Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 1.4
Poezia dhe llojet e saj Analiza e elementeve të poezisë
Veçoritë metrike dhe stilistikore të poezisë
Historia e gjatë e krijimeve letrare dëshmon se ka dy mënyra organizimi të tekstit letrar: organizimi në poezi (varg) dhe ai në prozë(rreshta). Poezia quhet edhe vjershë (lat.versus-varg). Mënyra e të shkruarit në vargje quhet vjershërim. Me studimin e rregullave të vjershërimit merret dega e teorisë së letërsisë që quhet vargëzim ose metrikë.
Sistemi metrik i vjershërimit ndërtohet mbi bazën e studimeve të vjetra të poezisë antike greke. Sistemi i atëhershëm i vjershërimit ishte sasior, sepse mbështetej në shkurtësinë dhe gjatësinë e shqiptimit të rrokjeve. Sistemet e sotme të vjershërimit janë cilësore, sepse mbështeten në cilësinë e rrokjeve të theksuara ose të patheksuara. Theksimi i rrokjeve arrihet me anë të theksit, pra shqiptimit me zë më të fortë të një zanoreje. Ky quhet theks tonik ose logjik. Fjalët, rrokjet, theksat, organizohen në njësi të caktuara për të ndërtuar ritmin që, bashkë me vargun, janë elementet kryesore të të gjitha llojeve të vjershërimit. Elemente të tjera janë rima, eufonia (tingëllimi i vargut) etj.
Ritmi
Ritmi është vazhdimësia e rregullt e tingujve dhe pauzave; si për shembull, rrahja e zemrës, tik-taku i orës, lëvizja ritmike e djepit etj. Në shembullin e vënë përbri, vëmë re se brenda secilit varg, theksi përsëritet, sipas një numri të barabartë rrokjesh. Ky lloj theksi quhet ritmik, sepse i jep ritmin poezisë. Rrokjet e theksuara organizohen në njësi më të vogla që quhen këmbë, një ndarje sipas traditave të metrikës antike. Këmba përbëhet nga bashkimi i rrokjeve të gjata dhe të shkurtra. Ndarjen ndërmjet këmbëve e shënojmë me vijë të pjerrët /. P.sh. në vargun Nëna,/nusja,/motra,/dalin, kemi sipas ndarjes me vijë të pjerrët 4 këmbë. Llojet kryesore të këmbëve, që njihen që nga tradita antike greke, janë:
a. trokaik: Nëna,/nusja,/motra,/dalin
zgjatin/duart/të të/ndalin
Këmbët e këtij vargu kanë nga dy rrokje dhe theksi bie në rrokjen e parë.Vargu trokaik është vargu më i përhapur i këngëve popullore dhe i poezisë së shkruar shqipe.
b. jambik: Lirim,/lirim,/bërtet gjithkah/malsia..
Këmbët e këtij vargu kanë nga dy rrokje dhe theksi bie në rrokjen e dytë.
c. amfibrak: …dhe deti/ka marrë/një ngjyrë/të re.
vargu përbëhet nga disa këmbë me nga tri rrokje, nga të cilat rrokja e parë dhe ajo e tretë janë të patheksuara, kurse rrokja e dytë është e theksuar.
d. anapestik: Allalla/o rezil/o katil..
Këmba përbëhet nga tri rrokje me theks në rrokjen e tretë. Sipas numrit të këmbëve që merrnin pjesë në një varg tradita poetike antike emërtonte llojin e vargut, p.sh. hekzametër, pentametër etj.
Hekzametri është varg i përbërë nga gjashtë këmbë, me të cilin janë shkruar kryeveprat e antikitetit: Iliada, Odisea, Eneida. Hekzametri përbëhet nga 13 deri në 17 rrokje dhe midis dy grupeve të këmbëve ka një pushim të gjatë që quhet cezurë.
Fjalën e nisi ati i njerëzve e i zotave:
Zonja Tetidë, ndonëse je e pikëlluar…
Homeri, Iliada
Rima
Rimë quhet përputhja e tingujve në fund të dy a më shumë vargjeve, duke nisur nga theksi i fundit ritmik. Rima është elementi tingullor (sonor) më karakteristik i poezisë, e cila kryen disa funksione të rëndësishme:
– shënon fundin e vargut;
– shënon vazhdimin e strofave;
– krijon ritmin dhe muzikalitetin;
– lidh fjalët me kuptim të ngjashëm ose të kundërt.
