Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 1.1
TEORIA E LETËRSISË
Zhvillimi historik i gjinisë epike
Zhvillimi historik i gjinive letrare
Të gjitha veprat letrare të vendeve dhe epokave të ndryshme historike, sipas tipareve të përbashkëta që shfaqin në përmbajtjen dhe formën e tyre artistike, ndahen në tri grupe të mëdha që quhen gjini letrare. Këto janë: epika, lirika dhe dramatika. Në secilën prej këtyre gjinive janë përpunuar mënyra dhe mjete të veçanta artistike për pasqyrimin e realitetit. Gjinitë letrare kanë nëndarjet e tyre, llojet. Me fjalën lloj kuptojmë një trajtë të caktuar të një gjinie, p.sh. tregimi, novela, romani janë lloje të gjinisë epike. Në rrjedhën e kohës letërsia është karakterizuar nga larmia e llojeve letrare, të cilat u janë nënshtruar zhvillimit historik të njerëzimit.
Gjinia epike Veçoritë dhe llojet e saj
Veprat epike, për nga mënyra e organizimit të gjuhës, shfaqen të shkruara në vargje, si poezi dhe të shkruara në prozë. Veçoria dalluese kryesore e tyre është rrëfimi për ngjarjet. Prej këtej vjen dhe emri i gjinisë epike: në greqishten e vjetër epos do të thotë fjalë, rrëfim. Një veçori tjetër e rëndësishme e veprave epike është subjekti si zinxhir ngjarjesh, ku personazhet shfaqin karakteret e veta. Rrëfimi për ngjarjet bëhet nga vetë autori ose (pjesërisht) nga personazhet. Përveç rrëfimit, në veprat epike luajnë një rol të rëndësishëm edhe përshkrimet e natyrës, të mjedisit ku jetojnë personazhet, si dhe gjendja e tyre shpirtërore.
Disa nga llojet kryesore të epikës janë:
• poema epike
• miti, legjenda, përralla
• tregimi, novela
• romani
Poema epike është një vepër me karakter rrëfimtar, e shkruar në vargje, që ka përmasa të gjera dhe që trajton tema të rëndësishme, ngjarje të mëdha historike. Ndër poemat më të vjetra e më të njohura epike përmendim: Gilgameshin (e letërsisë sumero-babilonase), poemat Mahabharata dhe Ramajana (të letërsisë induse), Iliada dhe Odisea (të letërsisë greke).
• Poemat epike janë krijime të gjata, që trajtojnë tema heroike dhe që përmbajnë linja të shumta, paralele. Kështu, tek Iliada tregohet lufta greko-trojane, tek Eneida formimi i popullit të ri latin etj.
• Në poemën epike autori i rrëfen ngjarjet në mënyrë të paanshme. Prania e tij në vepër del përmes përshkrimit, veprimit të personazheve dhe dialogut. Shembuj të poemës epike në letërsinë shqipe janë Historia e Skënderbeut e Naim Frashërit dhe Lahuta e Malcis e Gjergj Fishtës.
Në periudhën romantike llojeve epike iu veshën elemente lirike. Nga ndërthurja e elementeve të gjinisë epike me ato lirike u krijuan llojet e ndërmjetme si poema, romanca, balada, fabula. Poema liriko-epike është një krijim i gjatë në vargje ku elementi lirik (meditimet e heroit lirik, ndjenjat e tij) ndërthuren ngushtë me elementin epik (me rrëfimin e heroit lirik). Synimi kryesor i poetit në këto poema nuk është rrëfimi, por shprehja e mendimeve dhe ndjenjave që i ngjallin ngjarjet e dukuritë e realitetit. Veçori kryesore e formës së tyre është gjuha poetike lakonike, me nëntekste të pasura, përmes përdorimit të figurave stilistike me një forcë të madhe shprehëse, si dhe larmia e formave të ligjërimit artistik. Një nga shembujt më të arrirë të poemës liriko-epike në letërsinë shqipe është poema Bagëti e bujqësi e N. Frashërit.
Llojet epike në prozë
Duke patur si paraardhës epin, llojet epike, gjuha e të cilëve organizohet në prozë, mbështeten në format e hershme të antikitetit. Mbi këtë bazë ato ndahen në forma elementare, ku përfshihen: miti, legjenda, përralla etj. dhe forma të përbëra, ku përfshihen romani dhe novela.
Kujtojmë:
Miti është një tregim për origjinën e botës e jetën e popujve, për dukuri apo personalitete historike.
Legjenda është një kallëzim popullor për një ngjarje të së kaluarës, që mund të ketë një bazë të vërtetë, por që është zbukuruar me elemente të reja, duke kaluar gojë më gojë. p.sh. Legjenda e murimit.
