Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 10 Mësimi 1.5
Proza. Analiza e elementeve të saj
Veçoritë e prozës
■ Që në fillimet e saj, proza ka qenë e organizuar në mënyrë më të çlirët gjuhësore se poezia. Gjuha e prozës është shumë afër komunikimit të përditshëm. Disa veçori dalluese të prozës, në krahasim me poezinë janë:
■ Fjalia nuk fillon gjithmonë me një rresht të ri, por vazhdon aty ku ka përfunduar fjalia e mëparshme.
■ Si poezia, edhe proza mbështetet në zgjedhjen dhe përdorimin e figurshëm të fjalëve, në shumëllojshmërinë e tyre, te frazeologjizmat, krahinorizmat etj., por përdorimi i këtyre shtresave të leksikut tek proza i shërben gjerësisë së rrëfimit, si dhe karakterizimit të gjuhës së personazheve.
■ Organizimi gjuhësor i prozës, për shkak të disa qëllimeve që arrihen vetëm në njësitë e mëdha (pjesët, kapitujt, vëllimet), u kushton më pak rëndësi njësive të vogla, fjalës, organizimit tingullor, prandaj dhe proza përkthehet shumë më lehtë se poezia.
■ Në prozë ndërhyn gjerësisht vetë autori, në rolin e rrëfimtarit, që shprehet përmes ligjëratës së zhdrejtë, në vetën e tretë ose në vetën e parë. Fjalët e personazheve përbëjnë monologun dhe dialogun e prozës dhe jepen në ligjëratë të drejtë.
Pavarësisht nga dallimet e mësipërme, ka raste kur është e vështirë të dallosh një prozë nga një poezi, në veprat që thyejnë rregullat e organizimit të tyre, siç ndodh me prozën e shkurtër moderne, që afrohet më shumë me poezinë, apo me një lloj poezie moderne që është e ngjashme me prozën. Për të mos gabuar në përcaktimin e llojeve të tilla, duhet të nisemi gjithnjë nga natyra e secilit lloj letrar.
Llojet e prozës
Duke u mbështetur në format e hershme të antikitetit, veprat e prozës ndahen në forma elementare dhe në forma të përbëra.
Format elementare të prozës i përkasin letërsisë gojore. Të tilla janë:
Legjenda (lat. legjenda-ajo që duhet të lexohet): ka origjinë shumë të lashtë. Është një kallëzim popullor për një ngjarje të së kaluarës, që mund të ketë një bazë të vërtetë, por që është zbukuruar me elemente të reja, duke kaluar gojë më gojë. p.sh. Legjenda e murimit.
Miti (gr. mythos-të folurit, gjuhë, tregim): trajton një përmbajtje mitike, një tregim mbi origjinën e botës e të jetës së popujve, të ndonjë dukurie a personaliteti historik. Njohja e miteve është e domosdoshme, pasi ato janë një formë kryesore e kulturës së popujve.
Format e përbëra të prozës i përkasin letërsisë së shkruar. Të tilla janë:
Tregimi është një lloj i shkurtër i prozës, që për nga madhësia renditet pas novelës. Në të pasqyrohen anë të rëndësishme të realitetit. Zakonisht në tregim ngjarja zhvillohet brenda një kohe të shkurtër ose jepet çasti kulmor i saj. Ka një personazh kryesor, kurse të tjerët jepen në funksion të tij. Nuk përshkruhet procesi i zhvillimit të karaktereve, nuk jepen hollësi për psikologjinë e personazheve, por dalin anët më të rëndësishme të tyre. Ka subjekt të thjeshtë, por konflikt të ngjeshur.
Novela është një lloj më i gjatë se tregimi. Trajton një motiv të vetëm, të cilin e ngre në nivel të jashtëzakonshëm. Shpesh, e merr temën nga jeta e përditshme, por e trajton atë në mënyrë befasuese për lexuesin. Disa elemente të strukturës së novelës janë të ngjashme me ato të përrallës, si p.sh. hyrja e drejtpërdrejtë, përqendrimi në motivin kryesor, përfundimi i befasishëm, numri i vogël i personazheve, gërshetimi i reales me fantastiken, etj.
