Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 3.2
Analiza e veprës – Iliada
Lufta që kanë bërë shtetet greke kundër Trojës, në shek. XII para erës sonë, tronditën imagjinatën pjellore të popullit dhe frymëzuan krijimin e një cikli të madh këngësh epike. Lufta dhjetëvjeçare që u zhvillua rreth mureve të Trojës, nisi me rrëmbimin e Helenës, gruas së Menelaut nga Paridi trojan. Kjo luftë përçau në dy kampe edhe perënditë. Iliada nuk tregon luftën e Trojës, nga e cila ka marrë emrin, Ilios (Troja), por një episod të asaj lufte, vetëm 51 ditë të saj; zemërimin e Akilit. Ndodhemi në vitin e fundit të luftës. Gjithsej historia tregohet përmes 24 këngëve. Poema hapet me një thirrje drejtuar hyjneshës, tipike për këngët epike:
Këndo hyjneshë mëninë e Akil Pelidit…
Kënga I
Pasi Krizi, vajza e falltarit, Krizeut ishte rrëmbyer nga grekët, Apoloni i zemëruar merr hak dhe “lëshoi me hark argjendi shigjetat … për nëntë ditë rresht” përmbi akej. Akili mblodhi kuvendin me ndihmën e perëndeshës Herë, e cila pikëllohet nga humbjet e akejve. Agamemnoni duhet të kthejë Krizejdën, por si këmbim kërkon të marrë Brizejdën, robinën e Akilit. Nga kjo lindi grindja midis Agamemnonit dhe Akilit, ku përmes një dueli me fjalë, Agamemnoni e quan Akilin dinak, madje duke e përbuzur i thotë: “Hajd, kthehu n’atdhe me trima e anije tua,/dhe Mirmidont sundo; për ty nuk ndiej,/ as nuk çaj kokën fort pse më zemërohesh”, ndërsa Akili e quan Agamemnonin turiqen, i pafytyrë, dejmarak (pijanec), syqen e zemërlepur, i lig e mbret gjakpirës. Sherrin e nisur ndërhyn ta shuajë Athinaja e dërguar nga Hera, e cila i donte të dy princët grekë.
Kënga II
Zeusi (i cili mban anën e trojanëve) mendon si të nxjerrë “faqebardhë” Akilin e, për hatër të tij, të vrasë sa më shumë akej, pasi dihet se pa të akejtë nuk mund të dalin fitues në luftë. Për këtë dërgon Andrrën gënjyese në çadrën e Agamemnonit, e cila, me fytyrën e Nestor plakut, që Agamemnoni e vlerësonte, i kërkoi të luftonin për të marrë Trojën. Në fjalën e tij Agamemnoni i prek në zemër ushtarët që për 9 vjet ishin larg familjeve e fëmijëve dhe i nxit në luftë. Bëhet një përshkrim i prijësve dhe gjithë ushtrisë që po niset. Agamemnoni jepet madhështor: si Zeus rrfeshgjetuesi, si Ares n’brez, n’kraharor si Posseidoni, kryelartë e fisnik mbi të gjithë që kopesë po i prin.
Ndërsa ushtrija shkonte gjithnji para,
Dukej se zjarri botën mbarë përpinte,
E toka për nën kambë për tmerr ushtonte
Si atbotë kur Zeusi gjuen n’kokërr rrufeje…
Nga ana tjetër, lajmëtarja Iridë, me këmbë të shpejta si era, dërguar nga Zeusi, lajmëron trojanët për nisjen e ushtrisë akeje. Të dyja ushtritë bëhen gati.
