Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara

Mësimi me video

Mësimi 9.1: Fjodor Dostojevski

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 9.1

Fjodor Dostojevski

Shkrimtari rus Fjodor Mihajlloviç Dostojevski është një nga artistët më të mëdhenj të shekullit XIX. Fjodori lindi në Moskë më 30 tetor 1821 dhe ishte i dyti nga shtatë fëmijët. Ishte i biri i një mjeku të një “spitali për të varfërit”, njeri i egër e inatçor që e vranë fshatarët, pasi ai i keqtrajtonte dhe i një nëne të shkolluar e të talentuar. Fëmijëria e tij kaloi dhomave dhe korridoreve të spitalit, aty ku ulërinin vuajtjet dhe përgjonte vdekja. Mjedisi ku nisi të formohej e afroi me njerëzit e varfër e të poshtëruar, e njohu me fate dhe përvoja njerëzore, ia pasuroi mendjen, ia zbuti shpirtin dhe e bëri të ëndërrojë për një jetë e fat më të mirë, pse jo dhe famë. Kur ishte 16 vjeç u fut në shkollën ushtarake. Dëshira për të shkruar letërsi fiton mbi interesat e tjera. Ai nisi të shkruajë e të përkthejë nga frëngjishtja. Qe i dashuruar pas Balzakut, përktheu “Evgjeni Grande” e më pas romane të Zhorzh Sandit.

Në një gjendje mendore të mjegulluar, në kohën e një pështjellimi të madh shpirtëror, rrjedhojë edhe e epilepsisë, iu kristalizua ideja për romanin epistolar “Njerëz të varfër”(1845), një etyd mjeshtëror, i hedhur në letër “me pasion dhe me lot në sy”. Përjetimet e të dashuruarve të varfër janë dhënë përmes poetikës së mjerimit. Zë fill kështu prirja e përgjithshme e krijimtarisë së Dostojevskit: poetizimi i vuajtjes. Për këtë Dostojevskin e quajtën “…një Gogol i ri”. Me zemër të ngrohtë nga vlerësimet e marra, ai shkruan disa novela, ndër të cilat “Netë të bardha” (1849) vlerësohet si kulm poetik.

Në formimin e personalitetit të tij ndikuan fort krizat e epilepsisë. Ato e bënë të ndiente frikë nga përçmimi e poshtërimi. Kështu ndodhi të mos e ndiente veten mirë në rrethin e të mëdhenjve: Bjelinskit, Hercenit, Turgenjevit e Nekrasovit. Filloi të frekuentonte rrethin e Petrashevskit, ku, të premteve, predikoheshin ide liberale e socialiste. Pjesëmarrësit i arrestuan në prill 1849. Ndër to, Dostojevskin që, pasi e mbajnë 8 muaj të burgosur pa e ditur arsyen, e dënojnë me pushkatim. Cari e zëvendësoi dënimin me vdekje me punë të detyruar në Siberi, por urdhëroi: “Falja t’i shpallet pasi të ketë mbaruar ceremonia e ekzekutimit”. Dostojevski e pa kështu vdekjen me sy, vetëm një minutë e ndau nga ajo. Me pranga në duar, e nisën në Siberi. Atë që përjetoi atje e ka quajtur: “Vuajtje që nuk shprehet dot, vuajtje që nuk kishin fund…Vuajtja më rëndonte si shkëmb në shpirt”. Dënimi, puna e detyruar qe për të një akt rishikimi për jetën: “Kthim te rrënjët e popullit; kthim drejt njohjes së shpirtit rus; pranim i shpirtit të popullit”. Pas internimit, u martua, por martesa nuk i solli lumturi. I harruar prej të gjithëve, kthehet në Petërburg ku boton romanin “Të poshtëruarit dhe të fyerit”(1861) dhe “Shënime nga shtëpia e të vdekurve” (1862), vepër kjo që e bëri të lavdishëm. Provoi të shkonte jashtë Rusisë për 4 vjet, por nga varfëria nuk u çlirua; provoi fatin në ruletë, por la dhe rrobat që kish veshur. Përjetimet për këtë do t’i shpaloste në romanin “Kumarxhiu” (1866).

