Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara

Mësimi me video

Mësimi 7.2 Honore de Balzak

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 7.2

Honore dë Balzak

Balzaku lindi në Tur të Francës në qershor të 1799-ës. Ky vit shënon dhe fillimin e perandorisë së Napoleonit, perandorit që do të shërbejë si shembull për shkrimtarin e ardhshëm. Te djaloshi Honore ky shembull lindi instiktin për të dashur të gjithën, për të mos u kënaqur me të pjesshmen. Balzaku nis të shkruajë duke lakmuar titullin më të lartë, kurorën perandorake, njësoj si Napoleoni: Atë çka ai nuk arriti ta përfundojë me anë të shpatës, unë do ta plotësoj me anë të penës. (Ce qu’il n’a pu achiever par l’épé, je l’accomplirai par la plume.), – është ambicia e tij. Merr diplomën e fakultetit të drejtësisë, por shpejt lë zyrën e noterit dhe aktet e pluhurosura, ngre krye kundër vullnetit të prindërve duke u thënë që nuk do të bëhet as avokat, as noter, as gjyqtar. Ka vendosur të bëhet shkrimtar. Për gati 10 vjet shkruan një dramë e 30 romane që janë dështime të njëpasnjëshme. Falë vullnetit e këmbënguljes së tij Balzaku nuk dorëzohet. Në të gjitha periudhat e jetës sime vullneti im i ka mundur të gjitha fatkeqësitë, – pohon ai. Më 1829-ën, Balzaku boton romanin historik realist “Shuanët”, me të cilin fillon të bëhet i njohur në rrethet letrare. Shkruan në vazhdim disa tregime e novela dhe lavdia e shumëpritur do t’i vijë më 1831-in, me romanin “Lëkura prej shagrini”. Në këtë kohë Balzakut i lindi ideja për bashkimin e veprave të tij në një cikël të madh të vetëm, që më vonë do ta quajë “Komedia njerëzore”.

Ideja për rolin shkatërrues të parasë, e hedhur që te “Gobseku” e që do të bëhet dhe tema qendrore e tërë veprave të tjera të mëvonshme të “Komedisë njerëzore”, do të zhvillohet më tej në romanin “Evgjeni Grande”. Paraja është forca lëvizëse e jetës shoqërore, mjeti për të arritur qëllimin. Balzaku tregon me guxim se si paraja ka depërtuar në ndjesitë më fisnike, më të holla dhe më shpirtërore të njerëzve. Gjithë personazhet e tij bëjnë llogari. Provincialët e tij, që vijnë në Paris, menjëherë mësojnë se sa kushton një vizitë në shoqëri, një petk elegant ose një palë këpucë të lustruara. Ata njohin fatkeqësinë e të qenit i përçmuar për një jelek të dalë mode dhe mësojnë se vetëm paraja mund t’u hapë dyert.

Më 1834-ën shkruan “Xha Gorioi”, më pas “Madhështia dhe rënia e Cezar Birotos”, “Iluzionet e humbura”, “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”, “Kushërira Betë”, “Kushëriri Pons” etj. “Komedia njerëzore” është titulli i përbashkët që u vuri Balzaku romaneve që botoi në vitet 1830 – 1850. Ajo ndahet në tri seri të mëdha. Seria e parë, e titulluar Studime për zakonet, është seria më e rëndësishme dhe përmbledh pjesën më të madhe të veprave ndarë në gjashtë cikle: skena të jetës private, të jetës provinciale, të jetës pariziane, të jetës politike, të jetës ushtarake, të jetës fshatare. Seria e dytë është titulluar Studime filozofike, ndërsa seria e tretë, Studime analitike. Balzaku arriti të shkruajë 97 romane e novela të mëdha, nga 143 që mendonte të shkruante. Ndër më të shquarat janë: “Fajdexhiu Gobsek”, “Evgjeni Grande”, “Iluzionet e humbura”, “Xha Gorioi”, “Fshatarët”, “Kushërira Betë” etj. Titulli i “Komedisë njerëzore” duket se lidhet me veprën gjeniale të Dante Aligerit, “Komedia hyjnore”, por ndryshe nga ajo, Balzaku krijon vetëm një tablo të gjerë të veseve, pasioneve dhe fatkeqësive të shoqërisë së kohës, një tablo rrënqethëse realiste vetëm të Ferrit. Protagonistët e “Komedisë njerëzore” janë të zotëruar nga një pasion i fortë, i papërmbajtur, që bëhet shkak i të gjitha veprimeve. Ky pasion ngrihet mbi çdo ndjenjë, shkakton rrënimin e jetës së individit ose të tërë familjes, aq sa i shpie shpesh ata vetë në shëmtime e krime. Të tilla janë kopracia e Grandesë, dashuria atërore e Gorioit etj.