Kënga III
Fillon lufta midis ushtrive. Në krye të ushtrisë trojane është Paridi. Sapo Menelau sheh Paridin, sulet drejt tij. Paridi, i frikësuar, fshihet pas trupave trojane. Hektori zemërohet me të dhe i kujton arsyen e kësaj lufte, shkaktar i së cilës është që kur rrëmbeu Helenën, gruan e Menelaut. Hektori e bind Paridin të dalë në dyluftim me Menelaun. Në këtë këngë, autori na ballafaqon me figurën e Menelaut, Paridit bukurosh po jo aq trim, Hektorit kurajoz, Priamit që del si një baba i dhembshur, i cili nuk gjykon as Helenën për gjithçka ndodh, por gjykon perënditë dhe fatin e përcaktuar. Nga ballkonet e kalasë, Priami, në bisedë me Helenën, na njeh me heronjtë grekë, Agamemnonin, Odisenë, ku del në pah trimëria e njërit dhe dinakëria e tjetrit, si dhe me Ajaksin trup vigan, që përmbi kokë të të gjithëve i dalin shpatullat. Vendoset se dyluftimi midis Menelaut dhe Paridit do përcaktojë fatin e mëtejshëm të luftës. Kush fiton, merr Helenën, visaret që ajo solli nga Greqia në Trojë dhe premtojnë miqësi e besë midis popujve. Dyluftimi përfundon me tërheqjen zvarrë të Paridit drejt akejve dhe shpëtimin e tij nga Afërdita.
Kënga IV
Ngjarjet në këtë këngë fillimisht zhvillohen në Olimp. Afërdita arriti ta shpëtojë Paridin, edhe pse Menelau kishte përkrah Athinanë dhe Herën, që nuk arritën t’ia japin fitoren që meritonte. Zeusi kërkon t’i japë fund luftës e të vendosë paqen me popullin e Priamit. Perënditë, Zeusi dhe Hera, grinden ashtu si njerëzit; Zeusi i kërkon shpjegim Herës pse: “gjithë kjo lakmi e zjarrtë e ka zatetë që do t’rroposë atë qytet për mrekulli, gjall t’përpijë Priamin me bijtë e tij e me të gjithë Trojën”. Zeusi mban anën e Trojës dhe deklaron se: “ndër qytetet e faqes s’dheut banue prej vdekatarvet, që yjt prej qielli e syni i diellit shohin, asnjë s’e due, s’e ve me t’shenjtën Trojë”. Hera gjithashtu i tregon qytetet e saj më të dashura (Mykena, Argu, Sparta) dhe detyron Zeusin që të ngacmojë trojanët e ata të sulen mbi grekët duke prishur besën dhe, nga kjo, akejtë të vazhdojnë luftën. Perënditë vendosin gjithçka: “Ja luftë të rreptë do kemi a grindje të egër, / ja paqë do vejë mes dy lamijesh Zeusi, që në mes njerëzve ndan fatin e luftës”. Athinaja e maskuar si një trojan, nxit luftëtarët trojanë të shigjetojnë Menelaun, ai plagoset dhe besa u thye. Agamemnoni nuk ka më ndërmend për t’u tërhequr në Argos dhe nuk kthehet atje pa shembur e robtuar Trojën. Apoloni nxit trojanët duke i dhënë kurajo “se nuk lufton Akili”, ndërsa akejve u jep zemër Athinaja. Gjatë luftimeve që u zhvilluan, u bë kërdia nga të dy palët, shumë fatosa u vranë.
Kënga V
Në këtë këngë bie në sy figura e Diomedit, një luftëtar dhe prijës grek. Ndër të tjerë, ai ndeshet edhe me Eneun, princin trojan, djalin e Afërditës dhe Ankizit, i cili do të kishte vdekur, nëse nuk do e kish mbuluar me krahët e veta e ëma, nga shigjetat drejtuar atij. Diomedi i inatosur, i sulet Afërditës: “tu’ e mbajtë hyjneshë të dobtë; jo aso hyjneshash, që drejtojnë luftat ndër përleshje burrash, si Athinaja” dhe e plagos “në trinë të dorës s’butë; n’atë çast çeliku lëkurë hyjnoren ja shqeu dhe i shpoi tisin me aromë kundermonjëse, që vetë Hiret e patën endë”. Furisë së Diomedit i tremben perënditë. Apoloni i kërkon ndihmë Aresit, i cili u fut në mes për t’i ndihmuar. Ai mori fytyrën e trim Akamantit, prijës i trakëve. Nga ana tjetër, Hektori dallon si luftëtar tepër i zoti, sa tmerron edhe Diomedin: “Pse me u çuditun që Hektor hyneri ndahet në shenjë si shigjetar ma trimi? Një prej hyjnish i rri përbri, s’i ndahet, dhe mortjen ja largon. Po shoh që Aresn’shëmbllesë luftari ktë e shoqëruek; t’mos rrezikojmë të kapemi me zota; zbrapsuni”, kurse nga ana tjetër, Hera nxit Athinanë të ndihmojë grekët kundër Aresit dhe Hektorit. Diomedi sulet i ndihmuar nga Athinaja, sulet drejt Aresit dhe me shtizë i shqeu lëkurën. Heronjtë luftojnë dhe fitojnë edhe me perënditë. Zeusi i kërkon Aresit të tërhiqet nga lufta, pasi ai e urren se ai sjell: “mbi gjithë hyjnitë e Olimpit veç sherr e përçamje e luftë, kryekëput me huqe i përngjet Herës, nënës së tij kryenekcyeme”. Athinaja dhe Hera në fund shkuan të kënaqura se e larguan Aresin nga lufta.
