Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 6.1
Rilindja Europiane
Konteksti historiko-kulturor
Në fillim të mijëvjeçarit të dytë vihet re një rimëkëmbje e fuqishme ekonomike që përcakton një transformim rrënjësor të ekuilibrave politikë, socio-ekonomikë dhe kulturorë në Europë. Shenjat e kësaj rimëkëmbjeje, si rritja e shpejtë demografike, ripopullimi i qendrave urbane, rritja e prodhimit bujqësor dhe aktivitetit artizanal etj., u shfaqën qartë në fillim të shekullit XI. Tepricat e prodhimit çuan në krijimin e tregut dhe çlirimin e një pjese të popullsisë nga puna në fusha, duke e drejtuar atë drejt biznesit apo veprimtarisë tregtare. Formimi i një shtrese të re të mesme tregtare, krenare për identitetin e saj, provokoi krizën e institucioneve feudale: këto klasa të reja ishin në gjendje të negocionin me princat e vendit për kushtet e reja të punës dhe të jetesës.
Në fund të viteve 1200, falë industrisë së tekstileve dhe aktiviteteve bankare të qëndrueshme, Firencja u bë një nga qytetet më të pasura në Europë. Humbja përfundimtare e partisë gibeline, që përfaqësonte interesat agrare, ndaj asaj guelfe, që përfaqësonte interesat tregtare e financiare, e ndezi më tej luftën politike. Më 1300, drejtpeshimi politik do të prishet nga konflikti i ashpër mes dy fraksioneve kundërshtare: të bardhëve dhe të zinjve. Të parët kërkojnë ruajtjen e autonomisë së qytetit nga të gjitha ndërhyrjet e jashtme, ndërsa të dytët janë të prirur të krijojnë lidhje ekonomike dhe politike me Papatin.
Shfaqja e institucioneve komunale në Itali prodhon një kulturë të re, qëllimi parësor i së cilës është t’i sigurojë qytetit profesionistë: noterë, avokatë, nëpunës të gjykatave për të hartuar dokumente zyrtare , mësues që mësojnë lexim, shkrim dhe aritmetikë. Përhapet një mentalitet i ri, laik, që është i kujdesshëm ndaj realitetit dinamik dhe konkret të jetës së përditshme, kureshtar ndaj saj dhe i shqetësuar për një qasje të dimensionit artistik e kulturor.
Rilindja Europiane
Rilindja Europiane (Il Rinascimento), shekulli XIII-XVI, shënon një periudhë tepër të rëndësishme në historinë e letërsisë, kulturës, filozofisë e shkencës europiane që nis në Firence dhe shpejt përhapet edhe përtej Italisë. Kjo epokë vë në qendër njeriun, shpalos potencialin e tij fizik, mendor e shpirtëror dhe shënon daljen nga errësira mesjetare. Gjatë Rilindjes shkenca (mori lulëzim veçanërisht matematika, fizika, astronomia e mjekësia), arti e dija nisën të zhvillohen të shkëputura nga teologjia.
Rilindja karakterizohet nga ndryshime të mëdha ekonomike-shoqërore siç janë: shfaqja për herë të parë e marrëdhënieve kapitaliste, zhvillimi i qyteteve dhe fuqizimi i shteteve, si dhe disa zbulime të mëdha të cilat sollën zhvillime të mëtejshme të rëndësishme, si shpikja e busullës që mundësoi dhe zbulimet e mëdha gjeografike, shpikja e mikroskopit, barotit ose shtypshkronjës. Pa dyshim, shpikja e shtypshkronjës shënon një epokë shumë të rëndësishme, epokën e komunikimit masiv në Europë. Teknologjia e Gutenbergut u përhap me shpejtësi në të gjithë Europën dhe më vonë në mbarë botën. Në epokën e Rilindjes duket prirja e dëshira për të njohur dhe pasqyruar jetën njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.
Përfaqësuesit e shkencës dhe të kulturës së Rilindjes e quajtën veten humanistë; Leonardo da Vinçi (1452-1519), piktor, arkitekt, skulptor, matematikan, poet e mendimtar konsiderohet si humanisti më i madh i Rilindjes dhe gjeni i njerëzimit. Zhvillimi i arteve figurative lulëzoi në Itali dhe me piktorë e skulptorë të tjerë të mëdhenj, si Rafaeli e Mikelanxhelo; në Gjermani, piktorët Dyrer-i dhe Holbain-i, në Spanjë, Velaskes-i që është dhe një prej piktorëve më në zë. Piktorët dhe skulptorët humanistë zgjedhin si modele trupa të bukur e plot shëndet, dhe përmes tyre na mësojnë ta duam të bukurën dhe të çmojmë forcën e njeriut.
