Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 8.1 Letërsia e vjetër shqipe, Buzuku dhe Budi

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 8.1

Letërsia e vjetër shqipe, Buzuku dhe Budi

Letërsia filobiblike në thelb të saj ka një model shkrimi, shkrimin biblik. Ky prodhim shqiptar nis prej shekullit XVI dhe, për nga përmbajtja e veprave, nuk mund të quhet letrar me kuptimin më të kulluar të fjalës, pasi:
• këto shkrime, që përmbledh kjo tërësi produktesh kulturore, nuk janë shkruar me ndonjë qëllim krejt estetik a letrar, po janë pothuaj të gjitha shkrime fetare të punuara nga priftërinj me qëllim përhapjeje a mësimi të fesë;
• kjo lëvizje nuk ka patur as vazhdimësi, as ndonjë përhapje nëpër gjithë shqiptarët e atëhershëm. Sado që e tërë kjo krijimtari, me pak përjashtime, nuk ka vlerë letrare a estetike, vlen të studiohet e të njihet, sepse është pasqyrë e gjendjes mendore, shpirtërore e kulturore e shqiptarëve. Ka vlerë të madhe për ne, jo vetëm pse na thotë kur nisi të shkruhej gjuha shqipe e kur filloi pikërisht një farë lëvizje kulturore, sado e përçarë dhe me prirje të ndryshme në vendin tonë, por edhe pse na jep një fazë të vjetër të zhvillimit të gjuhës sonë, ashtu si flitej në ato kohë të vjetra. Pas dokumenteve të para gjuhësore, nga pikëpamja e vjetërsisë, vendin e parë e zë prodhimi i Shkrimtarëve të Veriut. Ky prodhim lindi e u zhvillua në Shqipërinë e sipërme dhe përfshin të gjitha shkrimet e autorëve kishtarë, të botuara më të shumtat jashtë, prej Propagandës Fide, duke filluar nga më i vjetri që njohim, libri i Gjon Buzukut, më 1555.

Shkrimtarët më kryesorë të këtyre shkrimeve janë: Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani.

Karakteristikat kryesore të këtij prodhimi të letërsisë së vjetër janë:
· Lënda është gati krejt fetare, pasi u shkrua me qëllimin kryesor që të mbajë gjallë e të forcojë besimin.
· Ndjehet fluksi latin e italian, pasi autorët ishin të lidhur ngushtë me kishën dhe kishin kryer studimet në Itali.
· Gjithë për arsyet e mësipërme, alfabeti i përdorur prej tyre është pothuaj ai i tipit latin-italian. Pa dyshim, ky prodhim është më i rëndësishmi si nga pikëpamja e sasisë dhe gjerësisë, edhe nga pikëpamja e lëndës dhe brendisë.

Këta shkrimtarë të vjetër:
· filluan një lloj lëvizjeje kulturore në vendin tonë;
· i dhanë shqipes një alfabet (alfabetin latin);
· menduan e punuan për atdheun e gjuhën e tyre, për shqipen e Shqipërinë.

Gjon Buzuku është autori më i vjetër, përsa dihet deri më sot, i gjuhës shqipe.
Vepra e tij “Meshari”, botuar në vitin 1555, gjendet si ekzemplar i vetëm në gjithë botën, në bibliotekën e Vatikanit. I pari shqiptar që dha lajmin në vitin 1740, se ky monument i çmueshëm gjendej në Romë, ishte imzot Gjon Kazazi nga Gjakova, Kryeipeshkvi i Shkupit. Në atë kohë, Kazazi e hetoi librin, jo ku është sot, por në bibliotekën e Propagandës Fide. Prej gëzimit mori dhe përshkroi me dorë një copë të faqes së fundit dhe ia dërgoi italo-shqiptarit at Gjergj Guzetës, në Palermo. Libri, siç është sot, ka 94 fletë; numri i vërtetë i fletëve do të ishte 110. Blenit i mungojnë 16 faqet e para dhe ndonjë nëpër të. Lënda e librit është krejt fetare dhe përfshin më fort pjesë liturgjike sipas këtij rendi: Oficja (radhë psalmesh e lutjesh) e Zojës Mari, shtatë psalme pendestare, Litanitë e mëdhaja (lutje për të kërkuar mëshirën e Perëndisë), pjesë rituali e katekizmi. Më se gjysmën e librit e zënë Meshët e motit kishtar. Përveç kokave të faqeve të librit dhe titujve që janë latinisht, gjithçka tjetër është shqip. Gjuha e Buzukut është shqipja e dialektit gegë. Për autorin dihet aq sa thuhet në parathënien e veprës. Ai është një prift katolik gegë Don Gjoni, i biri i Ded Buzukut. Prej dialektit kuptohet se është malësor i Malësisë së Mbishkodrës, ndoshta i Malësisë së Krajës. Libri u punua për dhjetë muaj e gjysmë: 20 mars 1554 deri 5 janar 1555. Rëndësia e këtij monumenti është shumë e madhe, si për trajtat e fjalëve e fjalorin, edhe për historinë e dialekteve të shqipes; mbasi në kohën e tij, ndryshimet ndërmjet gegërishtes dhe toskërishtes nuk ishin aq të mëdha.

