Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 2.2
ROMANTIZMI
Jeta dhe krijimtaria e Gëtes
Johan Volfgang Gëte, më i madhi poet e shkrimtar gjerman dhe një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave, lindi më 28 gusht 1749 në një familje borgjeze në gjendje të mirë ekonomike, në Frankfurt mbi Main. Babai i tij, i cili ishte jurist, u kujdes që i biri të kishte edukimin më të mirë, kurse e ëma, një grua zemërgjerë dhe me kulturë, ishte e para që zgjoi tek i biri talentin poetik, duke i rrëfyer tregime, përralla e këngë të bukura. Gëteja u shqua për zgjuarsi, vullnet të fortë e këmbëngulje për të përvetësuar dituritë. Shpirti i tij kërkues synonte më të mirën, më të lartën. “Kishte vite që fati më kishte takuar me disa mësues të aftë, por, sa më shumë mësues njihja, aq më pak gjeja atë që kërkoja”- shkruan ai për vitet e hershme të rinisë.
Në moshën 16- vjeçare Gëteja u largua nga qyteti i lindjes dhe shkoi në Lajpcig, ku, sipas dëshirës së të atit, do të studionte drejtësi. Këtë e bëri pa ndonjë zell të madh. Ato që e tërhiqnin më tepër ishin kimia, shkencat e natyrës, filozofia, artet e bukura dhe filologjia. Në Lajpcig ai filloi të shkruante vargjet e para në të cilat mbizotëronin motivet anakreontike. Më 1768 ai u sëmur rëndë dhe u detyrua të kthehet në shtëpi pa e mbaruar universitetin. Pas shërimit, më 1770, shkon në Strasburg ku diplomohet si avokat. Në Strasburg Gëte njihet me filozofin Herder, i cili i zbuloi i pari bukuritë e jashtëzakonshme të poezisë popullore. Nga bashkëpunimi Gëte-Herder mori udhë lëvizja “Stuhi dhe vrull”. Pas studimeve, ai u kthye në Frankfurt dhe nisi të punojë si avokat, por gjente edhe kohën për t’u marrë me letërsi. Në këtë kohë zunë të ngjizen në mendjen e tij personazhet më të rëndësishme të krijimtarisë letrare, si: Prometeu, Geci i Berlihingenit, Verteri dhe Fausti. Më 1773, Gëtja botoi dramën “Geci i Berlihingenit” dhe një vit më vonë romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter”, kurse lirikat më të bukura që shkoi gjatë qëndrimit në Frankfurt, janë “Këngët për Lilin”, të cilat ia kushtoi të bijës së bankierit Shoeman me të cilën ra në dashuri, por që ishte një dashuri që s’mundi të kurorëzohej. Në verën e vitit të 1775 Gëte shkon në Vajmar i ftuar nga duka liberal i Saksës, Karl Augusti. Në kryeqytetin e kësaj principate të vogël pas ardhjes së Gëtes, të cilit iu ofruan një sërë ofiqesh të lartë, saqë u bë dhe këshilltari kryesor i Dukës, erdhën Herderi, Shileri si dhe shumë shkrimtarë të tjerë. Gjatë qëndrimit atje ai shkruan “Lirika”. Bota e tij e brendshme, ndryshe nga më parë, gjen pasqyrim në vargun e gjatë e të bukur, me këngë, ode, himne e balada. Gëte e shndërroi Vajmarin në kryeqytetin kulturor të të gjithë Gjermanisë dhe në respekt të punës së tij të jashtëzakonshme, ai u quajt “Olimpiku i Vajmarit”.
Gjatë kohës që jetonte e punonte në oborrin e Dukës ndiente një pakënaqësi të përhershme, çka e bën që të largohet për rreth dy vjet për në Itali. Udhëtimi në Itali shënoi fillimin e një periudhe të re të krijimtarisë së tij letrare. Ai u njoh me krijimet e bukura të Rilindjes italiane dhe mësoi rreth arteve klasike. Adhurimin e tij për kohën klasike ai e shprehu në ciklin poetik “ Elegjitë romane” dhe më 1787 në dramën “ Ifigjenia në Tauridë”, subjektin e të cilës e merr nga tragjeditë e lashta greke. Më 1789 botoi dramën “Turkuato Taso” në të cilën bien në sy disa çaste autobiografike të poetit. Më 1796 mbaroi romanin “Vilhelm Majster” të cilin shumë vite më vonë e plotësoi dhe me një vëllim të dytë. Ky ishte një roman filozofik, në të cilin spikasin përsiatjet e heroit për të gjetur kuptimin e jetës, të cilin e gjen veçse në veprimtarinë krijuese. Në periudhën 1792-1817 Gëtja drejtoi teatrin dukal të Vajmarit. Më 1794 filloi miqësia e tij me Shilerin, miqësi të cilën e ruajtën deri në fund të jetës. Në këtë kohë të begatë krijimtarie ai botoi pjesën e parë të “Faustit” (1806), “Udhëtimi në Itali”, “Divani perëndimor-lindor” etj. Po në këtë kohë, më 1806, ai u martua me mikeshën e tij Kristina Vulpius. Në këtë vit ai humbi njëri pas tjetrit miqtë e tij më të mirë: Shilerin, Herderin dhe Vilandin. Në këtë periudhë Gëte filloi të ndikohej nga filozofia trashendentale e Fihtes.
