Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 1.3: Ndarja e letërsisë sipas gjinive dhe llojeve

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 1.3

Ndarja e letërsisë sipas gjinive dhe llojeve

Gjinitë dhe llojet letrare
Me termin lloj letrar (ose “zhanër letrar”) përcaktohet një grupim tekstesh, të cilat kanë ngjashmëri mes tyre dhe që analizohen përmes të njëjtave kritere.

Kështu, përbëjnë një lloj letrar, veprat që kanë temë dhe karakteristika stilistiko- gjuhësore të përbashkëta – në vargje ose në prozë, në gjuhën standarde ose dialekt.

Tri llojet kryesore të zhvilluara historikisht janë: poezia, proza, drama, të cilat i pëgjigjen tri gjinive themelore të përcaktuara që në kohën e antikitetit (prej Platonit dhe Aristotelit): lirika, epika dhe dramatika.

Ndarja e veprave në këto tri gjini bëhet sipas mënyrës së paraqitjes së realitetit, në secilën prej tyre.
• Veçoria kryesore e lirikës është shprehja e drejtpërdrejtë e botës subjektive të poetit (ose e unit poetik)
• Karakteristikë kryesore e epikës është rrëfimi, që bëhet nga vetë autori ose, në momente të caktuara, edhe nga personazhet.
• Në veprën dramatike autori fshihet pas personazheve që veprojnë.

Gjatë zhvillimit të letërsisë në kohë, llojet letrare kanë pësuar ndryshime: disa prej tyre janë zhdukur, të tjera kanë lindur, disa lloje kanë sjellë risi në krahasim me ato tradicionalet. Kështu, në kohën tonë, poezia njehsohet (2) me poezinë moderne, e cila është kryesisht lirike ose epiko-lirike. Proza shfaqet përmes llojeve të epikës në prozë. Drama mund të jetë si në vargje edhe në prozë, por gjithmonë e karakterizuar nga veçori të ndryshme nga llojet e tjera.

Poezia dhe llojet e saj
Poezia është një organizim i veçantë gjuhësor, e përbërë nga vargje, në të cilën elementet e shtresave të ndryshme: si tingujt, fjalët, kuptimet, pamja grafike etj., hyjnë në lidhje harmonike mes tyre. Që nga lindja e saj e deri vonë, letërsia është shkruar vetëm në vargje. Me kalimin e kohës, rrëfimi u përshtat me llojin e prozës, ndërsa poezia mbeti forma (instrumenti) e shfaqjes së botës së brendshme të poetit. Në përpjekjet e teorive të ndryshme letrare për përkufizimin e poezisë, lirika trajtohet si shembulli më përfaqësues (sinonimi) i poezisë.

Poezia e shkruar dallohet qartë nga proza, pasi ajo shkruhet në një pjesë të faqes, zakonisht në mes dhe përbëhet nga vargje ose njësi poetike që vijnë njëri nën tjetrin. Poezia është një organizim i veçantë gjuhësor, ku futen në një marrëdhënie shumë të ndërlikuar fjalët, tingujt, imazhet dhe ku secili prej tyre mbart një kuptim të caktuar. Pamundësia e ndarjes së këtyre elementeve është një veçori që e dallon poezinë nga proza, ku kuptimet formohen përmes rrëfimit, dialogut e përshkrimit. Përdorimi i elementeve gjuhësore në poezi përcaktohet jo vetëm nga funksioni kuptimor, por edhe nga ai ritmik i vargut, ku përveç theksave, marrin pjesë edhe njësitë më të mëdha, siç janë njësitë sintaksore, të cilat duke u përsëritur krijojnë ritmin e poezisë.

Lloji më tradicional i poezisë është poezia e shkurtër, e cila zakonisht njehsohet me poezinë lirike. Sado e gjatë të jetë kjo poezi, gjithsesi, ajo është e shkurtër në krahasim me disa lloje të tjera, që në traditën poetike, i njohim si lloje të poezisë epike. Gjatësia dhe shkurtësia (përveç ndryshimeve të tjera) mbeten tipare dalluese, sepse përcaktojnë strukturën e brendshme, ndërtimin kompozicional, lidhjen e njësive të veçanta etj.

