Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 5.1
Romantizmi shqiptar
Rilindja Kombëtare – kushtet historike, politike dhe kulturore
Rilindja1 Kombëtare Shqiptare është lëvizja e madhe politike, ideologjike, ekonomike, kulturore dhe letrare që përfshiu të gjitha trojet shqiptare nga vitet 1830-1840 të shekullit XIX deri në zgjidhjen e problemit kombëtar, më 1912. Ajo qe një lëvizje e gjithanshme që synonte të shkundte përfundimisht zgjedhën shekullore turke dhe për të dalë në dritën e lirisë dhe të përparimit. Në pikëpamjen historike, Rilindja Kombëtare Shqiptare është lëvizja e popullit shqiptar për çlirim kombëtar nga pushtimi osman. Ndërsa, në pikëpamjen letrare, shënon krijimin e letërsisë kombëtare shqiptare. Ndër faktorët e brendshëm që ndikuan në lindjen e lëvizjes së Rilindjes, së pari, duhen përmendur luftërat e popullit shqiptar kundër robërisë së gjatë osmane dhe përpjekjet e pareshtura për t’i shpëtuar asimilimit. Në qendër të Rilindjes Kombëtare ishte ideologjia dhe strategjia e luftës për çlirim. Kësaj ideologjie i shërbeu gjithë procesi kulturor, arsimor dhe artistik. Ky sistem ishte pjesë e formimit dhe e forcimit të vetëdijes së unitetit kombëtar, ndjenjave luftarake për çlirimin e vendit dhe nxjerrjes së Shqipërisë nga ajo gjendje e gjatë robërie, prapambetjeje dhe mjerimi. Në pikëpamjen historike, lëvizja e Rilindjes u zhvillua në një kohë kur Perandoria Osmane po çoroditej e po shpartallohej. Popujt që qenë nën zgjedhë po nisnin një jetë të pavarur, duke u shkëputur njëri pas tjetrit prej saj. Ndonëse pak me vonesë, edhe shqiptarët po përpiqeshin të shpëtonin nga zgjedha osmane. Pashallëqet e Ali Pashës në jug dhe ai i Bushatllinjve në veri ishin shprehje e përpjekjeve të tyre për të qeverisur vetë vendin e për t’u shkëputur përfundimisht nga perandoria e dekompozuar osmane. Gjithashtu, në fillim të shekullit XIX ndodhën një sërë ndryshimesh ekonomike siç ishin: krijimi i bashkësive ekonomike, zhvillimi i qyteteve, i tregtisë, i ekonomisë monetare etj. Këto realitete të reja dhe synimet për formimin e shtetit shqiptar krijuan terrenin për organizimin e parë politik kombëtar të popullit shqiptar, që u shpreh në Lidhjen e Prizrenit, më 1878-1881. Qëllimi i saj ishte të shprehte interesat e gjithë kombit si bashkësi e pacënuar për mbrojtjen e integritetit dhe formimin e një shteti të pavarur demokratik. Historikisht, Rilindja Kombëtare ndahet në dy faza simbolike: faza e parë shkon deri në 1878-ën, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe faza e dytë shkon deri në shpalljen e pavarësisë, në Vlorë, më 1912-tën.
Në fazën e parë, si faktor i jashtëm i rëndësishëm duhet vlerësuar lëvizja e Tanzimatit, më 1847, që me fuqinë e saj reformatore, ndonëse nuk arriti ta përmbysë krejtësisht sistemin feudal osman, e tronditi atë dhe paralajmëroi rritjen e kapitalizmit në gjithë Evropën. Ndër faktorët e brendshëm, duhet theksuar nevoja për gjallërimin, lëvrimin, pasurimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave ku mësohej ajo. Kjo nevojë erdhi gjithnjë duke u fuqizuar, nga njëra fazë te tjetra. Gjuha shqipe kishte zgjuar dhe vazhdonte të mbante gjallë interesimin e gjuhëtarëve të huaj, të cilët, duke parë mëvetësinë e saj të plotë, lëvduan vjetërsinë e popullit tonë dhe përpjekjet për ta ruajtur atë përgjatë shekujve. Interesimi për gjuhën, pasurimin dhe përhapjen e saj u vu në qendër të lëvizjes kulturore-arsimore të kohës. U hapën shkolla të reja në Kurbin, Pllanë, Blinisht e Shkodër si dhe në Jug të vendit. Pjesë e rëndësishme e lëvizjes së Rilindjes ishin përpjekjet për krijimin e një alfabeti të njëjtë për të gjithë shqiptarët, gjë, që u arrit vetëm më 1908-ën, në Kongresin e Manastirit, të drejtuar prej At Gjergj Fishtës e rilindasve të tjerë. Nga ana tjetër, të gjithë patriotët e ndodhur jashtë kufijve të Shqipërisë, të drejtuar nga vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa e Jani Vreto, organizuan me dhjetra shoqëri të shqiptarëve kudo nëpër botë, Europë e deri në SHBA. Fletoret dhe të përkohshmet, kalendarët dhe librat që u botuan në këto qendra shtegtuan në gjithë vendet e tjera dhe mbërritën edhe në Shqipëri, duke synuar, nga njëra anë, edukimin politik të kombit dhe, nga ana tjetër, zhvillimin e gjuhës dhe letërsisë së tij. Prej gazetës së parë në shqip drejtuar e botuar nga De Rada, më 1848, Arbëreshi i Italisë, në Itali, Drita (më vonë Dituria), e Shoqërisë së Stambollit, Shqiptari në Bukuresht, Albania e Faik Konicës, në Bruksel e në Londër, Koha në Korçë dhe Bashkimi në Shkodër, deri më 1912 u botuan rreth 50 gazeta dhe revista.