Në 1866 nis një etapë e re në jetën e Dostojevskit, bën martesën me stenografisten 20 vjet më të re Ana Snitkinin. Dashuria e Anës për Dostojevskin ka qenë më tepër një përzierje e adhurimit për gjeniun me keqardhjen për njeriun e aqshumëvuajtur. Falë fisnikërisë së shpirtit të saj, Dostojevski, në fundin e jetës, arriti një krijimtari të bujshme dhe, po ashtu, arriti të ndihej i lumtur. Kështu ai boton me radhë romanet: “Krim dhe ndëshkim”, “Idioti”, “Djajtë” dhe “Vëllezërit Karamazovë”. Romanet e periudhës së fundit vërtetuan katërcipërisht gjenialitetin e papërsëritshëm të këtij shkrimtari me forcë krijuese që të trondit dhe me ideale humanitare të pashoqe. Në fjalimin famëmadh me rastin e përurimit të monumentit të Pushkinit, Dostojevski iu drejtua popullit të tij me porosi pajtimi e thirrje për vëllazërim gjithënjerëzor. Si askush para tij, ai foli për lumturinë e përbotshme që aspiron njerëzimi. “Ishte kënga e fundit e mjellmës”. Ai vdiq më 9 shkurt 1881. Varrimi i tij qe varrimi i një gjeniu që me vdekjen e tij bashkoi Rusinë mbarë, duke vërtetuar kështu tezën madhore të veprës e të jetës së tij, për bashkim dhe vëllazërim. Mbi varrin e tij është gdhendur një nga vargjet e Dhjatës së re: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! Gjoni 12:24”

“Krim e ndëshkim”
“Krim dhe ndëshkim” është një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Ky roman social, psikologjik, filozofik dhe ideologjik trajton një larmi problemesh: problemin e kushteve të ekzistencës së shoqërisë dhe shtresave të ulëta të popullsisë, krimit dhe rrjedhojave të tij, alkoolit, prostitucionit etj. Personazhi kryesor i romanit është studenti 25- vjeçar Rodion Raskolnikovi, i cili për shkak të varfërisë, është i detyruar të ndërpresë studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Ai na shfaqet i ngujuar në papafingon si varr të një shtëpie të rrënuar, ndihet i vetmuar, i dëshpëruar dhe pa rrugëdalje, shmang komunikimin me njerëzit dhe botën jashtë. Burimi i vetëm i jetesës së tij ishin paratë e pensionit të nënës dhe paratë që i dërgonte e motra. Ai nuk ka as punë e as miq të gatshëm që ta ndihmojnë. Kjo gjendje ndikon negativisht në psikikën e tij të lëkundur.

Raskolnikovi ndihej i shtypur edhe nga Petërburgu, qyteti i “gjysmë të çmendurve”. Atë e rrethojnë vetëm të varfër. I përjeton me dhimbje padrejtësitë dhe turbullohet para vuajtjeve njerëzore. Në zemrën e tij flakëron dëshira për ta ndryshuar botën për mirë; ai është gati të marrë mbi vete vuajtjet e të varfërve, t’i ndihmojë ata me çmimin e fatkeqësisë së vet. Në kulm të dëshpërimit, Raskolnikovi nxjerr një ide të tmerrshme, sipas së cilës, çdo njeri me shpirt të fortë, për qëllime fisnike ka të drejtë të zhdukë të gjitha pengesat në çdo lloj mënyre, përfshi këtu grabitjen dhe vrasjen. Shkruan një artikull në gazetë, në të cilin shtjellon teorinë e vet, sipas së cilës njerëzit mund të ndahen në dy grupe: “njerëz të zakonshëm” dhe “njerëz të veçantë”, që nuk mund të jetojnë sipas ligjeve të përgjithshme. Ata kanë të drejtë të kryejnë krime për hir të realizimit të qëllimit të vet fisnik, për hir të “shkatërrimit të së tashmes, në emër të së mirës”. Ai beson se personaliteti i madh është i pagjykueshëm duke i rikujtuar lexuesit, në këtë mënyrë, “mbinjeriun” e Niçes. Raskolnikovin e shqetëson pyetja: “Vallë jam unë si gjithë të tjerët, apo…?!” Nën pushtetin e kësaj ideje, ai e fut veten te njerëzit “e jashtëzakonshëm” dhe “për të provuar” teorinë e vet, mendoi të vriste plakën fajdexheshë. Duke dalë mbi ndërgjegjen e vet, Raskolnikovi vendos ta kryejë krimin, por jo për hir të parasë, por me qëllimin “të provojë veten”, aftësinë për të dalë mbi jetën e vet, siç e bëri këtë Napoleoni. Ai vret pa dashur të pajtohet me moralin e kësaj bote, ku të pasurit e të fortët përbuzin dhe varfërojnë të dobëtit, ku mijëra jetë njerëzish vdesin nga mjerimi. Raskolnikovit i duket se me këtë krim lëshon një thirrje simbolike kundër moralit skllavërues, të cilit njerëzit i nënshtroheshin prej shekujsh. Por vrasja e plakës zbulon se te vetë Raskolnikovi fshihej ëndrra krenare për sundimin mbi “krijesën që dridhej”, fshihej egoizmi, madje një egoizëm kërcënues ndaj njerëzimit. Në këtë mënyrë rrethi i mendimeve dhe veprimeve të Raskolnikovit mbyllet tragjikisht. Pasi realizoi qëllimin e vet, Raskolnikovi kuptoi që nuk vrau fajdexheshën, por veten. Ai e ndien se dhuna e ushtruar mbi natyrën e vet morale është një mëkat më i madh sesa vetë akti i vrasjes. Kjo është, në fakt, vrasja e vërtetë. Nga çasti kur Raskolnikovi lëshon sëpatën mbi kokën e plakës dhe Lizavetës, për të nisin vuajtjet shpirtërore. Ai kupton thellësinë e dëshpërimit të vet, pafuqishmërinë, ndjenjën torturuese të “mbylljes dhe ndarjes me njerëzit”. Duke vrarë njeriun, Raskolnikovi u bashkua me atë shoqëri amorale të cilën e urrente.

