Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 8.2
REALIZMI
Analizë “Zonja Bovari”
Nëse nga krijimtaria e Floberit “Tundimi i Shën Antonit” mbahet vepra e gjithë jetës së tij, “Zonja Bovari” mbetet romani më i suksesshëm dhe më i studiuar i tij. Floberi i hyri temës që trajton në këtë kryevepër (“Zonja Bovari”), krejt rastësisht, duke ndjekur një sugjerim të bërë nga miku i tij, Buile, i cili i propozoi Floberit të shkruante historinë e Delaneit, një nëpunësi shëndetësor, nxënës i të atit të Floberit, jeta e të cilit ishte tepër e ngjashme me atë të Sharl Bovarisë, protagonist i romanit. Përpara se ta botonte në gjashtë numra të një periodiku letrar, “Revista e Parisit”, nga data 1 tetor deri në 15 dhjetor 1856, Floberi i kushtoi “Zonjës Bovari” disa vjet pune të jashtzakonshme, shkroi mbi një mijë e tetëqind faqe, për të nxjerrë rreth treqind-katërqind përfundimtare. Mirëpo sa dolën në dritë pjesët e para të romanit, shpërtheu një skandal publik që e çoi në një proces gjyqësor, i cili e uli autorin në bankën e të pandehurve. Për Floberin, arti është i shenjtë, asnjë kompromis nuk do ishte i vlefshëm. “Nëse romani im i pezmaton borgjezët, aq më bën, edhe që po më hedhin në gjyq, aq më bën; edhe po ta mbyllin “Revistën e Parisit”, aq më bën; më mirë mos ta kishit pranuar “Bovarinë”; tani që e morët, s’dua t’ia di; do ta botoni ashtu siç është.”- thotë Floberi në përgjigje të ndërhyrjeve. Dhe gjithë kjo zhurmë e bërë në atë kohë, jo vetëm që nuk ia arriti qëllimit të saj për ta ndaluar veprën, por i ndolli “Zonjës Bovari” një sukses të mahnitshëm, ashtu siç e meritonte.
Në historinë botërore të letrave, ky roman mbahet si perlë më vete, sepse autori i tij ka meritën e paarritshme, që edhe pse u nis nga një histori e zakonshme, ia fshiu asaj me mjeshtëri të pashoqe anën e rëndomtë. Ai nxjerr në pah dramën e brendshme të njeriut, të çdo kohe, krizën shpirtërore të tij. Floberi që adhuronte Balzakun, do t’i shtonte veprës së Balzakut, atë që i mungonte; formën e përkryer, kompozicionin e përpiktë. Romani “Zonja Bovari” është roman realist. Realiteti i tij ka një bazë të vërtetë e të dokumentuar, asgjë nuk vjen e sajuar prej tij. Ai i sjell natyralisht personazhet e tij; ata nuk janë as të mirë e as të këqij, por janë njerëz në kuptimin e plotë të fjalës. Autori nuk dënon moralisht Emën; ai përmbahet para fajësimit të saj për tradhti bashkëshortore, gjykim që nxiti skandalin në kohën e Floberit, pasi ai më tepër se për tradhtinë, shqetësohej për gruan e pakënaqur e të pafat. Ema ishte viktimë e ëndrrave të veta, e gjendjes së saj shpirtërore që nuk arrinte të gjente në atë mjedis provincial hapësirat që dëshiron. Faji i vetëm i saj është ëndërrimi pa fund dhe shkëputja nga realiteti që e vë përposh. Ajo kërkon të jetë e lumtur, duke bërë zgjedhje të gabuara. Ajo zgjedh të imitojë personazhet e librave të saj dhe e kërkon lumturinë në mënyrë të gabuar. Me temën që trajton, Floberi na sjell pranë kohën e vet, duke i bërë asaj autopsinë.