Romani është lloji më i madh i prozës, por edhe një lloj i ri letrar, i shfaqur në epokën moderne.
■ Trajton tablo të gjëra jetësore, (sikurse epi).
■ Trajton fatin e heroit (i cili është njeri i zakonshëm), në labirintin e jetës.
■ Fabula e romanit zakonisht është shumë e ndërlikuar dhe nuk zhvillohet në mënyrë të njëtrajtshme. Brenda saj gjejmë disa linja zhvillimi, që mpleksen me njëra-tjetrën.
■ Romani modern nuk mbështetet shumë në fabul, por në teknika që nxjerrin në plan të parë përjetimet e ndjenjave, mendimeve ashtu siç lindin në trurin e njeriut. P.sh. romani Uliksi i Xh. Xhojsit, Procesi i Franc Kafkës etj.
Romanet mund të klasifikohen sipas kritereve të ndryshme:
■ Sipas temës: roman historik, psikologjik, shoqëror, dashurie, policor etj..
■ Sipas tonit: roman sentimental, didaktik, humoristik etj.
■ Sipas ndërtimit të subjektit: roman zinxhiror, unazor, paralel etj.
Analiza e veprës tregimtare
Të analizosh një vepër letrare do të thotë të kuptosh mirë atë që ke lexuar, të njohësh veçoritë themelore: strukturën e veprës, temën dhe mesazhet që sjell autori, si dhe veçoritë e gjuhës dhe të stilit të tij. Komenti vjen pas analizës së përmbajtjes, asaj gjuhësore e stilistike dhe mbështetet konkretisht në një fragment të dhënë të veprës.
Analiza fillon me studimin e veçorive të saj më të dukshme:
Shembull
Hapi i parë: Autori: Migel De Sevantes
Titulli: Don Kishoti i Mançës
Lloji: Roman
Hapi dytë: Është faza ku duhet ta përqendrojmë vëmendjen në leximin e kujdesshëm të veprës për të dalluar karakteristikat e saj, nga tema e trajtuar, tek organizimi i përmbajtjes, nga nivelet e shprehjes, te refleksionet, nga aspektet e rrëfimtarisë, në elementet e stilit të autorit (ose poetikës së autorit).
Tema dhe motivet e veprës letrare
Tema është çështja rreth së cilës organizohet gjithë materiali gjuhësor. Në thelb tema i përket materialit jetësor, por duke u përfshirë në një vepër të caktuar, ajo kthehet në temë të kësaj vepre dhe, si e tillë, është e papërsëritshme. Zakonisht tema e një vepre është e pandashme, edhe pse krijohet përmes kapitujve, këngëve, fjalive dhe fjalëve. Kjo përcaktohet me anën e një përgjithësimi shumë të madh të gjithë materialit që përmban vepra letrare. Në disa raste, autorët e përcaktojnë temën që në titull: Odisea (poemë e Homerit), ka për temë aventurat e jetës së heroit grek, Odise; Skënderbeu (roman i shkrimtarit Sabri Godo), ka për temë luftën e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut, kundër pushtuesve turq. Tema e një vepre përbëhet nga shumë njësi të vogla, që plotësojnë njëra-tjetrën, por shpesh mund të qëndrojnë edhe më vete, sepse përbëjnë njësi tematike të përfunduara, që quhen motive. Në këtë rast, tema identifikohet me motivin, psh., motivi i rinjohjes, ose motivi i murimit. Disa elemente të temës mbështeten në ngjarje të caktuara, lidhja e të cilave mund të bëhet pas leximit të veprës. Sigurisht, është e vështirë të kujtohen të gjitha ngjarjet, por kryesoret që formojnë trupin qëndror, mbahen mend mirë dhe mund të riprodhohen me fjalë nga lexuesi.
