Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara

Mësimi me video

Mësimi 9.2 Analizë Vëllezërit Karamazovë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 9.2

FJODOR DOSTOJEVSKI

ANALIZË “VËLLEZËRIT KARAMAZOVË”

“Vëllezërit Karamazovë” cilësohet si vepra e veprave të Dostojevskit. Ajo është një nga veprat më të vlerësuara në botë, çka e rendit shkrimtarin e saj përkrah emrave të mëdhenj të Shekspirit, Dantes, Gëtes etj. Romani “Vëllezërit Karamazovë” u shkrua nxitur nga dy ngjarje që e tronditën dhe e dëshpëruan thellë Dostojevskin: Vrasja e mbetur legjendë e një ati prej të birit dhe vdekja e Alioshës, djalit të tij 3-vjeçar.

Struktura e veprës dhe rrëfimi
Kjo vepër u botuar më 1881 në dy vëllime. Vepra përbëhet nga 4 pjesë dhe epilogu. Vëllimi I përmban dy pjesët e para, ku secila pjesë ndahet në 3 libra ose krerë. Vëllimi II përmban pjesën e tretë dhe të katërt, secila pjesë e ndarë po nga 3 libra ose krerë, pra e gjithë vepra është organizuar në 12 krerë. Vepra “Vëllezërit Karamazovë”, pavarësisht se është shkruar në shek. XIX, përmban një sërë elementesh moderne si dhe teknika rrëfimi të shumëllojshme. Rrëfyesi është një shkrimtar i vetëshpallur, i cili duke i përcjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë perceptimet e ndjenjat e tij për personazhet e veprës, bëhet edhe vetë një karakter i veprës.

Shpesh herë, nëpërmjet përshkrimit, zëri i narratorit bashkohet, shkrihet e humbet brenda tonit të njerëzve të cilët ai përshkruan. Ajo çka të bie në sy gjatë të gjithë veprës është mungesa e një zëri autoritar që rrëfen nisur nga një këndvështrim, çka ia shton veprës vlerat artistike. Përveç narratorit, në kapituj të veçantë, rrëfimi bëhet nga zëri i vetë personazhit si rrëfimtar i nivelit të dytë, si p.sh., në historinë e inkuizitorit të madh ose në rrëfimet e Zosimas. Kjo teknikë rrëfimi bën që ajo çka rrëfehet të duket më afër së vërtetës ose më subjektive. Rrëfimit i bashkëngjitet teknika e individualizimit të gjuhës së personazhit. Secili personazh komunikon në vepër me nje stil gjuhësor vetjak. Në këtë mënyrë fjala (të folurit) bëhet mjet në duart e narratorit për të zbuluar shpirtin dhe personalitetin e brendshëm të çdo personazhi të tij. Karakteristika të rrëfimtarisë së Dostojevskit janë: përdorimi i burimeve të ndryshme informacioni; trajtimi i subjekteve artistike (temave, personazheve) parë nga shumë këndvështrime.

Subjekti dhe kompozicioni

Libri I “Historia e një familjeje të vogël”– Familja e Karamazovëve banonte në një qytet provincial. I pari i saj ishte Fjodor Karamazovi. Ai ishte martuar 2 herë. Nga martesa e patë kishte një djalë, Dmitrin, ndërsa nga martesa e dytë kishte 2 djem, Ivanin dhe Alioshën. Secili prej tyre ka historinë e vet. Djemtë janë kthyer pas shumë vitesh tek i ati. Vetëm Ivani qëndron në shtëpinë e të atit në qytet. Mitja parapëlqen një tjetër vendstrehim, kurse Aliosha, si rishtar në fe shkon në manastirin më të afërt.