Romantizmi shqiptar – Veçoritë, parimet
Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare zhvillohet në letërsi dhe në art e përfshirë, kryesisht, në drejtimin e romantizmit. Arsyet që kjo letërsi ndoqi rrugën e romantizmit duhen kërkuar në disa faktorë historikë, shoqërorë e artistikë.
Arsyeja historike duhet parë te fakti se romantizmi lulëzon edhe në Europën Perëndimore, në kohën kur kombet e ndryshme kërkojnë respektimin e identitetit të tyre nga të tjerët, kur popujt e ndryshëm zgjohen dhe kërkojnë pavarësinë. Kështu po ndodhte në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri.
Arsyeja shoqërore ka të bëjë me faktin se romantizmi kërkoi e bëri që në qendër të veprës artistike të ishte njeriu i thjeshtë, përkundër mbretërve a princërve të klasicizmit. Këtë njeri gjejmë te Bagëti e Bujqësi e N. Frashërit, te Milosao i De Radës ose te Andrra e jetës e N. Mjedjës.
Arsyeja artistike lidhet me atë që rilindasit tanë u njohën me veprat më të shquara të romantikëve italianë, francezë, anglezë, grekë, etj. Ata njohën Manxonin, Karduçin (italianë), Hygonë, Shatobrianin (francezë), Bajronin (anglez), Gëten, Shilerin (gjermanë) etj. S’ka dyshim që njohja me këta autorë qe një shkollë e madhe për romantikët tanë.
Letërsia e Rilindjes Kombëtare lindi dhe u frymëzua nga idealet patriotike kombëtare. Në të u mishëruan aspiratat e shqiptarëve për liri, zhvillim të pavarur, për dritë e përparim, për kulturë e arsim kombëtar. Kjo letërsi ka karakter patriotik, iluminist dhe demokratik. Synimi kryesor i saj ishte, para së gjithash, krijimi i identitetit kombëtar dhe forcimi i idesë së shqiptarisë. Është kjo arsyeja që përmbajtja mbizotëruese e letërsisë romantike shqipe është patriotike. Të gjithë poetët tanë romantikë shkruan me qëllimin për të zgjuar dhe forcuar atdhedashurinë, dhe e panë poezinë si mjet të luftës kundër pushtuesit:
“Ah! tokë e bardhë e fort bukurue
Zoti t’ka falë me shumë të mira;
me male, fusha, me ujë rrethue” (Pjetër Zarishi)
“ O dhe, ndër dhena, qi n’Evropë lulzojnë
lulzove ti ma i parë”- do të krenohej poeti Prengë Doçi.
Temat e parapëlqyera nga romantikët shqiptarë janë: atdheu, dashuria, liria, gjuha, natyra, Zoti, ripërtëritja, heroi ynë kombëtar, Skënderbeu, pellazgët, perëndimi. Romantikët shprehën ide të reja mbi misionin moral dhe atdhetar të artit. Ëndrra për njeriun e lirë, edukimi i njeriut me vlera humane dhe morale të larta (të arsyeshme) është tema kryesore e artit të përparuar europian që romantikët shqiptarë e pasqyruan në veprën e tyre.
