Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 4.1: Tragjedia antike greke

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 4.1

Tragjedia antike greke

Teatri antik
Në shekujt V-IV para erës së re e më pas, Greqia njohu një qytetërim të veçantë, të paparë deri në atë kohë në tërë hapësirën e saj. Qendër e artit, filozofisë dhe letërsisë në këtë kohë bëhet Athina e cila, nën udhëheqjen e Perikliut, pati dhe lulëzimin më të madh politik, ekonomik e kulturor. Një zhvillim të madh në shekullin V p.e.s., mori sidomos teatri, origjina e të cilit lidhet me kultin e hyjit Dionis dhe të festave dionisiake: gjatë këtyre festimeve këndoheshin ditirambe për nder të tij, që shpesh merrnin formën e një dialogu të improvizuar. Origjina e teatrit nga këto festa dëshmohet edhe nga fakti se Dionisi mbahej posaçërisht si mbrojtës i artit dramatik.

Thelbi i tragjedisë antike ishte kori, rëndësia e të cilit u rrit kur udhëheqësi i korit (korifeu) u transformua në aktor, të cilin grekët e lashtë e quanin hipokrites dhe që do të thotë “interpretues”. Në shekullin VI para erës së re, Tespidi ishte poeti i parë që krijoi një aktor, fjalëve të të cilit u përgjigjej kori. Më vonë, nga shek. V p.e.s, Eskili i shtoi tragjedisë edhe aktorin e dytë, ndërsa Sofokliu aktorin e tretë. Shkëputja e teatrit nga manifestimet teatrore kërkonte edhe ngritjen e ndërtesave të veçanta për shfaqjen e tyre. Ndërtesat e para teatrore në Greqi, sipas zbulimeve arkeologjike, duhet të kenë qenë prej druri dhe në formë trapezoidale. Këto lloj ndërtesash ua lanë vendin më vonë teatrove me mure, të cilat kishin formën e një patkoi; formën e amfiteatrit. Shfaqjet teatrore në Greqi ishin festa popullore që jepeshin çdo vit në një kohë të caktuar. Ato kishin karakterin e konkurseve dramatike, ishin si një lloj festivali, po të përdorim termat e sotme, gjatë të cilit për autorin më të mirë jepeshin çmime. Për këto çmime, megjithëse kishte një juri, rëndësi vendimtare kishte miratimi nga ana e spektatorëve. Pjesët shfaqeshin disa ditë me radhë. Në një ditë të vetme mund të shfaqej një trilogji (tri pjesë), të pasuara nga një komedi. Shfaqjet mbaronin në mbrëmje dhe në perëndim të diellit, në një atmosferë plot emocion, që shtohej edhe me ndezjen e pishtarëve nga vetë spektatorët.

Tragjedia antike greke vepronte tek spektatori me bukurinë dhe forcën poetike të fjalës, me karakterin heroik të subjektit, me lojën dhe recitimin e aktorëve, me këngët dhe vallet e korit.Të gjitha këto i jepnin shfaqjes një karakter të ngritur solemn.

Veçori të tragjedisë antike.

I pari që e ka përkufizuar tragjedinë ka qenë filozofi dhe mendimtari i madh i antikitetit, Aristoteli, në veprën e tij “Poetika”. Sipas tij, elementet e tragjedisë janë:
1. Fabula ose intriga;
2. Karakteri;
3. Tema ose ideja;
4. Gjuha;
5. Kënga;
6. Pjesët e spektaklit.

Disa prej veçorive të tragjedisë antike janë:
– Tragjedia antike e merr subjektin nga ciklet mitologjike, të pasura me bëma hyjnish dhe heronj legjendarë.
– Tragjikja në to buron nga fataliteti(1) ndërsa heroi tragjik shfaqet gjithmonë në luftë me të. Fataliteti është forca e madhe misterioze që vepron mbi cilindo, sidomos mbi atë që me sjelljen e tij ka fyer perënditë apo ka shkelur ligjet e shenjta të pashkruara, të cilat i mbrojnë vetë perënditë. Kjo është arsyeja që në të gjitha tragjeditë antike perënditë marrin pjesë si personazhe me të drejta të plota. Përballë tyre qëndrojnë vetëm heronj me karakter të jashtëzakonshëm: hyjni të tjera, gjysmëhyjni, mbretër, etj.
– Meqënëse subjekti mitologjik është i njohur nga shikuesi i kohës, për tragjedianët nuk ka rëndësi zgjidhja e konfliktit, pasi ajo dihet qysh përpara, por teknika e organizimit të materialit dramatik dhe mënyra e paraqitjes së heronjve para publikut.
– Autorët veçonin një episod të caktuar nga miti në të cilin përqëndronin të gjithë materialin mitologjik. Më pas përgatisnin me kujdes intrigën dramatike, duke i dhënë rëndësi çasteve kulmore nëpër të cilat kalonin personazhet, të cilat bartnin intensitet të lartë emocional. Në këtë mënyrë, tragjedia përcillte para shikuesve mesazhe me vlerë universale.

Tragjedia greke organizohet sipas kësaj skeme:
· Hyrja me prologun, në të cilin një ose më shumë personazhe paraqesin dramën.
· Kënga e korit, i cili vendoset midis skenës dhe shkallëve të amfiteatrit.
· Veprimi skenik që shpaloset përmes tri ose më shumë episodeve, të ndërthurur me intervale në të cilat kori komenton apo shpjegon situatën që po zhvillohet në skenë.
· Përfundimi, i cili tregon shpërbërjen e historisë.