Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 4.2 Jeta dhe vepra e Eskilit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 4.2

Jeta dhe vepra e Eskilit

Ai ishte “ati i tragjedisë”, siç është quajtur dikur, dhe një nga etërit e letërsisë botërore….. Eskilit i ra në pjesë një nga fatet e rralla që mund t’i bjerë njeriut: të fillojë tragjedinë, në atë kuptim të madh që i japim ne sot. Natyrisht para tij kishte pasur të tjerë, që koha i mbuloi me pluhur. Dhe përveç tyre ishte tradita e poezisë gojore greke dhe e popujve të tjerë të Ballkanit. Ishin festat dionisiake, ceremonitë e dasmave dhe ceremonitë e përmortshme dhe dhjetëra dukuri të tjera të natyrës e të shoqërisë, prej të cilave drama nuk është veçse një hap larg.
“Eskili ky humbës i madh”, Ismail Kadare

Jeta

Eskili është autori i parë i rëndësishëm i tragjedisë greke dhe krijuesi i saj i vërtetë. Ai e mbajti gjallë teatrin dramatik gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit V para erës sonë. Eskili lindi në një familje aristokratike të Athinës, në vitin 525 para erës sonë. Jeta dhe krijimtaria e tij përfshihen në një periudhë historike, të ngjeshur me ngjarje të rëndësishme siç ishin luftërat për triumfin e demokracisë apo sulmet e persëve për të pushtuar Greqinë. E gjithë familja e tij mori pjesë aktive në luftën kundër persëve: një vëlla i vdiq nga plagët pas betejës së Maratonës, vëllai tjetër komandoi anijen që nisi betejën në Salaminë, kurse vetë Eskili luftoi trimërisht në dy beteja vendimtare për fatet e vendit, në Salaminë dhe në Plate. Epitafi i shkruar mbi varrin e tij nuk ia përmend famën që ai kishte si tragjedian, por vetëm trimërinë si luftëtar.

“Ky varr ruan eshtrat e birit të Euforionit,
Të Eskilit athinas midis fushave pjellore të Gelas
Dhe pylli i Maratonës e midjani flokëgjatë
Do të tregojnë për heroizmin e tij të lavdishëm.”

Nisur nga fakti se Eskili fitoi 13 herë në konkurset dramatike sa ishte gjallë dhe 28 herë pas vdekjes, mund të thuhet se pothuajse gjysma e tragjedive të shkruara prej tij janë çmuar për vlerat e veçanta që ato mbartin. Tragjediani i madh vdiq në moshën 69 vjeç, në Siçili, kur ishte i ftuar për herë të dytë në oborrin e Herionit, tiran i Sirakuzës dhe mbrojtës i arteve.

Vepra

Idealet e larta të heroizmit dhe lirisë që e udhëhoqën Eskilin në jetë i gjejmë të pasqyruara në veprën e tij. Në të gërshetohen elementet e botëkuptimit tradicional me idetë e reja të lindura në shtetin demokratik skllavopronar. Poeti kritikoi shumë anë të këqija të realitetit të kohës duke u nisur nga parimet e drejtësisë universale në përgjithësi. Kjo përbën tiparin kryesor përparimtar të dramaturgjisë së Eskilit.

Eskili shkroi rreth 90 pjesë dramatike nga të cilat janë ruajtur vetëm 7 tragjedi të plota. Mbështetur në karakteristikat dalluese të tyre, mendohet se krijimtaria e Eskilit ka kaluar nëpër tri etapa zhvillimi:
Në etapën e parë, janë shkruar tragjeditë “Lutëset” dhe “Persët”, në të cilat mbizotërojnë pjesët korale. Në to dialogu është ende i dobët dhe roli i aktorit të dytë është gjithashtu i vogël. “Lutëset” mendohet të jetë tragjedia më e vjetër që ka arritur nga Eskili. Në të trajtohet miti mbi 50 vajzat e Danait, të quajtura Danaida, të cilat largohen nga Egjipti, bashkë me të atin, për t’i shpëtuar martesës së detyruar me 50 kushërinjtë e tyre, djemtë e mbretit Egjipt. Ato mbërrijnë në Argos dhe i luten mbretit të atij vendi, Pellazgut, që t’i pranojë si “lutëse” e t’u japë strehim. Por kjo do ta fuste Argosin në luftë me Egjiptin. Pellazgu i urtë, megjithëse mbret, mbledh popullin për të marrë një vendim që lidhet me fatet e qytetit. Me pëlqimin e tij ai vendos t’i marrë në mbrojtje Danaidat, duke pranuar me vetëdije përgjegjësinë dhe pasojat e këtij vendimi. Fryma qytetare e Pellazgut, urtësia e njëkohësisht guximi i tij, tregojnë se një qytet është me të vërtetë i lirë vetëm atëherë kur ai beson në vlerat e lirisë dhe kur tregohet i gatshëm t’i mbrojë ato me gjakun e vet.