Kënga VI –VIII
Heronjtë trojanë, Hektori e Eneu dhe heronjtë grekë, Ajaksi, Menelau, Diomedi, vazhdojnë luftimet dhe Hektori nga humbjet e mëdha i kërkon nënës Hekubë të shkojë në tempull të Athinës t’i bëjë theror hyjneshës 12 viça, që të kujdeset për gratë e fëmijët e Trojës. Hektori ndërkohë kërkon Paridin, i cili nuk është midis luftëtarëve, por qëndron brenda në dhomë, gjoja duke përgatitur armët, jo se nuk është trim, siç thotë Hektori, por “ia përton luftës”. Në këtë këngë del dhe Andromaka me djalin, Astianaksin, e frikësuar se mos humbet të vetmin person që i ka mbetur gjallë nga kjo luftë e cila i ka rrëmbyer nënën, babain dhe shtatë vëllezër. “Veç ti më ke mbetë, / Hektor; veç ty të kam tatë e nanë t’nderueme, / ty të kam vlla e burrë për zemrën time”, por Hektori nuk mund “t’rri shmang si i ligu që i dredhon luftës”. Lufta vazhdon; trojanët, janë të mbështetur nga Zeusi. Në këtë këngë, Zeusi ndër të tjera paralajmëron vdekjen e Patroklit. Hektori nuk do ndalojë luftën derisa Akilit t’i zgjohet dëshira për t’u kthyer në luftë. Kjo parakupton se Akilit do t’i “zgjohet mllefi” me vdekjen e Patroklit.
Kënga IX
Që në fillim jepet dorëzimi i Agamemnonit, i cili mendon se kurrë “n’dorë s’e shtijmë dot Iljonin”. Diomedi dhe Nestori bashkë me trima të tjerë akej nuk bien dakord. Nestori kërkon të gjejë zgjidhje si të afrojë sërish Akilin këmbëshpejtë në luftë e t’i largojë idhnimin. Agamemnoni e pranon që ka gabuar dhe është gati ta kënaqë dhjetëfish me plaçkë, veç ai të rikthehet. Megjithatë, siç thotë Akili: “askush nga akejt, as dhe vetë Atridi mendjen s’ma kthejnë, pse kurrnjifarë mirënjohje s’treguet për mue, ndonse luftova me anmiq pareshtur”. Ndërkohë që edhe Zotat “zbuten me lutje t’ambla” apo si e lyp kanuni: “për djalë a vllatë vramë bota pranon me pagë të shpërblehet gjaku, dhe pa frikë gjaksi rron në paqë me anmikun, kur t’ketë la gjakun”, kurse Akili jo.
Kënga X
Atridi i madh (Agamemnoni) vuan gjendjen e akejve dhe ngrihet me natë të takojë Nestorin plak për ndonjë këshillë, si t’i largojnë të zezat nga akejtë. “Në jetën time kurrë s’pashë as dëgjova, që një njeri i vetëm për një ditë të kryejë aqë punë sa një Hektor në dam t’Akejve” – thotë Agamemnoni. Ai bashkë me të tjerë vendosën që Diomedi dhe Odisea t’i afrohen kampit trojan për të nuhatur planet e tyre. Ata jo vetëm që shkuan deri afër kampit, por edhe vranë 13 spiunë që Hektori kishte vënë në afërsi të kampit të akejve.
