Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 7.3
REALIZMI
Honore de Balzak
Analizë “Xha Gorioi”
Romani “Xha Gorioi”, botuar më 1835, është romani social që përbën boshtin e “Komedisë njerëzore” të Balzakut. Shkrimtari e shkroi atë për dyzet ditë. Në këtë vepër do të gjejmë heronj, të cilët do të zhvillohen më tej edhe në vepra të tjera të autorit. Siç e vë në dukje edhe vetë Balzaku, ky roman mbështetet tërësisht në realitet. Tema e romanit është jeta e përditshme, plot shqetësime e pasione e një borgjezi parizian, marrëdhëniet familjare dhe korrupsioni moral në shoqëri.
Linjat e romanit
Në roman kemi dy linja që gërshetohen harmonishëm me njëratjetrën. Nga njëra anë, fati i tregtarit plak Gorio, baba i braktisur prej dy vajzave, të cilat i llaston, ua plotëson të gjitha tekat duke menduar se vetëm kështu i bën të lumtura. Vajzat janë pasioni i tij, Dashuria atërore nuk njeh kufij, ndërkohë që vajzat e shohin babanë e tyre vetëm si burim të ardhurash. Plaku Gorio i ka dashur vajzat më shumë se çdo gjë tjetër në jetë, por ai vdes në mjerim, si mos më keq, pa arritur të shohë të bijat në çastin e fundit të jetës. Nga ana tjetër, takojmë fatin e Eugjen Rastinjakut, një nga personazhet më të rëndësishme të romanit dhe të gjithë “Komedisë njerëzore”, djaloshi fisnik, i varfër, provincial, i dërguar nga prindërit në Paris me shumë shpresa dhe pak të holla, një karakter i ëmbël dhe i butë, i thjeshtë e sentimental. Djali i brishtë, me ngjitjen e shkallëve në shoqërinë e lartë, nis të bjerrë një nga një cilësitë tij më të mira. Sigurisht, gjurmë të pashlyeshme në vetdijen e Rastinjakut do të lënë mësimet e Votrënit, mësime që shpalosin qartë moralin e shoqërisë së kohës.
Koha dhe hapësira
Ngjarjet në roman nisin në fundin e nëntorit të vitit 1819. Pensioni familjar “Voker”, pronë e vejushës Voker, është mjedisi kryesor ku zhvillohen ngjarjet. Në këtë mbretëri të mjerimit, ku s’ka vend për poezi, jetonin njerëz të kategorive të ndryshme, të rinj e të vjetër, të gjithë të palumtur. Krahas pensionit “Voker” ngjarjet vendosen dhe në mjedise të tjera, si në shtëpinë e vikonteshës Dë Bosean, konteshës Dë Resto e baroneshës Dë Nysingen, në teatro e ballo. Janë këto mjedise që trazojnë fort shpirtin e Rastinjakut e do të zgjojnë ambicien e dëshirën e tij për jetën mondane.
Subjekti
Xha Gorioi kishte hyrë në shtëpinë e zonjës Voker pasi kishte lënë tregtinë. Gjashtë vjet më parë, kur Gorioi erdhi fillimisht në pension, i kamur e me të ardhura të mira, zonja Voker shfaqi interes e nisi të ëndërrojë një të ardhme me të, por indiferenca e Gorioit ndaj saj zgjoi në shpirtin e zonjës Voker urrejtjen dhe kështu, ajo nisi të shfaqë hakmarrjen e saj primitive sa herë t’i jepej mundësia. Gorioja, për shkak të dashurisë së verbër ndaj vajzave të tij, pak nga pak fillon të humbë “pozitat e mira”, nis të zvogëlojë shpenzimet e shërbimet, i duhet të kursejë dhe brenda një viti e gjen veten në katin e dytë të pensionit. Ngjitja nga kati i parë në të dytin ishte shenjë varfërimi në atë pension. Nuk vonon shumë dhe plaku i mjerë do të nisë të banojë në katin e tretë të pensionit. Sendet e çmuara po zhdukeshin një nga një dhe bashkë me to po rralloheshin dhe vizitat e vajzave të tij.
