Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara

Mësimi me video

Mësimi 8.1: Gustav Flober

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 8.1

GUSTAV FLOBER

Gustav Flober

Jeta
Gustav Floberi, një nga prozatorët më të mirë francezë, lindi më 12 dhjetor të vitit 1821, në Ruan dhe vdiq më 8 maj 1880, në Kruase. Floberi kaloi një fëmijëri të trishtë, ngaqë pjesën më të madhe e kalonte në mjediset e punës të së atit, në spitalin e Ruanit ku ai punonte si mjek. Prej tij trashëgoi saktësinë shkencore, respektin për analizën e hollësishme dhe dhuntinë për ta përshkruar faktin letrar thuajse në mënyrë klinike. Në vitin 1841, familja e dërgoi në Paris, në shkollë për drejtësi, pasi prindërit ëndërronin që ai të bëhej avokat; por s’kaloi shumë kohë dhe Floberin e kap një krize nervash me karakter epileptik, që e detyroi t’i ndërpresë studimet. Pas kësaj u vendos përfundimisht në vilën e bukur të Kruasesë afër Ruanit, një pjesë e së cilës gjendet edhe sot, e shndërruar në një muze të vogël për Floberin. Me kohë, për arsye të jetës së veçuar dhe lidhjes së fuqishme që kishte me Kruasenë, adhuruesit e panumërt të veprës së tij do ta quanin “eremiti i Kruasesë”. Në fillim ai do të jetonte aty me të ëmën dhe mbesën, pastaj vetëm, derisa të vdiste. 16 vjeç boton tregimin e parë, i cili do të bëhej pikënisje për romanin “Tundimi i shën Antuanit”. Veç të tjerash, ndër faktorët që e çuan në shpërthimin e forcës së tij krijuese janë disa lidhje dashurore dhe miqësore që ai përjetoi. Ndjenjat gjithë pasion që ushqente ndaj zonjës Eliza Shlesinzher e orientuan drejt formës më origjinale dhe më të thellë të romantizmit europian; e çuan drejt pasqyrimit të jetës duke u nisur nga vetvetja, duke i mundësuar të shkruante romanet autobiografike “Kujtimet e një të marri” (1838) dhe “Nëntori” (1842).

Në krijimtarinë e tij, një rol të rëndësishëm luajti edhe miqësia me poetin Luigj Buile, i cili e ndihmonte me mendime ose vërejtje mbi veprat. “Zonja Bovari” dhe “Salambo” janë shkruar nën vërejtjet dhe këshillat e tij. Udhëtimet, që në atë kohë ishin në modë që nga Bajroni e deri të Shatobriani, i ndërmori për arsye të shëndetit. Këto udhëtime i zgjeruan më tej përvojën dhe i shpejtuan ngjizjen e vizionit të tij filozofik. Rrugëtimet më të frytshme të Floberit ishin ato në Britani pastaj në Egjipt, Greqi dhe Azinë e Vogël dhe ai pasqyroi gjithçka që përjetoi prej tyre në “Letrat” dhe “Shënimet e udhëtimit”. Ai vdiq më 1880, pasi bëri një jetë të qetë e të vetmuar, pa i ndërruar asnjëherë bindjet e tij, pa kërkuar famë e lavdi. Ato do t’i vinin vetiu. Kjo provohet nga fakti që në letërsinë franceze dhe atë europiane, emri i Floberit përbën një kult. Qysh në gjallje, atë e quajtën themelues të romanit modern.

Vepra e Floberit
Floberi njihet si romancier i madh. Romanet, janë të gjitha të krijuara duke u nisur nga vëzhgimet e jetës. Në romanet e tij, Floberi futet në botën e krijesave të tij e bëhet njësh me ta. Ai ishte besnik i formulës: “Nuk shkruhen gjërat me zemër, por me kokë.” Këto personazhe të lindur prej imagjinatës do të kenë të njëjtin fat me të, ashtu siç shprehet vetë Floberi: “Personazhet e mi imagjinarë veprojnë mbi mua, më përndjekin, ose më mirë me thënë, unë jam ata.” Studiuesit thonë se çdo vepër e Floberit është një model shkrimi e metode. Si të tilla, secila prej tyre mund të quhet kryevepër në llojin e vet. Floberi u bë i njohur nga bashkëkohësit me romanin “Salambo”, një roman historik, i cili i vendos ngjarjet në shek. III p.e.s. në Kartagjenë, pas kthimit fitimtar të Hamilkarit nga lufta me romakët. Prijësit iu desh të ndeshet me ushtarët e tij mercenarë, të cilët ngritën krye për pagat e tyre të papaguara. Romani përshkohet nga ndjenja fisnike e dashurisë së Matosë, prijësit të kryengritësve kundër Hamilkarit, me Salambonë, bijën e këtij të fundit. Brutaliteti, padrejtësia e mbyt dashurinë e sinqertë të të rinjve. Pavarësisht se ngjarjet zhvillohen shekuj e shekuj më parë, vepra u bën jehonë problemeve të Francës ku, pas Revolucionit të viteve 1848 – 1849, shtohet dhuna dhe padrejtësia dhe merr përmasa të ndjeshme përhapja dhe ndikimi i katolicizmit në jetën politike të vendit. Romani ka nëntekst të fuqishëm social. Ai mbahet si model i romanit impresionit.

