Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 9.1 Jeta dhe krijimtaria e Servantesit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 9.1

Jeta dhe krijimtaria e Servantesit

Migel de Servantes Saavedra, i njohur shkurt me emrin Servantes, lindi më 9 nëntor 1547 në Alkala de Henares, një qytet në Provincën Kastilja dhe vdiq me 23 Prill të vitit 1616 në Madrid të Spanjës. Ai është romancier, poet, dramaturg dhe ushtarak spanjoll; një klasik i letërsisë botërore dhe një mjeshtër i shquar i periudhës së Rilindjes së vonë. Servantesi njihet kudo në botë me romanin e tij “Don Kishoti i Mançes”, i cili është kryevepër botërore e çdo kohe. Sipas kësaj vepre, formësohet romani i ri europian, i njohur ndryshe si “romani i ndërgjegjes”.

Për vitet e para të jetës së Servantesit dihet pak. Ai lindi në një familje modeste, me shumë fëmijë, ishte i katërti nga shtatë fëmijët. Babai i tij ishte një farmacist-mjek shëtitës dhe pikërisht për shkak të punës së të atit, familja e tij nuk qendronte shumë kohë në një vend, por gjithnjë ishte në udhëtim. Mendohet që arsimin e mori në Valladolid dhe Sevilje. Më 1567-1568, ai u regjistrua në shkollën e një humanisti spanjoll, në Madrid. Më 1569 arratiset për në Itali për t’i shpëtuar dënimit me prerjen e dorës së djathtë, sepse kishte plagosur dikë. Në Itali futet në shërbimin ushtarak. Më 1571 merr pjesë në betejën e Lepantos së Greqisë, midis flotave veneciane dhe turke, ku u plagos rëndë dhe, për ironi të fatit, humbi dorën e majtë. Kurse më 1572 merr pjesë në betejën detare të Navarinos. Më 1573 kthehet në Itali dhe pas dy vjetësh përpiqet të kthehet në Spanjë nga Napoli, me anijen “Sol”, por rrugës anija sulmohet nga tri anije pirate turke dhe Servantesi kapet rob dhe dërgohet në Algjer. Atje qëndron 5 vjet në burg dhe lirohet më 24 tetor të vitit 1580. Pas lirimit nga burgu ai kthehet në Spanjë dhe martohet me Katalina de Salazar (Catalina de Salazar y Palacios), më 1584 dhe së bashku jetojnë në Sevilje deri më 1600. Gjatë kësaj periudhe përfshihet në falimentimin e një bankieri, gjë që solli burgimin e tij më 1602. Pasi u lirua u vendos, së bashku me familjen në Valadolid. Këtu burgoset përsëri, këtë herë padrejtësisht, pasi ishte i dyshuar për vrasjen e një kalorësi. Bën punë të ndryshme për të siguruar të ardhurat për të mbajtur familjen. Disa kohë punon si tagrambledhës. Rreth viteve të fundit të jetës vendoset në Madrid, në oborrin e Filipit III. Gjatë kësaj kohe ai shkruan pjesën më të madhe dhe më cilësore të krijimtarisë së tij të gjerë. Vdiq më 23 prill 1616 në Madrid.

VEPRAT

Tregimi baritor “Galatea”, botuar më 1585, është vepra e parë letrare e Servantesit, pjesa më e madhe e së cilës u shkrua në vitin 1582. Kjo vepër i përket periudhës së shkrimeve të hershme të Servantesit. Ai u përkushtua shumë në shkrimin e kësaj vepre, në të cilën formësohen karakteristikat dalluese të stilit të tij, sidomos në lidhjen e temave tipike të poezisë baritore me elemente të tjera, të tilla, si: aventurat dhe udhëtimet të ndërmarra nga personazhet etj.

Romani “Don Kishoti i Mançes” u botua në dy kohë: pjesa I në vitin 1605, dhe pjesa II në vitin 1615. Ky roman është kryevepra e Servantesit dhe një nga kryeveprat e letërsisë botërore, në të cilën autori godet nëpërmjet satirës e ironisë romanet kalorësiake, duke diskretituar kështu Kohën e Mesjetës si dhe shoqërinë e kohës së tij.

Përmbledhja me 12 novela “Novelat shembullore” u shkrua nga Servantesi më 1613, midis dy pjesëve të romanit “Don Kishoti”. Disa nga këto novela, më vonë, frymëzuan shkrimtarë të ndryshëm jashtë Spanjës, gjer te Valter Skoti dhe Viktor Hygoi; kështu p.sh. personazhi i Esmeraldës në romanin “Katedralja e Parisit”, është marrë prej Hygoit nga novela “Gitanilla” e Servantesit.

Dy vjet përpara vdekjes, më 1614, Servantesi botoi veprën e tij të parë poetike origjinale dhe mjaft interesante “Udhëtimi në Parnas”, që është një poemth i shkruar prej tij në rini, të cilit ai i shtoi dhe një shtojcë në prozë “Mbërritja në Parnas”. Ky poemth është më i gjati nga krijimet poetike të Servantesit.

Në vitin 1615, Servantesi botoi njëkohësisht me veprën “Don Kishoti” edhe veprën “Tetë komedi dhe tetë intermexo”, e cila është poema e tij më e gjatë. Në këtë vepër përfshihet edhe një prej pjesëve teatrale më të bukura “Pedro de Urdemalas”, gjithashtu edhe një nga pikturat e tij më të suksesshme popullore “Tabloja e mrekullive” ( El retablo de las maravillas )

Një vit pas vdekjes, Servantesit i botohet vepra ”Andrallat e Persilit dhe të Sigismundës”, dedikimi i të cilit mban datën 19 prill 1616, katër ditë para se të vdiste. Prologu i kësaj vepre, për tonin autobiografik, është vërtet prekës: “E kam këmbën në yzengji, ankthin e vdekjes e kam në gji”.