Libri II “Një takim krejt i pavend” – Fjodori dhe të bijtë takohen në manastir me murgun Zosima. Qëllimi i takimit është ta bëjnë murgun ndërmjetës për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis atit dhe Dmitrit, lidhur me trashëgiminë e këtij të fundit. Takimi degjeneron në fyerje e sharje. Duke u përplasur midis tyre, personazhet zbulojnë vetveten. Në këtë libër njihemi dhe me Lizetën lozonjare që dashuron Alioshën. Janë prekëse skenat e bisedave të Zosimës me të varfërit dhe gruan që mban zi për djalin 3- vjeçar, aluzion për tragjedinë e vetë Dostojevskit.

Libri III “Epshorët”– Biseda e Dmitrit me Alioshën shfaq më qartë natyrën epshore të Dmitrit, e ngjashme kjo me atë të të atit. Në këtë libër nisin të vizatohen brinjët e trekendëshit dashuror Mitja- Grushenjka- ati Fjodor, që është përcaktues për thurjen e romanit. Mitja, i fejuar me Katerinën, dashuron me pasion Grushenjkën ashtu si dhe i ati. Ai e kërcënon të atin duke i thënë se do të vijë dita kur ai do të kthehet e do ta vrasë.

Libri IV “Gulçima dhe ankth”– Aliosha sheh një grup shkollarësh që po gjuanin me gur shokun e tyre, Iljushën. Ndërhyn ta ndihmojë, por Iljusha e kafshon. Më vonë Aliosha zbulon se Iljusha ishte djali i ishkapitenit Snegirjov, të cilin Dmitri e kishte rrahur dhe fyer. Aliosha si për të ndrequr sjelljen e të vëllait përpiqet ta ndihmojë familjen e Iljushës. Në roman do të rishfaqen detaje të ngjarjes me shkollarët.

Libri V “Pro dhe kundra”– Ivan Karamazovi takohet me të vëllain e tij, Alioshën. Teksa bisedojnë, Ivani mbron me pasion ideologjinë racionaliste dhe nihiliste, aq të përhapur në Rusinë e kohës. Kapitulli me titull “Rebelimi” përbën pikën kulmore të romanit. Ivani i zbulon të vëllait të fshehtën e mosbesimit dhe të revoltës metafizike. Ai deklaron se ai e refuzon botën që Perëndia ka krijuar për shkak se ajo ështe një botë plot padrejtësi dhe vuajtje të pakuptimta, veçanërisht vuajtjet e fëmijëve të cilët, ndryshe nga të rriturit, nuk kanë bërë asgjë për të cilën mund t’i meritojnë ato vuajtje. Sipas Ivanit, njeriu është i pafuqishëm për të mbartur lirinë e tij të brendshme, lirinë e dallimit midis së mirës dhe së keqes, kur ekziston vetem njëra prej tyre. Kjo temë shtjellohet në mënyrë madhështore në kapitullin më të famshëm të romanit, “Inkuzitori i madh”. Ivani i tregon Alioshës shëmbëlltyrën (poemë e quan ai) e një udhëheqësi të inkuizicionit spanjoll i cili takohet me Jezusin, që është kthyer në tokë dhe, kudo që shkon, bën mrekullira, si shumë kohë më parë. Jezusi refuzohet nga inkuizitori, i cili e burgos atë. Inkuizitori i madh i thotë se liria e zgjedhjes mes së mirës dhe së keqes, që Krishti ia la trashëgim njerëzimit, është një barrë e rëndë për ndërgjegjen njerëzore dhe se ky nuk ishte një bekim, por një mallkim për njeriun. Inkuizitori e akuzon Krishtin për gabimin e pafalshëm: mendimin e lartë për njerëzit, për ata që nuk janë veçse një grumbull i mjerë. Krishti i dëgjoi i qetë akuzat dhe vendimin për ta djegur në turrën e druve. Përgjigjja që i dha inkuizitorit qe një puthje. Kjo puthje është konsideruar si puthja më enigmatike në letërsinë botërore. Inkuizitori që u rrënqeth i tëri, hapi derën e qelisë dhe e la të ikte duke e porositur që “të mos kthehej më”. Pasi dëgjoi këtë histori, në fillim Aliosha u revoltua dhe i tha të vëllait: “Ti je si ata, ti nuk beson!”. Por më pas ai u qetësua dhe e puthi të vëllanë. Gjesti i tij ishte si ai i shëmbëlltyrës. Më pas vëllezërit ndahen.

