Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 5.3
ROMANTIZMI SHQIPTAR
Analizë “Këngët e Milosaos”
Poema Këngët e Milosaos (1836) është vepra e parë e autorit, e cila shënoi dhe agimin e një periudhe të re për letërsinë tonë. Me të zë fill letërsia artistike, laike dhe kombëtare shqipe. Poeti e boton poemën tri here (1836, 1847, 1873), në tri variante, duke e plotësuar dhe ripunuar vazhdimisht. Fabula e poemës është e thjeshtë: Milosaoja, djali i sundimtarit të Shkodrës në shekullin XV, dashurohet me Rinën e varfër, të bijën e Kallogresë, dhe për hir të kësaj dashurie ndeshet me paragjykimet patriarkale dhe klasore. Atdheu rrezikohet nga turqit dhe Milosaoja niset për luftë. Pas kthimit të tij nga lufta, një tërmet rrafshon Shkodrën dhe duket sikur zhduk hendekun klasor midis të rinjve, që tani janë të varfër. Dy të dashurit martohen, gëzohen me një fëmijë dhe kalojnë një periudhë të shkurtër lumturie, Por gjithçka merr fund me vdekjen e fëmijës dhe më pas dhe vdekjen e Rinës nga hidhërimi. Heroi i mbetur vetëm vajton për lumturinë e humbur dhe brengoset që s’e plotësoi detyrën ndaj atdheut. Në fund, niset prapë në luftë dhe vritet duke mbrojtur qytetin e tij.
Koha dhe hapësira
Ngjarjet e poemës vendosen në shekullin XV, në epokën e “Motit të madh”, në qytetin e Shkodrës. Kjo vendosje është simbolike, pasi personazhet që marrin pjesë dhe sfondi ngjarjeve i përgjigjen realitetit të jetës arbëreshe të kohës dhe të vendlindjes së poetit. Veprimi tregimtar i poemës zhvillohet brenda nëntëmbëdhjetë vitesh, nga 7 qershori i 1405, deri më 7 maj 1423.
Struktura dhe veçori të stilit të autorit.
Poema Këngët e Milosaos është një veprër e ndërtuar mbi një plan të vetëm subjekti. Ajo përbëhet nga 30 këngë të cilat nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën. Poeti fut midis tyre heshtjen si një mjet të fuqishëm artistik. Poemës nuk ia jep unitetin bashkërendimi logjik i ngjarjeve, në rrjedhën e subjektit por ideja poetike dhe figura e protagonistit. Kompozicioni i saj, nga njëra anë i ngjan një mozaiku: secila këngë është pjesë e një të tëre e, megjithatë, zotëron një lloj pavarësie. Nga ana tjetër i ngjan një kurbe të dallgëzuar, ku dallojnë vetëm kulmet e ngjarjeve: lindja dhe shpërthimi i dashurisë, martesa, lindja e fëmijës, vdekja e Rinës etj. Në plan të parë, siç e sugjeron vetë titulli, vendoset Milosaoja, heroi lirik i cili i paraqitet lexuesit jo aq përmes veprimit, sa përmes ndjenjave, përjetimeve, emocioneve dhe meditimeve të veta. De Rada nuk rrëfen në mënyrë kronologjike ndodhi të caktuara të jetës së Milosaos, ai nuk jep detaje jetësore të heroit të vet, këto lexuesi i kupton në radhë të parë nga përjetimet e Milosaos dhe nga ndikimi që kanë tek ai ngjarjet e ndryshme dhe rrethanat nëpër të cilat ai kalon. Kjo risi artistike: nxjerrja në plan të parë e unit lirik në raport me rrëfimin (karakteristikë për kompozicionin klasik) i jep poemës së De Radës origjinalitet dhe e bën atë një vepër moderne. Copëzimi ose dukja fragmentare e poemës përputhet me parimet krijuese të De Radës, sipas të cilave poezia duhet të japë kulmet e jetës dhe të shfrytëzojë nëntekstin. Prej synimit të poetit për të pasqyruar kulmet buron dhe një nga tiparet më karakteristike të veprës, konciziteti. Kështu një forë sintetike të jashtëzakonshme kanë vargjet që hapin poemën, të cilat përmes tablosë së ringjalljes së natyrës japin idenë e përtëritjes së vazhdueshme të jetës:
Bota kish ndërruar lisa,
uji i ri në det
kaltëronte n’ditn’e re;
Forcën shprehëse lirike të poemës e rrit gjithashtu dhe gjallëria e figuracionit, pasuria e detajeve dhe e nuancave e shoqëruar me një lakonizëm karakteristik të shprehjes gjuhësore.