Kënga XI
Zeusi lajmëron akejtë për luftë dhe Agamemnoni dha urdhër të jenë gati. Nga ana tjetër, edhe trojanët me Hektorin në krye janë rreshtuar, kurse hyjnitë nga” banesat” e tyre bëjnë sehir. Zeusi është në anën e trojanëve dhe, i ndihmuar nga ai, Hektori bën kërdinë. Diomedi, një nga trimat më të çartur të akejve, sulet ndaj Hektorit dhe e rrëzon me heshtë, kurse Paridi me harkun e tij e plagos në këmbë. Odisea i mbetur vetëm rrethohet keq nga trojanët dhe shpejt i vjen në ndihmë Ajaksi, me një mburojë në dorë “sa një kala vigane”. Akili nga larg vëren bashkë me Patroklin nga anija barkmadhe, “punën mizore t’Aresit dhe thymjen e vazhdueshme të Akejve”.
Kënga XII – XV
Edhe në këto këngë, Hektorit i nxit fati veç fitore dhe ushtria e tij avancon afër murit të akejve që anijeve t’u vërë flakën. Por kur vendosën të kalojnë anën tjetër, panë një ogur, një shkabë të madhe që fluturonte në krah të majtë dhe mbante në kthetra një gjallesë të gjakosur të cilën e lëshoi midis tyre. Hektori nuk e beson shenjën dhe vijon sulmin. Nga frika e tmerri akejtë ua mbathën këmbëve te anijet zgavra. Poseidoni doli nga thellësitë e detit: “për t’i kallur trimëri në zemër akejve”, tinëz Zeusit se s’mund t’i dilte ballaz atij, kur ndihmon akejtë. Edhe Hera, e dëshiruar për të ndihmuar akejtë, bën ç’është e mundur ta vërë në gjumë Zeusin që mban anën e trojanëve. Zgjimi i Zeusit dhe egërsimi i tij u bën të qartë se kundër: “s’ban dobi të çoheni as me miklime e as me dhunë”.
Kënga XVI
Patrokli i del përpara Akilit me lot në sy “të nxehta si gurrë e errtë me gulfa t’zez që rrzohet nga i shkamb i thyeshëm”. Idhnimi i Akilit është i pamëshirshëm në sytë e Patroklit, tepër i zi, i lig e mizor. Ndërkohë plagoset trimi Ajaks dhe anijet e akejve bien në flakë. Akili menjëherë kërkon të largohen dhe nxit Patroklin të vishet e t’i ikin zjarrit. Patrokli vesh rrobat e Akilit dhe në krye të mirmidonëve u nis të luftojnë kundër sulmit të trojanëve që i është afruar anijeve të Akilit. “Me fjalë të dhunshme nuk i zbon dot trojanët, fjalët ruaji për kuvend. Në luftë vlen krahu. S’ka vend ktu fjala, por mëzdaku e palla.” – u jep zemër Patrokli luftëtarëve. Patrokli nuk ndalet dhe e vazhdon sulmin ndaj trojanëve deri në fund. “Me mendje t’keqe atbotë kundër trojanëve Patrokli u derdh” dhe Feb Apoloni “i duel nga pas dhe me një grusht t’fuqishëm e qëlloi n’lug t’shpatullave”, ndërsa Hektori kur e pa të plagosur, mbi të u sul. Në fund të këngës jepet vdekja e Patroklit.
Kënga XVII
Edhe pse Menelau u pëpoq t’i mbrojë trupin dhe armët Patroklit, me ndihmën e Apolonit, Hektori ia zhveshi armaturën e Akilit. Ndërsa po përpiqej t’ia këpuste kokën, ia behu Ajaksi me Menelaun dhe e morën trupin e tij. Hektori u kthye tek të tijtë me veshjen e Akilit dhe mburrej kudo, pa e ditur se fati po e çonte drejt vdekjes. Antiloku, djali trim i Nestorit, u caktua të njoftojë Akilin për humbjen e Patroklit.