“Iluzionet e humbura”
Romani “Iluzionet e humbura” është konsideruar nga autori si pjesa e dytë e një trilogjie që fillon me “Xha Gorioin” dhe mbaron me “Shkëlqimin dhe rënien e kurtizaneve”. “Iluzionet e humbura” është tabloja e gjerë përgjithësuese e realitetit francez në vitet 20-30 të shekullit XIX dhe analiza më e thellë dhe më e pamëshirshme që Balzaku i bën vetes. Duke krijuar dy figura, Lysien dë Rybamrpenë dhe Daniel d’Artezin, Balzaku tregon se çfarë mund të bëhet një shkrimtar i rreptë dhe besnik ndaj vetes e veprës së tij ose si i vete filli atij kur bie në ngasje pas lavdisë së shpejtë e të pamerituar. Lysien dë Rybamrpeja është mishërim i gjithçkaje të rrezikshme për Balzakun, Daniel d’Artezi është ideali i tij më i fshehtë. Balzaku e di dyzimin e natyrës së vet. Ai e di se tek ai përfshihet poeti me ndërgjegje krijuese që synon maja të larta, që s’bën asnjë lëshim, që hedh poshtë çdo kompromis dhe mbetet krejt vetëm në mes të shoqërisë; por ai njeh dhe natyrën e vet të dytë: qejflinë, skllavin e parasë, që jepet pas sqimës meskine e s’u bën dot ballë tundimeve të luksit. Lysien dë Rybamrpeja vjen në Paris si idealist me një vëllim vjershash e me shpresën që të çajë udhën me talentin e vet. Një fat i mirë e çon në një rreth të rinjsh, të cilët, si studentë të varfër, janë të gatshëm për çdo sakrificë që të arrijnë misionin e tyre dhe të bëjnë pjesë në elitën e Francës. Lysienin e pranojnë në rrethin e këtyre të rinjve. Ai, në vend t’i qëndrojë besnik fisnikërisë së shpirtit të shokëve të vet, kërkon sukses të shpejtë, do para, adhurim, dashurinë e grave dhe, meqë me vjershat nuk mund të fitojë kaq, i shitet gazetarisë. Shkruan shkel e shko, shpejt, bëhet një me veglat e opinionit publik. “Iluzionet e humbura” është një vepër plot krenari e revoltë, një vepër që përcjell mesazhin e madh: mos e poshtëro veten nga padurimi e lakmia, por qëndro i fortë.

“Evgjeni Grande”
Romani “Evgjeni Grande” zë një vend të veçantë në tërë krijimtarinë letrare të Balzakut. Temë e romanit bëhet forca shkatërruese e parasë në shoqërinë e kohës. Plaku Grande, figura qendrore e romanit, është kopraci tipik me një karrierë të gjatë si grumbullues parash. I nisur pothuajse nga hiçi, ky fshatar vozaxhi di të fitojë me të gjitha mënyrat e grabitjes. Megjithatë, ai jeton në një shtëpi të vjetër, të errët e të ftohtë, me shkallë të kalbura e mobilje të vjetra. Shpenzimet që i lejon vetes dhe familjarëve të tij janë shumë të pakta. Për këtë arsye, kur zbulon gjestin human të Evgjenisë, shtyrë nga dashuria që ajo ka për Karlin, plaku Grande e dënon aq ashpër të bijën, sa zonja Grande sëmuret dhe vdes nga dëshpërimi. Edhe kjo skenë bëhet e volitshme për plakun Grande: ai përfiton nga hidhërimi i së bijës dhe e bën Evgjeninë të heqë dorë nga trashëgimia që përfitonte nga e ëma. Pas vdekjes së plakut, Evgjenia trashëgon gjithçka, por ajo ruan të njëjtat shprehi kursimi e kopracie që i ka marrë që në fëmijëri. Dëshira e zjarrtë e jetës, energjitë, ëndrrat e dëshirat duket se kanë shteruar.

