Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 4.1
ROMANTIZMI
Xhorxh Gordon Bajron (George Byron)
Bajroni është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XIX, përfaqësuesi më i denjë i romantizmit, i cili pasqyroi epokën pas Revolucionit Francez të 1789-ës, hovin e lëvizjes çlirimtare në Angli dhe Europë, shpresat për një fitore të afërt të çështjes së lirisë dhe dëshpërimin përpara triumfit të përkohshëm të forcave të vrazhda të reaksionit. Bajroni, me jetën dhe veprën e tij ngriti zërin për të protestuar kundër reaksionit anglez e europian. Poezia e tij zgjonte frymën e revoltës.
Jeta dhe krijimtaria
Bajroni lindi në Londër, më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Në moshën 3 vjeçare i vdes i ati. Fëmijërinë e kaloi në Skoci bashkë me të ëmën ku u njoh me natyrën e egër dhe me jetën e legjendat e malësorëve të atij vendi. Kur ishte dhjetë vjeç, trashëgoi nga xhaxhai i të atit titullin e lordit dhe kështjellën Niusted Abi (Newstead Abbey). Më 1801, Bajronin e dërguan në shkollë, në Harrou, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Këtu spikatën ato cilësi të karakterit të tij që i ruajti gjithë jetën: serioziteti dhe zotësia të mendohej thellë mbi ngjarjet e jetës dhe bashkë me këto gëzimi, vrulli shpirtëror e temperamenti i zjarrtë. Më 1805 Bajroni hyri në universitetin e Kembrixhit. Kur ishte akoma student, botoi vjershat e tij të para lirike “Orët e prehjes”, të cilat u kritikuan ashpër nga shtypi zyrtar. Bajroni iu kundërpërgjigj kritikës me një artikulli të ashpër me titull “Këngëtarë anglezë dhe kritikë skocezë”, ku sulmoi jo vetëm kritikët, por edhe letërsinë konservatore angleze. Që në nisje, u duk qartë që Bajroni po shkonte drejt një konflikti të egër me shoqërinë zyrtare angleze. Kur më 1809, në moshë madhore, vajti të zërë vendin e tij në parlament, u prit ftohtë prej dhomës së lordëve. Konflikti midis poetit e shoqërisë angleze po rritej. Miqtë e tij e këshillonin të largohej ca kohë nga Anglia. Kështu, në verën e vitit 1809, kur Europa kishte kohë që ziente nga luftërat napoleonike, Bajroni njëzetenjëvjeçar u nis për udhëtimin e tij të famshëm drejt lindjes. Pasi vizitoi Portugalinë dhe Spanjën Perëndimore, lundroi prej Gjibraltarit për në Maltë. Këtu vendosi të vizitojë Shqipërinë, i shoqëruar nga bashkëstudenti i Kembrixhit, Kam Hobhauz. Të dy miqtë udhëtuan me kalë drejt kryeqytetit të Shqipërisë së Jugut, Janinës dhe së andejmi për në Tepelenë, ku i priti Ali Pasha. Pas tri ditësh u kthyen po asaj udhe; nga Janina u nisën për në Prevezë, lundruan me anije turke, sa s’u mbytën, zbritën në tokë, arritën në Prevezë nën mbrojtjen e tridhjetë e pesë shqiptarëve, kaluan në Greqi dhe pastaj për në Turqi dhe u kthye në Londër në korrik, 1811.
Gjatë udhëtimit shkroi një ditar në vargje, të cilin e pagëzoi me titullin “Shtegtimi i Çajld Haroldit”. Nuk kishte në mend ta botonte, por shokët e tij të entuziazmuar ia rrëmbyen nga duart dhe e dërguan në shtyp. Kënga e parë dhe e dytë dolën në dritë dhe u pritën me lëvdata të mëdha. Vetë Bajroni ka thënë: “U zgjova në mëngjes dhe pashë se isha bërë i famshëm”. Gjatë viteve 1813-1816 u botuan poema të tjera të Bajronit, si: “Gjauri”, “Nusja e Abidonit”, “Korsari”, “Lara”, “Rrethimi i Korinthit”, “Parisina”. Bajroni krijoi një gjini të veçantë të poemës romantike, me figura karakteristike të heroit romantik, nga ngjarjet dramatike të së kaluarës, prej jetës e viseve ekzotike të Lindjes. Më 2 janar 1815 vuri kurorë me Anabella Milbanke. Me të pati një vajzë, por vetëm pas një viti, e shoqja e braktis dhe largohet bashkë me të bijën. Thashethemet e intrigat bënë punën e tyre dhe më 25 prill 1816, Bajroni mërgoi përjetë nga vendi ku pati lindur.
Vajti në Belgjikë, vizitoi Vaterlonë, ku një vit më parë qe bërë beteja e famshme; vazhdoi udhën për Zvicër dhe u vendos afër Gjenevës. Këtu u njoh e u miqësua me poetin e madh anglez, Shelli. Në Zvicër mbaroi këngën e tretë të “Shtegtimit të Çajld Haroldit”, si dhe shkroi poezinë “I burgosuri i Shilonit”, dramën “Manfred”, vjershat “Ëndrra”, “Errësira”, “Prometeu”, etj. Nga mesi i vjeshtës, Bajroni u nis për në Itali dhe zuri shtëpi në Venedik, ku qëndroi tre vjet me radhë; së këtejmi bëri një udhëtim gjashtë javësh për të vizituar disa qytete kryesore, si: Ferrarë, Firencen, Romën, udhëtim i cili i dha këngën e katërt të “Çajld Haroldit”. Gjithashtu në Itali krijoi edhe poemat e tij satirike “Beppo”, “Vizioni i gjyqit”, “Shekulli i bronxit”, “Avatar irlandez”, dramat “Kaini”, “Mario Falieri”, si dhe romanin në vargje “Don Zhuani”. Më 1823 u nis për në Greqi për të dytën herë dhe aty u bë një nga frymëzuesit e luftës për pavarësinë kombëtare të Greqisë. Po s’ishte e thënë të merrte pjesë në çlirimin e saj, pasi tre muaj pas ardhjes u sëmur prej etheve dhe vdiq në Mesollongj më 19 prill 1824, 36 vjeç. Fjalët e fundit ishin për Greqinë: “I kushtova Greqisë kohën time, pasurinë, shëndetin. Ç’t’i jepja më? Tani i jap jetën.” Eshtrat e tij u kthyen në Angli dhe e varrosën në kishën e vogël të fshatit, ku preheshin e ëma dhe shumë prej stërgjyshërve të tij.
Tabelë orientuese mbi krijimtarinë e Bajronit
Veprat e Bajronit
Dy këngët e “Çajld Haroldit” dhe “Poemat e Lindjes”, ku më të njohurat janë “Gjauri”, “Korsari”.
Drama me karakter liriko-filozofik, “Manfredi”, “Kaini”etj.
Romani në vargje “Don Zhuani”.
Ndarja në tri periudha
Periudha e parë: fillon me krijimet e para poetike, ku heroi qendror hyn në konflikt të papajtueshëm me shoqërinë.
Periudha e dytë: i përket veprave dramatike, në të cilat heroi kërkon të gjejë kuptimin e jetës, arsyet e pabarazisë dhe të varfërisë.
Periudha e tretë: duke vëzhguar me një sy më objektiv realitetin, jep një tablo të jetës shoqërore të kohës.