Kënga XVIII
Vdekja e mikut e trondit dhe mbështjell me mjegull të zezë Akilin. Ai shkuli flokët prej dhimbjes së thellë, gratë robina ia nisën kujës të pikëlluara në zemër, duke rrahë me grushte gjoksin. Gjamë të madhe bëri Akil trimi. Ai tashmë ndjehet i penduar që nuk ndihmoi miqtë e tij kundër trojanëve: “s’ju gjenda pranë Patroklit dhe shokëve të tjerë që i vrau Hektor hyneri”, i cili e ka vdekjen mbas veshi. Athinaja e veshi sërish me armë lufte Akilin e ai nga larg lëshoi zë mbi trojanë, tri herë thërriti mbi ta, tri herë nga tmerri ata u tronditën. Ndërkohë që trojanët po pushojnë për një të nesërme më të rreptë, Tetida, shkon tek Hefesti dhe i kërkon një palë rroba të tjera lufte për të birin, Akilin, armë flakëruese për betejën me Hektorin.
Kënga XIX
Tetida i dërgon armët Akilit në anije, ndërkohë që ai mbi trup të Patroklit vajtonte. Ajo e këshillon të birin të mbledhë burrat akej në kuvend e të heqë dorë nga inati me Agamemnonin, ndërsa trupit të Patroklit i hedh nektar të kuq dhe ambrozje që hanë zotat, për të mos iu prishur aspak trupi të vrarit. Akili, në kuvend pranon para Atridit se më mirë do të kishte qenë të ishin marrë vesh midis tyre, si dhe Atridi pranon gabimet e tij duke u justifikuar me verbimin që ia shkaktoi Zeusi. Të gjithë akejtë gëzuan kthimin e Akilit. Ai mori të gjitha dhuratat e premtuara, si edhe Briseidën.
Kënga XX
Zeusi i mbledh në kuvend të gjitha perënditë; veç Oqeanit, s’mbeti lumë pa ardhur. Ia behën Zanat, Orët, shtojzovallet, të gjitha, pasi “ai nuk duron dot më si vriten popujt me njëri-tjetrin”. Zeusi tregon ndarjen e perëndive;
– në krah të anijeve (me akejtë), ishin Hera, Athinaja, Hermesi, Hefesti;
– në krah të trojanëve, ishin Aresi, Apoloni, Artemisa, Letoja, Ksanthi e Afërdita.
Zeusi u tregon se lufta u bë më e egër, kur mes grindjes së njerëzve hyri grindja e perëndive, secila palë luftonte të mbronte ushtrinë që kishte përzemër. Sulmin e Akilit ndër trojanë, duke mbjellë tmerr, nuk e ndalon asgjë, deri sa të përballet me Hektorin. Në inat e sipër, i sulen njëri-tjetrit, por të ndihmuar nga perënditë, (Athinaja dhe Apoloni) i shpëtojnë heshtave të drejtuara, njëri kundër tjetrit. Tashmë, lakmi-lavdie e pushtoi Akilin dhe, me gjak e pluhur, iu zhytën duart kreshnike duke vrarë trima trojanë.
Kënga XXI
Pelidi (Akili) e shkatërroi ushtrinë trojane. Vrau e preu e bëri kurban plot të rinj për vrasjen e mikut. Ujërat e bukura janë mbushur plot me trupa e Akili nuk heq dorë nga ploja. Kah qielli i gjerë ngriti sytë Akili dhe fshani: “O ati Zeus, nuk paska asnjë qiellorësh kundër këtij lumi me m’dalë zot mue t’mjerit! Sikur mue shpirtin të ma shkulte Hektori që asht ma trimi ndër gjithë burrat trojas, t’paktën si burrë unë nga një burrë do të vritesha.”