“Fajdexhiu Gobsek”
“Fajdexhiu Gobsek” jep idenë e rolit të parasë në jetën shoqërore. Fajdexhiu Gobsek ka vetëm një qëllim, ka vetëm një pasion: të fitojë para. Figura e Gobsekut është reale dhe tipike, ana themelore e tij është etja për të grumbulluar pasuri. Kjo anë errëson të gjitha anët e tjera të karakterit të tij. Balzaku edhe këtë hero të veprës së tij e jep në zhvillim. Forca e Gobsekut, e këtij grumbulluesi të pangopur parash, shndërrohet në dobësi të tij, e shpie atë në çmenduri, në humbje të fuqive morale, në marrëzi, ku pasioni shkatërron bartësin e vet.

Rëndësia dhe arti i Balzakut
Balzaku është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të mbarë letërsisë franceze dhe përfaqësuesi më i shquar i realizmit europian. Balzaku është themeluesi i romanit social dhe është cilësuar “babai i romanit”. Përmes lëvrimit të këtij lloji letrar Balzaku hap një rrugë të re që do të ndiqet nga romancierët e tjerë në mbarë botën. Balzaku është një artist i madh e novator i guximshëm. Ai e bëri romanin francez një pasqyrë të vërtetë të realitetit me tërë problematikat e tij, një enciklopedi të jetës franceze të kohës. Balzaku është njësoj i përkushtuar, si për të sjellë vlera e virtyte, po aq edhe vese e cene njerëzore.

Balzaku është i pari shkrimtar që shtjelloi idenë se rritja e rolit të parasë në jetën shoqërore tjetërson individin, kushtëzon sjellje e zakone, sjell ndryshime rrënjësore edhe në psikologjinë njerëzore. Balzaku zbulon të fshehtat e mjediseve të mbyllura. Të panumërta janë ndodhitë që na sjell me veprën e tij, i pamasë peizazhi që shërben si sfond, dy-tri mijë numri i personazheve që veprojnë. Heronjtë e Balzakut lakmojnë të pushtojnë botën. Ata kanë lakmi të madhe, dëshirojnë gjithçka, ashtu si ai vetë. Personazhet e tij janë gjithmonë tipa, shembuj karakteristikë të një shumice së cilës një vullnet i fuqishëm artistik i ka hequr gjithçka që është e dorës së dytë ose e tepërt. Balzaku ka përshkruar monomaniakë, hommes a passion që e kuptojnë botën në një simbol të vetëm. Këta fanatikë të një feje vetjake, nuk shikojnë as djathtas, as majtas. Pasioni i tyre jo vetëm u thith atyre tërë energjitë, por edhe shkatërron të tjerët rreth e qark, ua merr atyre oksigjenin. Në këtë mori personazhesh, secili ka historinë e vet, që nuk përsëritet te të tjerët. Nga ana tjetër, të gjitha personazhet kanë një zë të përbashkët: ndeshen me paranë ose, më mirë, ndeshen me një shoqëri “kapitaliste”, ku çdo gjë “shitet” e “blihet”; ku “njerëzimi nuk ka veçse dy tipa njerëzish: mashtruesin dhe të mashtruarin”, siç thotë vetë Balzaku në parthënien e “Komedisë njerëzore”. Romanet e Balzakut e marrin fuqinë që kanë nga fakti se kurrgjë nuk paraqitet e shkëputur; personazhet jetojnë në kuadrin e shtëpisë, të rrugës e të qytetit të tyre; kanë miqtë, shokët, familjen, farefisin dhe armiqtë e tyre. Zhbirimet e thella psikologjike, sentencat morale, përshkrimet e detajuara (stili proliks), shumë realiste ose konflikti intrigues i lënë vendin njëri-tjetrit në veprën balzakiane. Struktura është shumëfunksionale, në shumë linja paralele, tema e ide që rimerren dhe personazhe që shfaqen dhe rishfaqen. Balzaku është mjeshtër i dhënies së dramacitetit, tensioni në vepër rritet nga një përshkallëzim logjik ngjarjesh gjer në arritjen e kulminacionit dhe gjithçka shkon shpejt drejt fundit.