Lloji
Ndërthurja e elementit rrëfimtar me atë lirik i jep poemës Këngët e Milosaos karakter epiko-lirik. Në të paraqiten dallgëzimet e dashurisë që nga lindja e deri te vdekja e heroit, por përmes një fabule dhe personazhesh, të cilët paraqiten në çastin e tendosjes më të lartë të ndjenjave e mendimeve, që shprehen me një lirizëm të theksuar. Ndërkohë, në disa studime vepra është tipologjizuar si roman në vargje ndërsa nga vetë autori si një rrëfim dyfish lirik: “ Sajova rrëfimin tim lirik të dyfishtë”, i shkruante De Rada mikut të vet në Maqi, në 1834-ën.
Motivet dhe idetë
Në qendër të subjektit të poemës qëndron historia e dashurisë së Milosaos, djalit të sundimtarit të Shkodrës, me Rinën, të bijën e Kallogresë. Kjo dashuri, e cila merr shkas nga lidhja intime që pati vetë poeti me të bijën e një bariu, përbën lëndën më të gjerë e më të prekshme të poemës. Në vepër shtrohen kryesisht dy motive kryesore: motivi patriotik dhe ai i dashurisë. Në pamje të parë, janë dy linja që shkojnë paralel, ndaj nuk është e vështirë të trajtohen veçmas.
Motivi patriotik është i pranishëm në të gjithë poemën. Ai shprehet, sidomos, në dashurinë e Milosaos për vendlindjen, për zakonet dhe traditat; në shqetësimin e zonjës mëmë dhe shtytjen e saj që i biri të shkojë në luftë, në shkuarjen e Milosaos në luftë dhe këngën përcjellëse të korit të grave:
Sjellsh ti një ushtri fatmirë
të na hapë këto brigje
Lirisë që borëm…
Milosaoja vdes në luftë pasi në shpirtin e tij, pas humbjeve që pëson, ringjallet përsëri ajo pjesë që kishte fjetur për pak kohë por që i shfaqet përsëri në formën e pendesës ndaj qortimeve të nënës së vdekur. Ai vdes si trim, si patriot, i qetë për detyrën e përmbushur:
Doemos do vdesim mbi shtrat
në mos rënçim
përpara shtëpive tona.
Motivi i dashurisë
Ky motiv trajtohet me mjeshtëri të rrallë nga De Rada. Ai e bën lexuesin të ndjekë dallgëzimet e ndjenjës së thellë të dy protagonistëve, e cila ndeshet me mjedisin patriarkal, paragjykimet klasore (mospranimi i zonjës mëmë) ndeshet me një dashuri tjetër jo më pak të thellë, dashurinë për atdheun (nderi i burrit kërkon që ai të jetë në luftë) dhe prapë se prapë mbetet një ndjenjë aq fisnike, e bukur, e hijshme, burim i gëzimit jetësor. Poeti beson në të drejtën e njeriut për liri e lumturi ndaj ai e bën ndjenjën e heronjve të triumfojë mbi pengesat me të cilat ndeshet si dhe mbi konfliktet që lindin në thellësi të ndërgjegjes së tyre. Por logjika e fortë artistike e poetit e çon konfliktin më tej. Tërmeti nuk mund të zhdukë paragjykimet klasore dhe as dramën e pushtimit të vendit, ndaj lumturia e heronjve nuk mund të zgjasë shumë. Dy motiveve kryesore u përgjigjen dy konflikte: konflikti i parë, më i dukshmi është ai me karakter shoqëror, midis dashurisë së të rinjve dhe paragjykimeve klasore e patriarkale që i pengojnë të kurorëzojnë dashurinë e tyre. Konflikti tjetër është ai midis ndjenjës dhe detyrës, pra midis dashurisë ndaj Rinës dhe atdheut.