Vargjet që kanë rimë ndërmjet tyre, quhen vargje të rimuara, ose vargje me rimë. Sipas vendit, rima mund të jetë:
a. Rimë e përputhur: kur vargjet me të njëjtën rimë vijojnë njëri pas tjetrit, sipas skemës AABB.
Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bënj ditë.
N.Frashëri, Fjalët e qiririt
b. Rimë e kryqëzuar: kur vargu i parë rimon me vargun e tretë dhe i dyti me të katërtin sipas skemës ABAB.
S’ka heronj, heronjtë i përzumë,
Me lavdi përditë i nanuritëm
Dhe me lajka dalëngadalë i vumë
Një nga një në prehje dhe në gjumë.
D.Agolli, Malli për heronjtë
c. Rimë e përmbysur: kur vargu i parë rimon me të katërtin dhe vargu i dytë me të tretin, sipas skemës ABBA.
Nuk di në trupin tem në kam
Një shpirt, dikur që munt ka rrojtur
Që mund ka qeshur a ka vojtur:
Nuk di, në brum’ i tija jam.
Asdreni, Mister
d. Rima e brendshme: është një formë e shfaqjes së rimës brenda vargut. Përdoret për të dalluar fjalët kyçe ose një shprehje të rëndësishme nga pikëpamja e kuptimit.
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
A. Asllani, Hakërrim
Llojet e vargjeve dhe trajtat e tyre ritmike
Mënyra e vjershërimit njeh disa lloje vargjesh:
a. Vargjet e matura: janë ato vargje që kanë ritëm të rregullt dhe numër të njëjtë rrokjesh. Vargjet e matura mund të kenë rimë ose jo. Në rastin e dytë quhen vargje të bardha. Vargjet e bardha janë më të hershme se ato me rimë, por përdoren me sukses edhe nga poetët e sotëm. Këngët e Ciklit të Kreshnikëve janë të ndërtuara me vargje të bardha:
Trim mbi trima ai Gjergj Elez Alia,
që nantë vjet, nantë varra në shtat m’i ka…
Sipas numrit të rrokjeve vargjet e matura ndahen në: vargje me rrokje çift dhe vargje me rrokje tek. Njohja e llojeve të ndryshme të vargut është e rëndësishme, pasi përmes tyre lexuesi vlerëson efektin ritmik, muzikor, që ata prodhojnë, qoftë veç e veç, qoftë duke u kombinuar
b. Vargjet e lira: janë vargje të çliruara nga metri i njëjtë, nga ritmi i rregullt dhe nga rima. Intonacioni i tyre afrohet me atë të të folurit me ngarkesë emocionale. Vargjet e lira kanë lindur si shprehje e nevojës së brendshme të poezisë europiane moderne për të strukturuar përmbajtjen. Në letërsinë shqipe e gjejmë, së pari, në disa poezi të Asdrenit: Pamje, Juda etj., por i pari që e përdori në mënyrë sistematike ishte Migjeni. Në kohën tonë përdorimi i këtij vargu është një dukuri e zakonshme.
Atëherë kur unë jetoja çdo çast,
me atë që kisha jetuar
dhe tani që rroj çdo çast,
me atë që do të vijë…
çdo gjë nuk ishte në vendin e vet
por më lart, më dlirë, më lirë,
varionte jeta në qiej,
çaste të madhërimit
të shijës së talentit, të dashurisë,
atëherë dhe sot
më lidh me këtë botë…..
R.Zekthi, Vlera e çasteve
c. Vargjet e thyera. Shpesh poeti e copëzon, e shkallëzon vargun duke veçuar fjalën ose togfjalëshin që mbart ngarkesën më të madhe kuptimore e emocionale. Ky varg quhet varg i thyer dhe mund të jetë i lirë ose i matur.
Lulëkuqeja e mjera
asgjëkundi s’ka shtëpi,
e shkon jetën n’arrati,
ajo s’është si të tjera,
s’ka stoli!