Rastinjaku, studenti i drejtësisë, zbulon rastësisht se zonja e bukur që sheh në ballo, Anastasi dë Resto, është një nga vajzat e xha Gorioit. Plaku i adhuronte të bijat, Anastasian dhe Delfinën, i vinte në një radhë me engjëjt. I martoi në dyer të mira e i dha një prikë të majme. Por vajzat jo vetëm që nuk kishin pranuar ta merrnin në shtëpi, por as pranonin ta prisnin në sy të botës. I dëshpëruar Gorioi vendoset në pensionin “Voker”. Kishte aq të ardhura sa për të jetuar, por vajzat nuk ndalen deri sa i zhvasin gjithçka babait të tyre. Rastinjaku 21-vjeçar, i lidhur me familjen me ndjenjat më të pastra e më të shenjta, duke besuar te mirësia, përlotet teksa merr vesh të vërtetën e hidhur dhe i del krah Gorioit.
Rastinjaku, falë një lidhjeje familjare me zonjën Dë Bosean, hyn në sferat e larta të shoqërisë pariziane. Zonja Dë Bosean i jep Rastinjakut mësime jete: Sa më me gjakftohtësi që të llogaritni, aq më përpara do të shkoni. Goditni pa mëshirë dhe do t’jua kenë frikën, ndërsa Votrëni bëhet këshilltari i tij: Ndershmëria s’pi ujë. Njeriu i ndershëm është armiku i të gjithëve. Pasuria është virtyti! Por Rastinjaku nuk ishte i pasur, të ardhurat nga familja ishin të pakta. Ai u kërkon sërish nënës e motrave t’i dërgojnë para, kursimet e tyre, gjithçka, pikat e fundit të gjakut. Ato para do të ishin shkalla për t’u ngjitur drejt shoqërisë së lartë. Me këto mendime Rastinjaku la studimet, në fakultet shkonte vetëm sa për t’u bërë apeli, shkon në ballo e teatro, kërkon të bëjë për vete vajzën e Gorioit, zonjën Dë Nysingen me të cilën dashurohet, luan bixhoz të madh, fiton ose humbet shumë, shpenzon kohën pa qenë i vetëdijshëm për vlerën e çmuar të saj, shpenzon shumë për veshje e gjëra të kota, i djegur nga padurimi të ketë të gjitha magjepsjet e jetës luksoze, mësohet me jetën e shthurur, humb të gjitha të hollat e hyn në borxhe.
Votrëni, ky Mefistofel që di të lexojë mendjen e Rastinjakut, sheh qartë ambicien e tij, ndaj i propozon Eugjenit një plan për të siguruar të ardhmen: martesë me Viktorian, vajzën e një konti, por pasi të bëjë të mundur vrasjen e vëllait të saj në duel. Kështu, zonjusha Tajëfer do të bëhet trashëgimtare e tërë pasurisë së të atit. Në këmbim, Votrëni faqezi e i ndyrë kërkon një përqindje të prikës së vajzës. Rastinjaku i tunduar refuzon, por shpejt do t’i dorëzohet planit të Votrënit. Nis të afrohet me zonjushën Tajëfer, së cilës ia ka rrëmbyer zemrën.
Rastinjaku pendohet, por tashmë është vonë, krimi është kryer, plani ka funksionuar. Megjithatë Rastinjaku nuk ka humbur çdo cilësi: ai nuk martohet me zonjushën Tajëfer, por i qëndron besnik deri në fund Delfinës. Ngjarjet rrokullisen shpejt drejt fundit: Votrëni, mishërimi i poemës satanike, krimineli i arratisur nga burgu, arrestohet, ndërsa motrat ziliqare e të pamëshirshme takohen në dhomën e ndyrë të plakut Gorio, për të zhvatur çka mbetur nga ati i tyre. Telashet e vajzave dhe zënkat mes tyre e goditën pa mëshirë zemrën e plakut. Me largimin e tyre Gorioi sëmuret rëndë, por thirrjet, vajtimet, kërkesat e tij pa fund për t’i pasur vajzat pranë në këtë çast të fundit nuk ia kthejnë të bijat. Plaku, i çmendur nga dhimbja, pohon tërë sakrificën dhe mosmirënjohjen e vajzave të tij. Ai lëshon thirrjen: “Atdheu do të shkatërrohet në qoftë se prindët merren nëpër këmbë.” Karroja e përmotshme do të shoqërohet nga Rastinjaku, një shërbëtor, dy varrmihësit dhe dy karrocat bosh të të bijave. Bashkë me plakun, Rastinjaku varrosi lotin e fundit të djalërisë, lotin e shkëputur nga emocionet e shenjta të një zemre të kulluar dhe, me sytë plot lakmi, i drejtohet shoqërisë së lartë të Parisit: Tani të shohim se kush do të fitojë, unë apo ti.
