Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 3.1
ROMANTIZMI
Viktor Hygo
Jeta dhe krijimtaria letrare
Viktor Hygoi është konsideruar si një nga shkrimtarët më të ndritur e të lavdishëm të Francës. Bashkëkohësit e quanin “plaku i mençur” ose edhe “ndërgjegjja e kombit”. Hygoi qe dhe mbetet romantiku më i madh i Francës, qe ai që e ngriti romantizmin në atë lartësi ku nuk kish arritur askush para tij. Ai i la të hapura shtigjet që do ta çonin letërsinë drejt realizmit, impresionizmit, simbolizmit e surealizmit. Shekulli XIX në Francë e Europë ka qenë një shekull i ngarkuar me ngjarje të mëdha shoqërore e politike. Revolucioni borgjez i vitit 1789 solli një sërë pakënaqësish. Atë e pasuan një varg revolucionesh e kryengritjesh që arrijnë kulmin me Komunën e Parisit (1871).
Hygoi lindi në këtë shekull, madje u rrit bashkë me të. Ai përjetoi aktivisht ngjarjet e mëdha të shekullit, duke parë të bien e rrëzohen perandori e frone, të ndërrohen republika, të shpërthejnë revolucione, të lartohen e shkatërrohen barrikada. Vitet e para të jetës i kaloi në vende të ndryshme për shkak të punës së babait, i cili ishte një oficer i ushtrisë së Napoleonit. Interesi e talenti i Hygoit për të shkruarin shfaqet herët, vargjet e para i shkroi që në moshën 15-vjeçare. Ishte 25 vjeç kur shkruan dramën “Kromuelli”, në parathënien e së cilës shpalos programin e romantizmit francez. Më pas emri i tij rritet me kryeveprën “Katedralja e Parisit” (1831). 30 vjeç shkruan dramën “Mbreti dëfrehet” e cila më vonë do të bëhet libreti për operën e Verdit, “Rigoleto”. Suksesi vjen e rritet nga një vepër në tjetrën; në moshën 39-vjeçare Hygoi bëhet pjesëtar i Akademisë Franceze. Gjatë viteve 1841-1851 Viktor Hygoi shkroi pak, dhe u mor më shumë me politikë. Si mbrojtës i republikës, lirisë e demokracisë, kryeson Komitetin e Rezistencës për shpëtimin e Republikës kundër “Napoleonit të vogël”, merr pjesë aktive në organizimin e luftës së armatosur të barrikadave, dënohet me vdekje dhe detyrohet të arratiset në Belgjikë për t’i shpëtuar dënimit. Hygoi e la Francën për 19 vjet (1851-1870). Në mërgim do të shkruajë:
– vëllimin poetik më të njohur të tij “Ndëshkimet” (1853);
– disa nga veprat më të mëdha në prozë: romanin-epope “Të mjerët” (1862), “Punëtorët e detit” (1866), “Njeriu që qesh” (1869);
– një sërë pamfletesh të fuqishme.
Me rënien e perandorisë, më 1870, Hygoi u kthye në Paris. Vetëm 5 ditë para se të kthehej, Hygoi shkruan:
Do kthehem, o Paris, do vij tek ato mure
Të shenjtëruar!
Do të ta sjell ty shpirtin e njerëzve që përzure,
Që kurrë s’u pat shuar.
Dhe ti, në tokën tënde, ku shpresa e pashuar
Ndrit si pishtar,
Mbase më jep shpërblim, mua birit tënd të zbuar,
Francë, një varr!
Atë e priti një turmë brohoritëse dhe entuziaste që përshëndeste rikthimin e tij. Vitet në vazhdim e deri në vdekje i kaloi në Paris, ndërsa në vitin 1881 u emërua senator i përhershëm. Vdiq më 22 maj 1885 dhe u varros me një ceremoni madhështore: trupi i tij u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u varros, nën tingujt e Marsejezës, në Panteon. Në ceremoninë e tij të varrimit morën pjesë mbi një milion francezë.
Veçori të krijimtarisë
Hygoi ka një krijimtari të pasur. Ai ka shkruar në të gjitha gjinitë letrare: poezi, prozë e dramë. Ka shkruar kujtime, pamflete politike, kritika; qe orator, polemist e tribun i masave. Së pari, Hygoi është poet, një poet gjithë pasion, duf e shpërthime të brendshme; një oqean në tufan, me zemër të madhe, gjithmonë në krah të të varfërve, të të shtypurve, gjithmonë me Francën dhe popullin e tij. Një vizion i mrekullueshëm i botës së ardhme e të lirë janë vargjet:
O tokë lulëzo! Jetë, zgjohu plot gaz!
Më këmbë, ju që flini! – se ai që më vjen pas,
Se ai që më dërgon pishtar që t’ju bëj dritë,
Është engjëlli Liri, është vigani Dritë.
