Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 2.2: Llojet e krijimtarisë gojore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 2.2

Llojet e krijimtarisë gojore

Krijimtaria gojore, mbi bazën e kriterit të gjinisë, ndahet në:
Poezi popullore
I. Lirikë
a) familjare
b) shoqërore
II. Epikë
a) legjendare (Këngët e Ciklit të Kreshnikëve; baladat)
b) historike (këngë të periudhës para pushtimit osman; të pushtimit osman, këngë për Luftën e Vlorës etj.)

Prozë popullore
1. përralla
2. legjenda
3. anekdota
4. fjalë të urta
5. gjëegjëza

Në krijimet lirike, populli ka shprehur mendimet dhe ndjenjat e veta për problemet e ndryshme të jetës familjare, shoqërore e personale. Këngët lirike, ndryshe nga këngët epike, nuk kanë subjekt; në to nuk i lihet vend tregimit të ngjarjes që ka ndodhur. Ato ndahen në dy grupe të mëdha: këngë të lirikës familjare dhe këngë të lirikës shoqërore.

Këngë të lirikës familjare
1. Në lirikën popullore familjare bëjnë pjesë këngët e djepit, të dashurisë, martesës, vajit. Në këto këngë shfaqet dashuria e popullit për një jetë më të mirë e më të lumtur dhe dëshira për të fituar mbi forcat e natyrës dhe të shoqërisë. Këngëtari popullor i këndon çdo çasti të rëndësishëm të jetës njerëzore. Kjo dëshmon se kënga për popullin është një mjet përmes të cilit ai shpreh mendimet dhe qëndrimet për dukuritë e ndryshme. Këngët lirike nuk janë, pra, një ornament(8) por element i jetës. Këngët e djepit apo ninullat janë këngë të shkurtra, që i shërbejnë nënës për të vënë foshnjën në gjumë. Ndërtohen përmes dy elementeve: a) “kërkesës”që i bëhet fëmijës për të fjetur; b) lutjes drejtuar gjumit apo Zotit, që ta rrisë fëmijën të shëndetshëm dhe të bukur. Ninullat kanë formën e monologëve intimë, poetikë, që dallohen për muzikalitetin dhe melodinë e tyre të thjeshtë. Mjetet artistike që përdoren në to janë: krahasimi, metafora dhe personifikimi. Nëna e krahason vajzën me gonxhen e trëndafilit, me lulen e shegës, me mollën, kurse djalin me pëllumbin, yllin. Mjaft i goditur është personifikimi i gjumit, të cilin nëna e paraqet si një pëllumb që vjen dhe e merr fëmijën në krahët e tij.

Këngët e dashurisë
Në këto këngë shprehen ndjenjat e pastra njerëzore, shprehet ideali i popullit për femrën dhe familjen, si dhe zbulohet vizioni i përparuar i tij për jetën dhe marrëdhëniet mes dy sekseve. Këngët popullore të dashurisë janë mjaft të larmishme. Disa prej tyre karakterizohen nga notat e trishtimit, pasi kanë në qendër një vdekje ose një fatkeqësi, ndërsa shumë të tjera dallohen për humorin dhe nënkuptimet lozonjare. Krahasimet, metaforat dhe epitetet që përdoren për vajzën janë nga më të bukurat dhe realizojnë portrete mjaft të arrira artistike. Të shoqëruara me melodi të ndryshme, këngët e dashurisë paraqiten në vargje e forma të ndryshme strofike dhe me një pasuri të madhe metrike.