Libri VI “Murgu rus”– Në prag të vdekjes, murgu Zosima rrëfen si e gjeti besimin e si vendosi të bëhej murg. Ai predikon që njerëzit duhet të pranojnë mëkatet dhe fajet që kanë bërë fillimisht vet e pastaj të falin e të mëshirojnë të tjerët. Zosima përfaqëson një filozofi që i kundërpërgjigjet asaj të Ivanit, që s’pranonte perëndinë.

Libri VII “Aliosha”– Zosima vdes. Vdekja e tij sa ç’ngjalli dhimbje te njerëzit, aq dhe i tronditi ata. Kutërbimi i trupit të kalbëzuar lëkundi besimin e tyre. Madje dhe tek Aliosha, i cili mendoi se trupi i këtij njeriu “të shenjtë” nuk do të tretej. Largohet nga manastiri. Rakitini, shoku i tij, e tërheq në rrugën e mëkatit, por Aliosha nuk e korrupton shpirtin e tij. Afrohet me Grushenjkën, fiton besimin e saj dhe e nxit drejt pastrimit shpirtëror. Libri mbyllet me përtëritjen shpirtërore të Alioshës, i cili puth tokën para manastirit, lutet, përgjunjet dhe niset të përmbushë porosinë e atit Zosima: i përtërirë mes njerëzve.

Libri VIII “Mitia” – Para se të largohet me Grushenkën, Dmitri përpiqet t’i kthejë së fejuarës, Katerina Ivanovnës, 3000 rublat që i ka marrë. Por marrëveshja e bisnesit dështon. Ndërkohë i ati është përgatitur për t’i kërkuar martesë Grushenjkës. Pesë vjet më parë, Grushenka ishte ndarë plot dhimbje nga i dashuri i saj. Pikërisht tani ai bëhet i gjallë dhe i kërkon të takohen me qëllim që t’i propozojë sërish martesën. Grushenjka fluturon drejt shpëtimtarit të saj, largohet në Mokri. Sapo ajo largohet, ia mbërrin Dmitri. I bindur se Grushenjka ka shkuar tek i ati, niset për atje. Troket në dritare sipas sinjaleve që i kishte treguar shërbëtori Smerdiakov. Ç’ndodh më tej mbetet qëllimisht e mjegullt nga Dostojevski. Ne shohim vetëm dritaren dhe derën të hapur dhe shërbëtorin Grigor që vrapon, i bindur se Dmitri e ka vrarë të atin. Por Dmitri e qëllon dhe ashtu tërë gjak rend pas Grushenjkës, i vendosur ta shohë edhe njëherë, të lumturohet e pastaj të vriste veten. E gjen të dashurën me “shpëtimtarin” e saj, i cili është gati ta këmbejë Grushenjkën me paratë që i afron Dmitri. Grushenka kupton se e dashuron Dmitrin, i premton të jetë e tij deri në vdekje, por në ato çaste Dmitrin e arrestojnë për krim ndaj të atit.