Largimi në histori qe një tipar karakteristik i të gjithë poetëve romantikë. Romantikët shqiptarë evokuan shekullin XV të Skënderbeut dhe prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve. Historia, e sidomos ajo e kombit shqiptar, i dha poetëve romantikë lëndën për të zgjuar krenarinë kombëtare dhe për t’i shtyrë shqiptarët në vepra të dobishme për kombin.
Disa nga parimet krijuese të romantizmit shqiptar janë:
1. Lirizmi a kulti i ndjenjës. Ndjenja në poezinë e romantikëve u shpreh në temën e dashurisë për atdheun dhe të dashurisë për vashën.
a.Tema e dashurisë për atdheun shprehet në disa motive si: motivi i lirisë së atdheut; krenarisë kombëtare; dashuria për vendlindjen, për gjuhën shqipe; malli për atdheun; motivi i bashkimit kombëtar; motivi filozofik e meditativ, motivi fetar etj.
b.Dashuria për vashën te romantikët shqiptarë është një ndjenjë ëndërrimtare, në kufijtë e idealizimit por shpesh lumturia e kësaj ndjenje varet nga fatet e atdheut. Romantikët tanë, në përgjithësi, i referohen vashës shqiptare, portreti i të cilës realizohet sipas modelit të këngëve popullore. Shpesh ndjenja e dashurisë përballet me detyrën ndaj atdheut. Fati tragjik i heronjve romantikë buron nga pamundësia për të pasur lumturi kur atdheu vuan në robëri. Sakrifikimi për lirinë e atdheut është një përmasë e thelbit heroik të këtyre personazheve.
Kur drita e zbardhën qiellin
Detari ëndrrat harron.
E ka për nuse fjamurin,
Për mall detin këndon. (Detari-Serembe)
2. Kulti i natyrës. Romantikët shqiptarë e, sidomos ata arbëreshë, krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me natyrën. Ndryshe nga romantikët europianë që e shohin natyrën si vendin që u krijon mundësi për t’u arratisur nga problemet e jetës, ajo që i shtyn romantikët shqiptarë drejt natyrës është malli për dheun e të parëve, dëshira për t’u kënduar bukurive të përfytyruara të atdheut. Natyra është e bukur sepse identifikohet me atdheun, dheun e imagjinuar të të parëve por shpesh ajo është edhe e trishtuar, sepse atdheu jeton nën pushtimin e huaj.
3. Epizmi. Stili epik lidhet me formën heroike dhe rrëfimtare të poezive romantike dhe me kultin e heroit, siç është figura e Skënderbeut. Stilin rrëfimtar e gjejmë te De Rada, Gavril Dara, Naim Frashëri dhe Fishta.
4. Dramatizmi. Ky parim lidhet me dramën e brendshme të jetës së poetëve, që i jep poezisë së tyre karakter autobiografik por dhe me dramën e atdheut që vuante në robëri. Poemat e De Radës, Mjedës, Fishtës karakterizohen nga njëra anë nga dramaciteti lirik dhe, nga ana tjetër nga rrëfimi epik.
5. Stili retorik. Në aspektin stilistik poezia e Rilindjes Kombëtare karakterizohet nga fjalët dhe ndjenjat e zgjedhura me kujdes dhe të përdorura me qëllim që të krijojnë efekte emocionale dhe të nxisin mëndjen dhe zemrën e lexuesit. Romantikët shqiptarë i kushtuan rëndësi të dorës së parë gjuhës amtare duke e parë atë si tiparin dallues të kombit dhe si hallkën kryesore të ruajtjes së tij dhe të zhvillimit të kulturës kombëtare. Letërsia e Rilindjes shënoi kalimin nga Letërsia e Vjetër, me brendi kryesisht fetare, me karakter didaktik e krahinor, në një shkallë cilësisht të re. Brendia e saj u derdh në një gjuhë të fuqishme artistike, me një nivel të panjohur deri atëherë të artit të fjalës.
Dallimet e romanizmit shqiptar nga romantizmi europian
Romantizmi shqiptar pati tiparet e veta origjinale që e bëjnë të dallohet nga romantizmi europian.
1. Letërsia jonë romantike u vu e tëra në shërbim të çështjes kombëtare, të lirisë. Romantikët europianë, të pakënaqur e të zhgënjyer, e hodhën vështrimin në vendet ekzotike me jetë primitive ose iu drejtuan së kaluarës së largët. Romantikët tanë e përqendrojnë shikimin në atdhe. Edhe ata i drejtohen të kaluarës, duke u ndalur te Moti i Madh. Por, për ta e kaluara nuk është një strehë për t’u larguar nga problemet e ditës. Përkundrazi, duke idealizuar të kaluarën ata synonin të ngjallnin tek bashkatdhetarët krenarinë kombëtare e t’i frymëzonin në luftë për çlirim.