Këngët e Milosaos është poema për dashurinë dhe lumturinë, për iluzionet dhe humbjet, për dritat dhe hijet, për vazhdimësinë e jetës, me një fjalë poema për njeriun që e do jetën dhe atdheun. Në vepër ndërthuren natyrshëm pengesat dhe shqetësimet me të cilat përballet ndjenja e dashurisë me problemet e mëdha që lidhen me të ardhmen e kombit, me jetën dhe vdekjen. E shkruar në një kohë kur popullin shqiptar e kërcënonte rreziku i asimilimit nga turqit, kjo poemë përshkohet nga ideja e çlirimit të atdheut dhe nga ideja se detyra ndaj atdheut qëndron mbi gjithçka. Gjithashtu, në të gjejnë shprehje edhe ide të tjera si:
-ideali demokratik i barazisë midis njerëzve dhe ideja se ndenja e lirë triumfon mbi paragjykimet.
– idetë filozofike të lëvizjes ciklike të jetës dhe të përtëritjes së pafund të natyrës dhe njeriut, të cilat shprehen që në vargjet e para të poemës.
-idetë estetike të poetit që lidhen me përjetimin e së bukurës si kategori estetike që e gjejmë në art dhe në jetë.
Personazhet
Milosaoja – Është personazhi më i plotë i poemës dhe karakterizohet nga një botë e pasur shpirtërore. Mbart tiparet e përgjithshme të një heroi romantik, por paksa të përmbajtur. Si shumë heronj romantikë, është një alter ego1 i poetit dhe me idetë e përparuara shpreh psikologjinë e shtresës së idealizuar të aristokracisë arbëreshe të shekullit XIX. Ka karakter burrëror dhe është një dashnor i zjarrtë. Di të arsyetojë mbi atë që ndjen dhe karakterizohet nga ndjenja e patriotizmit:
Pse të venë në det
mendimet, zemra ime?
Zbardhuan anijezat,
panë këndej e u fshehën…
Erdhi dita e Arbërit!
Rina – Personazhi i saj mishëron idealet e poetit për të dashurën, bashkëshorten dhe nënën, por edhe tiparet reale të fshatares arbëreshe. Cilësitë që e karakterizojnë figurën e saj ia shtojnë romantizmin poemës. Rina është një vajzë e thjeshtë, e dlirë, e bukur jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Delikate në ndjenjat e saj, por edhe e drojtur për shkak të pozitës së saj shoqërore, si bijë e Kallogresë, si dhe për kulturën e kufizuar që e dallon prej Milosaos. Ja si e përshkruan poeti përmes katër vargjeve figurën e vajzës së ndrojtur, të mbyllur, që nuk guxon ta tregojë bukurinë e saj dhe që bëhet objekt i thashethemeve:
Si një qelq që me një frymë
humb ndriçimin nga hukatja,
porse mbrenda ajo shkëlqen,
ashtu është e mjera vajzë…
Zonja e Madhe, siç quhet në poemë nëna e Milosaos, mbart tiparet e asaj pjese të aristokracisë shqiptare që mbrojti interesat e atdheut në shekullin XV. Dallohet për patriotizmin e vendosur, gjë që shfaqet në këshillat që i jep të birit, në ëndrrat për një djalë që të udhëheqë një ushtri si dhe në vdekjen e saj nga brenga se i biri nuk i plotësoi detyrat ndaj atdheut.
