Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 6.2: Jeta dhe veprat e Dante Aligerit Komedia hyjnore

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 6.2

Jeta dhe veprat e Dante Aligierit. “Komedia hyjnore”

Dante (shkurtim i emrit Durante) Aligieri lindi në Firence, në maj të vitit 1265 në një familje pronarësh modestë guelfë. Dihet shumë pak rreth fëmijërisë e adoleshencës, si dhe studimeve që kreu Dantja. Ai ka studiuar gramatikën, logjikën, retorikën, filozofinë, teologjinë e interpretimin e teksteve të shenjta. Dantja studioi me zell e dashuri dhe poetët antikë, veçanërisht Virgjilin. Biografët e tij dëshmojnë se Dante Aligieri ishte një ndër njerëzit më të kulturuar në Europë dhe një rol të rëndësishëm në formimin intelektual e moral të Dantes luan mësuesi i tij, Bruneto Latini, një burrë me horizont të gjerë, noter dhe financier i Komunës së Firences. Por krahas shkencës e artit, Dantja nuk la mënjanë as gjimnastikën, kalërimin ose qitjet me hark.

Më 1274, në moshën 9-vjeçare, Dantja takon për herë të parë Beatriçen, e cila i mbetet në zemër si një kujtim i ëmbël fëmijërie. Ai do ta ndeshë atë sërish në rrugë në moshën 18-vjeçare, pasi kishin kaluar 9 vite. Dashuria i mbush  shpirtin, i ngroh zemrën, ndaj vendos t’i këndojë dashurisë së tij në sonetin kompozuar për Beatriçen, në të cilin vajza paraqitet me tërë bukurinë e saj shpirtërore. Por, më 9 qershor 1290, në moshën 24-vjeçare, Beatriçja vdes dhe Dantja pëson një tronditje të thellë e cila do të reflektohet edhe në jetën e tij.

Dantja lindi e u rrit në Firencen e ndarë në dy grupime: guelfët, që kërkonin bashkimin e Italisë nën pushtetin e Papatit dhe gibelinët, që kërkonin bashkimin e Italisë nën pushtetin e Perandorit. Këto rrethana të jetës politike dhe shoqërore të vendit janë të lidhura ngushtë me jetën dhe veprimtarinë e Dante Aligierit, i cili nuk ka qenë vetëm poet i madh, por edhe personalitet i shquar politik. Në vitin 1289 ai lufton denjësisht në Kompaladino, ku u ndeshën guelfët e Firences me gibelinët e Arecos. Dantja bënte pjesë te kalorësit dhe fiorentinët e fituan këtë betejë. Në vitin 1289, guelfët mundën përfundimisht gibelinët, por programi politik i gibelinëve mbeti i gjallë te guelfët që u ndanë në të bardhë e të zinj. Të bardhët përpiqeshin për pavarësinë e Komunës së tyre, ndërsa të zinjtë ndiqnin qëllimet ambicioze të Papë Bonifacit VIII, i cili synonte zotërimin e qytetit. Dantja rreshtohet në anën e të bardhëve. Lufta mes këtyre fraksioneve do të bëhet edhe më e ashpër dhe, më 1301, të bardhët i përzunë të zinjtë nga qyteti i Firences. Por, pak kohë më pas, papa Bonifacit VIII siguroi sundimin e të zinjve në Firence. Filluan përndjekjet, burgosjet dhe mërgimi i të bardhëve. Dantja u gjykua në mungesë, u dënua me dy vjet internim dhe, në një gjykim të dytë, u dënua me vdekje. Mërgimi e bëri poetin të vuajë shumë, por nuk e përkuli. Ai është i etur t’i kushtojë atdheut jetën dhe talentin e tij. E ka humbur shpresën për të përmbushur misionin e tij politik, por jo shpresën për t’u kthyer në vendin e tij, në Firence. Më 1316, vërtet poetit iu kërkua të kthehej, por vetëm nëse kthehej si i penduar dhe përmbushte një poshtërim publik. Në “Letër një miku fiorentin” (“La lettera a un amico fiorentino”) Dantja i revoltuar shkruan: “Në qoftë se nuk mund të hyhet ndryshe në Firence, unë atje nuk do të shkel më kurrë. E çfarë pastaj? Vallë nuk do të arrij të kënaqem me dritën e diellit diku tjetër? Nuk do të arrij të meditoj duke parë qiellin dhe nuk do të thur vargje të ëmbla diku tjetër, pa u rikthyer i çnderuar në Firence?”. Poeti i mërguar nuk shkeli më në Firence. Ai u end nëpër Itali: Veronë, Toskanë, Trevizo, Padovë, Venecie, Lunxhinanë, Lukë… e Ravenë, ku vdes, i prekur nga malarja, në shtator 1321. Më vonë, Firencja e penduar kërkoi vazhdimisht që t’i ktheheshin eshtrat e poetit të madh, po Ravena e refuzoi këtë kërkesë.