2. Heroi romantik i Rilindjes nuk ishte heroi i romantizmit europian, njeriu i zhgënjyer, i kredhur në vetmi e dëshpërim, as rebeli kryengritës ndaj shoqërisë. Ai është shqiptari luftëtar që gjithçka e vë në shërbim të çlirimit të atdheut, i tillë si Milosaoja, Pal Golemi, Niku etj.
3. Për romantikët europianë natyra është vendi i prehjes dhe qetësisë shpirtërore. Romantikët shqiptarë nuk i kënduan natyrës në përgjithësi, por natyrës shqiptare, si pjesë e atdheut, e lartësuan atë për të ngjallur dashurinë dhe krenarinë kombëtare.
4. Romantikët europianë shpesh iu drejtuan folklorit. Kështu bënë edhe romantikët tanë. Por për ta folklori shqiptar ishte një përvojë e pasur artistike; gjithashtu, duke u mbështetur në të, romantikët tanë afirmuan veçoritë dhe origjinalitetin e kombit, vlerat dhe traditat e pasura të popullit.
Gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara në romantizmin shqiptar
Letërsia romantike shqiptare themeloi letërsinë kombëtare shqiptare jo vetëm me temat që trajtoi, me kultivimin e gjuhës shqipe, me ligjërimet e saj por edhe me lëvrimin e gjinive dhe llojeve të ndryshme letrare.
Veprat më të mëdha të letërsisë romantike shqipe u shkruan në vargje. Shumë i lëvruar ishte lloji i poezisë lirike intime me tone elegjake nga autorë si De Rada, Serembe, Naim Frashëri, Filip Shiroka etj. Por lloji më i lëvruar i letërsisë romantike shqipe ishte poema, si ndërthurje liriko-epike, ku gjejmë njëherazi ndjenja, emocione dhe ngjarje. Shembuj të kësaj poeme janë Këngët e Milosaos, Këngët e Serafina Topisë të De Radës; Kënga e sprapsme e Balës, e Gavril Dara i Riu; Bagëti e bujqësi, Qerbelaja të Naim Frashërit; Mili dhe Hajdhia e Skiroit. Romantikët shqiptarë u prirën edhe nga lloji i epopesë kombëtare, siç është Skënderbeu i pafan1 i De Radës, Histori e Skënderbeut e Naim Frashërit dhe Te dheu i huaj e Skiroit. Në letërsinë romantike shqipe shfaqet drama me Sofonizba e De Radës, Ermirën e Santorit dhe Besën e Sami Frashërit. Po kështu lëvrohet tregimi me Gjahun e malësorëve të Kristoforidhit. Romani, si lloji më i madh letrar, u lëvrua nga Sami Frashëri, Dashuria e Talatit me Fitneten-e shkruar në turqisht-dhe Pashko Vasa, Bardha e Temalit-e shkruar në frëngjisht. Përgjithësisht proza e romantikëve në gjuhën shqipe ka formë didaktike dhe moralizuese, diturore apo ideologjike: Mësime nga Naim Frashëri; E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët nga Pashko Vasa apo Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet nga Sami Frashëri. Një lloj i veçantë i lëvruar nga autorët romantikë është proza autobiografike: Autobiografia (në italisht) e Jeronim de Radës si dhe Burgimet e mija (në italisht) e Pashko Vasës.
Përfaqësues të romantizmit shqiptar.
Një nga përfaqësuesit më të njohur të Rilindjes është Sami Frashëri. Veprat e tij më të mëdha i përkasin dijes, kulturës dhe letërsisë turke. Në gjuhën shqipe ai shkroi Gramatikën shqipe dhe traktatin ideologjik dhe politik Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet më 1899 (botuar më 1901 në shqip). Ky traktat, i ndarë në tri pjesë, merr përsipër të analizojë të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë, pas çlirimit të saj nga zgjedha osmane. Tek analiza e së kaluarës Samiu vizaton me vërtetësi dhe krenari momentet më të rëndësishme të historisë së saj, tek analiza e kohës kur jetonte, synon të vërë gishtin mbi plagët e rënda të varfërisë e mjerimit kombëtar, kurse te pjesa e tretë, që është dhe më e arrira, shpalos mendimet e tij për të ardhmen e kombit.
