Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 11.2: Molieri, jeta dhe krijimtaria

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 11.2

Molieri, jeta dhe krijimtaria

Molieri është një nga figurat më të ndritura të letërsisë botërore, i cili hodhi themelet e komedisë franceze. Ai lindi në Paris, në një familje borgjezi të vogël që zbukuronte dhomat e pallatit mbretëror. Molieri u rrit duke shijuar shfaqjet e grupeve teatrale shëtitëse, duke njohur jetën e borgjezisë dhe atë të popullit të thjeshtë. Me ngulmimin e tij, ndoqi mësimet e mesme në kolegj dhe më pas, duke iu nënshtruar kërkesës së familjes, kreu fakultetin e drejtësisë.

Por Molieri dashuron teatrin, dëshira për aktrimin është shumë e madhe, kështu që, duke mos e gjetur veten as te zbukurimi i dhomave të mbretit, as te drejtësia, Zhan Baptist Pokëlen (Jean-Baptiste Poquelin) vendos të bëhet aktor komik dhe vetëquhet Molier, duke marrë emrin e një komediografi të kohës së tij. Në moshën 21-vjeçare themelon trupën teatrore prej 10 aktorësh, “Teatri i ndritur”, e cila vihet në konkurrencë me trupat e shumta teatrore të kryeqytetit. Konkurrenca është e ashpër dhe Molieri do të pësojë disfatën e parë, por kjo disfatë nuk e thyen dot shpirtin e tij entuziast e optimist. Molieri do ta ngrejë sërish në këmbë trupën e tij dhe do të nisë turne në qytete të ndryshme të Francës, duke qenë njëherazi drejtues i trupës, regjisor, aktor komik dhe autor. Ndonëse vitet e endjes nëpër Francë ishin vite të mundimshme, këto vite ishin dhe një shkollë e vërtetë për Molierin, pasi gjatë kësaj kohe njohu realitetin francez, jetën e shtresave të ndryshme të popullsisë, karakteret njerëzore, përvetësoi mjeshtërinë e aktorit dhe të autorit. Në moshën 34-vjeçare, në moshën kur Pjer Korneji shkroi “Sidin”, Molieri vë në skenë “Preciozet qesharake”. Kjo shfaqje i solli famën. Duket se është shumë e vështirë të kesh sukses para kësaj moshe në zhanrin dramatik, i cili kërkon njohje të mirë të botës dhe të shpirtit të njeriut. Thuhet se më pas, Princi de Konti, me të cilin njihej që në kolegj, kërkoi që Molieri të bëhej sekretar i tij, por Molieri refuzon dhe parapëlqen të zhvillojë talentin e tij.

Pasi kishte kaluar disa kohë në të gjitha krahinat, duke luajtur në Grenoblë, Lion, Ruen, ai më në fund vjen në Paris, në vitin 1658. Princi de Konti mundëson prezantimin e Molierit me mbretin Luigji XIV dhe nënën e tij. Trupa e tij luan përpara mbretit farsën “Doktori i dashuruar”, e cila u prit me mjaft entuziazëm dhe i siguroi trupës emrin “trupa e oborrit”. Trupa e Molierit u vendos në Paris dhe ndau teatrin Petit-Bourbon me komedianët italianë, të cilët ishin në posedim të tij prej disa vjetësh. Dy vjet më vonë, në vitin 1660, mbreti i dha trupës sallën e Pallatit Mbretëror, sallë të cilën trupa do ta gëzonte deri në vdekjen e drejtuesit të saj. Nga një shfaqje në tjetrën, Molieri fiton gjithnjë e më shumë përkrahjen dhe mbështetjen e mbretit Luigji XIV, por, në të njëjtën kohë, edhe shumë armiq. Më 1661, Molieri martohet me një aktore të trupës së tij, shumë më të re se ai dhe për këtë i duhet të durojë një sërë shpifjesh e talljesh, por ai i bëri ballë të gjitha sulmeve dhe andrallave që i vinin si nga jeta e tij private, ashtu dhe nga armiqtë e tij.

