Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 5.1: Jeta, vepra dhe veçoritë e krijimtarisë së Euripidit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 5.1

Jeta, vepra dhe veçoritë e krijimtarisë së Euripidit

Euripidi është tragjediani i tretë i madh i Greqisë së lashtë, pas Eskilit dhe Sofokliut.
Euripidi lindi në Salaminë, në vitin 480 para erës sonë. Të dhënat dhe faktet e sakta për jetën, familjen dhe veprimtarinë shoqërore të Euripidit janë shumë të pakta. Babai i tij, Unesarku, shpenzoi shumë për t’i dhënë të birit një edukim të mirë. Në rininë e tij Euripidi dëshironte të bëhej atlet dhe më vonë, në moshën 18-vjeçare, provoi të merrej me pikturë. Biografët vënë në dukje se përjetimet e hidhura në jetë ishin shkaku që Euripidi u kushtoi një vëmendje të madhe në tragjeditë e tij konflikteve familjare. Fundin e jetës së vet, dramaturgu e kaloi larg Athinës, në oborrin e mbretit të Maqedonisë, Arkelaut, ku edhe vdiq më 406 para erës sonë.

Euripidi nisi të merret me artin dramatik në moshën 25- vjeçare. Që nga ai vit deri sa vdiq nuk u largua më nga rruga e artit dhe vazhdimisht ka marrë pjesë në garat mes poetëve tragjikë. Euripidi ishte studiues i zellshëm, mik i filozofëve të mëdhenj. Shumë dëshmi pohojnë se ai kishte bibliotekën më të pasur në Athinë. Përgjithësisht jetoi i tërhequr, larg njerëzve e sidomos larg politikës.

Në veprat e tij, Euripidi, me një guxim të dukshëm ka vënë në shenjestër shumë dobësi të njerëzve. Ai nuk i është nënshtruar shijes së publikut dhe me vetëdije të plotë e ka quajtur veten “mësues të publikut” dhe jo shërbëtor të tij. Euripidi kishte bindjen se arti teatror duhet t’i pasqyronte ndryshimet që sillte koha, ndaj guxoi ta ndryshonte përvojën që ishte krijuar në dramaturgji. Studiues të ndryshëm pohojnë se teatri i tij qëndron më afër dramës moderne se sa teatrit tragjik të Eskilit dhe Sofokliut. Ditën e vdekjes së Euripidit, Sofokliu, teksa shfaqte një tragjedi të vetën, u ngjit në skenë me veshje zie, kurse korin e paraqiti pa kurora para publikut. Disa vjet pas vdekjes, busti i Euripidit u vendos në teatrin e madh të Athinës, përkrah Eskilit dhe Sofokliut. Kështu lindi miti i tre tragjikëve të mëdhenj të Antikitetit.

Vepra
Euripidi shkroi rreth 90 vepra dramatike, nga të cilat, në ditët tona, njihen vetëm 18 prej tyre. Të tjerat kanë humbur. Ndër to, më të njohurat janë: “Medea”, “Elektra”, “Ifigjenia në Aulidë”, “Andromaka” etj.

1.”Ifigjenia në Aulidë” (405 para erës sonë)
2. “Elektra” (413 para erës sonë)
3. “Oresti” (408 para erës sonë)
4. “Risoja”
5. “Troadet” (415 para erës sonë)
6. “Hekuba” (425-424 para erës sonë)
7. “Andromaka” (429-425 para erës sonë)
8. “Helena” (413 para erës sonë)
9. “Ciklopi”
10. “Bakidet”
11. “Alkestra” (413 para erës sonë)
12. “Herakliu i tërbuar” (416-414 para erës sonë)
13. “Fenikaset” (411-409 para erës sonë)
14. “Joni” (411 para erës sonë)
15. “Medea” (431 para erës sonë)
16. “Hipoliti” (428 para erës sonë)
17. “Heraklidët” (430 para erës sonë)
18. “Iketidët” (Lutëset, 423-422 para erës sonë)