Kënga XXII
Pas tmerreve që po heqin trojanët prej dorës së Akilit, Hektori vendos të dalë në mejdan me të. Priami i shtiu duart në lutje drejt Hektorit që mos t’ia falë këtë lavdi Akilit, por ta ruajë veten se jeta është e ëmbël. Hekuba, gjithashtu vuan për Hektorin, të cilin e di që jo vetëm nuk do kthehet gjallë nga dyluftimi, por as trupin nuk do e kenë ku ta qajnë. Akili e ndjek kudo Hektorin, por ai, edhe pse nuk do shmanget dot, i fshihet afër mureve të Trojës sulmit të Akilit. Athinaja e ndalon vërshimin e Akilit duke i premtuar se do e bindë ajo Hektorin të vijë në dyluftim. Hektori pranon dhe kërkon nga Akili që pas fitores, të mos ia dhunojnë kufomën dhe trupin t’ia kthejnë familjarëve. Akili nuk pranon të lidhë besë me të, madje e quan armik të urryer. Heshtat e para të hedhura karshi njëri-tjetrit nuk godasin, por ndërsa perënditë e ndihmojnë Akilin me tjetër heshtë, Hektorin e braktisin. Heshtën, Akili ia kalon tejpërtej në zverk dhe Hektori, duke dhënë shpirt, i kërkon me ngulm trupin e tij t’ia kthejë prindërve e mos ia hajnë orlat në anije të akejve. Akili e tërheq zvarrë trupin e Hektorit, të lidhur pas koçisë së tij. Priami dhe Hekuba qajnë, me të këputur shpirtin, nga muret e kalasë. Vaji më i ndjerë është ai i Andromakës e cila vuan jo vetëm humbjen e burrit, por dhe djalin që tani një mijë të liga do e gjejnë.
Kënga XXIII
I bëhen nderimet Patroklit, sipas riteve: “rrotull Patroklit t’i qesim gjamën,/ si asht zakoni me u ba nderin të shuemve” dhe pas kësaj, dreka e mortshme. Nga ana tjetër, Akili dhunshëm, shëmton trupin e Hektorit: “para vigut ku qe shtrirë Patrokli zherg e zvarris me fytyrë në pluhur”. Edhe Akili i ndotur me gjak e pluhur, nuk pranon të pastrojë trupin pa vënë mikun në stivë të druve. Pas drekës, të gjithë i merr gjumi dhe në ëndërr Akilit i shfaqet miku i tij që kërkon sa më shpejt t’i bëhet varrimi. Ai i tregon fatin e zi që e pret edhe Akilin në Trojë dhe i kërkon që të dy të kenë trupat në të njëtin varr, miq në këtë e atë jetë. Ndërtuan stivën, njëqind këmbë për së gjeri e njëqind për së gjati, e mbi të vendosën trupin e Patroklit, rrethuar me kurbane. Akili preu flokët e verdhë të hijshëm. Trupin në vig të Patroklit e shoqërojnë drejt stivës. Mbas mbarimit të ceremonisë së varrimit të Patroklit, në nder të tij, Akili organizon lojëra të ndryshme me dhurata për fituesit.
Kënga XXIV
Dhe pse kanë kaluar ditë nga vdekja e Hektorit, trupi i tij i ruajtur nga perënditë nuk është prishur. Perënditë në Olimp organizohen me ndihmën e Tetidës, t’i mbushin mendjen Akilit që t’i kthejë trupin familjes. Akili pranon lutjen e nënës dhe vendos ta kthejë, ndërkohë, Priami i njoftuar nga Iride, shkon në banesën e Akilit, i shoqëruar nga Hermesi dhe nën kujdesin e Zeusit hyn brenda. Sapo hyn, rrok prej këmbësh Akilin, i puth duart vrasësit të djemve të tij. Pas fjalëve të plakut, Akili u kërkoi robinave ta pastrojnë e ta lyejnë me erëra të mira. Si bëri këtë, e ftoi plakun Priam të hanë e të mos mendojnë për gjë tjetër, pasi në mëngjes do fillojnë ceremonitë e varrimit. Plaku kërkon 11 ditë për të “salikue” (salikim-funeral) kufomën e këto ditë të pushojnë armët: “për nandë ditë rrjesht në shpi do qesim gjamën,/ të dhetën ditë nqytet do i bajmë vërcallën (drekë e përmotshme),/ në të njëmbëdhjetën do t’i ngrejmë muranën/ dhe të dymbëdhjetën luftojmë prap po deshët” – thotë Priami. Kthimi i trupit në kala shoqërohet me vajtimet e Andromakës, Hekubës, Helenës. Vepra mbyllet me salikimin e Hektorit.
Për nandë dit rrjesht sa i mal drutë i bashkuen.
Kur t’dhetën ditë e bardha dritë agoi,
tue ba gjamë t’madhe trupin e krytrimit
mbi stivë e vune dhe i futën zjarrin.