Madhështorja mëma ime
pat besuar që me ushtri
Arbërit unë t`i ndihja;
Po kaq e prerë Zonja e Madhe është edhe në paragjykimet klasore që mbart. Ajo bëhet pengesë e pakapërcyeshme për bashkimin e të rinjve.
Motra e Milosaos – nuk është një karakter i plotë, por një siluetë, mishërim i dashurisë e i përkushtimit së motrës për vëllain. Ajo të kujton heroinat e folklorit, si motrën e Gjergj Elez Alisë.
Mbështetja në folklor
Mënyra e konceptimit poetik të poemës Këngët e Milosaos mbështetet te poezia popullore, e cila karakterizohet nga parimi i sintezës. Kjo bën që të mos thuhet gjithçka, por të nënkuptohet. Gjithashtu, poezia popullore e ka ushqyer veprën me frymën patriotike dhe me optimizmin e natyrshëm përmes të cilit populli kupton jetën, vdekjen dhe dashurinë. De Rada, i frymëzuar nga poezia popullore, i merr elementet nga natyra e vendit të tij, duke përdorur dhe toponimet arbëreshe, që i shërbejnë për të identifikuar më mirë vendet dhe ngjarjet. Poezia popullore e ka ushqyer veprën me figuracionin e pasur, të freskët dhe tepër origjinal si dhe metrikën ku zotëron vargu i bardhë tetërrokësh trokaik.
Natyra
Është e pranishme gjithkund në vepër. Ajo është pjesë e mjedisit ku veprojnë personazhet e lëvizin ndjenjat. Si romantik, De Rada e sodit natyrën në mënyrë aktive dhe bën që ajo të ndihmojë e shpjegojë shqetësimet e brendshme të heronjve:
Dy dit` mjegull edhe shi
verën dojin të na reshtin;
tek e katra, ndër lëmenj,
shtruan duajtë në diell.
Unë, vetëm, i helmuar,
vajta gjer te Shureza,..
Shqetësimin e Milosaos pas grindjes me të dashurën poeti e jep përmes lëvizjes së deleve nëpër vathë, kurse dhimbjen e thellë për humbjen e gruas, e jep përmes kontrastit me ripërtëritjen e përhershme të natyrës. Ajo është plot ngjyra e nuanca që nisin me të kaltrën e detit e të luleve të lirit që përkunden si në ninullë e përfundojnë me grinë e trishtimit që sjell era e maleve, teksa fryn e rrëzon hijen e lisit.
Gjuha
De Rada e shkroi poemën në variantin arkaik arbëresh. E folmja arbëreshe kishte një pasuri të vetën të cilën poeti mundohet ta përpunojë dhe ta pasurojë duke e ngritur në nivelin e gjuhës artistike. De Rada ka krijuar fjalë të reja për të shprehur me nuanca më të holla dhe me larmi më të madhe mendimet dhe ndjenjat. Gjuha e poemës dallohet për figuracionin e pasur artistik, epitetet e bukura metaforike, lirizmin delikat, stilin konçiz, fjalën e kursyer dhe të matur. Besnik i parimeve të tij estetike, De Rada synon ta bëjë veprën plot muzikalitet, e kërkon ritmin onomatopeik që vargjet të vijnë tek lexuesi të gjalla, të ëmbla e plot ndjenjë. Pjesa më e madhe e onomatopeve në poemë lidhet me imitimin e zhurmave natyrore: frushullon elbi, zhurmërima e lumit, i dha një shkundullimë etj..Përdorimi i tyre, përveçse i jep ngjyra piktoreske ambjentit shpreh dhe thelbin e brendshëm të gjërave, duke shkrirë në një tërësi të harmonishme formën me përmbajtjen. Të gjitha dukuritë e realitetit jepen në poemë me një dorë prej piktori, dhe njëkohësisht muzikaliteti i vargut, ndonse rima mungon, është i lartë.