Libri IX “Hetimi paraprak”– Dmitri merret në pyetje nga ana e hetuesve, i akuzuar për vrasje të bërë me qëllim grabitjeje. Pranon vrasjen e Gregorit, por jo të të atit: “Veç, mbani vesh mirë këtë që po ju them për herë të fundit: nuk kam gisht në vrasjen e tim eti!” Hetuesit, avokatët nuk binden për këtë, se provat flasin kundër Dmitrit. Lehtësohet, kur merr vesh se Gregori është gjallë dhe mendon se çdo gjë do të zgjidhet, por është e vështirë të vërtetohet se ku i gjeti Dmitri 3000 rublat, pas vrasjes së të atit, kur më parë s’kishte asnjë dyshkë. Po 3000 rublat që i ati kishte ruajtur për Grushenkën, ku shkuan? Shpjegimi i Dmitrit se paratë ia kish marrë të fejuarës nuk u duket i vërtetë avokatëve. Megjithatë dyshimi mund të binte dhe mbi djalin e paligjshëm, Smerdiakovin. Por ky e kishte alibinë: atë ditë kishte pësuar një atak epileptik dhe ishte i sëmurë rëndë. Dmitri vuan që s’e besojnë. Dremit pak. Sheh veten në ëndërr si parashenjë, ndaj firmos deponimin duke marrë mbi vete atëvrasjen. Tek pret gjyqin, beson se dënimi, vuajtja do ta pastrojnë e përtërijnë: “E pranoj mundimin që paracakton akuza, e pranoj damkosjen që më bëhet. E pranoj vuajtjen, e dua atë dhe përmes saj do të pastrohem! Se edhe mund të pastrohem, zotërinj!”

Libri X “Djemtë” –Në këtë libër autori e çon më tej historinë e Iliushës dhe babait të tij. Përshkruan sëmundjen e Iliushës, vizitat e shokëve dhe mjedisin e mjeruar ku gjallonte familja e tij. Shpreh hapur dhimbjen për të varfërit.

Libri XI “Vëlla Ivan Fiodoroviçi” – Dmitri në burg ka ndryshuar shumë. Ai e do jetën dhe ka frikë se mos Grushenjka e braktis. Ndërkohë Katerina, ish-e fejuara e Dmitrit, ruan ende një provë të fortë kundër Dmitrit, ruan letrën ku ai, në gjendje të dehur, ka shkruar se ka ndërmend të vrasë babain. Katerina ia tregon letrën Ivanit që ndërkohë ka rënë pre e dyshimeve, e etheve dhe çrregullimeve mendore. Nisur nga dyshimet e tij për vrasjen e babait, ai bisedon me Smerdiakovin. Në takimin e tyre të tretë, Smerdiakovi i rrëfen dhe i vërteton se Fjodorin e kish vrarë dhe grabitur ai. Smerdiakovi shkon më tej kur e akuzon Ivanin si bashkëpunëtor, se ishte Ivani ai që i kish ushqyer idenë se në një botë pa perëndi, çdo gjë ishte e lejuar. Ivani, edhe pse në gjendje haluçinante, është i vendosur të denoncojë fajtorin e vërtetë, por vjen Aliosha dhe i rrëfen që Smerdiakovi është gjetur i varur, fill pas takimit të fundit me Ivanin.

Libri XII “Gabimi gjyqësor” – Libri nis me gjyqin e Dmitri Karamazovit, i cili akuzohet për atëvrasje. Dëshmitarët paraqiten njëri pas tjetrit. Gjithçka i ngjan një shfaqjeje teatrale. Pjesëmarrësit e shumtë në sallën e gjyqit satirizohen ashpër nga Dostojevski. Kulmi arrin me rrëfimin e Ivanit, i cili fajëson Smerdiakovin si vrasësin e vërtetë të të atit dhe veten, sepse e kishte nxitur Smerdiakovin me idenë e tij “gjithçka lejohet”. Por trupi gjykues nuk e beson, duke e marrë për të çmendur.

Pika e kthesës është dëshmia e mallkuar e Katerinës kundër Dmitrit, e cila shërben si provë kryesore. Trupi gjykues merr vendimin: “Po, është me faj.” Dënimi: 20 vjet punë të detyruar në Siberi.

Epilogu – Ivani dhe Katerina kane bërë një plan që Dmitri të arratiset duke korruptuar rojet. Aliashka pranon për shumë arsye, por kryesorja është se ai e di që Dmitri është i pafajshëm për vdekjen e babait. Në fund, Dmitri, për të qetësuar ndërgjegjen, nuk pranon të arratiset dhe merr përsipër të çojë deri në fund dënimin e tij. Ivani dhe Katerina shkojnë në Amerikë, por shpejt kthehen me mall të madh për Rusinë. Fryma e faljes, pajtimit dhe mëshirës kristiane mbyll romanin.

Personazhet

Fjodor Pavlloviç Karamazov– Një 55-vjeçar kokëkrisur, që rend pas grave, parave dhe pronave. Herë si Grande e herë si Don Zhuan i tërbuar, ai harron se është baba. Natyra epshore e bën armik me të birin, pasionet seksuale e bëjnë atë të pështirë e të poshtër. Është i shthurur, nepsqar dhe i pangopur. Llogarit të fitojë me çdo mënyrë, pavarësisht mjeteve që përdor. Si Grandeja, asgjë s’u jep të bijve, madje paturpësisht do t’u marrë atyre gjërat më të çmuara që ata kanë: Mitjas të dashurën, Ivanit dijen, Alioshës besimin. Trupi i majmë si i derrit, fytyra dhe sytë të vegjël, sytë dyshues, hunda hollake e me kurriz, mjekra majuce, goja e madhe me dhëmbë të bërë cungje përbënin portretin e shëmtuar të njeriut të neveritshëm që energjitë dhe ditët e jetës së tij i vë në shërbim të së keqes për të gëzuar fundin më të ndotur, vetë llumin. Forca e Karamazovëve lidhet simbolikisht me të, me dëshirën shkatërruese për të rrokur fundin.

Dmitri Fjodoroviç Karamazov – është djali i madh i Fjodorit, të cilin, pas largimit të nënës, e harroi fare se ekzistonte. Për djalin u kujdes Grigori, shërbëtori besnik i familjes dhe familjarët e nënës së tij. Dmitri nuk e mbaroi gjimnazin, shërbeu në ushtri dhe, pasi e liruan, u dha pas qejfeve duke shpenzuar shumë para. Ai ishte mendjelehtë, i rrëmbyer dhe me huqe, por i bukur si nëna e tij. Sensualisti i rrëmbyer Mitje, pavarësisht shumë të përbashkëtave me babain e tij, ka një zemër të pastër, e respekton dhe e vlerëson deri në fund të fejuarën e tij, Katerina Ivanovnën, por nuk e do, sepse digjet nga pasioni për Grushenjkën.Tek i ati sheh fare pak prindin. I ati për të është rivali, konkurrenti në luftën për Grushenjkën. Shkon mirë me Ivanin, por është më i afërt me Alioshën, që e konsideron si engjëllin e tij.

Ivan Fjodoroviç Karamazov – djali 24-vjeçar i Fjodorit, është inteligjent, i ditur e i arsyeshëm. Natyrë e ftohtë, e zymtë dhe e tërhequr, por i mirë në thelb. Urren të keqen e të shëmtuarën dhe, kur këto shfaqen te njerëzit e afërt, si i ati, ndien neveri. Por nuk e braktis të atin, madje përpiqet ta pajtojë atë me Dmitrin. Revoltohet ndaj të atit për epshet shtazarake dhe dehjen e vazhdueshme të tij. Marrëdhëniet me vëllezërit i ka të komplikuara, por në fund afrohet shumë me ta. Shqetësohet për vuajtjet e të varfërve aq sa refuzon të pranojë botën e ndërtuar keq nga Zoti. Gjykon drejt, deri në dënimin e vetvetes, se me idetë e tij ka nxitur të tjerët të bëjnë krim, si Smerdiakovin. Bashkimi i tij me ish-të fejuarën e Dmitrit, Katerinën, mbyll romanin dhe përcjell mesazhin e madh të Dostojevskit: Dashuria dhe lumturia e vërtetë vijnë vetëm përmes vuajtjeve.

