Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 10.2
Shekspiri, pasqyrë e kohës së vet
Për jetën private të Shekspirit, deri në ditët tona, kemi pak të dhëna; ndaj, herë pas here, kanë lindur dyshime të pabazuara për autorësinë e kryeveprave të dramaturgut të madh. Arsyen e një mungese të ndjeshme informacioni për jetën e Shekspirit duhet ta kërkojmë edhe në faktin se për një kohë të gjatë pas vdekjes së tij, figura e dramaturgut dhe e poetit gjenial ra në harresë. Vetëm në vitin 1709 u bënë kërkime për të mbledhur fakte për jetën e tij.
Uilliami lindi në Stratford mbi Ejvën; si datë e lindjes merret 23 prilli 1564. Për vitet e para të jetës së tij nuk ka shumë të dhëna. Dihet se më 28 nëntor 1582 martohet me Ana Hatauejn; Ana, 26 vjeç, ndërsa Uilli, 18 vjeç. Në verën e vitit 1587 largohet nga Stratfordi për në Londër, ku e pret roli i mjeshtrit të ëmbël Shekspir. Atje, ai u gjend papritmas në një qendër të lavdishme e të hareshme, vendin e lakmuar prej të gjithëve, në një kohë që teatri nuk ishte më mjet konsumi për të kaluar kohën si në një qytezë provinciale. Dramës angleze do t’i duheshin gjithsesi plot gjëra, përpara se të shndërrohej, gjatë sundimit të Elisabetës, në atë që Shekspiri do të përjetësonte. Në vitet 1587–1592 Shekspiri qe futur në trupën teatrale më të mirë të kohës, “Trëndafili”. Ai jo vetëm luante në këto shfaqje, por edhe shkruante drama për trupën. Në vitin 1593, për shkak të murtajës që shpërtheu me tërbim, u mbyllën teatrot dhe Shekspiri në këtë kohë ngriti një trupë aktorësh endacakë, që jepte shfaqje kudo. Nga viti1594 e tutje bëhet pjesë e trupës së lord Çembërlejnit, ku aktronin aktorët më të famshëm të kohës. Më 1603, që në vitin e parë të mbretërimit të Xhejmsit I, u bë trupa e mbretit.
Periudhat kryesore të krijimtarisë së Shekspirit
Periudha e rinisë 1588 – 1595, faza e parë, ajo e dramaturgut premtues, me veprat kryesore:
• të kohës historike: Henriku IV, Rikardi II, Rikardi III;
• komeditë: Zbutja e kryeneçes, Ëndrra e një nate vere;
• tragjedinë: Romeo dhe Zhuljeta.
Tragjedia Romeo dhe Zhuljeta ishte një histori mjaft e vjetër dhe e njohur, e shkruar në vargje nga një poet i quajtur Artur Bruk. Shekspiri e shkroi rreth moshës tridhjetë vjeç. Romeo dhe Zhuljeta e bëri Veronën një qytet më të rëndësishëm nga ç’është në të vërtetë. Zgjedhja mjeshtërore e çastit të ngritjes së siparit në aktin e parë, ku zhvillohet një skenë e zakonshme bisede, shfrytëzimi i të gjithë gamës së mundësive skenike, ndërkohë që armiqësia midis dy familjeve përvijohet e merr formë, shpejtësia me të cilën skicohen personazhet kryesore, të gjitha këto na tregojnë menjëherë se mund të presim një trajtim të shkëlqyer të kësaj historie dashurie.
Periudha e pjekurisë 1595 – 1602, është sezoni i komedive. Gjatë kësaj kohe u ngrit teatri i Shekspirit, “Glob”. Ndër komeditë më të njohura të kësaj periudhe, janë: Shumë zhurmë për asgjë, Nata e dymbëdhjetë. Kjo e fundit i ka të vendosura ngjarjet në brigjet e Ilirisë.
Periudha e pesimizmit 1602 – 1610, koha e krijimit të tragjedive të mëdha, produkte të periudhës së zhgënjimit. Në vitin 1603 vdes mbretëresha Elisabetë dhe vjen në fron Xhejmsi I, i cili e adhuronte teatrin. Menjëherë Shekspiri bëhet pjesë e trupës teatrore të mbretit. Tani ai kishte gjithçka që mund të kishte dëshiruar dhe vijoi ta paraqiste jetën njerëzore si një tragjedi. E para tragjedi është Hamleti, pastaj vjen Otelloja, tragjedia e arapit fisnik. Këto të dyja mendohet të jenë shkruar kur mbretëresha ishte ende gjallë. Otelloja është personazhi tragjik më simpatik e më prekës i tërë periudhës së fundit të krijimtarisë shekspiriane. Më pas shkroi tragjedinë Makbeth dhe, siç diti të zhvendosej me lehtësi në Romë a Iliri, tani u zhvendos në Skoci. Më 1606 shkruan Mbretin Lir, tragjedinë e një mbreti, i cili ka humbur respektin dhe pushtetin.
Më 1613, Globi, i ndërtuar me material të drunjtë, u dogj dhe nuk mbeti asgjë nga ndërtesa, as nga kostumet e sendet e vlefshme me gjithë tekstet e dramave. Ky vit i dha fund dhe karrierës së Shekspirit, i cili u tërhoq nga teatri dhe shkoi pranë familjes duke i mbyllur sytë më 23 prill 1616.