Romani “Edukimi i ndjenjave”, për nga rëndësia, vlerësohet i dyti pas “Zonjës Bovari”. Ai çon më tej traditën e “romanit të edukimit”. Romani është vepër e dështimit të përgjithshëm të njeriut të asaj kohe, i konceptuar si dështim shumëplanësh: shoqëror, moral e shpirtëror. Tema e humbjes së iluzioneve, e rrahur më parë, veçanërisht nga Balzaku, shihet nga Floberi në një dritë të re. Nëse heronjtë e Balzakut nuk lenë gjë pa bërë për të arritur qëllimin, pra janë aq veprues sa nuk njohin asnjë normë morale, heronjtë e Floberit ëndërrojnë me sy hapur dhe nuk lëvizin as gishtin për të realizuar dëshirat e tyre. I tillë është Frederik Moroja, që, ashtu si vetë Floberi, jeton periudhën e depresionit të madh politik dhe shoqëror të shkaktuar nga disfata e Revolucionit të 1848-ës dhe mbetet brenda qerthullit të dështimit. Moroja pajtohet me gjendjen e mediokritetit, është i dobët, pasiv, i pakënaqur dhe shpirtvrarë. Kanë mbetur proverbiale fjalët e tij: “Më vonë… tani jo.” “Epo, është tepër vonë”. Midis dy kohëve, asaj që pritet dhe nuk vjen kurrë dhe asaj që ikën e s’kthehet po kurrë, gjallon Moroja si përfaqësuesi më i denjë i atij brezi njerëzish (ku hyn dhe Floberi), që autori i quajti me fjalët “heronj të kohës së palavdishme”; heronj që o janë të parakohshëm, o të vonuar, se asnjëherë s’janë në kohën e duhur dhe tërë vullnetin e shpenzojnë për të mos arritur asgjë. Roman i një rrëfimi të hidhur, plot ironi dhe dashuri, “Edukimi i ndjenjave” vlerësohet si nismëtar i antiromanit dhe romanit të ri.

“Tundimi i shën Antuanit” e merr subjektin nga koha e konsolidimit të kristianizmit në shek. IV të erës sonë. Vepra i bën jehonë legjendës së eremitit Antuan, lidhur me aventurën e besimit njerëzor. Nëpërmjet endjeve të eremitit, autori të çon te misteri ekzistencial i qenies njerëzore, te kuptimi filozofik i ekzistencës e të kujton aventurat e Faustit për të arritur te thelbi i jetës, te kuptimi i saj, tek absolutja. Përballë së keqes, djallëzores shën Antuani është dhe vetë Floberi, ose artisti i madh i çdo kohe që i duhet t’i mundë “demonët” që e pengojnë të ecë në rrugën e artit të madh. Për fuqinë e fantazisë e të imagjinatës, vepra është cilësuar si model për letërsinë surealiste, madje dhe më gjerë, për realizmin magjik.

Rëndësia dhe arti i Floberit
Estetika e Floberit mbështetet në parime kryesore të tilla, si objektivizmi dhe impersonalizmi. Objektivizmi parathotë pasqyrimin e jetës në letërsi me atë saktësi e paanshmëri që gjejmë në shkencat e natyrës. Impersonalizmi ka të bëjë me atë që artisti duhet t’ia dalë të harrojë veten, se vetëm kështu ai mund t’i kuptojë më mirë botën dhe njerëzit. Ndërkohë, Floberi cilësohet si impresionist, si shkrimtar që priret të lërë mbresa të forta. Kësaj ai ia arriti përmes një pune titanike gjatë gjithë jetës së tij krijuese dhe në çdo vepër, për të lëmuar e përsosur pandërprerë stilin, figuracionin, gjuhën artistike dhe kompozicionin. Floberi është shembulli i shkëlqyer i mjeshtrit të madh artist që s’ia lejon kurrë vetes të nxjerrë nga duart vepra të papërsosura. Në jetën dhe veprën që krijoi, ai vërtetoi thënien e vet: “Shpirti i njeriut matet me përmasën e dëshirave të vetvetes”.
• Në letërsinë botërore, Floberi solli analizën e thellë psikologjike, në romanin e tij, ai shquhet për shikimin e kthjellët mbi sjelljet e individit dhe të shoqërisë, pa ngatërruar artin me ndjenjat dhe jetën e tij vetjake.
• Atë e cilësojnë si shkrimtar të realizmit natyralist, i cili solli risi për romanin modern.
• Ai kishte bindjen se për të shprehur një të vërtetë, ka një mënyrë dhe vetëm një. Për të estetika është e vërteta. Përpara se ta shprehte me magjinë e fjalës, ai punonte jashtëzakonisht shumë për të njohur të vërtetën.
• Ngjarjet i tregon në vetën e tretë, duke qëndruar mbi personazhet dhe duke vëzhguar së jashtmi dhe duke modeluar në këtë mënyrë personazhet dhe ngjarjet.
• I solli ngjarjet jo thjesht si një realitet, por si pasqyrim i thellë i tij me objektivitet shkencor, sa më afër së vërtetës, përmes njohjes së saj.