Asdreni, Lulëkuqeja
Strofa dhe llojet e saj
Strofa është një grup vargjesh të lidhura ndërmjet tyre me ritmin, rimën dhe intonacionin e përbashkët, që qëndrojnë më vete. Numri i vargjeve është përcaktues për llojet e ndryshme të strofave.
a. Distiku (Dyvargëshi) përbëhet prej dy vargjeve, zakonisht njëmbëdhjetërrokëshe, me rimë të puthur. Ka raste kur vargjet janë edhe pa rimë, kryesisht në poezinë moderne.
Vajtojnë kukuvajkat tek
kjo plevicë
Në vapë, dëborë e ngricë.
D.Agolli, Kjo plevicë
b. Tercina (strofa treshe)përbëhet nga tri vargje të rimuara përgjithësisht njëmbëdhjetërrokëshe, me rimë AAA, ose AAB ose ABA, BCB, CDC. Këtë strofë e ka përdoruar Dante Aligeri, në veprën “Komedia hyjnore”, të ndërtuar me vargje njëmbëdhjetërrokëshe, që lidhen me rima të kryqëzuara: vargu i parë rimon me të tretin, vargu i dytë me vargun e parë të strofës së re.
Këndej kalohet në qytet t’mjerimit A
Këndej kalohet n’dhimbjen pa kufi B
këndej kalohet n’shpirtnat e humbun shqimit A
Krijuesin tim e shty’drejtsija e tij B
vetë pushteti hyjnor më ka sajue C
ma e larta, dije, e para dashuri B
D.Aligeri, Ferri, kanga III
c. Katrena (strofa katërshe) përbëhet nga katër vargje të llojeve të ndryshme, njëmbëdhjetërrokësh, dhjetërrokësh, nëntërrokësh etj.,që lidhen mes tyre me rima të llojeve të ndryshme. Është lloji i strofës më të përhapur, edhe në letërsinë shqipe.
Në pyje vjeshta ndezi zjarre
në zemër zjarr më ndeze ti;
po diç gjëmoi lart në male
dhe nga gjëmimi rrodhi shi.
Xh. Spahiu, Në pyje vjeshta ndezi zjarre
d. Gjashtëvargëshi është strofë e ndërtuar nga gjashtë vargje, kryesisht të shkurtër, me kombinime të ndryshme rimash.
Ju engjëj në fytyrë
Por djaj në zemër tuaj,
Që shkelni porosirat
E ligjit, besës suaj,
Mos humbni kurrë shpresë
Ka dhe për ju…shpërblesë!
Asdreni, Mos humbni shpresë
e. Soneti (Tingëllima) përbëhet nga dy strofa katërshe dhe dy strofa treshe, me vargje njëmbëdhjetërrokëshe, sipas modelit të Kancionerave të Petrarkës. Mjaft të njohura janë sonetet e kohës elisabetiane të Shekspirit. Në poezinë shqipe këtë lloj strofe e ka lëvruar me sukses Mjeda (Lisus, Scodra, Liria), si dhe Fishta, Camaj e Koliqi.
Gjuha figurative. Figurat retorike të kuptimit
Gjuha ka mundësi të mëdha shprehëse. Me nuancat e shprehjes së saj merret një disiplinë e veçantë shkencore që quhet stilistikë. Ajo ndahet në dy degë: në stilistikë gjuhësore dhe në stilistikë letrare. Meqë çdo autor ka mënyrën e vet të përdorimit të gjuhës, ka modelet e tij të shprehjes, themi se ai ka stilin e tij. Pra, stili ndryshon nga njëri autor te tjetri në nuanca më të vogla, por ndryshon shumë nëpër periudha të ndryshme letrare e artistike. Në procesin krijues, poetët dhe prozatorët, shpesh fjalëve u japin kuptime të reja, më të gjera dhe kuptime figurative. Këto kuptime të reja, kuptime figurative të fjalëve, quhen figura stilistike. Figura stilistike është një organizim i tillë gjuhësor, në të cilin fjalët marrin kuptime të dyta, do të thotë të figurshme. Duke u bazuar në ndërtimin e figurave dhe funksionin e tyre stilistik e estetik, dallojmë: figurat e kuptimit, figurat tingullore dhe të intonacionit, figurat e fjalorit (leksikut), figurat e fjalës (tropet), figurat e sintaksës.