Subjekti i veprës
Sharl Bovari, një shkollar i rëndomtë, që nuk shquhej në asnjë fushë, studion për mjekësi. Me ndërhyrjet e pareshtura të së ëmës, i tërhequr prej udhëzimeve të saj, martohet me një vejushë, më të madhe në moshë, për të krijuar “një jetë të qetë me kushte të mira ekonomike”. Pas vdekjes së gruas së parë, Sharli martohet me Emën, vajzën e një fermeri. Kjo martesë e përmbush atë, aq sa ai mendon se s’ka ç’të kërkojë më shumë nga jeta. Përkundër Sharlit, bashkëshortit, Ema-bashkëshorte, e bukur dhe romantike ndien se pasioni, dashuria, lumturia nuk i buzëqeshën me atë martesë. Sharli për Emën ishte prozaik; në sjelljen e tij ajo nuk shquante asgjë poetike. Vërshimi i ndjenjave dashurore të Sharlit i nënshtrohej një farë rregulli të ngurtë, aq sa edhe puthja kishte kohën e saj të caktuar. Fillon të mërzitet nga jeta monotone e provincës (në Tot) dhe kupton që burri i saj nuk ishte burri i ëndrrave. Ftesa nga markezi i Andervilierit në Vobisar, i solli ndryshim jo të vogël në atë monotoni. Atje kaloi një mbrëmje të këndshme, saqë ditë të tëra më tej u përhumb duke menduar dhe kujtuar kënaqësinë që i fali ajo ballo. Pas kësaj balloje, jeta e saj iu kthye rutinës acaruese, çdo ditë të njëjtat gjëra. Kjo e bëri keq e më keq Emën sa të mos kujdesej më as për shtëpine e as për veten. Vendosën të shpërngulen diku, ku klima mund t’i bënte më mirë nervave të saj. Kur u largua nga Toti, zonja Bovari ishte shtatzënë.
Fshati i ri Jonvil, tetë lega larg Ruanit, ishte fshat i madh. Në qendër të tij binte në sy farmacia e zotit Ome. Familja Bovari do të pritej ditën e parë në Jonvil, në hanin e zonjës Lëfransua, han të cilin e frekuentonte edhe zoti Leon Dypui, një djalosh flokëverdhë, i cili punonte si sekretar pranë zotit Gijomen. Dhe pse mjedisi i ri nuk ishte aspak mbresëlënës, Ema, shpreson që kjo lëvizje e ky ndryshim në jetën e saj t’i bënte mirë. Mirëpo gjendja ekonomike, pas shpenzimeve të bëra gjatë dy viteve, nuk ishte aspak premtuese. Ishte kjo arsyeja që s’e lejonte Emën t’i gëzohej ardhjes së fëmijës së saj, që ia trondiste ëndërrimin “për ndonjë djep si varkë me perde të mëndafshta ngjyrë trëndafili, përgatitje që e shtojnë dhembshurinë e nënave”. Ëndërronte të ishte djalë, pasi djali të paktën është i lirë, të shëtisë nëpër vende të ndryshme e të shijojë lumturinë e paarritshme. Por lindja e vajzës, rrëkëlleu tatëpjetë ëndrrat e saj. Ia vuri emrin Berta dhe ia dorëzoi gruas së zdrukthëtarit ta mbante me gji. Jeta në fshat rrotullohej në takimet e drekat sa në shtëpinë Bovari aq dhe në atë të farmacistit. Në këto takime, Ema dhe Leoni krijuan një lloj lidhjeje ortakërie, përmes shkëmbimit të vazhdueshëm të librave dhe romancave. Zoti Bovari aspak xheloz, nuk vërente asgjë. Për Emën, kjo lidhje mori trajtën e dashurisë. Dashuria e Emës për Leonin rritej çdo ditë, edhe pse ajo përpiqej t’ia fshihte vetes: “Jam grua e virtytshme unë”. Po gjithë kjo qëndresë që i bënte ndjenjave të saj, e torturonin dhe e bënin të vuante. Askush nuk e ndihmonte dot, as Sharli, as rrëfimi i priftit; të gjithë ishin të verbër ndaj vuajtjes së saj. Për vajzën nuk kujdesej si duhej. Jetonte si në delir. Leoni vendos të largohet për në Paris për të mbyllur studimet e tij. Largimi i tij i rikthen Emës atë gjendje që kaloi, pasi u kthye nga Vobisari; ndjente po atë melankoli e dëshpërim të mpirë. E quante veten fatzezë dhe meqë kishte sakrifikuar shumë nga vetja, filloi të shpenzonte e të plotësonte disa teka, të hidhej në lexime librash, që i merrte e i linte duke kaluar në të tjerë. I binte shpesh të fikët dhe nuk kujdesej për shëndetin e saj. Sharli me të ëmën menduan ta shkëpusin nga leximi i librave.