Që nga viti 1658, vit kur kthehet në Paris, deri në vitin 1673, kur ndahet nga jeta, në këto pesëmbëdhjetë vjet Molieri shkroi 30 vepra. Ai donte të luante tragjedi, por pa sukses: timbri i zërit të tij nuk mund t’i përshtatej këtij zhanri serioz, kurse lojën e tij komike e bënte më të këndshme e argëtuese. Gruaja e një komediografi të shquar të kohës jep këtë portret të Molierit: “Ai nuk ishte as shumë i shëndoshë, as shumë i dobët; ishte mesatarisht shtatlartë e me këmbë të bukura: ecte rëndë, dukej shumë serioz, me hundë e gojë të madhe, buzë të trasha, çehre të errët, vetulla të forta e të zeza. Lëvizjet e ndryshme që bënte i jepnin pamje tejet komike. Në lidhje me karakterin e tij, ai ishte i butë e bujar.”

Prej kohësh Molieri kishte filluar të kishte probleme me shëndetin. Në ditën e tretë të shfaqjes së komedisë “I sëmuri për mend”, Molieri po ndjehej ca më keq. E këshilluan të mos luante në skenë, por bëri edhe një përpjekje dhe kjo përpjekje e fundit i kushtoi jetën. Ai vdes më 17 shkurt 1673. Vështirësitë dhe padrejtësitë që e shoqëruan Molierin si në jetë, dhe në vdekje (varroset natën, pa ceremoni), nxitën një kritik të kohës të shkruajë këtë epitaf:

Ti e reformove edhe qytetin, edhe oborrin mbretëror;
Por cili qe shpërblimi!
Francezët do të skuqen një ditë
Për aq pak mirënjohje sa të dhanë.
Iu desh një komedian
Që lavdia dhe dija e tij më shumë shkëlqim t’u jepte;
Por, Molier, lavdisë tënde nuk do t’i mungonte asgjë
Nëse, mes ceneve që ti pikturove aq mirë,
Të kishe rimarrë edhe nga ato të mosmirënjohjes së tyre.

 

 

Krijimtaria e Molierit
Krijimtaria e Molierit është e gjerë, por po përmendim disa nga veprat më të njohura: “Tartufi”, “Mizantropi”,  Koprraci”, “Don Zhuani”, “Borgjezi fisnik” etj.

Mizantropi
Kjo komedi është shkruar në vitin 1666 dhe në të autori ngrihet kundër moralit të shoqërisë së kohës, kundër veseve e zakoneve të saj. Alcesti, personazhi kryesor i komedisë, që në hyrje proteston hapur ndaj hipokrizisë, e cila në këtë komedi shihet si tipar i shoqërisë së kohës, i shoqërisë franceze të shek. XVII:

Kur vlerësojmë dikë, patjetër, bëjmë dallim;
T’i çmosh të gjithë njëlloj, është nënvleftësim.
Po dhe ju vesi i kohës ju ka tërheqë pas tij,
Prandaj s’mund t’ju radhit as ju ndër miqt e mi…
Dua të jemi burra edhe në çdo takim,
Sinqeriteti sheshit t’spikatë në bisedim,
Të ndihet vula e tij, ndjenjat t’mbizotërojnë
Çiltas e të mos vishen me lajka që mashtrojnë.

Alcesti, i drejtë, i sinqertë, por dhe i rreptë, shpreh hapur mendimin e tij në çdo situatë. Ai dashuron Selimenën, por Selimena nuk mund të jetë ndryshe nga shtresa shoqërore së cilës i përket, ndaj nuk i vlerëson ndjenjat e sinqerta të tij. I zhgënjyer dhe i tradhtuar nga të gjithë, i vetëm në një botë ku gëlojnë veset, Alcesti thërret:

Ngado i tradhëtuar, padrejtësitë m’ sulmojnë;
Do zhdukem nga ky pus, ku veset triumfojnë,
Dhe do kërkoj në botë një vend sado të mjerë
Ku, duke qenë i lirë, të mund t’jetoj me nder.