(Poezia “Stella”, përkthyer nga Sotir Caci)
Poeti është në mbrojtje të lirisë e paqes, ndaj nuk ishte e rastit që Kongresi i Parë i Paqes, mbajtur në Paris më 22 gusht 1849, e zgjodhi Hygoin kryetar të vet. Veprat poetike të Hygoit përbëjnë disa vëllime, si: “Ode e balada” (1822), “Orientalet” (1822), “Soditjet” e “Ndëshkimet” (1853). Te vëllimi poetik “Ndëshkimet”, një satirë politiko-shoqërore e kohës, poeti shpreh qëndrimin e tij të papajtueshëm dhe demaskon armiqtë e Francës: figurën e Napoleonit III dhe të gjithë uzurpuesit e bashkëpunëtorët e krimit.
Vepra më e rëndësishme lirike e Hygoit është vëllimi “Soditjet”, i cilësuar dhe “monument i poezisë franceze”. Për të Hygoi punoi 25 vjet. Tërë vëllimin voluminoz mund ta karakterizonim veç me një varg: “Gjithçka zgjedhon foljen dua”. Ndërsa shpirtin e sakrificës dhe qëndresën pa kushte ndaj tiranisë e shprehin fuqishëm vargjet e poezisë “Fjala e fundit”:
Njëmijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë,
Po dhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi;
I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,
E në mbettë veç një, – do të jem unë ai!
Përktheu Sotir Caci
Me poezinë e vet Hygoi u hapi udhë brezave të rinj të poetëve të quajtur parnasianë dhe atyre simbolistë. Hygoi është themeluesi i dramës romantike. Ai shfaq botën e ndjesive njerëzore ashtu si është në të vërtetë, jo sipas skemave klasiciste. Në dramën “Kromuelli” (1827) Hygoi ngrihet sa kundër rregullave e parimeve të ngurta klasiciste, aq edhe kundër regjimit politik të kohës, duke sjellë një kontribut të çmuar për letërsinë si në aspektin e formës, ashtu edhe në atë të përmbajtjes. Betejën vendimtare midis romantizmit dhe klasicizmit e shënoi shfaqja e dramës “Hernani”, më 28 shkurt 1830. Shkrimtari Teofil Gotie kujton: “Është e vështirë të përshkruash efektin e vargjeve të Hygoit, vargje aq të veçanta, aq burrërore, të një ndërtimi të ri e të çuditshëm, të një toni kornean e shekspirian njëherazi… Ç’zhurmë! Ç’fishkëllima! Ç’stuhi duartrokitjesh… Udhëheqësit e të dy partive (drejtimeve) fyenin njëritjetrin si heronjtë e Homerit!” Lavdia e emrit të Viktor Hygoit është e lidhur më së shumti me romanet e tij: “Katedralja e Parisit”, “Viti ‘93”, “Njeriu që qesh”, “Të mjerët”.
“Të mjerët” (Les miserables), (1862)
Romani-epope “Të mjerët” vlerësohet si kryevepra e shkrimtarit të madh francez. Ai është romani më popullor i tij. Përmes tij Hygoi jep një tablo rrënqethëse të mjerimit njerëzor, kritikon ashpër përgjegjësit e kësaj gjendjeje dhe shfaq hapur simpatinë për shtresat e varfra, për njerëzit e thjeshtë, njerëzit e punës. Në vepër gjejmë një galeri personazhesh nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, bartëse të ideve antagoniste. Në të lartohen me madhështi të mjerët, të vuajturit e të shtypurit. Hygoi beson se në luftën e së mirës me të keqen, fitimtare do të dalë gjithnjë e mira. Për të, rregullator i jetës njerëzore është dashuria e sinqertë dhe mirësia. Zhan Valzhani, heroi kryesor i veprës, pasi heq e vuan plot 19 vjet punë të rëndë për krimin e kryer (ka vjedhur një bukë për fëmijët e uritur të së motrës), del nga burgu me një zemër plot urrejtje. Duke qenë në thelb njeri i dlirë dhe shpirtmirë dhe nën ndikimin e ipeshkv Mirielit, simbolit të luftës të së mirës kundër së keqes, Zhan Valzhani do të lartësohet e përsoset si njeri. Zhan Valzhani, nxitur nga humanizmi i tij, lufton kundër padrejtësive shoqërore. Në këtë figurë Hygoi mishëron pikëpamjet e veta sipas të cilave e keqja nuk duhet ndëshkuar me të keqe. Vetëm zemërgjerësia mund ta zhdukë atë. Nisur nga kjo ide, Zhan Valzhani i fal jetën policit Zhaver, i shpëton jetën përndjekësit të tij dhe bën një sërë të mirash deri ditën kur vdes i lumtur, me ndërgjegje të qetë, si për të dëshmuar fitoren e njerëzores mbi të keqen mizore.