Po në jetën e saj hapet një tjetër kapitull. Ardhja e Rudolf Bulanzhesë në zyrën e Sharlit, ndryshon gjendjen. Atij i bie menjëherë në sy bukuria e gruas së mjekut: “Qenka shumë e pashme gruaja e mjekut! Dhëmbët xixë, sytë pis të zinj, këmbët e bukura, dhe një trup të zhdërvjellët si pariziane. Nga dreqin të jetë vallë? Po ai trashaluq ku e ka psonisur xhanëm?”. Dhe nisi të analizojë gjendjen e saj, për të kuptuar a ishte apo jo e gatshme ajo për t’u hedhur në krahët e tij. Me nuhatjen e një Don Zhuani, ai u hodh në sulm dhe e bëri Emën për vete shumë shpejt. Ema ndërkohë lumturohet që më në fund do përjetojë dashurinë, ethet e lumturisë. Historia e tyre me ikje e ardhje të fshehta u bë shqetësuese për Rudolfin, pasi e shikonte që Ema nuk i druhej shumë syve të njerëzve, e verbuar nga ndjenjat. Thellë, në ndërgjegjen e saj ajo kërkonte të kthehej nga familja, bënte përpjekje të kujdesej për vajzën, dëshironte ta shihte Sharlin si burrin e saj të denjë, por nuk ia dilte mbanë. Shpenzonte para pa menduar për gjendjen e rënduar financiare të familjes. Sharli nuk guxonte t’i bënte as vërejtjen më të vogël. Sjellja e Emës ishte tjetërsuar. Ishte bërë e pacipë, fliste me zë të lartë, kundërshtonte dhe ëndërronte të largohej me Rudolfin për të nisur bashkë një jetë të re. Po ëndrrat e Emës mbetën veçse ëndrra. Rudolfi u zhduk pa lënë gjurmë, ndërsa Ema ra sërish e sëmurë, në një gjendje tepër të mjeruar. Sharli vinte vërdallë gjatë gjithë kohës, tepër i shqetësuar për gjendjen e Emës. Kur u bë më mirë, ajo iu kushtua bamirësive e bënte përpjekje të ndihmonte të varfërit, por dhe kjo nuk ia solli gjallërinë. Sharli përpiqej si e si ta qetësonte e ta bënte të lumtur gruan e tij, edhe pse borxhet rriteshin e të ardhurat zvogëloheshin. Shkuan edhe në Ruan, të shohin një shfaqje teatrale. Atje ndodhi e paparashikuara: ritakimi me Leonin dhe kështu rizgjohen ndjenjat e dikurshme. Ema gjente arsye të ndryshme për të shkuar në Ruan të takonte Leonin. Gënjeshtrat tani për Emën ishin bërë nevojë, mani, kënaqësi. Borxhet ndaj Lëreit, tregtarit mashtrues, rriten dhe familja vë në rrezik gjithçka që kishte. E dëshpëruar kërkon borxh te Leoni, te noteri e te Rodolfi, por asnjëri nuk iu përgjigj kërkesës së saj. E më pas s’mbetet asgjë veç fundit tragjik të saj. Në kulmin e dëshpërimit e mungesës së rrugëdaljes, Ema vetëvritet. Pak pas saj, Sharli vdes i dërrmuar nga humbja e Emës. Kështu mbyllet “historia” e familjes Bovari. Subjekti i veprës është i thjeshtë, i zakontë dhe i denjë për thashetheme. Në të nuk përshkruhet veprimi, por gjendjet. Ky lloj subjekti i ngjizur quhet subjekt psikologjik, sepse gjithçka ndodh, zhvendoset brenda personazhit.
Personazhet e veprës
Ema, vajza e një fermeri, nga Berto-ja, kishte humbur të ëmën dhe jetonte vetëm më të atin, zotin Ruo. Sytë i kishte të gështenjtë, por që dukeshin edhe më të errët nga qerpikët. Kishte një vështrim të drejtpërdrejtë e të patutur në çiltërsinë e tij. Që në moshën 13 vjeçare, e dërguan të studionte te murgeshat. E mbyllur që shpejt në një kolegj, ajo e njohu botën përmes librave. Në zymtësinë e manastirit lindën e u rritën ëndrrat e saj, ëndrra të provokuara nga romanet romantike e sentimentale. Mund ta imagjinojmë gjithnjë të mbështetur me bërryla te parvazi i dritares, të mbyllur në dhomën e saj duke lexuar e ëndërruar mbi historitë e librave. Ëndërronte që, me të dalë nga manastiri, do të takonte “princin e kaltër”, të shumëndërruarin që do t’i falte dashurinë e zjarrtë e do t’ia bënte jetën të bukur, të ëmbël siç e përfytyronte.