Vepra
Dantja ka nisur herët krijimtarinë e tij: një pjesë të saj e shkroi në latinisht dhe një pjesë në gjuhën italiane. Veç veprës së tij madhore, “Komedisë”, në gjuhën italiane, Dantja shkroi: Jeta e Re (La Vita Nuova), 1292-1293, përmbledhje sonetesh dhe proze. Në këtë vepër, ku zbulohet jeta shpirtërore dhe ndjesitë e njeriut, poeti përshkruan ndjenjat e tij për Beatriçen, të cilën e ka paraqitur si simbol të bukurisë shpirtërore, virtytit dhe mirësisë. Gostia (Convivio) Kjo vepër, paraprirë nga një parathënie, përbëhet nga 14 këngë dhe 14 traktate në prozë që komentojnë këngët. Argumentet e prozës janë nga më të ndryshmet: çështje të moralit, filozofisë, astronomisë, teologjisë etj. Me këtë vepër Dantja provoi se gjuha italiane është e vetëmjaftueshme për të shprehur dhe çështjet më të ndërlikuara të shkencës, pa pasur nevojën e latinishtes apo frëngjishtes. Libri i këngëve, vepër ku janë përmbledhur këngë të ndryshme drejtuar një gruaje që ishte sipas poetit e ftohtë dhe e pandjeshme si guri, si dhe disa vjersha satirike e didaktike. Në latinisht Dante shkruan: Rima të ndryshme, vepër me dy pjesë: një pjesë me poezi dashurie, disa prej tyre kushtuar Beatriçes dhe një pjesë tjetër filozofiko-morale. Për të folurën popullore (De vulgari eloquentia). Traktat mbi dialektet e ndryshme të Italisë dhe mbi gjuhën e përbashkët, “vulgarin e shkëlqyeshëm” që do të mësohej nga veprat e poetëve më në zë të të gjithë Italisë. Për monarkinë (De Monarchia)- Traktat politik i ndarë në tri pjesë. Kjo vepër dëshmon për pjekurinë politike të Dante Aligierit. Në të, Dantja shpalos idenë se Kisha duhej të qëndronte larg politikës dhe t’i përmbahej punëve të saj. Dantja mendonte për një Monarki Universale, në bashkëjetesë paqësore me Kishën. Epistualet, Letrat e Dantes, ku do të veçonim letrën që Dantja i drejtoi Arrigut VII, si dhe letra drejtuar një miku fiorentin.

Komedia Hyjnore
“Komedia Hyjnore” është vepra më e rëndësishme e Dante Aligierit dhe një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Mendohet se poeti e ka nisur punën për hartimin e Komedisë në vitin 1300, ose 1301 dhe se shtatë këngët e para të Ferrit të jenë mbaruar para mërgimit të poetit, pjesa tjetër në mërgim. Rreth vitit 1308, Ferri është i mbaruar. Pas pesë viteve, edhe Purgatori, ndërsa Parajsa qe vepër e viteve të fundit të poetit dhe u përhap pas vdekjes së tij. Te “Komedia”, Dantja shpreh vetveten, me hidhërimet, mjerimet e me njohuritë e veta. Poeti, i trishtuar jo vetëm nga humbja e Beatriçes, por edhe nga ligësia e vulgariteti i njerëzve, kishte humbur në një jetë plot mëkate e larg arsyes, por Beatriçja, e gjallë përherë në zemrën e tij, i vjen si shpëtim, si engjëll i Perëndisë që i flet së brendshmi.