E kur agimi gishta trandafilti
n’mëngjes të ri i ndriti vdekëtarët,
i tanë polemi u mblodh përsri rreth stive,
ku u dogj kufoma e Hektor zamadhit;
me venë kuqloshe shojtën ma parë zjarrin.
Vllezënt e shokët, pastaj si u shue zjarri,
tue qa e dënesë të bardhat eshtna i mblodhën:
lodet rrëke prej mollzash u rrëmbenin.
Në një boskë (enë) ari t’ngrohtat eshtna i futën
mbështolën boskën me i rizë (copë) t’butë kërmeze (ngjyrë e errët).
Pastaj e kallën në një gropë të zgavrrueme,
anash dhe sipër e mbuluan me rrasa;
i hodhën dhé, muranë të madhe i ngrehën.
Dhe sogjetarët nga çdo anë përgjonin
mos u bien befas Danajt kollçikëbukur.
Si kryen muranën me nxitim u drodhën
fill kah qyteti, dhe të gjithë u mblodhën
n’saraje t’Priamit, dashamirit t’Zeusit,
për të marrë pjesë n’vercallin e madhnueshëm.
Kështu fund morën gjithë salikimet
në nder të madhit kuajshëluesit Hektor.
Përktheu Gjon Shllaku
Karakteret dhe personazhet
Në qendër të veprës qëndron Akil këmbëshpejti, trimi e zemërgjëri nga njëra anë, por dhe inatçori nga ana tjetër. Nuk pranon t’i bëjnë padrejtësi dhe në luftë nuk vjen për plaçkë, por për të vënë në vend nderin e akejve. Ai e ka të përcaktuar fatin, jetë të shkurtër e me lavdi, por nuk trembet dhe pajtohet me të. Gjatë veprës, arrin të zbulohet natyra komplekse e tij, një hero me veti të veçanta, që nuk mund të barazohet me asnjë luftëtar tjetër, pasi ai nuk mund të vritet si çdokush, përveçse në pikën e tij të dobët, në thembër. Largimi i tij nga fusha e luftës, i sjell shumë të zeza grekëve. Ky hero i papërmbajtur në guximin dhe trimërinë e tij, ka një zemër tepër të ndieshme e bujare.
Hektori, Priamidi i madh, tarogzëtundësi, është trimi i trojanëve, nga dora e të cilit do të donte të vdiste Akili, pasi e sheh si të vetmin trim të vërtetë. Ai është dhënë në një plan edhe më njerëzor, që mbron vendin e tij dhe nuk i ka ato pasionet e mërisë dhe hakmarrjes personale siç i ka Akili. Hektori del edhe si baba i dhimbshëm e bashkëshort besnik (kënga VI).
Agamemnoni, komandant i të gjithë ushtrisë akeje, është paraqitur si një sundimtar egoist dhe lakmitar, krenar, autoritar e i paqëndrueshëm. Mbret i Mikenës dhe vëllai i Menelaut, që del në mbrojtje të interesave të tij, shpesh shfaqet i tërhuzun (i tërbuar), fjalërëndë, idhnak dhe, sipas përshkrimit që i bën Helena, mbret i plotfuqishëm, Atrid zëmadh, sundues i madh, luftëtar kreshnik.
Paridi ose quajtur ndryshe Lekë Paridi, është tipi i djaloshit mendjelehtë, që shkon pas grave të bukura. Ai është djalë i pashëm dhe i pëlqen të shijojë të bukurën në jetë. Nuk shquhet si luftëtar, madje Hektorit i duhet ta kërkojë që ai të jetë me të tjerët në fushëbetejë.
Andromaka, është mishërimi i bukurisë morale dhe i gruas trojane. Ajo del si një figurë e plotë, edhe si bashkëshorte besnike, edhe si nënë e dhimbshme. Ka humbur të gjithë njerëzit e dashur në këtë luftë; nënën, babain, shtatë vëllezër dhe dridhet kur mendon fatin e djalit të saj, nëse vritet në luftë edhe Hektori. Vajtimi i Andromakës në këngën XXIV shpreh tërë dhimbjen e saj për humbjen e dashurisë e cila e la kërcure, të zezë e plot vuajtje.
