Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 8.4
Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani Jeta e Sibilave
Frang Bardhi
Imzot Frang Bardhi lindi në vitin 1606 në Kallmet të Zadrimës, nga shtëpia e përmendur e Bardhëjve, e cila i fali hierarkisë kishtare ipeshkvinj e priftër. Që i ri i hyri udhës së meshtarisë duke studiuar, së pari, në Kolegjin Ilirian të Loretos, e më pas në seminarin e Propagandës Fide në Romë, i themeluar pak vite përpara nga Papa Urbani VIII vetëm për përgatitjen e klerit të vendeve të huaja. Në vitin 1636 merr në dorëzim dioqezën e Zadrimës dhe emërohet ipeshkv, në vend të ungjit të tij, Gjergj Bardhit. Mjerisht, veprimtaria e kontributi i këtij prelati nuk e pati të gjatë, pasi më 1643 ai ndërroi jetë. Që kur ishte student në Loreto, kishte filluar të shkruante fjalorin, duke rreshtuar disa fjalë latinisht-shqip, për t’i ardhë në ndihmë vendit të vet. Kur ishte ende në Romë, botoi Fjalorin latinisht-shqip (Dictonarium latino-epiroticum). Ai përbëhet nga 5000 fjalë, përzier aty-këtu edhe me fjali të shkurtra e shprehje të ndryshme. Me gjithë të metat që ka ky fjalor në mënyrën e përpilimit, apo përzgjedhjes së fjalëve, ai sot ka një rëndësi të madhe, sepse ka ruajtur që të mos mbulohen nga errësira e harresës shumë fjalë shqipe.
Shprehje të marra nga fjalori i F. Bardhit
Kuvend burrash
Të përshëndetuna
Mirë se të gjâj, Zot.
Mirë se u gjânj, Bujarë, o Fisnikë!
Mirë se u gjâj, Trimat e mirë!
Të përgjegjuna
Mirë se të sjellëka e dhjathëta e Tinzot!
Edhe ty të dhashtë paq i lumi Zot!
Pjetër Bogdani
Imzot Pjetër Bogdani, ndër më të shquarit prej shkrimtarëve të hershëm të shqipes, pinjoll i familjes së përmendur të Bogdanëve, ka lindur në katundin e Gurit të Hasit në afërsi të Prizrenit, në vitin 1630. Studimet e larta i kreu në Kolegjin Ilirjan të Loretit e në atë të Propagandës Fide në Romë (1651-1654). Ka qenë i laureuar në dy degë; filozofi dhe teologji. Veprimtaria e tij zë fill në dioqezën e Pultit; por shumë shpejt, në moshën 26 vjeçare, emërohet ipeshkv i Shkodrës, duke administruar gjithashtu për afro 5 vjet edhe dioqezën e Tivarit. Në këto kohë i duhet të largohet e të marrë malet, për të ikur nga ndjekja e qeverisë turke, e cila ishte në ndjekje sidomos të ipeshkvinjve, apo priftërinjve e fretërve. Kështu, dioqezën e vet e drejtoi duke qëndruar më shumë jasht Shkodrës; në Barbullush, në Shën Gjergjin e Mirditës, në Manati mbi Lezhë e së fundmi në Rrjoll, ku edhe sot thirren në emrin e tij shpellat në të cilat iu desh të fshihej. Pas 21 vitesh të vështira, ungji i tij imzot Ndre Bogdani, kryeipeshkvi i Shkupit, për arsye moshe, jep dorëheqjen dhe Selija e Shenjtë dërgon atje si zëvendës të tij Pjetrin. Ndërkohë këtu mbaron së shkruari dorëshkrimin e kryeveprës së tij. Kur bëhet gati ta nisë për shtyp, autoritetet otomane e ndjekin hap pas hapi dhe Bogdanit i duhet të lërë Shqipërinë. Me dorëshkrimin e librit shkon në fillim në Venedik e pastaj në Padovë. Këtu ndihmohet nga një mik, kardinal Barbarigu dhe përmes tij libri sheh dritën e botimit më 1685. Kthehet në Shqipëri pas dy vitesh mërgimi, kur situata qetësohet disi. Shumë shpejt vdekja i këput fillin e jetës dhe Bogdani mbyll veprimtarinë e tij në Prishtinë, në dhjetor 1689
Çeta e profetëve
Libri i Bogdanit përbëhet nga dy pjesë, me tetë “shkallë” dhe pesëdhjetë e dy ligjërata, secila shtypur me titull e numër faqesh më vete. Është i ndarë në dy shtylla: teksti shqip, me përkthim italisht përbri. Parathënia është shkruar vetëm në shqip, pa përkthim në italisht. Pjesa e parë e librit ka në ballë këtë titull latinisht Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve). Veprën ia kushton kardinal Barbarigut, i cili ia kishte shtypur librin me shpenzimet e veta. Pas 52 faqeve të parathënies, fillon pjesa e parë, e ndarë në ligjërata, ku flitet mbi:
• krijimin e njeriut,
• mëkatin dhe shërimin e tij,
• profecitë e shkruara rreth ardhjes së Mesisë në botë,
• jetën e profetëve dhe paralajmërimet e tyre,
• jetën e sibilave përcjellë në vjersha latine e të përkthyera me 11 rrokësha shqip.