Poeti e quan veprën “Komedi” për dy arsye: së pari, prej vetë përmbajtjes së veprës (komedia, ndryshe nga tragjedia, nis keq, por ka një fund të gëzueshëm: nga ferri – në parajsë), së dyti, prej vetë stilit të veprës (zgjedhja e një stili modest, të ulët, gjuha e folur nga populli, gjuha vulgare). Mbiemri “Hyjnore” që i ka mbetur poemës që nga shtypja e saj, më 1555 në Venedik, tregon për përmbajtjen e veprës (udhëtim në botën e përtejme), dhe përsosmërinë artistike të saj.

Poema “Komedia Hyjnore” është, në motivin e saj fillestar, historia e një mëkatari që kërkon të kthehet te Zoti i tij, një subjekt ky i zakonshëm për kohën kur jetoi e shkroi Dantja. Njeriu, pasi njeh mëkatet e tij, pastrohet me anë të pendimit dhe arrin përsosmërinë morale. Ideja e përpjekjes së njeriut për përsosje morale përfaqëson idealin mesjetar për një jetë të denjë që i siguron njeriut lumturinë e përjetshme pas vdekjes. Por historia e Dantes shkon përtej. Udhëtimi i tij lartëson gjininë njerëzore. Dantja respekton njeriun dhe beson në mirësinë dhe drejtësinë e tij. Dantja triumfon mbi idetë mesjetare dhe shpalos idetë humaniste të Rilindjes. Historia e kthimit të shpirtit te Zoti vjen përmes një udhëtimi alegorik të Dantes në mbretërinë e mëkatit, Ferrit, të pendesës e pastrimit, Purgatorit, të lumturisë së përjetshme, Parajsës. Dantja mund të ketë pasur si shembull Virgjilin (udhëtimi i Eneut në Ferr), ose Ciceronin e Aristotelin. Gjithsesi, “Komedia Hyjnore” mbetet e përsosur, një vepër ku humanizmi shtrihet kaq ndryshëm e plotë. Dantja, ky gjyqtar e ndriçues, sjell në poemë realitetin e përjetimin tokësor, gjithë dituritë e tij, të gjitha pasionet, dashuritë, mëritë e kujtimet e jetës së tij. Njeriu Dante është i gjallë e shumë i fortë. Përveç se alegori morale e fetare, vepra është dhe alegori politike (realiteti në Firence e Itali, lufta e brendshme). “Komedia Hyjnore” ka 100 këngë. Nga to, kënga e parë është parathënie dhe 99 këngët e tjera janë ndarë në 3 kantika: Ferri, Purgatori, Parajsa. Secila kantikë ka 33 këngë (33 – mosha e Krishtit), të shkruara në tercinë (strofë trivargëshe). Vargu i parë i çdo tercine rimon me vargun e tretë dhe vargu i dytë rimon me vargun e parë dhe të tretë të tercinës pasardhëse. Kështu, përmes rimës, çdo strofë lidhet me strofën që pason. “Komedia Hyjnore” është një vepër me arkitekturë rigoroze e sistem të rreptë strukturor. Çdo varg, çdo episod duket i lidhur fort me tërësinë e poemës. Të tria kantikat, për shembull, mbyllen me fjalën “yjet”, ndërsa kënga VI e çdo kantike ka një argument politik.

 

Gjatë tërë poemës mbizotëron numri mistik 3, i cili ngre në kult trininë e shenjtë: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. E tërë poema është ndërtuar mbi bazën e alegorisë. Dantja (protagonist dhe poet njëherazi), në udhëtimin e tij imagjinar në botën e përtejme, në këngën hyrëse të poemës gjendet para një pylli të errët që personifikon jetën e njeriut mes mëkatit. Tri bisha (pantera, luani e ulkoja, respektivisht simbole të mëkateve të njeriut në moshën e rinisë, të lakmisë për pushtet dhe lakmisë për para) i zënë udhën, por poetit i vjen në ndihmë Virgjili, simboli i arsyes, i cili do ta udhëheqë Danten në Ferr e Purgator. Virgjili është dërguar nga Beatriçja, që personifikon dashurinë hyjnore.

