Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 1.2
TEORIA E LETËRSISË
Zhvillimi historik i gjinisë lirike
Gjinia lirike Veçoritë dhe llojet e saj
Në krijimet lirike autori nuk përqëndrohet në atë që ndodh, por përshkruan jehonën, mbresat, gjendjen shpirtërore, mendimet e ndjenjat që i shkakton jeta rreth tij. Lirika lindi dhe u zhvillua nga poezia antike greke-romake midis shekujve VII dhe V para erës sonë. Përfaqësuesit më të shquar të lirikës greke qenë Alkeu, Anakreonti, Safo, Pindari etj.. Disa nga llojet më të lëvruara prej tyre ishin odeja1, himni dhe elegjia. Poetët remake, duke ndjekur modelet greke, e çuan përpara lirikën. Horaci shkroi ode, Katuli, Tibuli dhe Ovidi shkruan elegji dhe Marciali epigrame2. Në mesjetë u krijuan këngët religjioze (fetare) dhe laike, por në të njëjtën kohë lindën edhe lloje të ndryshme të këngëve didaktike, si dhe këngët politike-satirike, të cilat këndoheshin ose recitoheshin. Gjatë Rilindjes Europiane qendër e zhvillimit të poezisë lirike u bë Italia. Në poezinë lirike të Rilindjes u shfaqën disa forma të reja poetike si soneti apo madrigali3 që u lëvruan nga autorë të shquar si Dantja, Petrarka. Zhvillimi i mëvonshëm i lirikës në të gjitha vendet europiane nuk solli ndonjë formë të re të qëndrueshme, por vetëm zgjerimin e tematikës dhe krijimin e formave të larmishme të shprehjes lirike.
Kujtojmë:
Himni është një këngë e lashtë që i thur lavde perëndive apo heronjve legjendarë. Karakterizohet nga toni madhështor dhe ritmi solemn. Ndër himnet më të njohur në letërsinë shqipe është Himni i flamurit i Asdrenit.
Elegjia është një poezi e shkurtër lirike që shpreh dhembjen dhe trishtimin për humbjen e njeriut të dashur. Mjaft të njohura në letërsinë shqipe janë elegjitë Shpella e Dragobisë e Syrgjyn vdekur, të Fan Nolit apo Vajet e Çajupit.
Soneti apo tingëllima është një lloj i shkurtër lirik. Ndërtohet nga 14 vargje të ndara në katër strofa, dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tri vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme. Soneti në letërsinë europiane është përhapur pas suksesit të veprës Canzoniere të Françesko Petrarkës. Në poezinë shqipe soneti është lëvruar gjatë Rilindjes nga autorë si L. De Martino, Ndre Mjeda, Zef Serembe, Ernest Koliqi.
Lirika moderne
Termi lirikë moderne përfshin poezinë e shkruar në Francë e në gjithë Europën në dekadat e fundit të shekullit XIX. Pararendës i saj është poeti Sharl Bodler, i ndjekur më pas nga Vërlen, Rembo, Malarme etj. Këta poetë, që u quajtën simbolistë, e interpretojnë botën si një tërësi simbolesh. Sipas tyre, e vërteta nuk është ajo që duket, ajo duhet kërkuar përtej aspektit real të gjërave, pasi çdo gjë që na rrethon ka një kuptim të fshehur, si simbol. Roli i ri i poetit është ai i zbulimit të së panjohurës dhe misterit që e rrethon realitetin.
Në fillim të shekullit XX poezia njohu zhvillim më të hovshëm se proza dhe drama. Ndikimi i simbolizmit ishte tipari më i dallueshëm i poezisë në atë kohë. Ndikimi i simbolizmit kishte rrokur Europën dhe Amerikën. Bashkë me të vazhdonte ndikimin e vet dadaizmi, rrymë kjo që shprehu me forcë në poezi revoltën ndaj degradimit moral e politik të Europës dhe që u kryesua nga Tristan Cara. Por, nga mesi i viteve ’20, dadaizmi vjen duke rënë dhe një lëvizje e re, e fuqishme kishte nisur udhën e saj. U quajt surealizëm dhe pati përfaqësues poetët francezë Andre Breton, Lui Aragon e Pol Elyar. Surealistët priren nga “mbirealiteti” ose realiteti i ri dhe protestojnë kundër shtypjes fizike dhe shpirtërore të individit. Në veprat e tyre u shkrinë aq natyrshëm poezia me pikturën. Më pas, poezia italiane themelon një rrymë të re moderne, që merr emrin hermetizëm. Poetët hermetikë përsosin formën artistike deri në atë shkallë sa me një minimum vargjesh të synojnë thelbin e gjërave. Poezia e tyre është tepër intelektuale, e vështirë për t’u kuptuar nga një lexues i gjerë, por kjo nuk i shqetëson aspak hermetikët. Hermetikët lëvruan vetëm lirikën. Përfaqësues të hermetizmit është treshja italiane: Xh. Ungareti, E. Montale dhe S.Kuazimodo. Në tërë shekullin XX u ndie fuqishëm ndikimi i simbolizmit, surealizmit dhe hermetizmit. Vetëm kështu mund të kuptohet bukuria dhe forca e poezisë së R. Rilke, E. Paund, T. Eliot, O. Paz etj..
Dukuri tjetër që u shfaq në poezinë botërore në gjysmën e dytë të shekullit XX qe eksperimentimi me poezinë, duke u shkëputur nga arritjet më të mira të saj. Në Rusi dhe në shumë vende të Europës Lindore poezia u zhvillua nën kornizat e realizmit socialist. Nga fundi i shekullit XX, në këto vende u shfaq poezia disidente, poezi që shprehte revoltën e fuqishme ndaj diktaturës komuniste dhe mungesës së lirisë së shprehjes e tjetërsimit të njeriut në shoqërinë socialiste. Lirika moderne shqiptare i ka fillimet që nga Asdreni, por fuqishëm ajo u shfaq në vitet ’30 me poetët e mëdhenj Lasgush Poradeci e Migjeni. Pavarësisht nga kufizimet që solli socrealizmi, në vitet ’60 të shekullit XX në letërsinë tonë u shfaqën poetë të shquar si: I. Kadare, D. Agolli, F. Arapi, Xh. Spahiu dhe në poezinë kosovare: A. Podrimja, A. Shkreli, A. Vinca, etj.. Po në këto vite një zë i fuqishëm jashtë trojeve tona u bë M. Camaj, krijimtaria e të cilit rrok dhe hermetizmin. Pas viteve ’90 poezia shqipe njeh pena të shquara si F. Rreshpja, V. Zhiti etj.
Shënime shpjeguese
1. Vjershë e shkurtër lirike, që i këndohet dikujt që ka kryer një vepër të lavdërueshme.
2. Vjershë e shkurtër satirike që vë në lojë një person.
3. Lloj lirik erotik, i shkruar në vargje dhe në fillimet e tij i kënduar.
Katër këshilla vetes
Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.
Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.
N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.
Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.
(Azem Shkreli)