Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 11.1: Klasicizmi, tiparet estetike dhe përfaqësuesit kryesorë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 11.1

Klasicizmi, tiparet estetike dhe përfaqësuesit kryesorë

Vështrim i përgjithshëm (konteksti historik dhe letrar)
Klasicizmi është drejtimi letraro-kulturor që u përhap kryesisht në Francë në shek. XVII, në kohën e monarkisë absolute. Vitet 1624-1648 shquhen si vite rebelimi e kryengritjeje në të gjithë Francën. Revoltat e kohës së Luigjit XIII ishin shprehje sa e dëshpërimit të të varfërve, aq dhe e pakënaqësisë së të privilegjuarve. Për shkak të shpenzimeve të shumta, politika e taksave u bë edhe më e egër, çka solli në vitin 1648 revoltën e disa eksponentëve të parlamentit parizien, të cilëve iu bashkuan edhe turma të mëdha nga populli, që detyruan oborrin të merrte arratinë e të largohej nga Parisi. Kjo përvojë e arratisë ishte traumatizuese për Luigjin e vogël, i cili nuk e harroi poshtërimin e pasigurinë që provoi gjatë asaj kohe.

Luigji XIV (1638 – 1715), i mbiquajturi “Mbreti Diell” (Le Roi Soleil), të cilin e identifikojmë shpesh me thënien e tij: “Shteti jam unë!” (“L’état, c’est moi!”), mbretëroi në Francë nga viti 1661 deri në vitin 1715. Ai sundoi në mënyrë absolute, ishte në qendër të gjithçkaje dhe ky absolutizëm gjeti shprehje edhe në përqendrimin në duart e veta të sektorëve kyç të vendit. Luigji XIV zgjodhi një pronë të vogël në fshatrat përreth Parisit, në Versajë, ku vendosi pallatin mbretëror dhe, që nga viti 1682, gjithë fisnikëria dhe oborri u detyruan të zhvendosen atje, në kontakt të ngushtë me sovranin. Oborrtarët i priste një stil jetese i privilegjuar dhe luksoz, i mbushur me festa mondane të çdo lloji, dëfrime dhe liri e tepruar, brenda një burgu të praruar.

Mbreti Luigji XIV donte ta vendoste Francën në qendër të politikës europiane dhe për këtë bëri një sërë luftrash kundër shteteve të tjera europiane. Kështu, epoka e Luigjit XIV, sa epokë lavdie, ishte dhe një epokë luftrash, rrënimi ekonomik dhe sakrificash njerëzore për popullin francez. Në kohën e mbretërimit të tij, Franca njohu, gjithashtu, një jetë kulturore e artistike të pasur dhe u bë mbizotëruese dhe model kulture për të gjithë Europën, duke diktuar epërsinë e artit dhe të stilit të jetës franceze, ndërsa frëngjishtja u bë gjuhë zyrtare e elitës europiane. Monarkia absolute ushtronte kontrollin e saj mbi artistët dhe shkrimtarët dhe donte t’i përdorte ata për të shtuar prestigjin e saj. Luigji XIV u rrethua nga grupe artistësh, të gjithë të gatshëm për ta mbushur atë me portrete e piktura në të cilat shpeshherë paraqitej si një lloj hyjnie, ose me lëvdata plot shkëlqim (pjesa më e madhe e të cilave vërtet të sinqerta, dalë nga penda e shkrimtarëve më në zë të kohës). Vitet 1660-1680 shënojnë dhe vitet më madhështore të letërsisë franceze: lindën kryeveprat e mëdha të Rasinit e Molierit, fabulat e La Fontenit, “Arti poetik” i Bualosë, romani i Madamë de la Fajet (Madame de la Fayette) etj.