Hapi i tretë
Për të kuptuar si funksionon një vepër tregimtare, është e nevojshme:
-të përcaktojmë kontekstin historik, letrar dhe kulturor;
-të dallojmë fabulën (historinë) nga subjekti;
-të dallojmë paragrafët;
-të analizojmë personazhet,
-të përcaktojmë kohën,
-të përcaktojmë hapësirën;
-të dallojmë rrëfimtarin e ngjarjes;
-të analizojmë mjetet stilistikore dhe gjuhësore të përdorura nga autori.
Konteksti
Që të mund ta kuptojmë plotësisht veprën tregimtare, është e nevojshme:
a) Ta vendosim veprën në kohën kur është krijuar. Për të realizuar këtë hap, është e nevojshme:
■ të përcaktojmë figurën historiko-kulturore të autorit (biografinë, ideologjinë, formimin);
■ të identifikojmë prirjet e lexuesit të kohës së autorit, që mund të kenë kushtëzuar zgjedhjet e tij;
b) Ta vendosim veprën në traditën letrare ose në kontekstin gjuhësor-letrar. Për të realizuar këtë hap, është e nevojshme që temat, kodet e përdorura nga autori, të lidhen me ato të epokës letrare, kur ai ka shkruar dhe të epokave të mëparshme, për të gjetur ngjashmëritë, dallimet.
c) Ta vendosim veprën në kontekstin historiko-kulturor.
Vepra duhet të vendoset në kontekstin e saj kulturor (konceptet filozofike, politike, fetare të një epoke) dhe historiko-shoqëror (ngjarjet historike, struktura e shoqërisë etj.) P.sh. romani Don Kishoti duhet të analizohet i lidhur me epokën e Rilindjes Europiane dhe idetë kryesore të kësaj periudhe.
Dallimi i fabulës nga subjekti
Me termin fabul, (ose histori) do të kuptojmë rrjedhën e ngjarjeve kryesore sipas renditjes kronologjike.
Me termin subjekt, do të kuptojmë montimin e ngjarjeve, mënyrën e lidhjes së tyre nga rrëfimtari.
Është e rëndësishme, pra, të përcaktohet nëse ngjarjet rrëfehen:
– në rrjedhën logjiko-kohore, ose ashtu siç kanë ndodhur;
– në një rend të ndryshëm nga ai logjiko-kohor, sepse autori i ka renditur sipas nevojës së rrëfimit.
Kështu, p.sh., në romanin Don Kishoti, rrëfimtari e tregon jetën e personazhit nga momenti kur atij “i mbiu në kokë ideja për t’u bërë kalorës” e deri në vdekjen e tij, në rend kronologjik. Në romanin “Selvitë e Tivarit” të autorit Mehmet Kraja, ngjarja rrëfehet kur personazhi është i rritur dhe rikthehet mbrapsht në kohë, për të treguar vitet e fëmijërisë ose adoleshencës së tij. Edhe në tregimin Diloca të E. Koliqit ngjarjet tregohen përmes retrospektivës ose kthimit pas në kohë.
Paragrafët
Ndarja dhe dallimi i llojeve të paragrafëve është një hap i rëndësishëm në analizën e tekstit tregimtar. Paragrafët ndryshojnë, kur në skenën e rrëfimit hyn një personazh i ri, si dhe kur ndryshon koha e vendi i ngjarjes.
Ato mund të ndahen në:
-Rrëfyes: në të cilët rrëfehet vetë ngjarja;
-Përshkrues: në të cilët përshkruhen personazhe, mjedise etj.
-Meditues (reflektues): në të cilët shprehen mendimet, ose dhe refleksionet e personazheve e autorit rreth ngjarjes;
-Dialogues: në të cilët përfshihen dialogët mes personazheve.