Përralla është një krijim gojor që gërsheton motivet reale me ato fantastike. Kalimet nga realja te fantastikja janë të natyrshme dhe nuk të befasojnë.
Tregimi është një lloj i shkurtër në prozë. Ka subjekt të thjeshtë, por konflikt të ngjeshur. Ngjarja zhvillohet brenda një kohe të shkurtër dhe ka në qendër një personazh kryesor. Në letërsinë shqipe tregimi u shfaq gjatë Rilindjes. Ndër autorët e parë është Kristoforidhi me Gjahun e malësorëve dhe më pas N.Bulka, Migjeni, M. Kuteli, T. Laço, Z. Çela, N. Prifti etj..
Novela është një lloj më i gjatë se tregimi.Trajton një motiv të vetëm. Në letërsinë shqipe novela është lëvruar që nga Rilindja me Mihal Gramenon. Novelistë të shquar shqiptarë janë M. Kuteli, E. Koliqi, Migjeni, A. Pashku, M. Camaj, D. Agolli e I. Kadare.
Zhvillimi historik i romanit
Romani (nga lat. lingua romana – gjuhë romane) është lloji më i gjatë i gjinisë epike në prozë. Ai e ka zanafillën në shkrimet e para në gjuhën romane. Tiparet themelore romani i shfaqi në Rilindjen Europiane me Gargantua e Pantagrueil të Rabëlesë dhe Don Kishotin e Servantesit.
Në shekullin XIX, në kushtet e kapitalizmit, romani u lëvrua nga romantikët e shquar si Hygoi dhe nga realistët e mëdhenj, të paraprirë nga Balzaku e të pasuar nga Floberi, Stendali, Tolstoi, Dostojevski, etj. Romanet e shekullit XIX patën karakter shoqëror, psikologjik e historik. Kushtet e reja që karakterizuan shekullin XX sollën një zhvillim të madh të romanit. Romani i shekullit XX është roman modern. Ai ndryshon nga romani tradicional si në tabelën e mëposhtme:
Romani tradicional
• Fabul e qartë
• Rrjedhë e natyrshme e zhvillimit të ngjarjeve
• Rrëfimtar i jashtëm, i gjithëdijshëm
Romani modern
• Nuk përmban një fabul të caktuar
• Gjithçka ndodh brenda një kohe subjektive
• Pozicion i ndërlikuar i rrëfimtarit
• Perspektivë e lëvizshme e rrëfimit
Romani i shek. XX u zhvillua në fillim si roman psikologjik i thellësive e i nënvetëdijes me Xh. Xhojsin dhe M. Prustin. Në vitet 1960, si kundërvënie ndaj romanit realist klasik, lindi “antiromani” apo “romani i ri”. Përfaqësuesja më në zë e këtij romani ishte Natali Sarrot. Një traditë e shquar e romanit të shekullit XX është ajo e “brezit të humbur”, traditë që u përfaqësua nga autorë që përjetuan tmerret e dy luftërave botërore. Të tillë ishin T. Drajzer, S. Cvajg, Remark e Heminguej. Më pas, një çast kulmor në zhvillimin e romanit është romani i absurdit dhe ai ekzistencialist me A. Kamynë, F. Kafkën, Zh. P. Sartrin e A. Moravia. Shekulli XX solli dhe romanin e socrealizmit në vendet ish-komuniste. Në gjysmën e dytë të shekullit XX u shfaq romani desident me Pasternakun, Sollzhenicin etj.. Popullaritet e zhvillim të madh pas viteve ’50 mori romani i realizmit magjik në Amerikën Latine. Përfaqësuesi më i shquar i tij është G. G. Markes. Në letërsinë shqipe romani është lëvruar vonë. Romancieri i parë i letërsisë shqiptare është Ndoc Nikaj. Një nga romanet e tij më të njohura është Shkodra e rrethueme. Ndërmjet dy luftërave botërore lloji i romanit nuk u zhvillua shumë, me përjashtim të romanit sentimental të Haki Stërmillit Sikur të isha djalë dhe Pse të Sterjo Spasses. Zhvillimin më të madh romani shqiptar e mori rreth viteve ’60. Të kësaj periudhe janë romanet: Lumi vdekur i J. Xoxes, Krastakraus (Ra Berati) i B. Xhaferit, Gjenerali ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, të I. Kadaresë, Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo i D. Agollit etj.. Pas viteve ’90 në romanin shqiptar, krahas emrave të njohur si I. Kadare, D. Agolli, V. Koreshi shfaqen emra të rinj të suksesshëm si Fatos Kongoli, Zija Çela, Zejnullah Rrahmani, Mehmet Kraja, Eqrem Basha, etj..