Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 10.3
MODERNIZMI
Analizë “Lulet e së keqes”
“Lulet e së keqes” është konsideruar si vepra nismëtare e poezisë moderne të Perëndimit. Që aty nis rruga e poezisë simboliste, ku do të mbështeten tërë poetët e 1900-ës. Me Bodëlerin ravijëzohet figura e poetit bashkëkohor, me “vetëdijen kritike” përballë një shoqërie borgjeze që kërkon të imponojë në mënyrë të pakundërshtueshme logjikën e saj. Në përmbledhjen e tij, Bodëler shpalos konceptin e tij për jetën, mbështetur në ndjenja të skajshme, duke u lëkundur midis pasionit për të sëmurën, sensualen, shpërthimin mistik, mes përçmimit të një shoqërie borgjeze që e shihte të korruptuar dhe një ankthi të ndezur pastërtie, mes mërzitisë së jetës së përditshme dhe shpërthimeve që priren drejt së përkryerës metafizike, domethënë jasht kësaj bote. Bodëler është shkrimtari i cili ndjen mërziti dhe përçmim për këtë jetë të mbushur me banalitet dhe meskinitet, ku boshatiset shpirti, por në të njëjtën kohë ai është shkrimtari i përcjelljes së idealit apo të shpresave për të përsosurën dhe të bukurën. Sipas Bodëlerit, vepra duhet menduar si një udhëtim imagjinar të cilin poeti e realizon drejt ferrit që është vetë jeta. Përvojat e dhimbshme, fatkeqësitë nëpër të cilat kaloi jeta e poetit, qenë gurra ku ngjeu penën artisti, ato e frymëzuan që, brenda një poezie të bukur në përsosmëri, të derdhet përmes ligjësive të së bukurës, e keqja me tërë shëmtinë e saj.
“E keqja” i referohet katër të këqijave:
• e keqja morale
• e keqja sociale
• e keqja fizike
• e keqja metafizike (sepse shpirti dhemb që nuk arrin të besojë në Zot)
Titulli ndërtohet në bazë të një oksimoroni: lule/e keqe.
Struktura
• Prolog: “Lexuesit”
1. Splin (Spleen) dhe Ideal
2. Tablo pariziane
3. Vera
4. Lulet e së keqes
5. Revoltë
6. Vdekja
Vepra, e konceptuar në gjashtë pjesë, është një lloj udhëtimi që kalon nëpër gjashtë etapa. Ajo hapet me një prolog, titulluar “Lexuesit” ku, përmes përsiatjeve munduese, autori “zbulon” para lexuesit mërzinë si shkaktare të kësaj jete që “si kukulla na hedh e përdredh”. Forca e artit të Bodëlerit e bën lexuesin bashkëvuajtës me të në mjerimin, marrëzinë, mërzinë e të keqen e jetës. Në pjesën e parë “Splin dhe Ideal”, Bodëleri zbulon gjendjen e mërzisë e të trishtimit që lënë gjurmë të thella në karakterin e tij. Poetit, bota i duket gjithnjë e më e huaj, e ftohtë, e largët; ajo është bota që e ka braktisur atë, që e ka bërë vetmitar të madh, të zymtë, që s’i qesh buza, melankolik e plot ankth. Ai e cilëson kështu këtë gjendje: “Asgjë s’barazohet me plogështinë e ditëve çalamane,/ Kur netve t’akullta nën flokët e rëndë të borës mjerane,/ Mërzia, ky fryt i trishtë i një moskokëçarjeje të pamasë,/ Së përjetshmes i rrëmben çdo formë e përmasë.”
Splin (Spleen) është një fjalë angleze që në atë kohë përcaktonte një gjendje të caktuar shpirtërore, “…i çuditshmë trishtim,/ që bie mbi të ziun shkëmb të zhveshur, si deti me tërbim…”. Bodëleri e përdor me kuptimin e fjalës sinonimike në gjuhën franceze ennui. Kjo gjendje ka të bëjë me një dëshpërim pa rrugëdalje, të pasjellë nga ndonjë shkak konkret. Ajo është frika paralizuese, paniku për mashtrimin e pashmangshëm që sfidon jetën tonë, frika ndaj rënies së dhimbshme e tërësore në kurthin e kësaj gjendjeje. Mbi këtë temë, ai do të shkruajë disa poezi.
Ndërsa Ideali ngrihet përballë kësaj gjendjeje plogështie, në lartësitë ku “syri sheh një fron të magjishëm” e “poeti qetë-qetë larton krahët e vet të bekuar”, ku ai beson se i është ruajtur një vend “mbi dete, mbi re, maleve e pyjeve,/ përmbi këneta, përmbi lugina vrik,/ përtej diellit, përtej gjer në zenith,/ e përtej sinoreve të të gjithë yjeve” aty ku shpirti i tij “…lëviz me aq shkathtësi,/ notar i mirë që me dallgët zbavitet e heq,/ e me një epsh të parrëfyer e të keq,/ hareshëm përshkon të thellën pafundësi.”
Te Bodëleri shfaqen kështu dy prirjet kontradiktore të qenies, njëra për nga Splini, tjetra për nga Ideali. Në këtë dualizëm midis splinit dhe idealit, Bodëleri gjen kuptimin e jetës, një jetë që na trishton, por dhe na bën të qeshim. Megjithatë Bodëleri e desh jetën, pavarësisht sa shumë e urren. Kështu poeti i mërzisë e i trishtimit, i zymtë e i ngrysur vihet në kërkim të absolutes, të Idealit, se vetëm ai bën që ta durojë më shumë dëshpërimin.