Qeverisja me rregulla e displinë të hekurt, si dhe prirja e shtresës së aristokracisë për të bërë efekt me shkëlqimin e saj të jashtëm, për t’u shquar në sjellje, ndjenja e shije, u bënë faktori kryesor që nxiti krijimin e një drejtimi të ri të të menduarit në jetë, kulturë e art. Vlerave përfaqësuese të barokut* filluan t’ia zenë vendin disa cilësi të reja rregulli e qartësie në të shprehur, të cilat u quajtën më pas “klasike”, si: kontrolli i artit nga arsyeja, disiplinimi i forcave krijuese, shqetësimi për universalen etj. Ky drejtim i ri, me shprehjen më të përqendruar në letërsi, mori emrin klasicizëm, ndërsa teoricieni kryesor i tij është Nikola Bualoi. Për Bualonë, arsyeja, natyra, e bukura dhe virtyti janë të pandashme.

Tiparet dhe parimet estetike të klasicizmit
Nikola Bualoi formulon rregullat e artit klasik në veprën e tij “Arti poetik”. Ja disa prej treguesve më të spikatshëm në to:
– Sipas klasicistëve, shkrimtari duhet të udhëhiqet nga arsyeja, vetëm kështu vepra e tij merr vlerë e shkëlqim. Shkrimtari që “rrëmbehet nga ndjenjat”, humbet gjykimin e shëndoshë dhe bie në “idera” pa kuptim. Arsyeja është themeli i një vepre të shkruar mirë.
Besnikëria ndaj së “vërtetës” ose “natyrës”, që i kundërvihet elementeve baroke, si sajimi, stërhollimi i tepruar etj., është një tjetër tipar i klasicizmit. Shkrimtari klasicist nuk duhet të shkruajë për diçka të pabesuar, ai duhet të jetë sa më pranë së vërtetës.
Imitimi i shkrimtarëve antikë: klasicistët adhurojnë antikitetin dhe e shohin letërsinë e kësaj periudhe si pikëmbështetje, si model për krijimin e veprave të tyre.
– Shkrimtari klasicist duhet të udhëhiqet nga masa, çdo gjë e thënë aq sa duhet, pa stërhollime ose pa shkurtime. Shkrimtari nuk duhet të rëndojë veprën me vogëlsira e shterpësira pa dobi e vlerë. Ai duhet të kufizohet, të mos zgjatet e të mos i bjerë shkurt në të njëjtën kohë: çdo gjë e thënë në masën e duhur.
Etika, respektimi i spektatorit: shkrimtari klasicist duhet të jetë i kujdesshëm, të mos trondisë shikuesin; skenat që nuk mund të shihen, duhet vetëm të rrëfehen, ndërsa gjuha të jetë e pastër, e kujdesshme, pa “gojështhurje”.
– Përmes veprës, të arrihet katarsisi (kullimi, pastrimi shpirtëror). Tragjedia duhet ta rrëmbejë, ta prekë lexuesin/shikuesin me forcën e saj, të rrëmojë në zemrën e tij e ta bëjë të lotojë e të pastrojë pasionet me anë të tmerrit e mëshirës.
Veprimi i ngjeshur dramatik: vepra të ketë një hyrje të shpejtë, përshkallëzim të veprimit dhe paraqitje të skenave njëra pas tjetrës pa teprime, më pas kulminacion dhe zgjidhje të natyrshme të konfliktit.
Parimi i tri uniteteve dramatike: uniteti i vendit, kohës dhe i veprimit. Për shkrimtarin klasicist, veprimi duhet të jetë i ngjeshur, ngjarjet të zhvillohen në një vend dhe brenda një dite.
Heronjtë e besueshëm, të pasur me virtyte, por edhe me dobësi njerëzore. Heroi në veprën klasiciste nuk duhet të shfaqet kontradiktor, ai duhet të ruajë të njëjtat veti që shfaq në fillim të veprës, të jetë besnik i vetvetes. Heroi duhet të jetë i pasur në virtyte, plot hir e madhështi.
Secila gjini të ruajë tiparet e veta: në komedi nuk duhet të ketë psherëtima e vaj, ndërsa në tragjedi s’duhet të gjejë vend përqeshja e gazi.
Vërtetësia e ndjenjave: shkrimtari klasicist (i gjinisë komike) duhet të futet në brendësi të shpirtit njerëzor, të shohë me mendjemprehtësi të fshehtat e tij, të njohë mirë karakteret njerëzore: bujarin, koprracin, xhelozin a të marrin, e të krijojë tipa ku secili mund të gjejë vetveten.
Gjuha e pastër, pa ekuivoke dykuptimësi, me tingëllim të qartë e shprehje të bukur. Klasicistët vlerësojnë në mënyrë të veçantë qartësinë e pastërtinë e gjuhës dhe kërkojnë që gjithçka të shprehet me art e thjeshtësi, këndshëm e me bukurtingëllim.
– Ata sugjerojnë përdorim të vargut aleksandrin klasik (12-rrokësh), të ndarë me cezurë në dy hemistikë (gjysmë vargu). E gjejmë te Kornej, Rasini, Bualoi etj.