Helena, ndryshe nga Andromaka, braktisi të shoqin për t’iu dhënë pasioneve të hyjneshës Afërditë. Në poemë është simboli i bukurisë, flokëprarueme e cila ndrit ndër petka të bardha.
Priami, babai i Hektorit dhe Paridit, plak i rënduar nga vitet, i lodhur nga fatkeqësitë. Trima të tjerë akej që dallojnë në luftë; Diomedi, që nuk trembet të luftojë edhe me përënditë, Ajaksi, i shpejtë, me trup të vogël, madje shumë i vogël, por i drejtë dhe guximtar; Nestor fjalambli, burrë i vjetër; Odise kaladërmuesi, dinak, mendjemprehtë dhe i durueshëm.
Mjetet artistike të veprës
Në këtë poemë epike, heroikja përcillet si një element përcaktues i trimërisë që duket qartë tek Akili, i cili, edhe pse e di që do të vdesë, ngushëllohet me pavdekësinë që sjell heroizmi. Vepra është tejet e pasur me një gjuhë artistikisht të ngarkuar me figura letrare. Nuk mungojnë figura të ndryshme letrare, edhe pse ato vijnë në mënyrë të pavetëdijshme, sepse kjo është bota e natyrshme e poetit. Karakteristikë e veprës është përdorimi i kontrastit, krahasimeve, hiperbolave, epiteteve, sidomos atyre kompozita.
krahasime/similituda:
polemi u dynd mbas tyne, porsi atëherë kur krina (lumza, mizëria e bletëve) e plymtë (e shumtë) e bletve del e roit (kur të vjetrat u lëshojnë vendin të rejave) nga vrima e shkambit zgavërr për t’u lshue vendin zogave të reja e plima plima (tufë-tufë) andej këndej mbështillen për degza varë si vila topçe rrushi, ashtu moria e çetavet akeje togje togje n’kuvend vërshuen furishëm nga anitë e çadrat; si zjarr zharitë që bje n’majë t’bjeshkëve;
djeg e shkrumbon pyje t’pafund, e flaka prej s’largu duket sikur shkrepi agimi, ashtu n’kalim të rreptë t’ushtrisë akeje mijra vetime fërgllojnë n’tërthorë t’qiellit, që tue shkreptitë flakrojnë armët hyjnore;
si atëherë kur rriba (hov i fortë i erës) e Jugut n’majë të bjeshkëve dynd mjegullën, të tmerrshme për barinjt, e cubi e pret me gzim ma fort se natën, e asgja nuk shihet se ku hidhet guri, ashtu si re e dendun çuen luftarët pluhnin n’ajri më kambë;
fill si ujku n’thekën, si dy zagarë të shpejtë; me dhambë të mprehtë s’i ndahen kamba kambës ndonjë sorkadheje a ljepri nëpër prozhëm që u ik përpara tue sokllitun thekshëm, ja ashtu Tudidi dhe kaladërrmuesi ai Odiseu, orziut i prenë shtegun.
epitete kompozita:
danajt syvezulluesa; në Spartë, n’atdheun e shtrenjtë i mbante toka jetdhanëse; Agimi i bukur gishtrëndafili; atllarë (kuaj) krifëbukur; Helena flokëprarueme; Nestor fjalambli; Odiseu kaldërmuesi; kambardha Tetidë; Krisejdë syvezulluese; Letoja flokëprarueme; Apol largshigjetuesi, harppraruemi, harkargjenti; hyjnesha Herë, krahëbardha, mendjezeza, symëshqerrë; Hefesti duerpraruemi; Athina sykaltra; Zeusi shqytmadhi, rrufeflakruesin, stuhishpërthyesi.
hiperbola:
kam pa shumë lufta e pjesë ndër to kam marrë, por kurrë s’kam pa gjithaq ushtri të madhe, sa gjetht e pemës e sa kokrriza ranë…
i vjen në ndihmë Ajaksi me një mburojë në dorë sa një kala vigane
Vepra është dokumenti më i lashtë i dialekteve greke, me një vlerë të veçantë historike, e shkruar me varg 10 rrokësh të bardhë.