Në poezinë epike, gjatësia e madhe lidhet me trajtimin e temave të mëdha, të ngjarjeve me shumë personazhe e konflikte, ku njësive më të vogla, (strofave, vagjeve) u kushtohet më pak vëmendje. Ndërmjet tyre qëndrojnë llojet epiko-liriko dhe liriko-epike.

Poezia lirike

Veçoritë e poezisë lirike
Poezia lirike është quajtur kështu nga emri i instrumentit muzikor, lirës, me të cilën grekët e vjetër shoqëronin recitimin e një poezie. Funksioni kryesor i saj është ai shprehës (emotiv), pasi përcjell te lexuesi gjendje shpirtërore dhe emocione, përmes imazheve poetike

Tipari themelor i poezisë lirike është lidhja e fuqishme e elementeve të të gjitha shtresave: tingullore, leksikore, kuptimore.
• Poeti e shkruan poezinë lirike nga pozicioni i vetes, nga uni i tij. Ai është brenda veprës poetike, kurse lexuesi futet në këtë pozicion në çastin kur fillon leximin.
• Që në fillim, poezia lirike shfaq njërin nga qëllimet e veta, qëllimin paraqitës, që jepet përmes tematikës së caktuar. Tema e lirikës është temë nga një realitet i veçantë, që lidhet me botën e shpirtit, me subjektiven, ose me gjërat thelbësore të jetës së njeriut, si: dashuria, jeta, vdekja, etj..Një prej temave kryesore të poezisë, sidomos të poezisë moderne, është poezia si krijim.
• Poezia lirike e realizon temën e saj (edhe për shkak të shkurtësisë) me anë të lidhjes së motiveve(4) të caktuara.

Llojet e poezisë lirike
Poezitë lirike mund të klasifikohen sipas kritereve të ndryshme.

a) Sipas modeleve tradicionale:
Himni- është një këngë e lashtë, që i kushtohej perëndive ose heronjve legjendarë, figura e të cilëve meritonte respekt e lavde. Toni i himnit është madhështor dhe arrihet përmes ritmit solemn të ngadalshëm. Në letërsinë shqiptare janë të njohura: Himni i flamurit kombëtar i Asdrenit dhe Gurrave të Jordanit i Gjergj Fishtës.

Oda- është vjershë me origjine greke, në të cilën i këndohet dikujt që meriton adhurim e lavdërime, për shkak të një vepre të madhe ose të një fitoreje të rëndësishme. Në poezinë shqipe janë të njohura odat: Nji lule vjeshtet e Gjegj Fishtës dhe Fuqia e Uratës e Vinçens Prenushit.

Elegjia- është një poezi e shkurtër me nota vajtuese, që i këndon pikëllimit për humbjen e njeriut të dashur. Në poezinë shqipe këtë lloj poezie e kanë lëvruar shumë poetë, por një nga më të arrirat mbetet elegjia Vajet e A.Z.Çajupit.

b) Sipas tematikës, poezia lirike mund të klasifikohet në:
Lirika e dashurisë: i këndon njërës prej ndjenjave më të rëndësishme në jetën e njeriut, dashurisë. Ajo mbart një larmi dhe pafundësi motivesh brenda tematikës së saj. Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, që i ka kënduar ndjenjës së dashurisë, është Lasgush Poradeci.

Lirika atdhetare: i këndon me dashuri atdheut, natyrës së tij, anëve pozitive të karakterit kombëtar. Në shekujt XIX dhe XX, kjo lloj poezie është lëvruar shumë, sepse në atë kohë u krye formimi i kombeve.

Lirika e peizazhit: u këndon bukurive të natyrës, sikurse dhe ajo atdhetare. Por në ndryshim prej saj, lirika e peizazhit e sheh objektin e saj si model që ndikon me bukurinë e vet në ndjeshmërinë e poetit dhe përshkohet vetëm nga mesazhi estetik.

Lirika mendimtare ose filozofike: kjo lirikë trajton një mendim të caktuar, duke e shtjelluar atë deri në fund. Meqë dhe llojet e tjera poetike shprehin mendime, dallimi i saj është i vështirë, sidomos kur kemi të bëjmë me poezi lirike fetare.