Ferri, një humnerë e pamatë që shkon drejt qendrës së Tokës, është e ndërtuar nga nëntë rrathë dhe një treme* në hyrje ku qëndrojnë ato njerëz që nuk vepruan as mirë, as keq në jetën e tyre. Paraferri shtrihet deri në lumin Akeront, përtej të cilit është Limbi, banesa e atyre që nuk janë pagëzuar. Aty janë dhe poetët e mëdhenj të botës së lashtë:

Ai asht Homeri, mbret mbi vjershëtorë;
E mbas tij vjen Horaci me satirë,
Ovidi pas, Lukiani n’fund forë.

Më pas fillon Ferri i vërtetë ku mbizotëron ajri i rëndë dhe i errët.

Breshën kokrrosh, shi pis e llohë vërvitte
Ajrija e zymtë, e në qelbsinë të ndytë
Kutërbon dheu, sa zorrët jashtë t’i qitte.

Në rrethin e dytë vuajnë dënimin mëkatarët e dashurisë, më pas grykësit, dorëlëshuarit dhe dorërrudhurit, zemërakët e smirëzezët. Në rrethin e gjashtë gjenden heretikët, më pas dhunuesit, mashtruesit dhe në fund tradhtarët. Dantja ka vënë në tri gojët e Luçiferit: Judën, tradhtarin e Krishtit dhe Brutin e Kasin, tradhtarët e Perandorit. Rrethi i nëntë është rrethi më i tmerrshëm, sepse aty ndodhet qendra e Tokës dhe e Universit. Çdo rreth ruhet nga djajtë, si Minosi, Cerberi, Minotauri, Gerioni etj.

Dantja ndalon dhe bisedon me mëkatarët e çdo rrethi (përveç kopracëve): Françeska da Rimini i tregon historinë e dashurisë dhe dhembjes së saj; kont Ugolini përjeton sërish tmerrin që i panë sytë: agoninë e katër fëmijëve (dy bijtë e dy nipërit) që kërkonin ndihmë nga ai e që vdiqën urie të mbyllur në kullë, ndërsa Odisea i tregon për fundin e tij dhe të shokëve të tij, pasi kishin parë malin e Purgatorit.

Ndëshkimet që Dantja u jep mëkatarëve të Ferrit janë në analogji me mëkatin e tyre në jetën tokësore: mëkatarët e mishit janë dënuar të vërtiten pa ndërprerë në një stuhi të vrullshme, njësoj si u turbulluan për së gjalli:

Si shturat truma-truma n’erë përhapë,
Q’i rreh me rribë murrain e i sharapjek,
Njashtu stuhia shpirtënit e prapë

Andej-këndej, poshtë e përpjetë i ndjek:
Kurrë s’kanë as ngushëllim as afarë uzdaje
As për ndalesë, as për mâ pak dispjek.

njerëzit në parakthinë vrapojnë të pickuar nga miza e grerëza gjigande, duke qenë se në jetë nuk denjuan të luftonin për një ideal; zemërakët, zhytur në baltë, kacafyten duke e bërë njëri-tjetrin copë e çikë; falltarët janë dënuar të ecin mbrapsht, me kokë të kthyer, pasi ato tentuan të shihnin të ardhmen etj. Pasi mbarojnë udhëtimin e tyre në Ferr, dy poetët fillojnë të ngjiten deri sa rishohin yjet përsëri. Ata nisin udhëtimin e tyre në Purgator, një mal i lartë me shtatë rrathë ku gjenden shpirtrat e penduar. Dantja ngjit një nga një rrathët e Purgatorit e çlirohet prej mëkateve. I pastër e i përtërirë, ai është gati për udhëtimin e tij në nëntë qiejt e Parajsës, ku udhërrëfyese është Beatriçja. Me udhëtimin e tij imagjinar në botën e përtejme, duke ndëshkuar tradhtinë, egoizmin, lakminë, veset e zvetnimin, Dantja, si një gjyqtar i pamëshirshëm, i tregon njeriut se rruga e vetme për çrrënjosjen e së keqes është mirësia dhe drita e arsyes.