Personazhet
Ideja dhe mesazhet e romanit realizohen përmes veprimeve e qëndrimeve të personazheve të shumta, të lidhura e të ndërvarura me njëri-tjetrin, por ata që mbajnë peshën kryesore janë: Xha Gorioi, Rastinjaku dhe Votrëni. Xha Gorioi, një ish-punëtor në fabrikë makaronash që pasurohet duke shfrytëzuar zinë e bukës, një borgjez mediokër që s’do t’ia dijë për mjetet që përdor në rrugën e pasurimit të tij. Rendja pas pasurisë ia shkatarron shpirtin. Nga ndjenjat njerëzore, ai ruan vetëm dashurinë për të bijat. Kështu lind paradoksi: sa kohë mashtron e spekulon pa mëshirë, pa skrupuj moralë, ai ishte njeri i nderuar e i respektuar, por, sapo ai nis të shfaqë ndjenja të vërteta njerëzore, pikërisht aty fillon të luhet skena e parë e tragjedisë së tij. Plot ironi Balzaku thotë për Gorioin: “I lumtur në mënyrën e tij.” Kufijtë e dramës së Gorioit janë sa personalë, ku futet vetmia, përbuzja, braktisja dhe humbja e rolit prindëror, aq socialë, që shprehin shthurjen e institucionit të familjes dhe materializimin e jetës së njeriut. Te Gorioi do parë tragjedia njerëzore, sociale e universale e vetmisë. Tragjedia njerëzore qëndron në faktin që njeriu është qenie e vdekshme, fatale. Tragjedia sociale qëndron te shoqëria që është e keqndërtuar. Tragjedia universale qëndron te Vetmia që e pret gjithsecilin në jetë. Ironia e vdekjes dhe e varrimit është ajo që e mbyll romanin. Arsyeja e vdekjes është “Atëvrasja”. Një atëvrasje elegante, – thotë Balzaku.
Rastinjaku është produkt shoqëror, që përcaktohet nga kompleksiteti i shoqërisë. Ai varet sa nga provinca nga vjen, aq nga qyteti mahnitës e çoroditës ku zbret. Jeta i ofron tri rrugë: e para është rruga e krimit, si më e shpejta për t’u pasuruar. Këtë ia ofron Votrëni. E dyta është rruga e Bianshonit, mjekut të shquar, si rrugë e ndershme, por që të çon ngadalë te suksesi. E treta është ajo që i propozon vikontesha Dë Bosean: të hedhë tutje përfytyrimet romantike mbi nderin, dinjitetin, dashurinë dhe të bëjë armë të vetën Cinizmin e të veprojë nëpërmjet femrave mondane. Rastinjaku zgjedh këtë të fundit duke treguar mediokritetin dhe provincionalizmin e tij. Në vepër Rastinjaku luan një rol të rëndësishëm: ai është hallka që lidh dy botë, atë poshtë me atë lart dhe përcjell mesazhin se shoqëria, si poshtë, si lart ka marrë një krisje të pariparueshme.
Votrëni është personazhi që zbulon të vërtetën e hidhur: bota ku jetojmë është trualli shterpë që s’e lë të rritet virtytin, që ushqen vetëm mashtrimin, hipokrizinë, vesin. Ai mishëron filozofinë e egoizmit borgjez pa maska, pa dorashka: më të fituar janë ata që e drejtojnë pasionin në shtigjet e interesit material. I ashpër e i drejtpërdrejtë, ai pohon se mungesa e moralit është ligji i jetës shoqërore të kohës dhe se cilësitë e larta, virtytet njerëzore thahen e shkrumbohen në një shoqëri që s’i lë gjë mangët ferrit. E rëndësishme është që Votrëni mban ndezur frymën e revoltës kundër shoqërisë së kohës.