Moj e bukura si shkon me gja,
Shpat në shpat po t’njoh në za,
Shumë të ndoqa kesh po t’za!..
Hajde, djalë, se m’gjen tu mrizi,
Mestet e tua ka’i qendisi,
Ka’i qendisi, pasha nanën…

 

Nikaj- Mërturi

Këngët e dasmës
Këngët e dasmës janë shumë të larmishme dhe lidhen me çaste të veçanta të ritualit të dasmës (përgatitjen e brumit, stolisjen e nusjes, nisjen për të marrë nusen etj.). Një pjesë e mirë e tyre, që shoqërohen edhe me valle, përbëjnë repertorin kryesor të dasmës. Figurat kryesore artistike (krahasimet, metaforat) që përdoren në këto këngë, zakonisht janë marrë nga jeta baritore ose nga natyra. Nusja quhet zogë, flori, lulepjergull,trëndafil fletë-fletë, ndërsa dhëndri quhet bilbil, petrit, vezir, dhëndër kanakari etj. Këngët e dashurisë karakterizohen nga refreni tejet i menduar dhe i gjetur artistikisht, rimat e goditura si dhe humori i hollë.

Dasma është spektakli kryesor që populli ynë ka krijuar gjatë shekujve. Asnjë ceremoni tjetër pagane apo fetare, e hareshme apo e përmortshme, zbavitëse apo heroike nuk i afrohet asaj. Ka aty elemente legjendare, ka fragmente homerike, momente të plazmuara, nga kohët kur besohej se perënditë dhe njerëzit jetonin të përzier. Vetë personazhi i nuses është i tillë, gjysmëtokësor dhe gjysmëhyjnor. Dhe këtu nuk është fjala për epitetet që asaj i vihen, por është fjala për thelbin e saj. …
Autobiografia e popullit në vargje, Ismail Kadare

Dalke dhëndërri në sanxhak
për të prishurë një fshat;
jo një fshat, po një mëhallë;
as atë mëhallë gjithë,
po shtëpin’ e zoti krushkut,
të marrimë nusen tënë.

Thimi Mitko, Bleta shqiptare, bot. 2, Vienë 1924, f. 51

Këngët e vajit
Këngët e vajit janë improvizime që shprehin dhimbjen e thellë për të vdekurin, si dhe japin portretin e plotë fizik dhe shpirtëror të tij. Format më të njohura të tyre janë: gjamat (në Veri) dhe vajtimet me ligje (në Jug). Në formën e parë mbizotëron një lloj fryme legjendare, që i jep jehonën e bëmave edhe ngjarjeve të thjeshta të jetës së të vdekurit. Figurat e fuqishme, pyetjet retorike, lirizmi i fjalëve përkëdhelëse dhe epizmi i mallkimeve ndërtojnë një krijim që të trondit. Gjamat dhe vajet, për nga forma, struktura e vargjeve dhe e ritmit, për nga pasuria artistike gjuhësore dhe figurative, përbëjnë një nga pjesët më me peshë të folklorit tonë.

Ku â kenë mirë me ndjellun zí, Hêj… hêj…
Mori loke, mori bí?
Qyqja e mjera un n’ket’shpí,
a t’kjajë vedin e t’kjajë tý,
t’kjajë malsín për rreth e çark?…

 

Grudë

Këngë të lirikës shoqërore
Një pjesë e këtyre këngëve lidhen me plagët e shoqërisë shqiptare, siç është mërgimi nga atdheu, qoftë për arsye ekonomike (kurbeti), qoftë për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak në ushtrinë turke (nizami). Këto këngë dëshmojnë për gjendjen e rëndë shpirtërore të të rinjve që largohen, si dhe të familjarëve të tyre dhe shpesh kanë një ton elegjiak prekës. Ndonjëherë, këngët organizohen në formën e dialogut mes kurbetliut dhe të shoqes. Interesante janë, gjithashtu, edhe këngët që lidhen me punën e kryer nga fshatari, ku del qartë lidhja e tij me natyrën, kafshët e punës, ose këngët që u kushtohen profesioneve të ndryshme, si çobanit, kallajxhiut etj.

-Folë, moj mike, një fjalë,
se jam gati për të dalë.
-Ku vete, mos vafsh i gjallë,
se mua s’ma nxorre mallë…