Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara

Mësimi me video

Mësimi 4.2 Analizë Shtegtimi i Çajld Haroldit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 4.2

ROMANTIZMI 

ANALIZË “Shtegtimi i Çajld Haroldit”
“Shtegtimi i Çajld Haroldit” është puna letrare më e madhe e Bajronit, një poemë me temë të gjerë shoqërore; nuk është vetëm një tregim mbi fatin e heroit romantik, por dhe një vepër me temë politike. Etja për liri, urrejtja kundër tiranisë përbëjnë thelbin kryesor të veprës. Ajo është një poemë liriko-epike, në bazë të së cilës qëndron ditari i vetë poetit. Poema është e ndarë në 4 këngë, të cilat nuk flasin vetëm për viset e ndryshme: Spanjë, Shqipëri, Greqi, Turqi, Zvicër, