Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 6.1
ROMANTIZMI SHQIPTAR
Naim Frashëri
Jeta
Poetë si Naim Frashëri vijnë në epokat e tronditjeve të mëdha historike, bëhen sinonime të tyre dhe me veprën që lënë pas, krijojnë epokë. Naimi lindi dhe jetoi në një periudhë të vështirë, por edhe të lavdishme të historisë së popullit tonë. Katër shekuj robëri rëndonin si mal mbi shqiptarët. Sistemi feudal-ushtarak, i imponuar nga pushtuesi, e kishte zhytur vendin në mjerim. Perandoria Osmane, që mbante në këmbë dhe ushqente këtë sistem, kishte hyrë në një krizë të thellë. Vendet evropiane, me kohë, i kishin hapur rrugën zhvillimit e përparimit.Vendet ballkanike kishin nisur lëvizjen e tyre kombëtare. Pikërisht, në këto rrethana, patriotët shqiptarë po kuptonin gjithnjë e më mirë se vetëm shkëputja nga Turqia do t’i hapte shtigjet e zhvillimit atdheut të tyre, popullit të sfilitur nga shtypja. “Turqia, – shkruante Sami Frashëri, – as mund të rrojë paskëtaj, as di, as do rrojë, as duhet të rrojë.”
Naimi lindi më 1846, në Frashër, një qendër e dëgjuar e bektashizmit por dhe një nga vatrat më të shquara të atdhetarizmit. Ai u lind në familjen e Halit Frashërit dhe ishte më i vogël se i vëllai, Abdyli, dhe më i madh se vëllai tjetër, Samiu; një treshe e lavdishme e lëvizjes kombëtare shqiptare. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes, ku mësoi turqishten, persishten e arabishten dhe ku u brumos me mendimin filozofik persian dhe me traditat shpirtërore të Lindjes, në teqen e bektashinjve. Në vitin 1865, Naimi, bashkë me Samiun, hyri në gjimnazin grek të Janinës, Zosimea, ku mori bazat e shkollimit klasik, studioi greqishten e vjetër dhe të re, rëngjishten dhe italishten. Shkollimi në Zosimea e njohu Naimin me filozofinë antike greke dhe romake, e njohu me iluminizmin francez, ndërkohë që zotërimi i gjuhëve lindore, sidomos i persishtes, i hapi poetit një tjetër dritare në botën e kulturës. Krahas leximeve të letërsisë greke, romake e franceze, Naimi lexoi poetët e lashtë persianë Saadi, Firdusin, Rumi-un etj., ndikimi i të cilëve do të jetë i dukshëm në veprat e tij.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Naimi jetoi ca kohë në Stamboll por për arsye shëndetësore u kthye në vendlindjen e tij, në Frashër, me shpresën se klima malore do ta shpëtonte nga sëmundja e mushkërive. Në vitin 1876, Naimi u bashkua me të vëllezëri në Janinë, ku jetoi me shqetësimin për fatin e Shqipërisë dhe ndoqi me interes veprimtarinë politike dhe kulturore të shqiptarëve jashtë atdheut. Pas katër vitesh dërgoi në Bukuresht poemthin e tij të parë në shqip Shqipëria, që u prit me entuziazëm në rrethet patriotike. Në këtë poemë ai shpalli poetikisht të gjitha idetë që do të formonin më tej themelet e veprës së tij dhe të gjithë poezisë atdhetare të Rilindjes. Pas përballjes me armë të shqiptarëve me osmanët, në çastet e fundit të mbijetesës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1881, dhe arrestimit të Abdylit në Janinë, Naimi detyrohet të shpërngulet bashkë me familjen në Stamboll. Së bashku me Samiun, luajti një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm, atyre në Rumani, Egjipt si dhe brenda në Shqipëri. Më 12 gusht të vitit 1884 nxori numrin e parë të gazetës “Drita”, që më pas mori emrin “Dituria”, ku botoi edhe disa poezi të vetat. U aktivizua në veprimtaritë e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, që ishte themeluar më 1879. Vdiq në 19 Tetor të vitit 1900 në Stamboll.
Vepra
Vepra e Naim Frashërit është e gjerë. Ai shkroi abetare, poema heroike, tekste gjeografie, lirika filozofike, fjalë të urta, lirika dashurie, tekste historie, peizazhe, fabula, tekste anatomie, libra këndimi etj. Por mbi të gjitha ai qe poet. Ëndërrimet (Tehajulat) – një vëllim poetik i shkruar në persisht dhe i botuar në 1885. Lirikat filozofikemeditative të këtij vëllimi, edhe pse janë shkruar nën ndikimin e poezisë klasike persiane, shquhen për ndjeshmërinë e lartë dhe origjinalitetin poetik. Në vitin 1886, Naimi boton në greqisht poemthin Dëshira e vërtetë e Shqiptarëvet, në të cilin u paraqet të huajve programin e brezit të vet. Një apostrofë e hijshme sjell pranë lexuesit figurën e Gjergj Kastriotit. Patriotizmi i Naim Frashërit shpaloset fuqishëm:
“ O ti! O i pavdekur! O shpirt i shenjtëruar!
O bir i dashur shumë! ti o zembak i shkruar!
***
O djal’ i lavduruar i Mëmëdheut të gjorë,
Që vdiqe e le jetimë, të varfër e pa dorë!”
Vëllimi poetik Fletore e Bektashinjve (1894) përfshin kryesisht poezi filozofike. Vjershat që përfshihen në këtë vëllim japin një tablo të besimit të sektit bektashian, që në shekullin XIX luajti një rol të rëndësishëm në mbijetesën e kulturës shqiptare dhe në përhapjen në fshehtësi të librave shqip.
Dashuria (1895) – poemth erotik i shkruar në greqisht, në të cilin Naimi shpreh idetë dhe ndjenjat e tij për dashurinë në planin filozofik dhe njerëzor.
Poema heroike-fetare Qerbelaja (1898) e merr temën prej historisë fetare arabe nga shekulli IX deri në shekullin XVII. Porosia madhore e kësaj vepre shprehet me idenë se feja e vetme për të gjithë bektashinjtë ose të krishterët është dashuria për mëmëdheun.
Veprat didaktike dhe fabulat Një grup më vete në krijimtarinë e Naimit përbëjnë veprat me karakter didaskalik dituror) dhe fabulat. Si atdhetar iluminist, Naimi i shkroi ato për nevojat e shkollës shqipe dhe për propagandimin e njohurive shkencore. Ndër to përmendim vëllimet me poezi: Vjersha për mësonjëtoret e para, Parajsa dhe Fjala fluturake. Në prozë kemi veprat mësimore shkollore: Histori e përgjithshme për mësonjëtoret e para, Dituritë për mësonjëtoret e para, Histori e Shqipërisë. Këto vepra shprehin përkushtimin e Naimit ndaj çështjes së arsimit kombëtar në Shqipëri.
Bagëti e bujqësia(1886)- poemë liriko baritore.
Është një prej krijimeve të para të Naim Frashërit dhe himni më i bukur në gjuhën shqipe kushtuar natyrës, dashurisë dhe krenarisë për vendlindjen. Dy temat e mëdha, të cilat shfaqen që në titullin e poemës, janë: bagëtia dhe bujqësia. Në pjesën e parë të poemës, poeti i këndon jetës baritore, duke paraqitur bukurinë e tufës së dhenve, lojën e shqerrave rreth mëmave të tyre. Fjala mëmë, e cila theksohet në gjithë poemën, përmes forcës përgjithësuese merr vlerën e simbolit të atdheut. Me qëllim që të nxjerrë në pah bukuritë e atdheut si dhe admirimin që i frymëzojnë ato, Naimi përshkruan detaje të jetës baritore, duke bërë të ndërfuten nëntema të tilla si ajo e punës, e varfërisë si plagë shoqërore, e vdekjes së njeriut të dashur, etj.
Ndërsa në pjesën e parë të poemës poeti i këndon bukurisë së jetës baritore, si pjesë e natyrës shqiptare, në pjesën e dytë, mbi bujqësinë, ai do t’u këndojë fushave e maleve, lumenjve e arave, mbrëmjeve verore, njeriut duke punuar në fushë etj. Bariu dhe bujku janë personazhet qendrore lirike, që shkrihen natyrshëm me unin lirik.Tek ata poeti gjen të mishëruara vetitë e lashta shqiptare si: trimërinë, besnikërinë, dashurinë për punën dhe dëshirën për dijen. Përshkrimi i mikpritjes shqiptare është një pikturë e gjallë e këtij zakoni:
Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e mer
E vë në krye të vatrës me njerëzi’ e të madh nder.
Posa që shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija;
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndija..
Poeti nuk është një soditës i pranishëm në peizazhin e vendlindjes, pasi ai përshkruan nga pozicioni i mërgimtarit të përmalluar. Kjo bën që poema të shquhet për subjektivitetin, natyrshmërinë e ndjenjave të dashurisë dhe mallit për vendlindjen. Madhështia e maleve, gjelbërimi i pyjeve, gjerësia e fushave, pastërtia e lumenjve formojnë një tërësi harmonike prej nga vezullon bukuria e atdheut. Për Naimin, çdo gjë e atdheut është e bukur, ndaj ai ka të drejtën e madhe të krenohet me të. Naim Frashëri është romantik. Si i tillë, ai e sodit natyrën, ngazëllehet dhe mahnitet prej saj, por kur kjo është natyra e atdheut, ndjenja e tij merr hov, frymëzimi i lind vetvetishëm dhe vargjet fitojnë fuqi të rrallë: “dita është tjetër ditë dhe nata tjetër natë….atje lint djelli i qeshur dhe hëna e gëzuar…atje hapet trëndafili… Mrekullisë së natyrës ia zë vendin përjetimi i brendshëm, shprehur me fjalë të tilla si: ah sikur —- të paskësha, të kisha, të vinja, të rrinja Në poemën Bagëti e bujqësia shkrihen natyrshëm motivet me përfytyrimet konkrete, shpërthimet e unit lirik me meditimet e poetit filozof. Të gjitha këto jepen përmes ndërthurjes së dy trajtave të ligjërimit: përshkrimit dhe vetërrëfimit. Figura qendrore është apostrofa, madje e tërë poema mund të konsiderohet si një apostrofë e madhe e natyrës së atdheut. Për t’u dhënë jetë ideve e ndjenjave të tij, Naimi krijoi vargun e ri 16-rrokësh. Vetëm ky varg i gjerë mund të jepte atë tablo madhështore të natyrës shqiptare dhe ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan.
Histori e Skënderbeut (1898) – poemë epike-heroike
Naim Frashëri ishte poet romantik. Në përgjithësi, romantikët, duke dashur të mohojnë realitetin ekzistues ose duke qenë të pakënaqur prej tij, hidhen në të kaluarën historike. Dhe Naimit, për të mos pranuar gjendjen në të cilën ndodhej vendi i tij, robërinë, i duhej përfytyrimi artistik i një epoke të kaluar të denjë për t’u marrë shembull. Po a kishte epokë më të denjë se ajo e Skënderbeut? Dhe kështu nisi nxitja dhe krijimi i poemës më të madhe epike Historia e Skënderbeut, për të cilën Kalendari i Vatrës, më 1918, thotë se është “libri ma i lexuemt ndër shqiptarë.” Autori e ka projektuar figurën e Skënderbeut në përputhje me idealin e tij romantik, nën dritën e idealeve të humanizmit dhe në frymën e Rilindjes Kombëtare. Personazhi Skënderbeut mbart tiparet e një heroi legjendar, të luftëtarit dhe atdhetarit të flaktë, që mbi gjithçka vë atdheun. Ai ishte udhëheqësi me aftësi të rralla që diti t’i bashkojë shqiptarët rreth idealit të lirisë. Skënderbeu i Naimit është burri i madh e i mençur, është trimi e strategu i luftës, është fisniku dhe humanisti i rrallë. Adhurimin për të Naimi e shpreh në vargjet:
Kish të gjitha mirësitë
dhe të tëra urtësitë,
Njerëzinë e dituritë
dhe fuqin’ e trimërinë.
Një ide e rëndësishme që përftohet gjatë gjithë poemës ështe ajo se liria fitohet vetëm me luftë të armatosur. Naimi e tregon historinë nga pozicioni i poetit, i patriotit dhe, së fundmi, i historianit, por, gjithsesi, poema Historia e Skënderbeut është në radhë të parë një vepër poetike.