Deri 15 vjeç, Ema mori mbarë gjithë librat e sallave të vjetra të leximit. Ato i zgjuan ëndrrën se mund të jetonte si zonjat e librave në ndonjë kështjellë. Pas kolegjit, kthimi në shtëpi nuk e bëri të ndjehej më mirë. Ndiente neveri për jetën e fshatit, ishte e zhgënjyer, pasi nuk kishte më ç’të mësonte e të ndiente. Ardhja e Sharlit në jetën e saj e bëri të mendonte se ai pasion i mrekullueshëm që kërkonte e që mund ta bënte të lumtur, nuk i mungonte. Ëndërronte të shëtiste në vende me emra kumbues, hipur në ndonjë karrocë me perde mëndafshi të kaltër, nën perëndimin e diellit, me erën e këndshme të limonave në breg të gjirit të detit, kapur dorë për dore me të dashurin e saj, duke bërë plane për të ardhmen. Martesa me Sharlin i dha hov ëndrrave të saj. Që në ditët e para, në shtëpinë e re filloi të realizojë përmes objekteve brenda e jashtë shtëpisë, atë që aq shumë e kishte ëndërruar. Por megjithatë, akoma s’po kuptonte “tamam-tamam në jetë fjalët lumturi, pasion, dehje, që i ishin dukur aq të bukura nëpër libra”. Shumë shpejt u vel nga kjo jetë monotone dhe e kuptoi që Sharli nuk ishte dashuria e jetës së saj. Jeta mondane e festave dhe ballove e bënte të ëndërronte me syhapur, madje të ishte në Paris aty ku besonte se jeta ishte më e bukur. E zhgënjyer nga Sharli, ajo hidhet në krahët e dashnorëve Rodolf e Leon, të cilët, edhe këta, s’kishin asgjë të përbashkët me heronjtë romantikë të librave. Dhe kështu ëndrrat bëhen zhgjëndra. Jeta i krijoi asaj një boshllëk të madh, të cilin s’mund ta mbushë asgjë, veçse vesi. Ema është qenie delikate, e brishtë dhe e ndjeshme. Ajo bëhet viktimë e ëndrrës së saj dhe atij burgut shpirtëror që shkakton provinca tek të tillë njerëz. Ajo kërkon dashuri, ta japë e ta marrë dashurinë, e bindur se vetëm ajo e bën njeriun të jetojë. Dhe në këtë kërkim të saj ajo veçse zhgënjehet. Jeta e saj është ëndërro-zhgënjehu, ëndërro e prapë zhgënjehu, se ajo niset romantike e përfundon romantike, pa e pranuar realitetin vrasës. Kjo prirje e saj mori emrin bovarizëm.
Sharl Bovari, bashkëshorti i Emës, ishte një burrë thatanik e një njeri i sjellshëm. Nuk dallonte për ndonjë zgjuarsi të veçantë. Në shkollë kishte punuar plot zell, si ai kali që sillet në lëmë me sy mbyllur, pa kuptuar e pa parë se ç’bën. Ai s’kishte forca të merrte vendime në jetë. Për gjithçka komandonte e ëma. Autori e ironizon për ngathtësinë e ngadalësinë me të cilën i kryente detyrat, ose ndërtonte komunikimin me të tjerët. Bisedat e tij ishin “të rrafshta si trotuare rrugësh” dhe nuk të ngjallte asnjë emocion në ato që thoshte. Ishte njeri pa shumë interesa. Ai nuk bëhej kureshtar për ngjarje kulturore, nuk dinte të notonte, s’dinte kurrgjë e s’kishte dëshira për të bërë gjë, thjesht jetonte në atë plogështinë e tij të patrazuar. Përballë tij Ema vizatonte bukur, luante po aq bukur në piano, dinte të qeveriste punët e shtëpisë, u dërgonte të qëndisura bukur faturat të sëmurëve, gatuante shumë mirë, madje e zbukuronte tavolinën me shije. Sharli thjesht kënaqej që të tjerët e lëvdonin gruan e tij, pasi çmonte veten që kishte marrë një grua si ajo. Si mjek ai nuk shquhej për aftësi e zotësi të rrallë, por fshatarët e kishin përzemër, ngaqë ai nuk ishte fodull e mendjemadh. I paaftë në profesion, mediokër në dije, njeri për të ardhur keq në lidhje me kërkesat dhe dëshirat që kishte për jetën, Sharli e donte Emën sipas mënyrës së tij, por asnjëherë nuk e kuptoi.
Farmacisti Ome, është i vetmi farmacist i Jonvilit. Përfaqëson njeriun borgjez të provincës, me njohuri të cunguara dhe i verbër ndaj defekteve të tij. E quan veten modern, madje shkon më larg, mbahet për progresist, pse shkruan për gazetën. Nuk e vret ndërgjegjja për pakujdesinë me të cilën e administron farmacinë, madje edhe në çastet e fundit të Emës, në vend që ta detyrojë atë të vjellë helmin, grindet me priftin për “parime”.