Një temë tjetër e trajtuar në përmbledhje është edhe dashuria, e cila është “epshndjellëse dhe ëngjëllore” me shikim hyjnor e të djallëzuar, Djall a Zot, ëngjëll a sirenë, por për autorin nuk ka shumë rëndësi, pasi ajo është parfum, ritëm, kthjelltësi, e vetmja mbretëreshë e cila “bën universin më pak të shpifur, më pak të rëndë çdo minutë”. Me aq zjarr e përkushtim siç i këndon dashurisë apo bukurisë, po me të njëjtin shpërthim i sjell edhe vargjet duke “lartësuar” edhe shëmtinë dhe të keqen te një grua.
Edhe atëherë kur Natyra, kjo e madhërishmja sekretxheshë,
Të përdori aq keq, o femër, o e mëkateve mbretëreshë,
-Po, të përdori, kafshë frikacake,- si e si të lindte një gjeni?
O fisnikëri në llucë zhgryer! O sublimja shëmti!
Gruaja është edhe “Gjarpri që vallëzon”, ku përmes ritmit, aromës, prekjes, ngjyrës, poeti evokon ndjesi të forta dhe pamje të qarta të asaj që ai kërkon të thotë nëpërmjet vargjeve: “Sa më pëlqen nën ritmin përtacor,/ trupi yt që rrëzëllit,/ e dashur, si një stof i butë vallëzor,/ lëkura të çliron dritë./ mbi kurorën e flokëve të dendur,/ prehet i athti parfum,/ det aromfortë e i kudogjendur,/ valëzim i kaltër e brun.” Në pjesën “Tablo pariziane”, poeti përshkruan Parisin si një qytet i gjallë dhe plot ëndrra. Por nga ana tjetër, Parisi i mbuluar nga errësira, dergjet e rënkon. Nervat e poetit janë të tendosura si tela kitare. Ai më kot përpiqet që ta kapërcejë pikëllimin mbytës, ta mënjanojë ankthin e pandashëm, duke shëtitur nëpër qytetin e llahtarshëm. Ai flet për ëndrra dhe vegime rrënqethëse, bën fjalë për “arrati” të gjelbërimit dhe “bërjen zot” të betonit, hekurit, mermerit. Gurët e çmuar vetëtijnë në sytë e së dashurës së dëshpëruar, por janë mashtrues, lëkura e saj e zeshkët merr ngjyresa të copave të mëndafshta. Gjithkund ka pasiguri. Po pas ç’gjëje, pas kujt kapet e mbahet poeti në këtë rrëmujë e kaos? Janë shkulmet e shpirtit që shprehin pjesëmarrjen në fatkeqësinë e të tjerëve, në mjerimin që i ka pllakosur, është keqardhja për pleqtë e rrënuar që para pak kohe kishin qenë të shquar, për valltaret që dikur i kishin bërë për vete zemrat e parizianëve. Sot ato ngjajnë me plehrat e pambledhura në rrugët e pista të kryeqytetit përbindësh.
Parisi ndryshon, po jo, asgjë brenda simes melankoli
S’tundet! Pallate të rinj, pirgje dheu, skela anembanë,
Lagje të vjetra, gjithçka tek unë shndërrohet në alegori,
E kujtimet e dashura më të rënda se shkëmbijtë më janë.
Në pjesën “Vera”, autori flet për verën, pijen e dashur trullosëse, që të çliron nga dhimbja, që të bën të harrosh mjerimin. Për të, vera është “bijë e shenjtë e Diellit” që e shpëton njeriun nga vetmia dhe mllefet e jetës. Duke udhëtuar nëpër ciklet e jetës, poeti ndalet për pak që të dehet duke shijuar atë që mund të quhet me plot bindje “lule e së keqes”, një parajsë artificiale. Ndërsa tek pjesa “Lulet e së keqes”, që i ka dhënë titullin tërë vëllimit, autori “gëzon” një tjetër “parajsë artificile”, përmes epshit, vesit dhe dashurive të ndaluara.
Te pjesa “Revolta”, jepet një botë, ku dëshirat e trupit janë të ngopura dhe ai është në kërkim të kënaqësive shpirtërore. Do ta mohojë perëndinë e do të krijojë një aleancë me djallin; kurse te “Vdekja”, ajo shfaqet si shpresa e fundit, që të shpëton e të ngushëllon, një shpresë për të udhëtuar drejt lehtësimit të vuajtjes, – vdekja si pajtim i fundit me veten e me botën. Për Bodëlerin, bota nuk është gjë tjetër veçse “një oaz tmerri në një shkretëtirë mërzie”. Vdekja, ndoshta, një e panjohur më e mirë.
Çasti erdhi! Ngreje spirancën, Vdekje, o i vjetri kapitan!
Kjo botë veç na mërzit! Ndaj nisu velgufuar, tërë dëshirë!
Se nëse deti dhe qielli janë si të ngjyera në mellan,
Plot rreze janë mbushur zemrat tona, që ti i njeh mirë!
Kjo s’do të thotë që Bodëleri s’e deshi jetën. Fjalët e tij “Qielli është i zi, po zemra plot me dritë”, na bindin për këtë. Vëllimi “Lulet e së keqes” është i vetmi që Bodëleri shkroi e rishkroi tërë jetën, duke e përpunuar e pasuruar me aq dëshirë, duke e bërë librin e jetës, librin ku poetizoi dhe rrëfeu historinë e shpirtit të tij. Gjithkund në vëllim mbizotëron vetmia dhe tjetërsimi njerëzor. Stili i poezisë është i përkryer, vargu i përsosur, figuracioni i zgjedhur dhe shumë domethënës, strofat të rregullta në përpikmëri. Nuk gjen qoftë një element të panevojshëm. Poetika është e tipit klasik. Në historinë e letërsisë franceze dhe botërore, Bodëleri hyri si autor i vëllimit “Lulet e së keqes”, të kësaj vepre që bëri epokë.