Një fragment nga Parathënia e Mesharit
U Doni, Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nuk kish gjâ t’ëndigluom nsë Shkruomit Shenjtë, e nsë dashunit së botës sanë, desha me u fëdigun5 përsa mujta me ditun, me zdritun pak mendet’ e atyne qi t’e ëndiglonjin’, perse ata mund’ merrnë, sa i naltë e i mujtun e i permishëriershem âsht’ Zotynë atyne qi t’a duonë me gjithë zemër’.

Pjetër Budi
Pjetër Budi është pa dyshim një nga figurat më të shquara të letërsisë së vjetër shqiptare. Ai ka meritën se ngriti nivelin e letërsisë nga një letërsi thellësisht klerikale, në një letërsi humaniste e me vlera artistike. Me krijimtarinë e tij në prozë e poezi, Budi i dha vlera të reja letërsisë sonë të vjetër. Ai vlerësohet si poeti i parë shqiptar dhe martiri i parë i letrave shqipe. Imzot Pjetër Budi prej Gurit të Bardhë, katund në Mat, lindi në vitin 1566. Mësimet e para i mori privatisht, duke lëvizur atykëtu me ipeshkvinj të vendit; ndërsa studimet e larta i kreu në Kolegjin Ilirjan të Loretos. I ri 21 vjeç, bëhet meshtar dhe punon në Misionin e Kosovës; punon gjithkund dhe dallon për zellin në punë, në fillim si famullitar, pastaj Zëvendës i Përgjithshëm (Vicario generale) i dioqezave të Serbisë, për 17 vjet. Veprimtaria e tij është ajo e një atdhetari dhe misionari të palodhur; ishte në krye të lëvizjeve patriotike për të organizuar dhe drejtuar luftën kundër Turqisë. Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali; herë për të shprehur keqardhjen përpara Papës për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, për vuajtjet e popullit e të kishës, që ndrydheshin nën thundrën e barbarit, herë për të mundësuar botimin e librave të vet. Në korrik 1621 emërohet Ipeshkv i Zadrimës dhe në vjeshtën e këtij viti përgatit planet e kryengritjes për të shpëtuar vendin nga zgjedha e turkut. Ishte në valën e veprimit e të organizimit të lëvizjeve, kur më 25 dhjetor 1622 mbytet duke kaluar në lumin Drin, një vdekje e cila mbeti e dyshimtë për arsyet se si ka ndodhur. Dyshohej për vrasje; për të eleminuar një njeri aktiv, i cili ishte në shërbim vetëm të atdheut dhe fesë.

Krijimtaria e Budit
Botimet e tij (flasim për ato që kemi në dorë sot), përkthime a origjinale, janë rreth 3200 vargje dhe 100 faqe prozë origjinale, në të cilat mund të kundrojmë fizionominë besnike të gjuhës së përdorur nga shqiptarët e Gegërisë në fillimin e shek. XVII.

• Vepra më e njohur e Budit është “Doktrina e kërshtenë”, përkthim dhe përshtatje nga latinishtja e veprës së klerikut italian Sh. R. Belarmino. Ajo është një katekizëm me pyetje-përgjigje ndërmjet priftit e djakonit dhe përfshin 170 faqe, mbas të cilave vijojnë disa vjersha të përshpirtshme me strofa katërshe e rimë të alternuar. Subjekti i vjershave është i ndryshëm, por gjithnjë me tema fetare. Për këto poezi, në parathënie autori thotë se shumicën i ka gjetur të shkruara prej “Atit shumë ncë devotshim frat Palit prej Hasi”. Kjo vepër u botua, së pari, në vitin 1618, dhe u rishtyp tri herë të tjera (1636, 1664, 1868), gjithnjë në shtypshkronjën e Propagandës Fide në Romë.
• “Pasqyra e të Rrëfyemit” botuar më 1621 vjen në radhë e dyta si vepër e Budit, jo vetëm si kohë, por edhe për nga rëndësia. Ajo është një përkthim nga latinishtja i librit të at Emerio De Bonis. Vepra flet për rëndësinë e rrëfimit. Ka një parathënie, tri vjersha shqip me 41 strofa dhe një letër të gjatë origjinale me 68 faqe, drejtuar klerit.
• Më 1621, Budi botoi “Ritualin roman” (latinisht), libër për ceremonitë fetare që duhet të zhvilloheshin brenda një viti kalendarik. Ka dy vjersha (njëra shqip, tjetra latinisht), një pasthënie dhe një letër drejtuar klerit shqiptar. Libri, në format të vogël, ka 360 faqe. Ngjitur këtij libri është lidhur edhe një fashikull 16 faqesh, “Kush thotë meshë këtë kafshë i duhet me shërbyem”, gjithnjë në të njëjtin format, shtypur me shkronja kursive, ku shpjegohet si zhvillohet mesha romane. Fashikulli del si një pjesë e veçantë e librit, pasi dhe numërimi i faqeve është i pavarur nga Rituali. Përsa i përket poezisë së Budit, ato janë në përgjithësi rrëfime biblike, poezi vetjake ose të rastit (okazionale). Kudo spikat shpirti krijues dhe përpjekja për të ngritur çdo mendim mbi shtratin e një figure të bukur. Ai shkruan gjithnjë në tetërrokësh, me rimë të alternuar në katrena.