Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 1.3
SHKENCA PËR LETËRSINË; TEORIA E LETËRSISË
Zhvillimi historik i gjinisë dramatike
Gjinia dramatike përfshin ato vepra ku autori përshkruan veprimet dhe bisedat (dialogët) e personazheve që bashkërisht janë përfshirë në një konflikt të mprehtë. Veprat dramatike janë paracaktuar për t’u vënë në skenë. Fillimet e kësaj gjinie janë në shekullin V p. e. s. në Greqinë e lashtë, në kohën e fitores së demokracisë skllavopronare. Grekërit e lashtë qenë nismëtarë të dy llojeve kryesore të kësaj gjinie: të tragjedisë e të komedisë. Teatri grek shkëlqeu me tragjeditë e Eskilit, Sofokliut e Euripidit dhe me komeditë e Aristofanit. Ndikimi i teatrit grek ka qenë përcaktues për zhvillimin e dramaturgjisë botërore më vonë. Rilindja europiane shënoi një kulm në dramaturgji me teatrin dhe dramaturgjinë e famshme të Shekspirit. Moment i rëndësishëm në historinë e zhvillimit të dramaturgjisë ka qenë klasicizmi francez i shekullit XVII me komeditë e Molierit dhe tragjeditë e Rasinit e të Korneit. Gjermani i famshëm Gëte i dha shtytje të fuqishme zhvillimit të dramatikës. Midis shumë veprave të tij shkëlqen Fausti. Madhështia e saj kapërcen kohërat. Bashkë me Gëten shquhet Shileri dhe vepra e tij Vilhem Tel. Në shekullin XIX, pas viteve ’80, një erë e fuqishme po frynte në teatrin skandinav. Me dramat realiste të H. Ibsen dhe ato natyraliste të suedezit Strinberg u krijua një traditë e re teatrore. Ndërkohë, në teatrin rus ngrihet plot bukuri e forcë drama e Çehovit.
Dramatika moderne
Shekulli XX qe i begatë edhe për gjininë dramatike, por kryesorja për këtë gjini është koncepti i ri që u shfaq, koncept ky që përmbyste raportet autor-regjispektator- skenë.
Dukuria më e rëndësishme e me më shumë ndikim që mori udhë në gjysmën e dytë të shekullit XX qe “teatri i absurdit”. Atë e themeluan E. Jonesko, S. Beket dhe A. Adamov. Veprat e teatrit të absurdit nuk kanë subjekt tradicional, as kohë, as vend të caktuar. Personazhi i absurdit nuk ka të bëjë me pikëpamje politike, shoqërore e morale. Në teatrin e absurdit s’ka veprim. Personazhet përçojnë idenë e kaosit e të vetmisë. Në këtë shekull u zhvillua dhe “teatri epik”. Karakteristikë e tij janë skenat masive. Përmbajtja e veprave të teatrit epik ka të bëjë me fatet e kombit apo të mbarë shoqërisë njerëzore. Përfaqësues kryesor është B. Breht.
Në fundin e shekullit XX, kur zhvillimi i filmit merr përmasa të jashtëzakonshme, kur konkurenca me të shfaqet sheshit, dramaturgët dhe teatri i përgjigjen kohës me gjetje të reja. I tillë është teatri eksperimental. E veçanta e tij është që krijimi, si akt artistik, nis të zhvendoset nga autori te regjisori. Kjo do të thotë që në krye del regjisori, ndërsa autori i dramës thuajse mbetet i panjohur. Në ditët e sotme teatri shpesh merr tiparet e një spektakli. Drama e parë shqiptare është Emira e A. Santorit. Më 1902 u botua komedia e parë shqiptare 14 vjeç dhëndër e Çajupit dhe Pas vdekjes. Gjatë periudhës së Rilindjes kanë shkruar drama dhe M. Grameno e F. Noli. Zhvillim interesant njohu drama shqiptare në vitet ’30 me E. Haxhiademin. Në vitet e mëvonshme u shquan disa dramaturgë ndër të cilët S. Çomora, K. Jakova, D. Agolli, R. Pulaha, S. Pitarka, E. Kryeziu etj..
Kujtesë
Llojet kryesore të gjinisë dramatike janë tragjedia, komedia dhe drama.
Tragjedia
Trajton tema të rëndësishme me një stil të lartë. Paraqet një konflikt të ashpër i cili zgjidhet vetëm me vdekjen e heroit kryesor. Personazhet janë perëndi, mbretër apo heronj që përballen me ngjarjet apo pasojat e veprimeve të tyre. Heroi tragjik paraqitet me cilësi të rralla e pasione të fuqishme, siç është p.sh. Prometeu apo Hamleti.
Komedia
Trajton tema që lidhen me jetën e përditshme me një gjuhë të thjeshtë e stil bisedor. Konflikti zgjidhet në mënyrë të arsyeshme. Karakteristika kryesore e komedisë është thumbimi apo përqeshja e dukurive komike të jetës. Personazhet e saj janë njerëz të zakonshëm që bartin vese dhe të meta.
Drama
Tema e dramës është afër tematikës së novelës e romanit. Konflikti është njerëzor dhe nuk kërkon doemos vdekjen e personazhit kryesor. Heroi i dramës është individi i zakonshëm që vuan thellë dhe lufton për të zgjidhur problemet e jetës.Dialogu dhe monologu i dramës janë koncizë, të ngjeshur në mendime dhe emocione të forta.