Aleksei Fjodoroviç Karamazov– është krijesa artistike e adhuruar prej Dostojevskit. Në të ai mishëroi idetë e filozofisë së tij, ato të njeridashjes e të shpëtimit të shpirtit. Ai ishte shenjti që kishte dalë nga ferri i epshit, ishte mishërimi i së mirës, i besimit, i lutjes dhe i faljes. I ka të huaja lakminë, egoizmin, shpirtvogëlsinë, zilinë dhe mllefin. Gjithnjë i qetë, i urtë, fjalëpak e i dashur, duke rrezatuar dashuri, përulësi e besim veti që i bënin të tjerët të çarmatoseshin. Bir në shpirt i Zosimës, Aliosha është modeli i njeriut të Dostojevskit.

Agrafena Aleksandrovna Svetlova (Grushenjka) – vajza 22-vjeçare që me bukurinë e saj çorodit e tërheq burrat, është shkaku i konfliktit dhe rivalitetit atë e bir. Dashurinë e kish njohur që 17 vjeç, por ajo i kishte lënë gjurmë dhimbjeje dhe kish bërë të mos besonte më tek ajo. Ndaj Grushenjka i mundon si Fjodorin, si Dmitrin, i përqesh, i ndëshkon si hakmarrje për dhimbjen e saj. Por në thelb ajo është e butë dhe bujare. Miqësia me Alioshën dhe dashuria për Dmitrin përcaktuan rrugën e përtëritjes shpirtërore të saj.

Katerina Ivanovna, e fejuara e bukur e Dmitrit, është një femër fisnike, krenare dhe e kulturuar. Në marrëdhënie me Dmitrin, ajo është femra që pëlqen të jetë e përvuajtur si martire. Ndjenja që ushqen për të niset nga mirënjohja. Më pas ajo e do Dmitrin, por kupton se ndjenjat e tij s’ishin dashuri. Lidhja e saj me Ivanin, që e dashuron sinqerisht, është plot luhatje. Nga njëra anë i ndrydh ndjenjat për të, nga ana tjetër e torturon atë aq sa ai heq dorë. Vetëm në fund të romanit, pasi kish nisur rrugën e ngritjes shpirtërore, Katerina e pranon dashurinë e Ivanit dhe i kërkon falje Mitjas dhe Grushenjkës.

Murgu Zosima – “Dashuro çdo krijesë të Perëndisë gjer te kokrra e rërës! Dashuro çdo gjethe, dashuro çdo dritë që vjen nga Perëndia. Në qoftë se i dashuron të gjitha këto, do t’i bësh të vërteta të gjitha të fshehtat e gjërave.” Kështu flet murgu Zosima, këshilltari dhe mësuesi shenjtor i manastirit, atë shpirtëror i Alioshës. Besimi i tij te mëshira e krishterë i kundërvihet qëndrimeve blasfemuese e mohuese të njerëzve si Ivani. “Përkulu, o njeri krenar!” – thërret Zosima ose vetë Dostojevski, i cili ka kapërcyer kështu skepticizmin mbi çështjen e Zotit në emër të një ndërgjegjeje të re.

Dukuria e dashurisë së dy fishtë
Dukuria e dashurisë së dyfishtë1 te Dostojevski është krejt e natyrshme. Nga dashuria e dyfishtë që ndjejnë personazhet krijohen shumë trekëndësha dashurie/xhelozie: Dmitri- Grushenka-Fjodor; Dmitri-Katerina-Ivan; Katerina-Dmitri-Grushenka; Dmitri- Grushenka- oficeri Pol etj. Kështu Grushenka e do dhe e urren njëkohësisht mashtruesin e saj të parë, e do me pasion Dmitrin, ndërsa me adhurim dhe aspak trupërisht ajo do Alioshën. Katerina Ivanovna e sheh Dmitrin në ballo; ai e fyen dhe ajo e urren. Ai hakmerret, e poshtëron dhe ajo e do ose më mirë të themi, nuk do atë, po poshtërimin e asaj. Sa më shumë duket se e do, aq më shumë ajo e urren. Kaq shumë është e ngatërruar te Dostojevski një marrëdhënie dashurore, por pa të nuk ka kuptim aspak bota e tij, ku trimfon dashuria vëllazërore, dashuria për jetën, dashuria që të nxit në besim.