Më 1809 boton veprën “Poezi dhe e vërtetë”. Më 1816 i vdes e shoqja dhe, sikur të mos mjaftonte ky hidhërim, pa edhe vdekjen e të birit. Humbjet, sado të mëdha, nuk e ndalën Gëten. Kështu ai i vihet punës për pjesën e dytë të “Faustit”, të cilën e përfundoi një vit para se të mbyllte sytë përgjithmonë, më 22 mars 1832 në Vajmar. Pjesa e dytë e Faustit u botua si vepër postume pas vdekjes së Gëtes. Edhe pse një njeri i madh, Gëte e krahasonte veten me Sizifin. “Kam ngjitur gjithë jetën një gur që pastaj shkiste tatëpjetë dhe unë duhej ta ngjitja përsëri nga e para”- i pati thënë njëherë Ekermanit, sekretarit të tij. Megjithatë Gëte edhe pse jetoi në një botë kontradiktore dhe në kohëra plot trazira, plot brenga e vështirësi, korri fitore të lavdishme mbi varfërinë shpirtërore të atëhershme gjermane. Ai diti të ngrihej mbi mjedisin që e rrethonte, duke luftuar për një botë më të mirë dhe ideale më të larta. Si i tillë ai do të mbetet ngamot një pikë kyçe në historinë shpirtërore dhe letrare të Gjermanisë e të Evropës. Unë qeshë njeri në këtë botë, Kjo do të thotë qeshë luftëtar.
Lirika e Gëtes
Gëteja vlerësohet si krijuesi i poezisë së vërtetë lirike gjermane. Ai shkroi rreth 1600 poezi. Shumë prej tyre u bënë aq të njohura për njerëzit sa u kthyen në këngë popullore, madje kompozitorët më të mirë të botës shkruan muzikën për to. Këngët folklorike ishin për Gëten një burim i pashtershëm. Nga folklori Gëteja diti të merrte karakterin shprehës dhe piktoresk, bukurinë e hijeshinë e vargut, krahasimet, paralelizmat dhe kontrastet. Ai i përpunoi këto mjete formale, i zbukuroi edhe më tepër duke ngritur lart bukurinë e gjuhës amtare. Në përmbajtje, lirika e Gëtes është optimiste dhe plot dashuri për jetën. Në të gjejmë ndjenjën e rrallë dhe shumë të çmueshme të dashurisë dhe të kuptimit të natyrës. Njeriu me ndjenjat e tij intime dhe natyra, e cila lulëzon me të gjitha ngjyrat e jetës, janë dy protagonistët kryesorë të lirikës së Gëtes. Hajnrih Hajneja, një tjetër poet i madh gjerman, shkruan për lirikën e Gëtes: “Gëteja vargjet e tij i ka mbushur me një ndjenjë kënaqësie magjike të thellë nga jeta dhe ato janë kaq të lehta, kaq të lume, i përngjasin kaq shumë frymës, kaq eterike, sa që habitesh se si ka qenë e mundur një gjë e tillë të bëhej gjermanisht”. Një veçori tjetër e lirikave të Gëtes është ngjizja e tyre duke u bazuar te realiteti, pra, vargjet ishin jehonë e kësaj apo asaj ngjarjeje të vetë jetës së poetit. “Të gjitha vargjet e mia janë vjersha “me shkak”, ato janë frymëzuar nga realiteti dhe prandaj kanë një bazë, vjershat e shkruara në tym për mua nuk vlejnë asgjë”, – thoshte Gëteja. Me kalimin e viteve, poezia e Gëtes e thellon karakterin meditues e filozofik. Disa nga kryeveprat lirike të Gëtes janë: “Mbreti i pyllit”, “Kënga e natës e një shtegtari”, “Trëndafili i fushës”, “Nusja nga Korinthi”, “Vilhelm Maister” dhe shumë të tjera që gëzojnë famë botërore. Gëteja e kërkon dhe e gjen poezinë në gjithçka e gjithçka tek ai i përgjigjet një vizioni poetik për botën. Ja pse, kur flitet për Gëten, flitet kryesisht për Poetin.