Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 4.3
Tragjedia “Prometeu i mbërthyer”
Tragjedia “Prometeu i mbërthyer” është një nga veprat më madhështore të Eskilit. Në të u pasqyruan ndryshimet shoqërore që ndodhën në Greqinë e shekullit V para erës sonë, vendosja dhe forcimi i rendit demokratik në luftë me oligarkinë(4) aristokratike, prirjet për emancipimin e personalitetit njerëzor.
Tragjedia është pjesë përbërëse e një trilogjie, dy pjesët e tjera të së cilës “Prometeu zjarrsjellës” dhe “Prometeu i çliruar” nuk janë ruajtur. Sipas mitit, Prometeu krijoi me baltë njeriun e parë, i cili me kohë, u shtua. Që të mos i linte njerëzit në mjerim dhe padije, ai shkoi te qerrja e zjarrtë e Diellit (Helios), vodhi një shkëndijë të cilën e vuri në një kallam dhe ua solli atyre këtë burim të zjarrit hyjnor. Kjo e bëri Zeusin të tërbohet nga zemërimi dhe të urdhërojë Pushtetin, Dhunën dhe Hefestin ta mbërthejnë Prometeun në një shkëmb në malet e Skithisë në Kaukaz. Këtu fillon dhe veprimi i tragjedisë që zhvillohet në atë vend të egër e të shkretë, ku nuk ka shkelur këmbë njeriu. Ndërsa Prometeu është duke u ankuar për këtë ndëshkim të padrejtë, dëgjohet frushullima e flatrave të nimfave oqeanide, që vijnë nga larg për ta ngushëlluar së bashku me babanë e tyre, Oqeanin, i cili i shpreh keqardhjen heroit dhe orvatet ta bindë që të pajtohet me Zeusin. Por Prometeu pranon më mirë të vuajë se sa t’i përulet tiranit. Oqeani largohet. Prometeu i tregon korit të mirat që i ka sjellë njerëzimit. Ndërkaq vjen Ioja, viktimë e Zeusit, të cilën gruaja e tij, Hera, e kishte shndërruar në mëshqerrë dhe e kishte detyruar të bridhte nëpër botë pa gjetur kurrë prehje. Prometeu, i cili ishte i pajisur me dhuntinë profetike për të njohur të panjohurën, i parashikon Ios vuajtjet e tjera që ajo do të heqë dhe se nga fisi i saj do të lindë një hero shumë i fuqishëm, i cili do të çlirojë Prometeun nga vuajtjet. Këtu krijohet nyja që lidh tragjedinë me pjesën e tretë të trilogjisë “Prometeu i çliruar”. Zeusi, i tërbuar nga qëndrimi i paepur i titanit, dërgon Hermesin për ta kërcënuar dhe detyruar t’i zbulojë të ardhmen, por Prometeu hesht. Heshtja e tij shpreh më shumë se çdo fjalë urrejtjen për tiranin. Atëherë Zeusi nuk duron më dhe e gjuan me rrufe Prometeun, i cili groposet bashkë me shkëmbin ku ishte mbërthyer, në fund të dheut.
Tragjedia “Prometeu i mbërthyer” është një vepër e mbushur me patosin e luftës për liri, me bukurinë e vetëflijimit: “M’u dhimb gjithçka, veç vetja nuk m’u dhimb”. Konflikti midis Prometeut dhe Zeusit ka një kuptim të thellë filozofik në të gjitha rrafshet e mendimit njerëzor. Eskili përmes tij goditi tragjikisht për vdekje tiraninë. Figura e heroit që pranon më mirë të vuajë e të durojë dhembjet më të tmerrshme, sa t’i nështrohet Zeusit dhe t’i shërbejë si skllav, është dhënë në tërë madhështinë dhe krenarinë e martirit kryengritës. Në fjalët e Oqeanideve që i thonë heroit se “kur të çlirohesh ti, do të matesh në fuqi me Zeusin”, poeti sheh mundësitë njerëzore për të sfiduar qiellin. Eskili e ka zbritur Prometeun hyjni në tokë, e ka humanizuar për të simbolizuar me të drejtësinë, arsyen njerëzore kundër arbitraritetit(5) dhe pushtetit absolut të hyjnive: “Ta them haptazi: të gjithë ju hyjni të qiellit ju urrej…” -i thotë heroi Hermesit. Prometeu është armiku i Zeusit, që rebelohet ndaj ligjit të tij, si dhe është simbol i gjendjes ekzistenciale të njeriut. Gjithashtu ai është edhe metaforë e mendimit të lirë, i shpenguar (hapur) nga miti: është heroi që ndjek “virtytin dhe dijen”.
Rebelimi i tij sot përkufizohet “prometean”; term që nënkupton dikë që lufton heroikisht dhe deri në vdekje për një qëllim që e konsideron të drejtë deri në atë pikë sa të rrezikojë veten. Zjarri prometean simbolizon arsyen, përparimin, dritën që do të ndriçojë mendjen e njeriut dhe që do ta bëjë atë të vetëdijshëm për madhështinë e tij. Në këtë vështrim Prometeu është një filozof iluminist. Parashikimi i Prometeut se një ditë do të çlirohet nga vargonjtë e Zeusit, qëndron në besimin në forcën emancipuese të përparimit, e cila e ka burimin tek shkëndia që ai i dha njerëzimit. Figura e Prometeut, e fisnikëruar nga dashuria e madhe që ka për njerëzit, për të cilët sakrifikohet, është një nga më madhështoret dhe më të fuqishmet në galerinë e artit botëror. Dinjiteti dhe përmasat vigane të Prometeut shquhen më mirë në sfondin e hyjnive të tjera servile, që i shërbejnë qorrazi Zeusit tiran.