Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 10 Shtepia Botuese Filara

0/30
Mësimi me video

Mësimi 10.3 Analizë HAMLETI

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 10.3

“HAMLETI”
Hamleti, princi i Danimarkës, tragjedia më e famshme e Shekspirit, është shkruar gjatë viteve 1602–1603, mbi  bazën e një historie të njohur daneze, por “të zbukuruar e të ndryshuar nga autori”, sa mund të thuhet se është vepra më popullore dhe më e thellë që luhet në skenë. Hamleti, student në Uitenberg (Wittenberg-Gjermani), është kthyer në Elsinor dhe zbulon papritur se i kanë vrarë të atin dhe duhet:
• të shpëtojë nderin e tij;
• të marrë hakun e të atit;
• të zbresë nga froni tradhtarin dhe tiranin.

Shfaqja fillon në tarracën e kështjellës, kur në skenë duket një oficer i shqetësuar. Personazhe me emra të italianizuar si Horati, Frano e Bernardi, vetëm me fjalët: Bën ftohtë keq e jam i lodhur tepër, japin të gjallë natën dhe të ftohtin e ashpër të veriut danez. Që të tre jepen të trazuar prej një fantazme. Skena e dytë vijon në pjesën qendrore të kështjellës, tek hyjnë tërë njerëzit e Oborrit të Danimarkës. Bien boritë dhe gjëmojnë daullet për hyrjen e Klaudit, mbretit të ri. Mbreti mban një fjalim të gjatë; ndërkohë, larg podiumit ku ndodhet mbreti, Hamleti qëndron në këmbë, i zymtë e i helmuar, përballë tërë atij shkëlqimi force e etike mbretërore dhe rrobja e tij e zezë është rrobja e zizë, pasi ndjehet i helmuar për vdekjen e t’et.

Vepra shquhet për tre monologët e Hamletit të cilët e bëjnë edhe më të bukur veprën, përmes një gjuhe të pasur e me figuracion. Monologu i parë i Hamletit në aktin e parë, skena e dytë, jep shkaqet e forta të dhimbjes së tij, pasi po vuan pasojat e kalbësirës që ndodhet në trupin e shtetit, kalbësirë që shfaqet paraprakisht në formën e mosbesnikërisë të së ëmës, ca më keq akoma, në formën e martesës së saj incestare (pasi është martuar me xhaxhain e Hamletit). “Sulmin” ia drejton kopshtit të braktisur të botës dhe dobësisë së grave që janë lulet e saj.

Hamleti
Sa i mërzitur, sa bajat, pa shije,
Më duket çdo zakon i kësaj bote!
Jazëk, jazëk! Si kopshti i patarrur
Q’i rrjedhin faret; drizat t’egra, t’ashpëra
E mbytin krejt. Dhe ku arriu puna!
Dy muaj që-kur vdiq! Jo jo, as dy!
Një Mbret i ndriçim që përbri këti
Qe si Hyperioni pranë një Satiri;
Q’e deshte aqë shumë këtë nënë
Sa s’lente as erën vetë që t’ia ngiste…

Shfaqet përsëri fantazma dhe Hamleti, pas bisedës me të, mëson shkakun e vdekjes së të atit, nga dora e të vëllait, për t’i marrë fronin. Hamleti jeton mes ferrit dhe turpit dhe për të fituar kohë të vërtetojë se Klaudi është vrasësi i të atit, hiqet si i çmendur.

Në monologun e tij të dytë (Akti II), Hamleti analizon dhimbjen e një aktori që luan rolin e humbjes së njeriut të dashur, ndërkohë që ai vuan dhimbjen reale të humbjes së prindit.

Oh, sa shpirtrob e sa i humbur jam!
Nuk është për çudi që ky aktor
në prrallë vetëm, n’ëndërr pasioni
e shtrëngoi shpirtin aqë fort pas frymës
sa prej kësaj iu verth e tërë faqja,
iu përlot syri, iu hutua pamja,
iu thye zëri, trupi iu trondit
tamam pas frymës? E për hiç të gjitha!
Për Hekubën!
Ç’ka Hekuba me të, ç’e ka ky Hekubën.
Që po m’a qan? E ç’do të bënte vallë,
Sikur të kishte shkakun, shtyrjen, vojtjen
Që unë kam?