Pjesa e dytë, me titullin De vita Jesu Christi (Mbi jetën e Jezu Krishtit) flitet mbi:
• jetën e Jezusit dhe nënës së tij;
• mrekullitë e shëlbuesit, (shpëtuesit).
• mundimet dhe vdekjen e tij e mbi ringjalljen.
Vepra u ribotua në vitet 1691 dhe 1702 në Venedik.
Me Bogdanin mund të themi se kemi të parin shkrimtar të vërtetë të shqipes, pasi vepra e tij nuk është thjesht një përkthim sa për t’u kuptuar teksti në shqip, por është një shkrim i kujdesshëm e me një stil letrar. Bogdani e ndien dhe e shijon gjuhën e vet e askund më mirë se tek ai nuk shijohet gjuha shqipe e autorëve të vjetër. Në shpirtin e Bogdanit, sikurse kemi vënë re edhe te Buzuku, Budi e Bardhi, vlon flaka e dashurisë për vendin e gjuhën shqipe.
Jeta e Sibilave, vjersha latine të përkthyera në shqip.
Sibila e Kumës, në Kapelën Sistine
Sibilat profetizonin (domethënë paralajmëronin të ardhmen) sidomos ngjarjen e Ditës së gjyqit, Ditët e trishtueshme të mbarimit të botës apo Lindjen e Jezu Krishtit. Ato dallonin nga njerëzit nga kjo aftësi parashikuese, por nuk ishin të pavdekshme. Fillimisht mendohej se ka ekzistuar vetëm një profeteshë me emrin Sibila, por më vonë është përhapur mendimi se ka më shumë dhe emri i tyre është shoqëruar me përcaktime vendore, si p.sh. Sibila e Kumës, Sibila e Delfit etj. Ato profetizonin në Delft të Greqisë, në Kuma të Italisë ose edhe në vende të tjera. Këngët për 10 sibilat, Bogdani i sjell duke u mbështetur në një burim origjinal, por tek asnjëra prej sjelljeve në shqip nuk kemi mbështetje të plotë te varianti origjinal, pasi në të gjitha autori ka përcjellë elemente shqiptare. Bogdani i ka dhënë atyre vlerë dhe ngjyra shqiptare, pasi sibilat e tij jo vetëm profetizojnë dhe flasin shqip, por marrin edhe emra të vendeve shqiptare. Këtë ngjyrim shqiptar të sibilave autori e bën për të ngushëlluar me sa ka mundësi popullin e tij të varfër e për t’i rritur ndjenjën e krenarisë për vendin e tyre. Këngët e Sibilave i ka kënduar në oktavë që është strofë me tetë vargje, me rimë të alternuar ABABABCC, në njëmbëdhjetë rrokësha.
Kjo vepër me këto poezi do e radhisë Bogdanin ndër poetët më të mëdhenj të letërsisë së vjetër shqipe.
Disa nga 10 sibilat:
Kumea – Prisregniana (prizrenasja)
Libisca – Scodrensis (shkodrania)
Persica – Bulgara (bullgarja)
Frifia- Scopiensis (shkupjania)
Samia – Sadrimensis (zadrimorja)
Tiburtina – Alexieensis (lezhjania) etj.