Një nga tragjeditë e hershme të Eskilit është “Persët”, e vënë në skenë aty nga viti 472 p.e.s. Në këtë pjesë autori i thur himn fitores së flotës greke kundër ushtrive perse në betejën e Salaminës. Është e vetmja tragjedi e Eskilit, nga ato që janë ruajtur, subjekti i të cilës është marrë jo nga mitologjia, por nga realiteti i gjallë i Greqisë së shekullit V p.e.s. Ngjarja shihet nga këndvështrimi i të mundurve. Tragjedia nuk i paraqit spektatorit fitoren e grekëve, por i sugjeron që ta shohë me syrin e humbësve, në mënyrë që fakti historik t’i shërbejë spektatorit si objekt meditimi dhe si mësim jete. Tragjedia paraqet ankthin e korit të pleqve persë dhe të nënës së Kserksit, mbretit që e çoi ushtrinë e vet nga Persia në brigjet e Greqisë, në pritje për të marrë vesh fatin e betejës. Faji për humbjen i mbetet vetëm Kserksit dhe ambicjes së tij pa fre për ta zgjeruar mbretërinë e vet deri përtej detit. Mosrespektimi i të drejtave të të tjerëve dhe tejkalimi i arsyes së Kserksit kanë ofenduar edhe vetë hyjnitë, që e ndëshkojnë duke ia mbytur ushtrinë dhe duke e lënë të kthehet vetëm dhe i turpëruar në atdheun e tij të largët.

Etapës së dytë i përkasin veprat “Të shtatët kundër Tebës” dhe “Prometeu i mbërthyer”.
Në këto vepra nis të forcohet dialogu, krijohet prologu dhe individualizohet më mirë figura e heroit kryesor. Tragjedia “Të shtatët kundër Tebës” e merr lëndën nga cikli i gjerë teban, nga i cili Eskili zgjedh momentin e duelit vëllavrasës mes dy djemve të Edipit, Eteoklit dhe Polinikut. Ky i fundit, i shmangur me forcë nga pushteti prej të vëllait, lidhet me armiqtë e Tebës dhe bashkë me gjashtë princa të huaj sulmon qytetin. Në vargje përshkruhen palët ndërluftuese dhe përbërja e ushtrisë, si tek “Iliada”, çka dëshmon për faktin se tragjedia ende imiton poemën epike. Eteokli organizon trimërisht mbrojtjen e shtatë portave të Tebës, deri sa vjen çasti të përballet me Polinikun. Dy vëllezërit vriten prej shpatës së njëri-tjetrit, duke shënuar kështu realizimin e profecisë së orakullit, sipas të cilës fisi i Edipit do të pësonte ndëshkimin e rëndë hyjnor, ngaqë i pari i tij, Llaji, kishte thyer urdhrin e hyjnive.

“Prometeu i mbërthyer” është tragjedia më popullore e Eskilit, e cila ka në themel qëndresën e heroit Promete kundrejt ndëshkimit të Zeusit, për shkak se ai u zbuloi njerëzve zjarrin dhe u mësoi zejet. Shkaba e Zeusit ia ha mushkërinë Prometeut, e cila ripërtërihet çdo ditë, sepse ai është hyjni dhe i pavdekshëm. Edhe pse tortura përsëritet, dhembja nuk e mposht heroin, ndërsa krenaria ia shton më shumë qëndresën. Edhe pse Zeusi i premton lirinë kundrejt bashkëpunimit, Prometeu nuk bën marrëveshje me tiranin.

Etapës së tretë të krijimtarisë së Eskilit i përket trilogjia “Orestia”(viti 458), e cila është e vetmja që ka arritur e plotë e përbërë nga tri tragjedi: “Agamemnoni”, “Koeforet” dhe “Eumenidet”. Kjo vepër dallohet për kompozicionin e ndërlikuar dhe forcën e madhe dramatike. Është tragjedia e vetme e Eskilit ku futet aktori i tretë sipas shembullit të Sofokliut.

Subjekti i “Orestias” ndërtohet nga lënda e ciklit mitologjik të Atridëve, mbi të cilët rëndon mallkimi për krimin e tmerrshëm të të parëve të tyre.