Zoti Leon Dypui, një djalosh flokëverdhë, “miku i parë” i Emës, posa ajo erdhi në Jonvil. Kujdesej për pamjen e tij, por ndjehej i mërzitur me jetën që bënte në Jonvil. Me Emën ndajnë të njëjtat pasione për jetën dhe librat. I ndrojtur, largohet pa ia shprehur dot asaj ndjenjën që ushqen për të dhe shkon me studime në Paris. Një takim i dytë i tyre në Ruan pas disa viteve, rizgjon tek ai ndjenjën për të. Por jeta në Paris e ka ndryshuar. Ai s’mund t’i përgjigjet dashurisë së sinqertë të Emës.
Zoti Rudolf Bulanzhe, ishte pronari tridhjetë e katër vjeç i dy fermave që i punonte vetë. Njeri i ashpër dhe mendjemprehtë, kishte ndenjur me shumë femra dhe ua njihte mirë mendjen. I tërhequr nga pamja e jashtme e Emës, e bën atë që të dashurohet pas tij. Por kjo ndjenjë e fortë e saj, e frikëson dhe e bën t’i japë fund lidhjes, pa i dhënë asaj asnjë shpjegim, pa asnjë vrarje ndërgjegjeje. Ai qe një ndër përfaqësuesit e botës mashkullore që bëhen shkak të tragjedisë së Emës.
Zoti Lëre, tregtar mashtrues e matrapaz. Përfiton vazhdimisht nga nevojat e çiftit Bovari dhe e afron më shumë greminën ku do të bjerë Ema.
Përdorimi i ironisë
Kontrasti midis ëndrrave që ushqen Ema dhe realitetit që ia përmbys e shkatërron këto ëndrra, përbën burimin nga rrjedh ironia e hidhur që e përshkon tërë veprën. Ja disa shembuj të ironisë të përdorur në roman:
Shembull 1: Ironia qëndron në mefshtësinë e Sharlit për t’u thelluar në situatë, se asnjë burrë, pavarësisht nga qëllimi i mirë, nuk ia vë në dispozicion gruan një tjetri me duart e veta.
-Përse nuk e pranon propozimin e zotit Bulanzhe, që është me të vërtetë i shkëlqyer?!
Ajo vari turinjtë, u mundua të gjente gjithfarë justifikimesh, dhe më në fund tha se mbase kjo mund të dukej një gjë e çuditshme.
-Ah! As e çaj kokën nga ajo anë! – tha Sharli duke bërë një rrotullim rreth vetes mbi majën e një këmbe.
Shëndeti mbi të gjitha! E ke gabim!
-Eh! Po si thua ti, t’i hipi kalit, kur s’kam një kostum amazon.
-Të porosisim një! – iu përgjigj ai.
Me kostumin e amazonës, iu mbush mendja.
Kur ky ishte gati, Sharli i shkroi zotit Bulanzhe se e kishte të shoqen në dispozicionin e tij, dhe se kishte besim te dashamirësia e tij.
Shembull 2: Ironike është se si mbeti pa mend shërbëtorja për dashurinë që tregon Ema për vajzën e saj, ndërkohë që kjo gjë duhet të ishte një gjë normale për një nënë. Aq më tepër që asaj kjo përkujdesje i zgjati fare pak.
Ema, si vuri re se vajza i kishte majat e veshëve pak të pisët, i ra menjëherë ziles që t’i binin ujë të ngrohtë dhe e lau, i ndërroi çorapet, këpucët, s’la pyetje pa bërë për shëndetin, si të ishte kthyer nga ndonjë udhëtim dhe më në fund, pasi e puthi përsëri dhe u ngashërye paksa, e la në duart e shërbëtores, e cila ngeli pa mend, nga kjo dhembshuri e tepruar.
• Në dy shembujt e tjerë, gjejeni arsyen e përdorimit të ironisë.
Shembull 3: Përsa i përket kujtimit të Rudolfit, ajo e kishte fshehur në thellësi të zemrës, dhe ai qëndronte aty, më i madhërishëm e më i palëvizshëm se sa mumja e një mbreti në një galeri të nëndheshme.
Shembull 4: Sharli në shkollë punonte me zell të madh, si kali në lëmë që vjen vërdallë me sy mbyllur, pa marrë vesh se ç’bën.