushqeu gjithë letërsinë dhe mendimin antik greko-romak, si dhe shumë autorë të mëvonshëm.

2. Periudha klasike, që shtrihet nga shekulli VII deri në fund të shekullit IV para erës sonë. Kjo është epoka më e ndritshme e antikitetit grek, kur ndërtohen institucionet e demokracisë dhe kur arti merr shkëlqim të paparë. Kulmi shënohet në shekullin V para erës sonë, kohën e sundimit të Perikliut, kur Athina bëhet kryeqendra kulturore e politike e helenizmit, duke u kthyer në simbolin e demokracisë për gjithë qytet-shtetet e Greqisë. Në këtë periudhë lind dhe zhvillohet poezia lirike me Alkeun, Safon, Anakreontin, Simonidin, Pindarin etj. Pas saj nis të lulëzojë poezia dramatike me Eskilin, Sofokliun, Euripidin, si dhe me komedishkruesin Aristofan. Gjithashtu, merr zhvillim proza historike, filozofike, oratorike me Herodotin, Platonin, Aristotelin, Demostenin, veprat e të cilëve dallohen edhe për vlerat letrare në parashtrimin e lëndës shkencore.

3. Periudha helenistike (ose aleksandrine), që shkon nga fundi shekullit IV deri në shekullin I para erës sonë. Figura qendrore e epokës është Aleksandri i Madh, që shtriu hegjemoninë e tij mbi mbarë Greqinë dhe përhapi gjuhën dhe kulturën greke në gjithë Mesdheun. Kryeqendra e saj u zhvendos në Aleksandri, ku u ngrit biblioteka më e madhe e epokës, me rreth 700 mijë vëllime. Në planin kulturor, figura qendrore e epokës është Aristoteli, mendimtar dhe filozof.

4. Periudha romake në letërsinë greke, që shkon nga shek. I para erës sonë deri në shkatërrimin e pjesës perëndimore të Perandorisë Romake, pra deri në shek. V të erës sonë. Pas pushtimit romak, në vitin 146 para erës sonë, Greqia e humbi rëndësinë politike, por ndikimi i saj intelektual e kulturor njohu rritje dhe zgjerim të ri, meqenëse qytetërimi romak ose latin u bazua mbi modelin grek. Edhe epopetë dhe letërsia latine, si dhe veprat e mëdha artistike e filozofike, u krijuan mbi modelet greke. Për më tepër, mitologjia romake lindi mbi bazën e mitologjisë së pasur helene. Në aspektin kulturor, Greqia dhe Roma jetuan në simbiozë të plotë, madje mund të thuhet se arti dhe letërsia helene mbijetuan falë përshtatjes së tyre me kulturën latine. Duhet theksuar se latinët, duke “i lëmuar” modelet greke, krijuan një art e kulturë origjinale dhe se letërsia antike greke nuk u shkri me atë romake: të dyja vijuan të zhvillohen paralelisht, duke dhënë dhe marrë nga njëra-tjetra. Por, ndërsa letërsia greke shkon ngadalë drejt rënies, letërsia romake njeh në këtë epokë lulëzimin e vet, me autorë madhorë si Lukreci, Ovidi, Virgjili, Ciceroni e Seneka.

Homeri “Iliada”
Fjala mitologji vjen nga greqishtja mithos (përrallë, gojëdhënë) dhe logos (fjalë, shkencë, arsyetim). Mitologjia është historia legjendare e hyjnive, gjysmëhyjnive dhe heronjve të ndryshëm të lashtësisë, si dhe mjaft qenieve të mbinatyrshme që hyjnë aty: përbindëshat, kafshët, bimët etj. Mitet mbi perënditë dhe heronjtë lindën në kohë shumë të lashta, në një periudhë kur njeriu përpiqej t’i jepte shpjegim dukurive natyrore, si një nevojë për t’i zotëruar edhe me fantazi, këto forca që vepronin në mënyrë kaq të pakuptueshme. Mite e legjenda kanë krijuar të gjithë popujt e botës; për një mitologji të pasur përmenden asirët e egjiptianët e vjetër, hindusët, fiset kelte e gjermanike etj. Por më e njohur për Europën u bë mitilogjia e lashtë greke-romake.

Mitologjia është një legjendë madhështore e pashkruar, e përcjellë gojë më gojë si një mesazh, që vjen e na ngacmon edhe sot kureshtjen dhe habinë se si njerëzit në atë kohë krijuan një poezi që të mahnit me bukurinë e saj, me mënyrën origjinale të pastrimit të jetës, të bën të mendosh për idetë e guximshme, për forcën e vullnetit dhe ëndrrën për ta sunduar e për ta transformuar natyrën.

Eposi homerik është monumenti më i shkëlqyer i trashëguar nga antikiteti. Homeri, sipas Platonit, është poeti më i madh dhe i pari që trajton një tragjedi. Lufta trojane në të gjitha aspektet e saj, në fund të fundit është një dramë e madhe njerëzore, ku ndeshen karaktere, virtyte, pasione e interesa. Nuk ka dyshim që para Homerit ka gjalluar letërsia gojore me këngë e himne të ndryshme kushtuar hyjnive, heronjve dhe bëmave të tyre. Pikërisht këtë pasuri e dëshmojnë dy poemat e mëdha të Homerit, vlerat e larta artistike të të cilave flasin qartë se ato janë jo fillimi, por mbarimi i përkryer i një procesi të gjatë letrar. Dihet se poemat homerike nuk përshkruajnë ngjarje të ditës, aktuale. Ato i thurin lavde së kaluarës historike të një kohe heroike. Rreth Homerit, për shkak të largësisë në kohë, nuk ka të dhëna të sakta mbi jetën e tij. Më shumë se shtatë qytete greke pretendonin se i kishin dhënë Homerit dritën e jetës; Smirna, Kiosi, Kolofoni, Kuma, Pilosi, Itaka, Argosi, Athina. Nga të gjitha këto, më tepër i takon të mburret Smirnës dhe Kiosit, sepse ato i takojnë krahinës së Jonisë, e cila mbahet si djepi i poemave homerike. Duke u nisur nga veçoritë gjuhësore të poemave të Homerit, Iliada dhe Odisea, të krijuara në dialektin jonik, shkenca ka pranuar si të mundshëm Smirnën (Izmiri i sotëm në Turqi) si vendlindje të poetit. Për Homerin mendohet të ketë jetuar aty nga shekulli IX para erës sonë. Ka mendime që e sjellin Homerin edhe në shekullin VIII para erës sonë. Homeri duhet të ketë jetuar shumë më vonë nga koha kur ka ndodhur lufta e Trojës midis grekëve e trojanëve. Gjithashtu, në periudhën aleksandrine, kishte nga ata që thonin se Iliada dhe Odisea nuk janë shkruar nga i njëjti autor, ose se veprat nuk janë shkruar nga një dorë, por ka pasur shumë “homerë”, apo që Homeri është thjesht një emër që simbolizon poezinë antike greke.