Figurat e kuptimit
Krahasimi
Krahasimi-quhet edhe figurë elementare, sepse një send ose dukuri na e jep duke e krahasuar me një send ose dukuri tjetër (kemi krahasim mbi bazën e cilësive, veprimeve, gjendjeve etj.) Krahasimi është i thjeshtë kur përbëhet vetëm nga një fjalë ndërsa kur përbëhet nga shumë fjalë quhet krahasim i zgjeruar ose similitudë
Syni i saj si kokrra e qershisë,
E ka qerpikun si krahi dallndyshës,
Shteku i ballit si shteku i malit,
Kur merr hana me prarue,
Martesa e Halilit, Cikli i Kreshnikëve
Antiteza
Është figurë e përbërë nga dy njësi kuptimore, lidhja e të cilave kryhet me kundërvënie: në nivelin e fjalëve, në nivelin sintaksor dhe atë kuptimor. Antiteza ndërtohet shpesh prej antonimeve. Edhe personazhet e një vepre mund të ndërtohen në antitezë me njëri-tjetrin, si Skënderbeu me sulltanin tek Historia e Skënderbeut, e N.Frashërit, Otelloja me Jagon në tragjedinë Otello, të Shekspirit etj..
Se të deshte dhe s’të deshnin,
se të qante kur të qeshnin,
se të veshte kur të çveshnin,
nëno moj, të ra dëshmor
Anës lumenjve , F. Noli
Personifikimi
Përmes kësaj figure artistike, gjërave, sendeve abstrakte, kafshëve e bimëve u jepen cilësi njerëzish. Me anë të personifikimit shpirtëzohen gjërat pashpirt, sendet e pajetë, duke i bërë ato të mendojnë, të veprojnë e të kuptojnë si njerëzit.
Tokë e dashur, ti diçka ke
kërkuar nga unë.
“Ndryshomë, o bir”-më ke
thirrur nga grykat e maleve.
D.Agolli, Toka ime, kënga ime.
Hiperbola,
sikurse antiteza mban në vetevete një krahasim të mundshëm, por në një marrëdhënie jo të zakonshme, sepse një send, dukuri ose veprim e jep shumë më të zmadhuar, se sa është në të vërtetë. Hiperbolën e ndeshim dendur në Ciklin e Kreshnikëve, por edhe në letërsinë e shkruar.
dymbëdhetë pash n’lëndinë u ngul topuzi!
dymbëdhetë pash përpjetë si re u çue pluhni!
Cikli i Kreshnikëve, Gjergj Elez Alia
Simboli
Shpesh në vend të emërtimit të një sendi, përdoret emri i një sendi tjetër, që ka lidhje ngjashmërie me të. Në këtë rast përdoret simboli. Në poezinë përbri, me fjalën manushaqe, nënkuptojmë Shqipërinë, me fjalët shpendëra, hithra, ferra nënkuptojmë pushtuesit dhe tradhtarët e kohës së Naimit, që e mbanin në robëri Shqipërinë. Nëpërmjet këtyre fjalëve poeti kërkon të vendosë një lidhje ngjashmërie. Koncepti i simbolit është i afërt me atë të alegorisë. Shumë personazhe të letërsisë, të përsosur në tipin e tyre, janë bërë simbole të virtyteve apo veseve njerëzore p.sh. Prometeu – simbol i dashurisë dhe i sakrificës njerëzore, Jago – simbol i të keqes etj.
Manushaqe, bukuroshe,
pse s’ngre kryet përpjetë?
…………………………………
Shpendëra, hithëra, ferra,
përsipër të kanë rënë
dhe dritën ta kanë zënë….
Manushaqja, N. Frashëri
Epiteti (gr. epitheton – shtesë)
Epiteti i zakonshëm shprehet me një mbiemër; epitetet i gjejmë dendur si në letërsinë gojore dhe në atë artistike. Janë të njohura përdorimet e epitetit te poema Iliada e Homerit. Ky lloj epiteti njihet si epiteti tradicional. Sot letërsia parapëlqen epitetin metaforik, i cili ngrihet mbi një cilësim të zakonshëm. Epiteti mund të shprehet edhe me pjesore të foljeve ose me ndajfolje.