Në tragjedinë e parë, “Agamemnoni”, heroi fitimtar i Trojës vritet nga e shoqja Klitemnestra, me preteksin e hakmarrjes, për vrasjen e së bijës, Efigjenisë, të cilën Agamemnoni ua flijoi perëndive, kur ushtria u nis për në Trojë. Por hakmarrja përbën krim dhe si e tillë thërret mbi vete një tjetër hakmarrje, që e përgatit tragjedia e dytë “Koeforet”. Heronjtë e saj janë Elektra dhe Oresti, bijtë e prindërve vrasës. Motër e vëlla bashkohen për të shlyer gjakun e babait, duke vrarë nënën e tyre dhe të dashurin e e saj, Egistin, i cili u ka rrëmbyer fronin e Agamemnonit. Zgjidhjen e zinxhirit të vrasjeve brenda kësaj familjeje të mallkuar prej hyjnive e jep tragjedia e tretë, “Eumenidet”. Tek ajo theksohet ligji dhe drejtësia kundër hakmarrjes së verbër të njerëzve. Me ndërhyrjen e mençur të perëndive (Apollonit dhe Atenës), fataliteti që e godet familjen e Artridëve në disa breza merr fund. Ekuilibrat e prishur të familjes dhe shoqërisë rivendosen, mbas një gjyqi të gjerë popullor, i cili shënon zëvëndësimin e zakonit barbar të gjakmarrjes me elemente të qytetërimit, siç është drejtësia popullore e kthyer në ligj të detyrueshëm.

Tipare dalluese të tragjedisë së Eskilit

Si themelues i vërtetë i artit të tragjedisë, Eskili shfaqet që në fillim të krijimtarisë së tij novator(2), duke i dhënë tragjedisë frymë të re; duke përtërirë gjuhën dramatike dhe duke forcuar efektet teatrale të shfaqjes. Një nga risitë më të mëdha që ai solli ishte shtimi i aktorit të dytë, përveç protagonistit të vetëm të dramës. Skena me dy aktorë njëherësh, u bë mjaft interesante dhe afroi mundësi të reja shprehëse, si për shembull, forcimin e dialogut nëpërmjet zvogëlimit të rolit të korit dhe të pjesëve korale. Konflikti dramatik fitoi në këtë mënyrë një përmasë të re, më individuale dhe spektatori arriti të identifikohet më mirë me heronjtë dhe me shfaqjen.

Tragjeditë e Eskilit kanë kompozicion të thjeshtë: secila prej tyre trajton një ngjarje të vetme. Spektatori e sheh ngjarjen tek përgatitet, zhvillohet me shpejtësi, shpërthen në pikën kulmore, e më në fund zgjatet me komente filozofike. Eskili zgjedh një moment kyç në ecurinë e mitit, të cilin e mbush me ide të fuqishme, që shprehen në një stil të lartë e hijerëndë. Në përputhje me idenë që mishërojnë, personazhet zhvillohen në mënyrë drejtvizore, duke ndjekur konfliktin dramatik që ngrihet drejt kulmit me mjeshtëri, pa kthesa e surpriza. Vëmendja e spektatorit mbetet kështu e ngulitur në idenë qendrore, e cila i frymëzon atij ndjenja të forta qytetare. Në këtë mënyrë Eskili arrin ta bëjë tragjedinë pjesë të ndërgjegjes shoqërore të qytetit.

Në tragjeditë e tij, Eskili paraqiti fatin dhe vuajtjet e individit si një hallkë në zinxhirin e madh të historisë. Qëllimi i tij ishte të krijonte heronj që vlejnë si shëmbëlltyra për të edukuar tek bashkohësit virtytet e larta qytetare. Veçori dalluese e heronjve të Eskilit është karakteri i palëkundshëm i tyre, forca që mbartin dhe mungesa e lëkundjeve dhe e kontradiktave për të kryer detyrën e tyre të shenjtë. Heronj të tillë janë Prometeu, Oresti, Elektra. Efekti i tragjedive të Eskilit qëndron më shumë në tërësinë e ngjeshur të tyre se sa tek detajet. Ai shfrytëzoi elementet  sugjestionuese të spektaklit, si: qerret fluturuese, shkëmbinj që copëtohen nga rrufetë dhe bien në humnerë, kafshët përrallore me trup luani, me bisht kali, me kokë shqiponje. Stili i dramave të Eskilit është i fuqishëm në zgjedhjen e fjalëve dhe të figurave. Gjuha është e pasur me metafora, vargu harmonik e me larmi ritmike.