Përfaqësuesit kryesorë
Përfaqësuesit më në zë të klasicizmit frëng janë: Nikola Bualoi, La Fonteni, Pjer Korneji, Zhan Rasini, Molieri etj.

Nikola Bualoi (Nicolas Boileau, 1636-1711)
Nikola Bualoi, gjatë kohës së studimeve në kolegj, është dhënë pas letrave antike. Ai është autor satirash morale e letrare dhe letrash në vargje; famën e fitoi me veprën “Arti poetik”, në të cilën formuloi parimet e rregullat e klasicizmit.

Pjer Korneji (Pierre Corneille, 1606-1684)
Pjer Korneji është krijuesi i tragjedisë klasike franceze. Ka ndjekur shkollën jezuite të qytetit të tij të lindjes ku zbuloi retorikën, latinishten, heronjtë e antikitetit dhe teatrin. Nisi të shkruajë komedi, por në këto vepra shpërthen tundimi për tragjedinë dhe shkruan tragjedinë “Sidi” (Le Cid) (me të cilën fiton famën), “Horaci”, “Cina” (Cinna ou la Clémence d’Auguste) etj. Veprat e P. Kornejit, ndonëse të veshura me petkun e antikitetit, trajtojnë probleme të rëndësishme të kohës kur jetoi. Heroi kornelian është i paepur, me vullnet të fortë dhe udhëhiqet nga ideale të larta, gjithmonë i gatshëm të sakrifikojë çdo gjë për nderin dhe lavdinë. Tek ai ndeshet ndjenja me detyrën, pasioni me arsyen.

La Fonteni (Jean de la Fontaine, 1621-1695)
La Fonteni është fabulisti më i njohur francez. Kreu studimet për drejtësi, por nuk e ushtroi profesionin e avokatit. Vepra e tij është e larmishme, ndonëse famën e fiton me vëllimet e librave me fabula (12 vëllime), në të cilat pasqyrohen dukuri të jetës shoqërore e politike të Francës së shek. XVII. Herë hapur, herë përmes aluzioneve, La Fonteni mban qëndrim kritik ndaj realitetit e mbretit dhe fshikullon aristokracinë e moralin e ulët, veset e shoqërisë njerëzore. La Fonteni ngre lart llojin poetik të fabulës.

Zhan Rasini (Jean Racine, 1639-1699)
Zhan Rasini iu përkushtua tërësisht teatrit, duke u frymëzuar nga antikiteti grek nga i cili merr dhe subjektet për disa nga tragjeditë e tij. Tragjedia që do t’i japë famë, është tragjedia “Andromaka”, ku, krahas lirizmit, gjejmë shpërthime të furishme pasionesh. Heronjtë e Rasinit janë më njerëzorë, me të metat dhe dobësitë që i karakterizojnë, të cilat ndodh të mos i zotërojnë dot me anë të arsyes. Shquhen tragjeditë “Andromaka”, “Britanikus”, “Fedra”, “Efgjenia” etj.