Humanistët shfaqin interesin e tyre për gjithçka që lidhet me njeriun. Duke depërtuar në analiza të thella të shpirtit njerëzor, ata spikatën me stilin dhe individualitetin e tyre dhe shfaqën origjinalitetin e mrekullinë e një arti të pakrahasueshëm. Letërsia e Rilindjes shprehu idealet e epokës; shkrimtarët trajtuan probleme e heronj të rinj, pasqyruan kontradiktat shoqërore të kohës duke i dhënë letërsisë karakter realist, përshkruan ndjenjat dhe dëshirat e njeriut. Humanistët adhurojnë antikitetin greko-romak dhe mbështeten në letërsinë antike, të cilën e patën model të krijimtarisë artistike, forcë e frymëzim.
Përfaqësuesit kryesorë të Rilindjes europiane
Një grup poetësh toskanë (rreth viteve 1280 – 1330) që sollën, sipas etiketimit dantesk, “stilin e ri të ëmbël” (“dolce stil nuovo”), i këndonin me dashuri gruas, në “gjuhën vulgare”, duke e përshkruar atë si një engjëll zbritur nga qielli, që frymëzonte te burri çdo ndjenjë të fisme. Falë tyre, poezia mori ngrohtësi. Letërsia e Rilindjes italiane solli një sërë emrash që përfaqësojnë idealet e epokës: Xhovani Bokaçio (1313-1375) me veprën “Dekameroni” godet e satirizon botëkuptimin feudal e kishtar;
Françesko Petrarka (1304-1374), adhurues i klasikëve latinë, që u frymëzua e u ndikua në krijimtarinë e tij prej Ciceronit, Livit e Virgjilit, i këndon dashurisë së pastër, botës së brendshme të njeriut. Lavdia e tij lidhet kryesisht me krijimet për Laurën në vëllimin poetik “Canzionere” (366 krijime), që është i ndarë në dy pjesë: pjesa e parë përfshin krijimet kur Laura qe në jetë; në pjesën e dytë përfshihen krijimet pas vdekjes së saj. Përmes poezisë së tij, Petrarka sjell sa bukurinë e gruas që i rrëmbeu zemrën, aq dhe vargun e përsosur dhe gjuhën e përzgjedhur dhe elegante. Gjithashtu, te Petrarka gjejmë dhe ndjeshmëri të thellë ndaj natyrës, e cila shkrihet e bëhet një me dashurinë e poetit.
Ludovik Ariostoja (1474-1533) është një tjetër poet e dramaturg italian në gjurmë të autorëve klasikë, Horacit, Terencit e Plautit. Krahas poemës “Orlando i tërbuar”, Ariostoja synon të krijojë komedinë origjinale italiane dhe përmes ironisë e satirës vë në lojë të metat e njerëzve të asaj kohe. Ndërsa te Torkuato Tasoja (1544-1595), përtej situatave heroike, mund të shohim poetin me ndjesitë, dashurinë dhe trazimet e shpirtit të tij.
Në Francë, Fransua Rabëleja (1494-1553), humanist, shkrimtar i madh i Rilindjes franceze, vepra e të cilit karakterizohet nga humori e grotesku, zbulon idetë e njeriut të Rilindjes dhe vë në dukje rëndësinë e shkencës, ndërsa në Spanjë, vepra më e shquar e Rilindjes është romani “Don Kishoti i Mançës” nga Migel de Servantes (1547-1616). Autori synon të parodizojë romanet kalorsiake të kohës dhe të demaskojë rendin feudal. Në vepër gjejmë të pasqyruar me mjeshtëri realitetin e jetës spanjolle të shek. XVI-XVII, padrejtësitë shoqërore, si dhe respektin e dashurinë për njerëzit. Letërsia e Rilindjes njohu zhvillim të madh në Angli, me Robert Grinin e Kristofor Marloun, por, pa dyshim, dramaturgu më i madh i letërsisë angleze dhe i tërë letërsisë botërore, është Uilliam Shekspiri (1564-1616). Në veprën e Shekspirit pasqyrohen idetë e Rilindjes, idetë humaniste të barazisë ndërmjet njerëzve, çlirimi i njeriut nga shtypja feudale.
Veçantitë e epokës së Rilindjes:
– Ndryshime të mëdha ekonomike-shoqërore; shfaqja e marrëdhënieve kapitaliste.
– Epoka e shpikjeve të mëdha.
– Lulëzimi i letërsisë, shkencës, artit.
– Shkëputja e shkencës, artit e dijes nga feja dhe vënia në qendër e njeriut.
– Zbulimi i botës shpirtërore të njeriut dhe i aftësisë së tij fizike, mendore e intelektuale.
– Karakteri realist dhe pasqyrimi i kontradiktave të kohës.
– Adhurimi e ringjallja e antikitetit greko-romak.
– Spikatja e individualiteteve krijuese.