Autori e detyron Raskolnikovin të përjetojë dhimbshëm shembjen e ëndrrave të veta dhe të heqë dorë nga rebelimi individual. Por Dostojevski dëshiron ta rilindë Raskolnikovin dhe për këtë sjell në roman Sonja Marmeladovën. Sonja, edhe pse në skajin e fundmë të vuajtjes dhe poshtërimit, s’është shpërfytyruar. Me besimin dhe dashurinë e sinqertë, ajo e bën Raskolnikovin të kuptonte ç’kishte bërë dhe të pendohej. Ajo e ndjek pas në Siberi dhe i prin në rrugën e pastrimit dhe përtëritjes shpirtërore. Realizmi në vepër është i ashpër dhe i pamëshirshëm. Dostojevski i përcjell lexuesit mesazhin se krimi duhet ndëshkuar, por jo më pak edhe kushtet çnjerëzore të jetesës, që i shtyjnë njerëzit të bëjnë krime dhe se bota ndryshohet vetëm nëpermjet reformave, bazuar mbi humanizmin, përuljen, paqen e dashurinë vetëflijuese. “Krim dhe ndëshkim” u vlerësua si një vepër me sukses të merituar në qarqet ruse të kohës së Dostojevskit dhe mbetet një nga veprat më të lexuara dhe më të inskenuara në të gjithë botën.

“Idioti”
“Idioti” është vepra më e realizuar artistikisht e Dostojevskit, forca krijuese e së cilës mund të krahasohet vetëm me forcën krijuese të tragjedive të Shekspirit. Dostojevski zgjedh për hero një njeri real dhe të mirë, princin Mishkin që jo rrallëherë quhej dhe “idiot”. Personazhi i Mishkinit është antipod i Raskolnikovit, që përfaqësonte mendimin racionalist të njeriut krenar perëndimor, si për ta theksuar edhe më tepër ndryshimin me Raskolnikovin, Dostojevski e bën personazhin e tij epileptik. Mishkini është një Don Kishot rus, një qenie fëmijërore, i padjallëzuar, i marrosur pas Krishtit, saqë Dostojevski në dorëshkrim e kishte quajtur “princi-Krisht”. Princi Mishkin ka frymëmarrjen dhe madhështinë e Don Kishotit. Njëlloj si Don Kishoti e do tjetrin dhe bën për tjetrin; si Don Kishoti vihet në lojë nga të tjerët, ndonëse qëndron më lart se ata. Që të dy janë të mbështjellë me tisin e humorit, i cili jo vetëm nuk i ul, përkundrazi i lartëson.