Hamleti, vendos të shfrytëzojë trupën teatrale e të vërë në skenë një ngjarje të përafërt me vdekjen e babait të tij nga dora e të vëllait: “Drama është gracka / ku shpirti i mbretit kapet si laraska”. Në aktin e tretë, skena e parë, kemi monologun e tretë të Hamletit “Të rrosh a të mos rrosh”. Të gjithë përpiqen të zbulojnë ku e ka burimin çmenduria e Hamletit dhe besojnë se dashuria për Ofelinë e ka çuar në çmenduri dhe e dërgojnë atë pranë tij ta zbulojë, ndërsa të tjerët dëgjojnë pas perdes dialogun e tyre. Hamleti e përbuz dhe e largon, duke parë tek ajo (pa të drejtë) të metat e nënës së tij ose të çdo gruaje.

Pas këtij momenti, vepra vijon me fillimin e shfaqjes; luhet teatër brenda teatrit, të cilën Hamleti e quan “Gracka e miut” dhe përmes ironisë, sqaron përmbajtjen e saj; ata që e kanë zemrën të qëruar, kjo shfaqje s’i përket aspak. Largimi me shpërthime i Klaudit: “Oh, le të qanjë i plagosur dreri / e le të lozë e pangarë dhia; / se njëri fle, dhe tjatrin e ha vreri, / kështu na qenka bota, njerëzia”, sqaron Hamletin, vërteton atë që e dinte dhe shuan çdo dyshim: “Se s’i pëlqeu mbretit komedia, / ja, s’i pëlqen, e vraftë Perëndia!”

Nga frika, mbreti organizon largimin e Hamletit në Angli dhe të gjithë i vijnë vërdallë atij (mbretit) si për t’i ardhur në ndihmë:
• Rozenkranci, duke i qëndruar gati pasi, kur “rënkon mbreti, tërë shteti ngryset”;
• Polloni, babai i Ofelisë, vihet të përgjojë bisedën e Hamletit me mbretëreshën;
• vetë mbretëresha e mbështet Klaudin në veprimet e tij.

Në këtë takim vdes Polloni; Hamleti e vret Pollonin, kur sheh se dikush i përgjon. Dialogu midis Hamletit dhe Gertrudës zhvillohet me tension, cinizëm, lojëra fjalësh, akuza e fyerje që djali i drejton nënës. Ndërkohë hyn fantazma dhe çorodit jo vetëm Hamletin, por edhe Gertrudën, që tmerrohet nga shikimi në zbrazëtirë i të birit, i cili flet me të atin (hijen e tij). Hamleti bëhet dyshues, asnjë për të nuk e meriton një fjalë të mirë. Ndjehet i përgjuar gjithë kohës; nuk ka besim as kur është drejtpërdrejt në bisedë vetëm për vetëm me të ëmën. Hija e dyshimit i shtohet për të gjithë dhe është ai që e sheh qartë këtë hije, (që në vepër jepet si hija e të atit) ndërsa e ëma, me mendjelehtësinë e saj, s’mund ta shohë. Pas vrasjes së Pollonit, mbreti e shpejton largimin e Hamletit në Angli, të shoqëruar nga Rozenkranci dhe Gildensterni dhe përmes një letre drejtuar mbretit të Anglisë, i kërkon atij ta vrasë Hamletin: “se ndryshe s’jam i qetë e s’kam gëzim”, letër të cilën Hamleti dyshues e zbulon përpara se të arrijë. Ai e ndryshon përmbajtjen e letrës dhe e mbyll duke e vulosur me vulën e të atit.