Koprraci
Komedia Koprraci është komedi në pesë akte, shkruar në prozë dhe shfaqur në teatrin e Pallatit Mbretëror më 9 shtator 1668. Pikënisjen për “Koprracin” Molieri e ka marrë nga komediografi romak Plauti dhe kjo temë duket se ka zgjuar interesin e shkrimtarëve të çdo kohe (Shekspirit, Balzakut etj.). Në këtë komedi Molieri godet koprracinë dhe demaskon forcën shkatërruese të parasë. Duke i vënë titullin “Koprraci”, Molieri e përcakton që në titull pjesën e tij si komedi karakteri, në të cilën vihen në lojë personat që e bartin këtë ves. Harpagoni, koprrac e fajdexhi, jeton nën ethet e parave, ai është i robëruar nga vesi i vet. Djali i tij, Kleanti, i merr fshehurazi arkëzën e drunjtë me flori, të cilën e kishte fshehur në kopsht, me qëllim që ta detyronte të hiqte dorë nga vendimi i tij: plaku i ve kërkonte të martohej me Marianën, vajzën me të cilën ishte i dashuruar i biri. Harpagoni tronditet së tepërmi, çmendet nga inati dhe thërret policinë të gjejë hajdutin: “Hajdutët! Hajdutët! Vrasësit! Kriminelët! Oh, i mjeri unë! Drejtësi, o zot i drejtë; më fikën, më vranë, më prenë kokën, më vodhën paratë e mia.” Kleanti i tregon se e ka ai arkëzën, por do t’ia kthejë vetëm nëse e lejon të martohet me Marianën. Pasioni për paranë ishte mbi çdo gjë tjetër dhe në fund … të gjithë janë të lumtur.

Don Zhuani
“Don Zhuani” është komedi me 5 akte, shkruar në prozë dhe shfaqur në Pallatin Mbretëror në vitin 1665. Pas shfaqjes së suksesshme (për 5 javë rresht), vepra nuk u vu në skenë për disa vite. Don Zhuani, fisniku i shthurur që ndien se ka “një zemër që mund të dashurojë tërë botën”, braktis të shoqen, Elvirën, dhe rend pas grave duke i premtuar martesë. Elvira, e xhindosur, nuk vonon t’i tregojë Don Zhuanit se kjo paturpësi është sjellje e njerëzve të oborrit. Molieri shpjegon se fisnikëria nuk qëndron vetëm te emri e titulli, fisnikëria qëndron te virtyti. Këtë mësim synon t’ia japë Don Zhuanit edhe i ati: “virtyti është titulli i parë i fisnikërisë”, por Don Zhuani nuk mendon të dalë nga gremina ku ka rënë. Në këtë vepër, Molieri vë në lojë aristokracinë, veset e saj, shthurjen morale, hipokrizinë e parazitizmin.

Borgjezi fisnik
“Borgjezi fisnik” është komedi-balet me 5 akte, shkruar në prozë, në vitin 1670. Me këtë komedi Molieri vë në lojë atë pjesë të borgjezisë që, duke e ndjerë veten inferiore përballë fisnikërisë, synon ta imitojë atë. Zoti Zhyrden, borgjezi injorant që ka vendosur “të fisnikërohet”, vihet nga Molieri në një sërë situatash komike: në shtëpi të tij “sikur janë karnavalet përditë”, ikin e vijnë profesorët e dansit, muzikës, skermës e filozofisë; bëhet qesharak me rrobat e reja, të cilat i mban me krenari vetëm se i kanë thënë se janë veshje prej “fisniku”; dëshiron të lidhë krushqi vetëm me aristokratë, këmbëngul ta martojë vajzën në derë fisnikësh, edhe pse i njeh ndjenjat e saj. Deri në fund, zoti Zhyrden mbetet i pakorrigjueshëm në dëshirën e tij “për t’u fisnikëruar”.