Mendja e tij nuk është racionale, por karakterizohej nga një intuitë e veçantë, një veti e rrallë për t’i kuptuar gjërat dhe njerëzit në mënyrë largpamëse. Ky djalosh i çuditshëm ishte zemërgjerë e human, por aq naiv, i drejtë e modest sa të tjerët e mbajnë për leshko. Për të hulumtuar reagimet psikologjike të princit Mishkin, Dostojevski i kundërvë atij Rogozhinin, i cili ishte mishërim i pasionit të vrazhdë dhe shkatërrues; mishërim i egoistit, që beson vetëm në fuqinë e parasë dhe të dhunës, përngjasim tipik i një rusi sensual dhe të shthurur. Rastësisht fati i lidh me Nastasia Filipovnën, ndaj së cilës ndjeu një interes jetësor, kurse për Rogozhinin, Nastasia përfaqësonte “gruan e tij të pasionit”. Me kalimin e kohës Nastasia dashurohet pas Mishkinit. Por ajo e mendon vetën të padenjë për dashurinë e tij. Nastasia Filipovna përfaqëson bukurinë dhe talentin që është shkatërruar nga bota e korruptuar. Kjo grua krenare dhe e drejtë e urrente hipokrizinë dhe shtirjen. Krijohet një trekëndësh njerëzor midis Mishkinit, i cili ushqen një dashuri pa kufi, larg lakmisë fizike për Nastasinë; Nastasisë së ftohtë, së cilës epshi i ngjall neveri, por që është njëkohësisht viktimë tragjike e lakmisë erotike dhe Rogozhinit epshor, i çmendur për ta robëruar atë. Romani mbyllet me pamjen e dy burrave që rrinë kundrejt njëri-tjetrit duke pasur në mes tyre kufomën e Nastasias së vrarë: Rogozhini në një delir çmendurie dhe Mishkini i dëshpëruar që kish rënë përsëri në të njëjtën idiotësi, në sëmundjen të cilën e kish kuruar në Sanatoriumin Shnajder në Zvicër. Për romanin “Idioti”, Dostojevski thotë se ideja e tij ishte “pikturimi i plotë i një njeriu shumë të mirë” dhe më pas shton: “…Kjo është një detyrë shumë e rëndë. E bukura është një ideal, por idealja nuk është arritur…”.

Arti i Dostojevskit
Dostojevski është një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me ndikim i të gjithë kohërave, që konsiderohet si paraprijës dhe themelues i ekzistencializmit të shekullit XX, i simbolizmit rus dhe po ashtu paraprijës i  kspresionizmit dhe psikanalizës së Frojdit. Dostojevski është pararendës i romanit të ideve. Me të lind romani tragjedi që debaton për dashurinë, vdekjen, individin, lirinë, vuajtjen, revoltën. Bota e tij qëndron mes vdekjes dhe marrëzisë, në mes të ëndrrës dhe realitetit përvëlues. Problemet e tij personale kufizohen gjithnjë me një problem të pazgjidhshëm të njerëzimit. Me vetëdije, Dostojevski është antiromantik dhe antisentimental. Ai e vendos skenarin e tij mu në mes të banalitetit: pijetore të ndyra, dhoma të ngushta e të errëta si varre dhe personazhet e tij janë qëllimisht “pak interesantë” në dukje: gra shëndetliga, studentë leckamanë, mashtrues etj. Por nga poshtërimi e banaliteti më i trishtueshëm ngrihet në mënyrë fantastike madhështia. Vetëm duke depërtuar në thellësi të artit të tij dhe duke e ndjerë në brendësi të vetvetes, mund ta kuptojmë më mirë krijimtarinë e këtij artisti madhështor rus.

Disa nga teoritë krysore të artit të tij janë:

Artisti mendimtar: Secili personazh në romanet e Dostojevskit ka mendimin e vet të argumentuar, për të njëjtën çështje. Përmes personazheve Dostojevski përfaqëson vetveten. Kjo bën që ideja të shihet në pikat e saj të plota e të dobëta, me të mirat dhe të këqijat e veta. Mendimet dhe idetë e personazheve nuk janë të Dostojevskit, ato (idetë) nuk përjashtojnë, por ndriçojnë njëra-tjetrën. Ato janë idetë e epokës.

Realizmi i pamëshirshëm (gati magjik): Njeriu i Dostojevskit është në kërkim të së vërtetës, të realitetit të drejtpërdrejtë të qenies së tij të kufizuar. Por te asnjë artist realist nuk e ndjejmë të vërtetën në mënyrë më bindëse, sesa te Dostojevski. Ai qëndron përtej aftësisë së zakonshme pamore dhe sheh me sytë e mendjes edhe skajet më të fshehura të botës së brendshme të personazheve të tij, p.sh. : Ai e paraqet realitetin aq vërtetësisht si të ishte i pajisur me një mikroskop që sheh përtej asaj çka shfaqet dhe dallon një botë të tërë, aty ku, paradoksalisht, shkrimtarë të tjerë shohin veçse një formë të veçantë. Dostojevski nuk është një hulumtues i ftohtë. Ai e zhyt vështrimin në thellësitë e jetës. “Ka diçka profetike në dijen e tij, diçka magjike në artin e tij”- thotë Stefan Cvajg.