Ofelia është e dëshpëruar nga humbja e papritur e babait të saj, ndërsa Laerti, i revoltuar, vjen nga Parisi që të kërkojë të atin e vrarë dhe të varrosur në fshehtësi. Pa asnjë hezitim, mbreti e rrëfen shkaktarin e vdekjes së Pollonit, madje e nxit më tej Laertin duke i thënë se “vrasësi i atit tënd bujar, ka dashur edhe mua të më vrasë”. Nga ana tjetër, Hamleti kërkon ndihmën e Horatit, shokut të vetëm besnik, të shkojë ta ndihmojë “me atë shpejtësi, me të cilën do t’ikje nga vdekja”. Përmes një letre Hamleti njofton dhe mbretin për kthimin e tij të papritur. Tashmë Rozenkranci dhe Gildensterni janë rrugës për në Angli drejt vdekjes së tyre, pa e ditur këtë. Përmes gjithë këtyre intrigave e sulmeve, vjen një moment tepër prekës, vdekja e Ofelisë. Ajo mbytet dhe përshkrimi i këtij momenti jepet me fjalët e Gertrudës:

Në breg të lumit ka një shelk me fletët
Të pasqyruara përbrënda ujit;
Atje na kishte vajtur me kurorë
Prej lulesh, hithrash, gjethesh e orkidhash;
Atje, tek ngjitej që t’i varrte përmi shelk,
Një deg e zez u thye, u këput
Dhe tatëpjetë me veroret ra
Në lumen brënda; rrobat na iu ndenë

Dhe si nerajd e mbajtnë pak mbi ujë;
Në këtë mes, po na këndonte këngë,
Pa e kuptuar në ç’rrezik po ndodhej,
Sikur ish rritur n’atë element;
Po shumë kohë nukë zgjati kjo,
Se rrobat uj i pin e na e hoqnë
Të mjerrën vajzë në një vdekje llome
Nga këngët mellodike.

Akti V, Skena I fillon me pyetjen: A bën të varroset si e krishterë Ofelia, që e kërkoi shpëtimin duke vrarë veten? Jo, sipas mendjes së varrmihësit, “sikur të mos ishte zonjë prej dere të madhe, nukë do të varrosej në tokë të bekuar”. Një dialog, zhvilluar midis varrmihësve, nxjerr në pah zgjuarsinë popullore, zgjuarsinë e njerëzve të thjeshtë, të cilët me lojëra fjalësh mundin edhe Hamletin e Horatin që janë të shkolluar. Hamleti thotë për ta: “këto tre vjet kam vënë re; njerëzit e kohës sonë janë hollësuar aqë sa këmb e katundarit ka arrirë në thembrën e hoborrtarit dhe ia shkel kallon”. Një tjetër mesazh sjell Shekspiri në këtë dialog varrmihës- Hamlet: të gjithë këta të vdekur, kushdo qofshin, s’kanë marrë “veç se një copë tokë të gjërë dhe të gjatë” dhe një kuti “të ngushtë ku i është kallë kufoma, e nuk i nxë dot as tapitë e çifligjeve dhe trashëgimtar i vdekjes, s’ka për të marrë pas më tepër”. Befas aty Hamleti mëson për vdekjen e Ofelisë, të vajzës që aq shumë e desh, sa “dyzet mijë vëllezër me dashurinë e tyre bashkë s’mund të arrinin” dashurinë e tij.

Skena e dytë e aktit V, skena e fundit e tragjedisë, fillon me duelin midis Hamletit dhe Laertit. Laerti, i gatshëm të marrë hak, lyen me helm shpatën, ndërsa mbreti bën gati kupën me helm që, sido që të vejë puna, Hamleti të vdesë. Nis dueli. E shqetësuar, Gertruda merr njërën kupë dhe uron, pa e kuptuar që kupa është me helmin që duhej ta pinte Hamleti. Gertruda rrëzohet me thirrjen “më helmuan”, Laerti plagos Hamletin dhe në të përleshur këmbejnë shpatat dhe plagoset dhe ai nga shpata e helmuar. Hamleti, para fundit të tij, mendon vetëm për hakmarrjen dhe godet për vdekje Klaudin. Vdes mbretëresha, vdes mbreti, vdes Laerti. Në fund, pasi ia beson kurorën princ Fortimbrasit të Norvegjisë, duke i lënë amanetet Horatit, vdes dhe Hamleti. Vdekja nuk kursen asnjë, të mirë e të ligj.

Vepra mbyllet me fjalët e mbretit të ardhshëm.