Në tragjedinë “Elektra” Euripidi trajton të njëjtin subjekt që ka trajtuar edhe Sofokliu në veprën e tij me të njëjtin titull, edhe Eskili në “Koeforët”. Pasi vret të shoqin, Agamemnonin, natën e parë që ai kthehet pas dhjetë vitesh të luftës së Trojës, Klitemnestra për t’i shpëtuar hakmarrjes, të bijën, Elektrën, e marton me një fshatar të thjeshtë, i cili kujdeset për princeshën. Elektra e tërheq të ëmën në fshat me pretekstin e trilluar për të parë djalin që ajo kishte lindur dhe pikërsisht, përpara kasolles së fshatarit, Oresti, i biri i Klitemnestrës, e vret të ëmën për të marrë hakun e babait. Por në ndryshim nga Eskili dhe Sofokliu, Euripidi nuk e vesh Orestin me lavdi, as Klitemnestra, në veprën e tij, nuk del një figurë e urryer. Ajo paraqitet nga Euripidi e penduar për ato që ka bërë dhe, po kështu, edhe fëmijët e saj tronditen shumë nga ajo që bëjnë. Oresti mbyll sytë me duar për të mos e parë të ëmën të bjerë e vdekur nga thika e gjakosur në duart e tij. Kështu poeti e trajton më tepër subjektin e kësaj tragjedie në këndvështrimin njerëzor dhe përcjell mesazhin e lartë human: S’ka mjerim më të madh për fëmijën se sa të vrasë nënën e tij.

Në tragjedinë “Ifigjenia në Aulidë”, ngjarja e rrëfyer nga Euripidi ka për protagoniste Ifigjeninë, vajzën e Agamemnonit, prijësit më të lartë të akejve. Ajo thirret nga i ati për të shkuar në Aulidë me preteksin për t’u martuar me Akilin, por i ati, Agamemnoni, i cili sipas falltarit Kalkant, ka fyer hyjneshën Artemidë, vetëm kur Ifigjenia arrin atje e shoqëruar nga e ëma, Klitenmnestra, i zbulon qëllimin e vërtetë: Ifigjenia duhej të flijohej për të zbutur zemërimin e hyjneshës, në mënyrë që erërat të frynin të mbara dhe ushtria e akejve të lundronte nga Beotia për në Trojë. Interesat e ndryshme bëjnë që të plasë një revoltë dhe një grindje të ashpër: së pari, prej Akilit, të cilit i dhimbset Ifigjenia dhe revoltohet që emri i tij u përdor si grackë për të sjellë Ifigjeninë në Aulidë; së dyti, prej Menelaut, të cilit i intereson të kthejë Helenën e të marrë hakun ndaj trojanëve për rrëmbimin e saj. Ai e kërcënon të vëllain,  Agamemnonin, sepse, ky i fundit, i penduar, nuk mund të sakrifikojë të bijën duke e vrarë, dhe jep urdhër që sakrifica të mos bëhet. Akili i del në mbrojtje Ifigjenisë, por e gjithë ushtria, e nxitur nga Odiseu, del kundër Akilit. Duke parë situatën e krijuar, Ifigjenia shkon vetë në altarin e flijimit, por hyjnesha, e prekur nga heroizmi i saj, ia kursen jetën dhe në vend të saj flijon një kaproll. Tragjedia përshkohet nga patosi i patriotizmit. Vetë heroina bëhet shembull i dashurisë ndaj atdheut, me vetmohimin e jetës së saj.

Veçoritë e krijimtarisë së Euripidit
Euripidi kishte 45 vjet diferencë moshe nga Eskili dhe vetëm 16 vjet diferencë nga Sofokliu, megjithatë krijimet e tyre janë kaq të ndryshme, aq më shumë, me këtë të fundit, ku diferenca e moshës është gati e papërfillshme, sa t’i përkisnin epokave të ndryshme. Disa studiues thonë se drama e Euripidit qëndron më afër dramës së kohëve të reja se sa asaj heroike. Më poshtë po vëmë në dukje disa nga veçoritë e krijimtarisë së Euripidit, duke e përqasur me ato të dramaturgut tjetër të madh grek, Sofokliut.