Personazhet
Personazhet janë aktorët e ngjarjes ose të historisë së rrëfyer. Prandaj është shumë e rëndësishme të thellohemi në njohuritë rreth sistemit të personazheve në një vepër, si dhe të përcaktojmë funksionet që ato kanë. Sipas rolit, personazhet ndahen në:
Personazhe kryesore: Janë ato që kanë një rol qendror në ngjarje dhe mbi të cilët përqendrohet veprimi. Mes tyre dallohet personazhi kryesor, si më i rëndësishmi i tregimit. Edhe kur nuk është i pranishëm, ai është në qendër të rrëfimit. Mund të luajë dhe rolin e zëdhënëdhësit të autorit, për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e tij.
Personazhe dytësorë: Janë ato që luajnë një rol të dorës së dytë, por që mund të ndikojnë në zhvillimin e ngjarjeve;
Figurantë: Janë personazhet që kanë një rol anësor dhe pak domethënës dhe shërbejnë për të karakterizuar vendet ose situatat. Këto personazhe nuk kanë asnjë ndikim mbi ngjarjen.
Sipas funksionit që kryejnë në ngjarje (histori), personazhet ndahen në:
Protagonisti– është personazhi kryesor dhe më i rëndësishëm i historisë dhe është i pranishëm në të gjitha paragrafët rrëfyes. Shpesh duhet të arrijë një qëllim, që bëhet objekti i dëshirave të tij.
Antagonisti– është personazhi që kundërshton protagonistin për ta penguar të arrijë qëllimin e tij.
Ndihmësi– është aleat i protagonistit dhe e ndihmon të arrijë qëllimin e tij.
Për të kuptuar mirë një tregim duhet të përcaktohen marrëdhëniet e ndërsjellta mes personazheve, ndërsa për të analizuar një personazh (sidomos protagonistin) duhet të marrim parasysh gjithë paragrafët në të cilat shfaqet ai, veçanërisht paragrafët ku ai përshkruhet, vepron, flet, mendon. Në këtë mënyrë mbledhim gjithë elementet që përbëjnë:
■ karakterizimin e tij anagrafik: emrin, gjininë, moshën, gjendjen civile;
■ karakterizimin fizik: tiparet e fytyrës, trupit, zërit, veshjes;
■ karakterizimin shoqëror: shtresën shoqërore dhe mjedisin nga i cili vjen personazhi;
■ karakterizimin psikologjik: karakterin, ndjenjat, emocionet, gjendjen shpirtërore, sjelljet;
■ karakterizimin ideologjik: vlerat, mendimin për jetën, besimin politik dhe fetar;
■ karakterizimin kulturor: arsimin dhe kulturën e personazhit.
Koha
Në raport me momentin në të cilin autori shkruan, historia mund të ndodhë në të shkuarën (që mund të jetë një epokë historike e përcaktuar), në të sotmen ose në të ardhmen. Ngjarjet e një tregimi të vendosura në kohë, kanë edhe një kohëzgjatje. Lidhur me këtë është e domosdoshme të dallojmë mes:
■ kohës së historisë (ose kohës së jashtme), në të cilën ndodhin ngjarjet e rrëfyera, (nëse në tekst ka tregues të mjaftueshëm, rrjedha kronologjike e ngjarjeve mund të matet me minuta, orë, ditë, muaj, vite);
■ kohës së brendshme të rrëfimit ose kohës së ligjërimit (rrëfimit), ose harkut kohor gjatë të cilit, rrëfyesi paraqet ngjarjet.
Rrallë mund të ndodhë që koha e historisë dhe e ajo e rrëfimit të përputhen me njëra tjetrën. Ngjarjet në përgjithësi nuk rrëfehen në “kohë reale”, por, përkundrazi, përmblidhen me anë të përshpejtimit të kohës së rrëfimit kundrejt asaj reale, në mënyrë të tillë që ngjarjet e ndodhura në disa vite, të mund të përmblidhen në pak faqe, ose ngjarjet e ndodhura në pak orë, të mund të shtrihen në shumë faqe.