Karakteri polifonik i veprës: Kjo është veçoria më karakteristike e veprës së Dostojevskit dhe ka të bëjë me kompozicionin origjinal të veprave të tij, me ndërtimin e tyre në shumë plane, që harmonizohen në një, p.sh.: në fund të romanit “Idioti”, lexuesi pret që, pas sa e sa peripecive, Nastasia Filipovna të vërë kurorë me princin Mishkin, por ndodh që, me të parë në mes të dasmorëve Rogozhinin, Nastasia hidhet në krahët e tij, duke e ditur se po shkon drejt vdekjes. U prish harmonia, por nga kjo fitoi polifonia; në këtë rast, zërave iu shtua një zë i plotë, i ri që i mbuloi të tjerët dhe që përcakton rrjedhën e mëtejshme të rrëfimit.

Arti auditiv: Mjeti me anë të të cilit Dostojevski depërton në thellësi të krijesave të tij, është fjala. Nëse Gëteja ishte viziv/pamor, sepse përshkruante çdo gjë përmes vështrimit, Dostojevski është auditiv/dëgjimor. Atij i duhet t’i dëgjojë të flasin personazhet e tij, duhet t’i bëjë të flasin ata, që ne të mund t’i shohim. Nëpërmjet të folurit ata marrin jetë, na shpalosin të fshehtat e tyre dhe na zbulojnë shpirtin.

Rrëfimi triplanësh: Dostojevski nuk kërkon të bindë, por të rrëfejë.
Në veprat e Dostojevskit gjithnjë ndërthuren 3 plane: plani social, plani psiko-analitik, plani ontologjik.
Në planin social: Subjektet e veprave mbështeten në fakte e ngjarje të jetës reale, janë të besueshme dhe autentike.
Në planin psiko-analitik: Dostojevski i kap personazhet në krizë e sipër dhe i lë të zhvillohen deri sa të cekin fundin. Heronjtë gjithmonë janë të mbërthyer në kontradiktë, janë dyshues e hetues. Ai vlerësohet si kampion i psikologjisë së thellësive duke paraprirë Frojdin.
Në planin ontologjik: Dostojevski merret në çdo vepër me debate të shumëllojta filozofike. Autori lë hapësira për të hamendësuar përmes teknikave romaneske që përdor si: paqartësi të qëllimshme, aludime misterioze, ëndrra profetike, kthime të befta, frenime të veprimeve, dyshime, efektet e ankthit.
Heroi si ngërthim kundërshtish: Sipas Dostojevskit, njeriu është një ngërthim kundërshtish. Ai kurrë nuk shfaqet vetëm në një aspekt të shpirtit, ndaj dhe karakteret e heronjve s’kanë si të jenë drejtvizorë, por të formuar nga fuqia e jashtëzakonshme e kontrastit.
Shkurtësia stenografike në përshkrimin e heronjve: Dostojevski skicon në mënyrë magjike. Kur na njeh me personazhet, vetëm me tre rreshta, ai mund të vizatojë tiparet, si: mosha, profesioni, gjendja shoqërore, formimi moralokulturor, ngjyra e flokëve, fizionomia…; ai i bën të dukshme këto tipare me një lloj shkrimi të shkurtuar ose shpesh i karakterizon ata vetëm me një fjalë karakteristike. Personazhet dalin në pah vetëm në gjendje trazire, në pasion e sipër, në gjendje stëreksitimi. Dostojevski, ndryshe nga natyralistët (si Floberi apo Zolai), nuk paraqet shpirtin e heronjve përmes trupit, por nxjerr trupin përmes shpirtit.
E reja e Dostojevskit është nocioni i heroit romanesk. Është quajtur edhe antihero. Ai hidhet me vrull të paparë kundër shoqërisë dhe kundër vetes. Zbulon rrjedhat e nëndheshme të mendimit, i paparagjykuar, bruto, provokues.

Parimi ekzistencial “Vuaj pa jam”: Personazhet e Dostojevskit vuajnë, e duan shumë vuajtjen, nuk ngopen me të, zgjedhin rrugë që i bëjnë të vuajnë edhe më shumë. Për Dostojevskin, qenia e munduar përmes vuajtjes çlirohet nga faji. Kush ul kokën i përvuajtur, ai i heq vetes një barrë të rëndë dhe lehtësohet shpirtërisht. “…urtësia që njeriu fiton në kapërcimin e vuajtjeve, për heroin e Dostojevskit është më e rëndësishme se lumturia.” “Vlera e Dostojevskit është aq e madhe sa i mjafton popullit rus t’i përmendë emrin për të përligjur ekzistencën e vet në botë.”