“Njeriu që qesh” (1869)
“Njeriu që qesh” është romani i fundit që Hygoi shkroi në mërgim. Ngjarjet vendosen në Anglinë e fillimshekullit XVIII. Në hyrje të romanit, Hygoi na njeh me Ursusin, një aktor cirku shëtitës qerrja e të cilit “… endej lirisht nëpër qytetet e humbura të konteve angleze. Ai i binte Bretanjës së Madhe nga fundi në krye, duke shitur pijet dhe barërat e tij çudibërëse…”. Hygoi shpalos që në krye dhe hendekun e thellë që ekzistonte mes shtresës që përfaqëson Ursusi dhe shtresës së aristokracisë. Në qerren-kasolle të Ursusit do të gjejnë strehë Guinpleni dhe Dea. Guinpleni në moshën 10-vjeçare braktiset nga kompraçikosët (blerësit e fëmijëve) dhe përballet i vetëm me stuhinë, të ftohtin, dimrin, tmerrin. I dëshpëruar, i zbathur dhe i uritur vihet në kërkim të një strehëze. Duke ndjekur gjurmët në dëborë dëgjon vajin e thekshëm të një qenieje njerëzore. Afrohet dhe zbulon një foshnjë që qëndronte mbi trupin e pajetë të nënës së vet. Me foshnjën në duar (të cilën Ursusi më pas e pagëzon Dea) troket në kasollen e Ursusit. Ursusi kujdeset për dy jetimët mbi të cilët rëndon fati i kobshëm: Guinpleni i përçudnuar ishte caktuar për të qenë lodër, mjet zbavitjeje, ndaj ishte shëmtuar keqas nga kompraçikosët, ishte shndërruar në përbindësh, ndërsa Dea e verbër kishte humbur shikimin natën e ftohtë me dëborë. Fëmijët rriten, bëhen aktorë cirku dhe i lidh një ndjenjë e fortë dashurie e adhurimi për njëri-tjetrin. Të dy këto personazhe janë mishërim i vetive pozitive që karakterizojnë njerëzit e popullit, si: pastërtia morale, pasuria shpirtërore, aftësia për të dashuruar dhe vetëmohimi. Por, klouni tragjik, Guinpleni, s’ishte veçse për të argëtuar njerëzit. Lordi David, përfitues i trashëgimisë së lordit Linej Klençarl, trashëgimtari i ligjshëm i të cilit, siç mësohet më vonë, ishte vetë Guinpleni, e merr Guinplenin për t’i hequr mërzinë së fejuarës së vet, dukeshës Xhoziana. Guinpleni, pasi kalon jo pak peripeci në jetën e tij, kthehet te Ursusi e Dea, por fundi i të rinjve është tragjik. Megjithatë, kjo mbyllje e romanit nuk i zbeh tonet optimiste të veprës: për Hygoin, drejtësia morale është me të shtypurin.
Arti i Hygoit
Të entuziazmuar nga Revolucioni Francez, shkrimtarët francezë e më gjerë, nisën të kërkojnë rrugë të reja për të shprehur realitetin në ndryshim. Klasicizmi e kreu misionin e vet, Revolucioni kishte nevojë për një tjetër lloj letërsie. Kjo lloj letërie e re qe romantizmi dhe i pari që iu përkushtua asaj qe Hygoi. Hygoi vëren se në qendër të jetës së njeriut zë vend meditimi shpirtëror dhe dialogu i brendshëm. Në përputhje me këtë Hygoi këmbëngul që letërsia të bëhet pasqyrë e njerëzores, e tillë që ta ngrejë njeriun nga bataku i vesit në lartësinë e virtytit. Kjo e çoi Hygoin te kontrastet e fuqishme, që shkrijnë në një të vetme tragjiken me komiken, të bukurën me të shëmtuarën, sublimen me grotesken. Hygoi afirmoi artin e ri, duke rrëzuar kanunet e klasicizmit, traditën mbi dyshekullore të tij. Ai ngriti në kult ndjenjën e fantazinë kundrejt arsyes. Ai mori si model jo autorët antikë, por ato vendas ose dhe të huaj që e kishin përtërirë letërsinë me forma të reja. Hygoi e nxori letërsinë nga sallonet e ngushta aristokratike dhe e bëri pronë shpirtërore të mbarë njerëzimit. Si artist, Hygoi mund të cilësohet mjeshtër i tablosë së plotë, të gjerë e madhështore, por, gjithashtu, edhe mjeshtër i miniaturës e detajit të hollë. Me penelata të fuqishme na jep ngjarje e përshkrime, ashtu siç ndalon dhe në imtësitë më të vogla të personazheve, në zakonet e jetën e tyre. Dhe të gjitha këto, përmes një gjuhe të thjeshtë, të qartë, të pasur dhe të larmishme.