Hije… jo! – por një grue
me ftyrë të zbetë edhe
me sy
të zez si jeta e saj,
me buzë të vyshkuna në
vaj,
me plagë në gjoks e
stolisun
me veshje dhe me shpirt
të grisun…
Baladë qytetse, Migjeni
E zeza Andrianopojë,
q’u bëre burimë i zisë
vure botën në nevojë,
në helmin e ligësisë!
(Naim Frashëri, Histori e Skënderbeut, kënga III)
Figurat e fjalës
Metafora
Metafora është një lloj krahasimi i shkurtuar. Brenda një shoqërimi fjalësh, një fjalë e humb kuptimin e saj të zakonshëm dhe me përdorimin e ri fiton një informacion më të madh kuptimor: Ai ishte lulja e ushtrisë shqiptare. Në këtë fjali, fjala lule është figurë, një fjalë e papritur për kontekstin. Nëse do ta shpjegonim figurën, fjalia mund të ishte: Ai ishte ushtari më i bukur apo më i dashur. (sepse lulja është bima më e bukur). Mirëpo fjalët e përdorura këtu nuk e shprehin cilësinë themelore të ushtarit, ai mbi të gjitha është trim, pra, po të hiqej figura e metaforës, fjalia mund të shkruhej: Ai ishte trimi më i bukur, më i dashur i ushtrisë shqiptare. Rastet e realizimit të figurës së metaforës:
– kur gjërat e natyrës dalin si të gjalla: lumi ecën, fusha frymon, etj.(metafora shprehet me folje)
– kur gjendja shpirtërore a veprimi intelektual përdoret për t’u dhënë kuptim gjërave të natyrës e objekteve: pyll i shqetësuar, muzikë e pikëlluar (metafora shprehet me mbiemër).
Molla t’kputuna nji deget,
Dy qershija lidhë n’nji rrfanë.
Andrra e jetës, N.Mjeda
Deti
Ashtu, darkë pas darke dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra.
Unë prisja me orë të tëra
gjersa përnjëhërësh,
tutje nëpër fushat e gjëra të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta
kuajsh të bardhë.
Nëpër hapësirat e pafundme suleshin
aradhë-aradhë. Turfullonin. Binin këmbët e thyera..
F. Arapi
Metonimia
Është një figurë e zhvendosjes kuptimore, që bazohet tek kalimi i fjalës nga kuptimi i parë te një kuptim tjetër, duke u mbështetur në lidhjen e varësisë dhe jo të ngjashmërisë.
Metonimia shpreh këto lloje vazhdimësie:
a. shkaku për pasojën ose e anasjellta: të qarën (vajin) për dhimbjen;
b. ena për brendinë: gota për verën;
c. lënda për objektin: hekuri për shpatën;
d. konkretja për abstrakten dhe anasjelltas: dega e ullirit për paqen;
e. autorin për veprën: e lexova Danten;
f. vendin ose kohën në vend të njerëzve që jetuan në të: Parisi lëshoi një deklaratë.
mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
Migjeni, Poema e mjerimit
Figurat e tingullit
Anafora
Është ajo figurë tingullore që ndërtohet mbi bazën e përsëritjes së fjalës së parë ose e një grupi fjalësh në fillim të vargjeve. Si figurë stilistikore, anafora forcon shprehësinë dhe është gjithashtu element i ritmit.
Sa shpejt frima burrave u ka ardhë!
Sa shpejt gjaku trimave po u xehet!
Kanë marrë llafin e po llafiten,
Kanë marrë gazin e po gazmojnë,
Kanë nisë trimat Mujin p’e pëvetin..
Martesa e Halilit
Epanastrofeja
Kur një ose disa fjalë të fundit të vargut a të një fjalie përsëriten në fillim të vargut a fjalisë që pason, përftohet figura e epanastrofesë.
Sot u pamë-e sot u ndamë
Dhe nuk thamë njëzë fjalë;
Kur u ndamë vamë-e qamë,
Qamë shpejt ca lot me valë.
Sot u pamë, L. Poradeci