Për Dostojevskin dashuria është dhembja më e fortë e plagës së përjetshme, është vuajtje nga e cila buron lumturia dhe harmonia e botës. Personazhet e Dostojevskit duan të dashurojnë, por të jenë edhe viktimë e dashurisë. Parapëlqejnë të japin më shumë e të marrin më pak në këmbim. Dashuria te Dostojevski hap shtigjet drejt Perëndisë. Meritë e Dostojevskit është analiza e plotë e ndjesive. “Duke kthjelluar skutat më të errëta të shpirtit njerëzor me anë të analizës psikologjike, ai hapi në letërsi toka të reja të pashkelura më parë.”

Tortura e Zotit dhe triumfi i jetës
“Ka apo nuk ka Zot? – pyet djallin Ivan Karamazovi në kulmin e torturës shpirtërore. “Nuk e di”- i përgjigjet djalli. Në pyetjen e Ivanit mishërohet shqetësimi i madh i Dostojevskit, i cili gjatë gjithë jetës përplasej midis po-së dhe jo-së. Zemra e tij ishte e ndarë në dy: me shërbëtorin e Perëndisë dhe mohuesin e tij, me Aljoshën dhe Ivanin. Për t’i mbrojtur njerëzit nga tortura e pyetjes “A ekziston Zoti?” Dostojevski predikon dashurinë ndaj Perëndisë. Por a është vallë jeta natë e përhershme në veprën e Dostojevskit? Jo, përkundrazi, që nga fundi i err ësirës së tij, Dostojevski na ngushëllon ëmbëlsisht: “O miqtë e mi, mos iu trrembni jetës!” Të gjithë heronjtë e Dostojevskit e duan aq fort jetën, sa janë gati të martirizohen për të. I tillë është Dmitri, i tillë Ivani, për jetën brohorasin fëmijët në varrimin e Iljushkës: “Rroftë jeta!”. Jehona e këtyre fjalëve përshkon tërë veprën madhore që Dostojevski i la pas njerëzimit.

Vlerat artistike të veprës
Tragjedia e Karamazovëve nuk qëndron më poshtë sesa epika e Homerit apo veprat madhështore të Gëtes. Bota fantastike e Karamazovëve shpaloset vetëm në pak ditë. Kjo vepër e Dostojevskit është e krahasueshme me tragjedinë e Edipit, për nga dendësia e ngjarjeve që ndodhin. Një jetë e tërë mbyllet në një hapësirë të ngushtë kohore. Njeriu kolos aty është i zhveshur, pa mbrojtje dhe i vogël, nën qiellin tragjik të fatit. Përjetësisht takohen të kundërtat: në mes të qiellit e Ferrit, Perëndisë e Djallit shtrihet bota e këtij lëvruesi të madh të penës ruse. Një veçori e personazheve të Dostojevskit është fakti se ata i “nuhasin” gjërat para se ato të ndodhin, e kuptojnë njëri-tjetrin plotësisht gjer në fund të thellësisë; e thithin fjalën ende pa dalë. Të gjithë janë “profetë”, njerëz me veti parashikuese, njohës, kuptues të gjithçkaje, ashtu siç ishte dhe vetë Dostojevski, i cili që në moshën 18-vjeçare i shkruan të vëllait: “Misteri i personalitetit njerëzor duhet zbuluar dhe mua më intereson ky mister, sepse e kam vullnetin për t’u bërë NJERI”.