Fortimbrasi
Si një ushtar pra, le ta shpien Hamletin
Përmi platformën katër kapitanë,
Se, po të rronte, kishte për të qenë
Një mbret mi mbretër…

Tragjedia Hamleti trajton temën e pasionit për pushtet, që e verbon njeriun dhe e kthen në makinë të krimit. Asnjë s’mundet të gjejë shpëtim ose zgjidhje përmes hakmarrjes. Këto zgjidhje i ofron koha Hamletit, pasi në oborre, lufta për pushtet kishte ndezur inate, mllefe, mashtrime e intriga. Kjo kohë përballon krizat e saj, me vrasje e kurthe.

Personazhet
Hamleti është përfaqësues i humanizmit shekspirian. Si një kalorës i vetmuar, ai duhet të marrë hakun e babait, të çlirojë nënën nga krahët e vrasësit, të shpëtojë Danimarkën nga krimi që e drejton, si dhe t’i japë popullit një mbret të paqtë e të drejtë. Gjithë kjo detyrë e vështirë e bën atë të thërrasë “Kjo botë u çthur! O prapësi o dreq, /që unë paskam lindur të të ndreq!” Danimarka e bukur si parajsë, tani i duket si burg. Bëhet pesimist dhe mosbesues, cinik e i egër, humbet sjelljen e mirë, nuk sheh asnjë njeri të denjë për të merituar respekt, bëhet mizantrop dhe gjithë kohën mendon vetëm për hakmarrjen. Gjithë bota i shembet dhe e mbysin mëdyshjet. Ai është një oborrtar i shkolluar dhe i zgjuar, dhe për këtë i duhet të veprojë si i tillë. Edhe pse e paramendon arsyen e vërtetë të vdekjes së të atit, përsëri nuk nxitohet, por kërkon prova të tjera. Për të vënë në vend nderin e të atit, ai harron dhe ndahet nga çdo gjë tjetër që e pengon drejt qëllimit të tij kryesor. Për të zbuluar të vërtetën, bëhet si i çmendur, përdor teatrin, ndërron letrën e Klaudit duke falsifikuar shkrimin e tij dhe nuk heziton të dalë në duel kundër Laertit, edhe pse Horati e sheh të pazotë në përdorimin e shpatës. Hamleti është një person gjakftohtë, praktik, i shkathët, madje arrin dhe në çastet e fundit, t’i japë drejtimin e duhur Danimarkës, duke vrarë Klaudin e duke ia besuar kurorën princit të Norvegjisë. Të gjitha amanetet që bartëte, ai i realizon me sakrifica.
Hamleti është princi ideal i Rilindjes angleze. Në figurën e Hamletit, Shekspiri ka pikturuar veten.

Laerti paraqitet ndryshe nga Hamleti; ai është i rrëmbyer si natyrë, nxiton në marrjen e vendimeve, nuk i gjykon me thellësi gjërat, madje mbreti Klaud e përdor këtë natyrë të tij për të hequr qafe Hamletin. Edhe fjalët apo këshillat e babait të tij, Pollonit, para se të nisej në Paris, tregojnë shqetësimin e një prindi për fëmijën e shkujdesur e të rrëmbyer.

Mbreti Klaud, është modeli i njeriut ambicioz, i cili nuk heziton të jetë një Kain për të marrë pushtetin. I verbër, makut, i pashpirt, ai mendon vetëm për veten dhe është gati ta vrasë edhe Hamletin, vetëm që të mbajë kurorën. Këtë gjë e arrin me ndihmën e mendjelehtësisë së mbetëreshës Gertrudë dhe servilizmit të oborrtarëve të frikësuar nga pushteti i tij.

Në përballje me njëra-tjetrën, autori jep edhe Gertrudën me Ofelinë. Ofelia jepet si bukuri që i shkon përshtat fisnikërisë, dlirësisë, pastërtisë së saj. Në fund ajo çmendet, pasi në këtë botë të shthurur nuk ka vend për të. Shekspiri, mjeshtër i ndërtimit të tragjedisë, të mban në tension gjatë gjithë dramës me elementet e veçanta kompozicionale që përdor. Autori i soneteve të bukura të kohës solli një sërë veprash dramatike që akoma sot përcjellin mesazhe humanizmi.