Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 7.1
REALIZMI
Konteksti historik
Realizmi është rryma letrare që lulëzoi kryesisht në Europë në shekullin XIX. Kushtet shoqërore që e ndihmuan realizmin të shfaqet, qenë hovi i shpejtë i zhvillimit të industrisë, zhvillimi i shoqërisë kapitaliste dhe lëvizja punëtore. Ndërkohë, rol të rëndësishëm luajtën tradita letrare, aspekte të jetës intelektuale, individualitetet e krijuesve, orientimet e kritikës, prirjet e mendimit estetik. Franca ishte vendi ku kontradiktat kishin marrë formën më të mprehtë e më të qartë. Me këtë shpjegohet që realizmi gjeti në Francë terrenin më të përshtatshëm për lulëzimin e tij dhe mori trajtat e një rryme të caktuar letrare me parimet e veta artistike. Përfaqësuesi më i madh i kësaj rryme të re letrare në Francë dhe në tërë Eurpën Perëndimore u bë Balzaku.
Përhapja e realizmit
Pra, realizmi lindi jo rastësisht, por si prodhim i një zhvillimi shoqëror të veçantë dhe u përgatit nga një përvojë artistike e gjatë. Elemente të realizmit gjenden në letërsi para se realizmi të bëhet rrymë zotëruese. Të tilla elemente gjejmë në folklorin e popujve të ndryshëm, gjejmë në letërsinë klasike greke e latine. Kjo mund të thuhet edhe për tregimet “fablio’ në Mesjetë. Më vonë, në periudhën e Rilindjes, shfaqet hapur prirja realiste te Bokaçoja e Rabëleja, por sidomos te Servantesi e Shekspiri. Por realizmi, pasqyrimi në letërsi me vërtetësi i realitetit objektiv, i jetës dhe karaktereve njerëzore, ka gjetur terrenin më të përshtatshëm në shekullin XIX, kohë kur bëhet dhe rrymë letrare sunduese në Europë. Sigurisht, në vende të ndryshme realizmi pati veçoritë e veta dalluese, në përputhje me veçori të zhvillimit kombëtar.
Në Francë, realizmi mori përmbajtje më të mprehtë shoqërore. Bashkëveprimi i të gjithë faktorëve të kontekstit historik e bënë Francën vendin më të parë ku lulëzoi realizmi, duke nisur që nga vitet ’30 – ’40 të shekullit XIX. Përfaqësuesit kryesorë të tij ishin: Balzaku, Stendali, Mopasani etj. Në Angli, realizmi u përfaqësua nga Dikensi, Tekerejti etj. E veçanta e tij qëndron në faktin që realistët francezë zbusin konfliktet, përdorin humorin në vend të satirës dhe e vendosin individin në kërkimin e një foleje të ngrohtë familjare, me synimin për të arritur mirëqenie vetjake. Edhe në ShBA realizmi pati veçoritë e veta të zhvillimit. Ai u bë drejtim letrar në fundin e shekullit XIX. Përfaqësuesit më të shquar janë Xhek Londoni dhe Mark Tueni. Xhek Londoni mundi ta ngrejë artin realist në një shkallë më të lartë. Realizmi i Xhek Londonit ka një pikënisje të fuqishme romantike, e cila tregon besimin në forcat e pashtershme të masave, me të cilat ai e kishte lidhur krijimtarinë e tij. Në Rusi, realizmi u zhvillua në kushtet kur ende qëndronte më këmbë rendi feudal, ndonëse i dobësuar shumë. Realizmi nis në Rusi me “Eugjen Onjegin-in” e Pushkinit dhe u përfaqësua nga shkrimtarë të shquar, si: Gogoli, Turgenievi, Çehovi, Tolstoi e Dostojevski. Në Rusi realizmi erdhi duke u zhvilluar deri në fund të shekullit XIX dhe shënon kulmin e vet me krijimtarinë gjeniale të Leon Tolstoit dhe Fjodor Dostojevskit.
Në Shqipëri, për shkak të veçorive të zhvillimit kombëtar, realizmi lindi më vonë se në vendet e tjera, pikërisht aty nga fundi i Rilindjes sonë Kombëtare. Realizmi në vendin tonë mori një karakter të fuqishëm luftarak, fillimisht me karakter patriotik dhe demokratik, duke nisur me Çajupin, më pas me Asdrenin e Mjedën dhe më vonë mori karakter shoqëror, përmes thellimit në probleme të mprehta sociale.