Lirika moderne
Me termin lirikë moderne është quajtur lirika europiane e shekullit XX, fillimet e së cilës zakonisht kërkohen në poezinë e autorit francez Sharl Bodler (Lulet e së keqes).

Lirika moderne vlerësohet si një thyerje e traditës poetike.

Ndryshimet janë:
• Ndjenja e hollë romantike (dhimbja, pikëllimi) zëvendësohet me ftohtësinë dhe paqartësinë e kuptimit.
• Poezia moderne nuk shpjegon, nuk tregon.
Edhe pse tematika e saj shpesh është e zakonshme, ajo përmban në vetvete paradoksin midis një kërkese që nuk arrin të shprehet dhe synimit për të përfshirë gjithçka brenda saj.

Poezia epike

Veçoritë e poezisë epike
Poezia epike është gjinia e lashtë, që i ka krijuar llojet kryesore nga koha antike e deri pranë kohës sonë. Shumë nga letërsitë europiane dhe ato të Lindjes kanë si gur themeli veprat epike, si Gilgameshi (për letërsinë sumero-babilonase), Mahabharata e Ramajana (për letërsinë induse), Iliada dhe Odiseja (për letërsinë greke dhe më pas, për tërë letërsinë europiane). Disa karakteristika kryesore të poezive epike janë:
• Janë krijime të gjata, që përbëhen gjithashtu nga pjesë të gjata. Njësitë e vogla, si pjesët, vargjet, fjalët e organizimet tingullore e humbasin rëndësinë, pasi lexuesi tërhiqet nga zhvillimi i ngjarjeve të caktuara, fati i personazheve dhe rrjedha e konflikteve.
• Poezitë epike trajtojnë ngjarje të kaluara dhe të njohura historikisht. Lexuesi e di fillimin, kulmin dhe përfundimin e ngjarjes. Ngjarjet rrëfehen në vetën e tretë, nga pozicioni i një dëshmitari të largët dhe të paanshëm. Ky rrëfimtar (i cili identifikohet me këngëtarin e këngëve epike) nuk përfaqëson vetë autorin, por një shoqëri të caktuar. Megjithatë, prania e tij në vepër është e dukshme dhe del përmes përshkrimit dhe veprimit të personazheve.
• Tema e poezive epike është shumë e rëndësishme. Kështu, Iliada tregon për luftën greko-trojane; Eneida, formimin e popullit të ri latin dhe shtetit të Romës; Lahuta e Malcis përkon me krijimin e shtetit shqiptar. Fabula e veprës epike përfshin tërësinë e ngjarjes, që nga fillimi në fund, duke përshkruar me emra historikë heronjtë, që, në të shumtën e rasteve, janë të trilluar. Ngjarjeve historike u vishet petku mitik.
• Këto elemente, si dhe gjatësia e veprës, fabula me linja të shumta paralele, personazhet e shumta, rrëfimi dhe përshkrimi i gjerë i botës, natyrës bëjnë që veprat epike të kenë një ndërtim të çlirët, me ndarje në pjesë të veçanta, si: këngë, aventura, kreu, libri. Brenda tyre ka njësi më të vogla, kuptimi i të cilave ndryshon nga ai i vetë pjesës. Këto quhen digresione (largim nga objekti). Kur një digresion është i përfunduar, quhet episod (shtesë, plotësim). Në zhvillimin e ngjarjes, digresioni dhe episodi kanë funksion ngadalësues të ngjarjes. Këtë funksion e kryejnë edhe përsëritjet e ndryshme, që shërbejnë si lidhje midis pjesëve, por edhe si ngadalësuese të veprimit.
• Karakteristike për veprat epike është se ato nisin me një hyrje të shkurtër, ku kërkohet ndihma e perëndive dhe ku përmendet edhe tema e veprës.