Pashko Vasa ka hyrë në historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj. Disa nga veprat më të rëndësishme të tij janë: përmbledhja me vjersha Trëndafila dhe gjemba (1873), trajtesa E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët, më 1879 (në gjuhën frënge) në të cilën argumenton lashtësinë e popullit shqiptar dhe mbron të drejtat kombëtare. Botoi më 1890 romanin Bardha e Temalit (në gjuhën frënge) ku përshkruan zakone e doke të jetës shqiptare në sfondin e luftës për çlirim kombëtar. Por kryet e vendit në krijimtarinë e tij e zë vjersha O moj Shqypni, e cila sintetizon në mënyrë poetike gjithë idetë e mëdha të lëvizjes kombëtare të Rilindjes dhe me patosin kushtues, shërben si një manifest poetik i saj.
Ndre Mjedja së bashku me Naim Frashërin dhe De Radën përbëjnë tri majat e letërsisë shqiptare të Rilindjes Kombëtare. Mjeshtër i madh i fjalës shqipe, virtuoz i vargut dhe figuracionit, Mjedja krijoi modele të artit poetik. Ai shquhet në të njëjtën kohë për idetë demokratike dhe për zgjerimin e pasurimin e poezisë sonë me tema e forma të reja shprehjeje. Në krijimtarinë e tij bën pjesë vëllimi poetik Juvenilja, një përmbledhje e krijimeve poetike, ku përfshihet dhe kryevepra e tij, poema Andrra e jetës. Gjithashtu, Mjedja shkroi poemat Lissus (1921), Lirija (1937) dhe Scodra që u botua pas vdekjes së poetit më 1940. Këto poema dallojnë për përmbajtjen e tyre historike, mitologjike dhe legjendare si dhe për për strukturën e tyre.
Andon Zako Çajupi është i pari shkrimtar i Rilindjes që shënoi në letërsinë shqipe kthesën prej romantizmit për nga realizmi. Ai mbetet gjithashtu një ndër mjeshtrit e parë që e përdori me sukses satirën dhe sarkazmën në letrat shqipe. Me vëllimin poetik Baba Tomorri shquhet si një poet lirik tepër i veçantë. Çajupi është një ndër themeluesit e komedisë shqiptare, me komedinë shoqërore 14 vjeç dhëndër dhe atë politike Pas Vdekjes, të cilat dallohen për këndvështrimin realist, kritik, humorin e mprehtë popullor, i cili tek komedia e dytë shndërrohet në sarkazëm.
Aleks Stravre Drenova, i njohur me pseudonimin Asdreni është nga ata shkrimtarë, krijimtaria e të cilit i përket dy periudhave: Rilindjes dhe asaj mes dy luftërave botërore. Ai ka meritën se është pararendësi i poezisë moderne shqipe dhe krijuesi i poezisë së Himnit Kombëtar Shqiptar. Katër vëllimet e tij poetike dallohen për larminë e motiveve dhe të ideve, për gjërësinë e perceptimit poetik të botës. Në poezinë e Asdrenit gjejmë jo vetëm interesa kombëtare dhe shoqërore por edhe ndjenja, përfytyrime e dëshira vetjake.