Gjinitë letrare
Gjini mbizotëruese e realizmit bëhet proza me romanin, novelën e tregimin. Më vonë morën zhvillim edhe drama, epopeja, poema. Përmes këtyre gjinive letrare pasqyrohej jeta me gjerësinë e kontradiktat e saj. Pa dyshim, romani dhe romani-epope zë një vend të veçantë në tërë llojet e sipërpërmendura. Realistët priren nga krijimi i tablove të gjera të jetës. Arritje e tyre është krijimi i romaneve me tematikë e problematikë të gjerë shoqërore dhe analiza të thella psikologjike. Në këtë gjerësi jete ku shpalosen talentet e tyre krijuese, ata e kanë treguar veten largpamës, të guximshëm dhe gjenialë.
Parime dhe karakteristika të realizmit
Realizmi lindi si një kundërvënie ndaj romantizmit, rrymë e cila kishte mbizotëruar në letërsi dhe në art që nga fundi i shekullit XVIII. Ky drejtim letrar braktis lëndën ekzotike, emocionalizmin dhe dramat romantike dhe në vend të tyre portretizon njerëz të vërtetë dhe tipikë bashkëkohorë, situata me vërtetësi dhe saktësi të përpiktë, pa shmangur dhe aspekte të pakëndshme të jetës. Pikëpamjet e tyre estetike shkrimtarët realistë i kanë shprehur në artikujt teorikë e kritikë, e disa herë dhe në veprat letrare. Balzaku, Stendali, Dikensi, Tekerejti, Floberi, Tolstoi etj. vendosin lidhje të drejtpërdrejtë midis artit dhe botës reale. Ata e shohin botën si burim frymëzimi estetik e jo si objekt për riprodhimin mekanik të saj, e as si fushë për ushtrim formash origjinale artistike. Duke parafrazuar Balzakun, shkrimtarët realistë dëgjonin rrahjet e pulsit të epokës së tyre, ndienin sëmundjet e saj, vëzhgonin fizionominë e saj. Ata nuk iu nënshtruan rregullave formale, por atyre ligjeve të artit që janë të domosdoshme për krijimin e një vepre që synon ta paraqesë jetën me vërtetësi. Artisti i lindur e kupton se arti i vërtetë nuk mund t’u nënshtrohet tendencave, të çdo lloji qofshin ato, siç shkruan Çehovi: “Unë nuk jam as liberal, as konservator, as i moderuar, as prift dhe as indifirent. Unë do të doja të isha një artist i lirë.”
Karakteristikë e shkrimtarëve realistë është:
• Prirja për të zbuluar konfliktet më të mprehta të jetës dhe për të gjetur burimin e tyre shoqëror. Realiteti i kohës u ofroi shkrimtarëve probleme me karakter shoqëror, politik, filozofik, intim, midis të cilave problematika shoqërore është më e pëlqyera.
• Pasqyrimi i problemeve kryesore të kohës, i realitetit objektiv, të vërtetës prozaike, pa zbukurime artificiale. Realiteti flet vetë, – thotë Balzaku.
• Besnikëria në riprodhimin e rrethanave tipike dhe saktësia e detajeve historike.
• Përshkrimi i njerëzve të të gjitha klasave në situatat që lindin në jetën e zakonshme.
• Shkrimtarët realistë i japin një rëndësi të veçantë detajit jetësor, i cili ngrihet pastaj në përgjithësim artistik. Shkrimtarët realistë veçojnë ato shfaqje të jetës që kanë vlerë përgjithësuese, krijojnë një tip, një karakter tek i cili përmblidhen karakteristikat më të qarta e thelbësore, tipike të një kategorie të caktuar njerëzish. Realistët krijojnë personazhe tipike. Tipat artistikë të realistëve, duke ngjasuar me njerëzit e gjallë, janë më të plotë dhe më bindës, madje edhe se vetë njerëzit realë. Kjo ka bërë që figura si Grandeja, Gobseku, Ana Karenina të përmenden në përditshmërinë tonë si njerëz realë. Ata janë krijime të mahnitshme të imagjinatës së mrekullueshme krijuese të shkrimtarëve realistë.
• Shkrimtarët realistë paraqesin karakterin e personazheve në zhvillim, në përputhje me kushtet historiko-shoqërore në të cilat këto personazhe veprojnë. Personazhi realist nuk ka vetëm një vijë të veçantë të caktuar e të pandryshueshme karakteri. Gjatë jetës ai ndryshon, zhvillohet, rritet, plaket dhe përpunon a zhvillon më tej pikëpamjet, bindjet e qëndrimet e veta.
• Shkrimtarët realistë përdorën gjuhën si mjet shprehës artistik për individualizimin e personazheve. Çdo personazh flet gjuhën e tij, individuale, ndryshe nga gjuha e personazheve të tjera apo vetë gjuha e autorit.