Llojet e poezisë epike
Dy nga llojet më të vjetra dhe më të mëdha të poezisë epike janë epi gojor dhe epi i shkruar. Fakti që njëri është mbajtur mend dhe tjetri është ngulitur me shkrim, do të thotë që janë dy mënyra të ndryshme komunikimi, të shfaqura në dy periudha të ndryshme të shoqërisë njerëzore. Nisur nga një tjetër kriter, ai i gjatësisë, poezitë epike mund të klasifikohen në nënlloje të shkurtra -kënga epike dhe nënlloje të gjata-epi.

Epi (gr-epos-fjalë, tregim) –është forma e gjatë e krijimit në vargje. Përdoren, gjithashtu, edhe termat epos, epope, këngë epike etj., që shpesh ngatërrohen me njëri-tjetrin.Ndonjëherë me fjalën epos kuptohen cikli i epeve të ndërtuara mbi traditën popullore mitike ose ciklet e këngëve epike, të cilat kanë zhvillim më të ulët se epi. Ndërkaq, fjala epope përdoret për epet e mëdha, për t’i dalluar nga të zakonshmet. Ky lloj i epit karakterizohet nga një pamje e gjerë e jetës së kohës, pasqyrimi i ngjarjeve të rëndësishme për jetën dhe fatin e një populli. Heronjtë kryesorë të tij janë prijësit, mbretërit dhe gjysmëhyjnitë.
Një model të tillë përfaqëson në letërsinë shqipe, Lahuta e malcis e Gjergj Fishtës, duke na ofruar një pasuri të botës shqiptare, që nga mënyra e jetesës, organizimit shoqëror, deri te konceptet për luftën, atdheun, nderin, familjen, kanunin, etj.. Klasifikimi më i lehtë i epit është ai që bazohet në kriterin tematik, ku dallohen disa lloje: epi heroik(për të cilin folëm më lart), epi fetar, epi aventurier etj..

Kënga epike– është lloj më i shkurtër se epi. Trajton një ngjarje, një episod jete, po aq të rëndësishëm, me personazhe heronj, prijës, gjysmëperëndi, por ngjarja nuk i ka përmasat e epit për fatin e kolektivit. Mungesën e këngës epike e plotësojnë ciklet e këngëve, siç janë, cikli i Këngëve të Mujit dhe Halilit ose, siç quhet ndryshe, Cikli i kreshnikëve në letërsinë tonë.

Poema kalorsiake– trajton tema që lidhen me bëmat heroike të kalorësve mesjetarë. Dallohet nga llojet tjera epike për tonin e saj satirik(5) ose grotesk(6), për ndërhyrjet subjektive të autorit dhe për larminë e madhe të veprimeve. Në qendër të poemës vendoset figura e kalorësit, njeriut të fortë dhe trim, që kryen akte heroizmi, i frymëzuar nga besnikëria ndaj zotërinjve të tij dhe besimit kristian, si dhe i frymëzuar nga dashuria për njeriun e tij të zemrës.

Poema alegoriko-didaskalike – Shembulli më i mirë i saj është poema “Komedia hyjnore” e Dante Aligierit, e cila cilësohet alegorike (e mbushur me alegori dhe figura), pasi çdo element i saj i referohet kuptimeve të shumta. Gjithashtu, kjo poemë letrare synon të përcjellë mësime të karakterit moral dhe fetar.

Llojet liriko-epike

Poema: merr nga epika mënyrën e rrëfimit të ngjarjeve, por të trajtuara me nota lirike. Poema u lëvrua shumë sidomos në periudhën romantike. Shembuj: poema Çajld Haroldi e Bajronit, Këngët e Milosaos dhe Këngët e Serafina Topisë të De Radës etj.

Romanca: e ka zanafillën në letërsinë spanjolle. Karakterizohet nga shkrirja harmonike e elementeve epike me ato lirike. Trajton një temë dashurie dhe ngjarjen e shtjellon me ritëm të shpejtë, me tone të kthjellta. Në poezinë shqipe, këtë lloj e ka lëvruar Lasgush Poradeci.

Balada (balar-kërcim, vallëzim): poezi që karakterizohet nga një ton i pikëlluar dhe nota elegjiake.Në balada mbizotëron lirizmi.Në traditën popullore shqiptare janë mjaft të njohura baladat: Kënga e Rozafatit, Ago Ymeri, etj..