Romantizmi arbëresh
Letërsia e arbëreshëve të Italisë, qysh nga fillimet e saj, e sidomos në shekullin XIX, paraqet një dukuri të veçantë: atë të një letërsie që lind në tokën italiane nga fara e kombit shqiptar dhe ruan me forcë origjinalitetin e vet etnik. Në shekullin XIX kjo letërsi merr një fizionomi të qartë kombëtare dhe estetike dhe identifikohet me romantizmin si drejtim letrar. Letërsia romantike arbëreshe ështe një degë e letërsisë romantike të Rilindjes, që lindi dhe u zhvillua në tokë të huaj, por u frymëzua po nga të njëjtat ideale që ushqyen letërsinë e zhvilluar në tokën mëmë. Romantizmi i saj është i ngjashëm me romantizmin e zhvilluar në truallin shqiptar por i ngjizur dhe me disa veçori dalluese. Gjithashtu, edhe pse romantizmi arbëresh afrohet me romantizmin Italian për nga fryma patriotike dhe idetë demokratike që e përshkojnë, ai paraqitet si një lëvizje letrare origjinale dhe e ndryshme nga ai. Ky romantizëm shkrin në vetvete shqetësime të trefishta: shqetësimin për robërinë e atdheut të të parëve, shqetësimin për shtypjen politike që rëndonte mbi arbëreshët dhe popullin italian nën regjimin e burbonëve dhe shqetësimin për gjendjen e vështirë politike dhe shoqërore të arbëreshëve, si pakicë kombëtare, që jetonte në pjesën më të prapambetur të shtetit italian, në Italinë e Jugut. Letërsia romantike arbëreshe në thelbin e saj ishte kombëtare. Te secili autor i saj është e dukshme përpjekja për materializmin e idesë kombëtare, mesazhi i çuarjes përpara të idealit kombëtar shqiptar. Ideja e çlirimit nga pushtuesi dhe nostalgjia për atdheun “matanë detit”, ishte binomi mbi të cilin u krijua kjo letërsi, por pa harruar edhe ndjenjën e hollë, dashurinë e çiltër mes dy të rinjve që ëndërrojnë një jetë ideale, përkundër rrethanave që, herë-herë, ishin mjaft të pafavorshme për përmbushjen e ëndrrës së tyre. Arbëreshët e Italisë i ruajtën të gjalla në kujtesën historike dhe i mbrojtën me fanatizëm këngët popullore (rapsoditë) që kanë në qendër personazhin historik të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Epoka e lavdishme e bëmat e heroit kombëtar do të pasqyrohen në letërsinë romantike arbëreshe, duke krijuar kështu mitin e heroit, që do t’i shërbente ngjalljes së atdhetarizmit. Letërsia romantike arbëreshe projektoi botën shqiptare duke i kushtuar rëndësi të veçantë edhe problemeve shoqërore me të cilat u ballafaqua populli shqiptar në shekullin XIX. Duke qenë se autorët e saj e kishin ndier mbi kurrizin e tyre barrën e rëndë të syrgjynosjes nga atdheu i të parëve, shpesh veprat e tyre përshkohen nga tonet e ashpra. Ndjenja e patriotizmit ndërthuret dhe me prirjen filozofike e cila është më e theksuar tek autorët arbëreshë, se sa në letërsinë e romantikëve që krijuan brenda truallit amtar.
Letërsia romantike arbëreshe u karakterizua nga një larmi tematike, ku zotëron tema e qëndresës, ku historia e popullit shqiptar projektohet në formë letrare, si mundësi për të dhënë jehona të ndryshme shpirtërore. Gjithashtu, si shprehëse e aspiratave demokratike dhe e pakënaqësisë së popullit të thjeshtë nga shtypja dhe shfrytëzimi burbon (në ato vende ku ishin ngulitur tashmë), që në fillim kjo letërsi i kushtoi vëmendje të veçantë problematikës shoqërore si dhe luftës çlirimtare të popujve të tjerë. Dashuria midis dy të rinjve është një tjetër temë që ka një shtrirje të gjerë në krijimtarinë artistike që doli nga pena e shkrimtarëve arbëreshë.
Disa nga autorët më përfaqësues të saj janë talente të nivelit europian si Jeronim De Rada, Zef Serembe, Gavril Dara dhe Zef Skiroi. Jeronim de Rada është ndër autorët e parë të asaj periudhe i cili krijoi me mjeshtëri të rrallë vepra ku zotëron fryma kombëtare. Më 1836 ai boton poemën e tij të famshme Këngët e Milosaos, vepër që shënon njëherazi edhe fillimin e romantizmit arbëresh dhe atij shqiptar, në përgjithësi. Gavril Dara (i Riu) është, pas De Radës, poeti më i shquar arbëresh, që shkroi disa vepra poetike në gjuhën italiane dhe në shqip. Mbetet një nga lëvruesit e sukseshëm të poemës epiko-lirike në letërsinë romantike me veprën e tij më të njohur Kënga e sprapsme e Balës. Zef Skiroi ishte një tjetër autor i rëndësishëm i romantizmit arbëresh i cili krijoi poemën Mili e Hajdhia (me tri botime, më 1891, 1900 dhe 1907). Në qendër të saj vendoset dashuria tragjike mes dy të rinjve. Nga pikpamja estetike konsiderohet si vepra më e mirë e Skiroit dhe si kryevepra e poezisë shqiptare e fillimit të shekullit XX. Një figurë origjinale dhe e ndërlikuar është edhe ajo e poetit Zef Serembe. Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj dhe tema patriotike merr nën penën e tij një tingëllim kushtrues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e këtij poeti gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, për shkak të gjendjes së mjeruar të tyre edhe pas bashkimit të Italisë. Poezia e Serembes pasqyron pikërisht kontradiktat e kësaj kohe.