Në këtë rast duhet të përcaktohet:
■ sa i është përmbajtur autori, në rrëfimin e tij, rendit në të cilin kanë ndodhur ngjarjet;
■ si e ka ndërthurur autori këtë rend, pra: nëse ai ka përdorur teknikën e avancimit (anticipimit) të ngjarjeve që, në të vërtetë, kanë ndodhur më vonë, por ai i ka përshpejtuar; apo ka përdorur teknikën e digresionit (kthimit pas në kohë), duke treguar diçka që ka ndodhur më parë, por që lexuesi duhet ta dijë.
■ se në ç’marrëdhënie qëndron zgjatja reale e ngjarjeve të rrëfyera me zgjatjen e tyre në rrëfim.
Hapësira
Hapësira (vendet dhe mjediset në të cilat zhvillohet ngjarja e rrëfyer) është një nga elementet thelbësorë të rrëfimit. Ngjarjet e rrëfyera mund të vendosen në vende:
■ reale, ndonjëherë të përshkruara gjerësisht, me saktësi gjeografike ose të shprehura thjesht;
■ realiste, të krijuara nga autori me karakteristika të besueshme, të ngjashme me ato të vendeve ekzistuese;
■ fantastike, të imagjinuara dhe të përshkruara nga autori, me karakteristika që nuk mund të jenë pjesë e botës reale.
Kuptimi i hapësirës
Vendet reale, realiste dhe fantastike mund të shërbejnë si sfondi i historisë ose të marrin vlerë simbolike dhe ndërhyjnë në të për shkak se i referohen një ideje, një mënyre jetese, evokojnë gjendje shpirtërore në harmoni me situatat e përjetuara nga personazhet ose në kundërshti me emocionet që ato ndiejnë. Përshkrimi i një mjedisi mund të shprehë aspekte psikologjike dhe morale. P.sh., në romanin Don Kishoti të Servantesit, mjedisi në të cilin jeton dhe zhvillohen aventurat kalorsiake të heroit, si mullinjtë e erës etj., merr një vlerë të madhe simbolike dhe i shërben përcjelljes së mesazheve universale.
Rrëfimtari
Rrëfimtari luan një rol kryesor në tekstin tregimtar: ai është “zëri”, të cilit autori (ai që e ka shkruar veprën letrare) i ngarkon detyrën të rrëfejë. Nga mënyra se si lidhet me ngjarjet që rrëfen, dallojmë dy tipe rrëfyesish:
të jashtëm dhe të brendshëm.
■ Rrëfimtari i jashtëm nuk merr pjesë në ngjarjet që tregon, por i tregon ato nga jashtë, duke përdorur vetën e tretë;
■ Rrëfimtari i brendshëm përkon me një nga personazhet e ngjarjes dhe rrëfen në vetën e parë faktet në të cilat merr ose ka marrë pjesë më parë, si personazh kryesor, dytësor apo thjesht si dëshmitar.
Mjetet stilistikore dhe gjuhësore
Për të rrëfyer një ngjarje autori përdor mjetet gjuhësore, pra, kodin gjuhë. Mbi bazën e zgjedhjeve të tij ideore dhe estetike, të karakterizimit kulturor e shoqëror të personazheve, të kontekstit historik e të llojit të tekstit, ai zgjedh edhe regjistrin gjuhësor dhe stilistik (formal, joformal, të mesëm) dhe, për pasojë, veçanti të morfo-sintaksës (kohët e foljeve, ndërtimin e fjalive), dhe leksikut (arkaizmat, dialektalizmat, si dhe përdorimin e figurave retorike). Kur lexojmë, duhet të kuptojmë se si e përdor autori gjuhën. P.sh., ai mund të tërheqë vëmendjen e lexuesit dhe të krijojë një atmosferë sugjestionuese, përmes përdorimit të fjalive të shkurta e koncize, të cilat janë më afër ligjërimit të folur dhe e shpejtojnë ritmin e rrëfimit. Po kështu, për të krijuar një atmosferë të qetë, autorit i nevojitet të përdorë fjali të përbëra, me shumë pjesë të nënrenditura ose bashkërenditura dhe me një leksik të pasur.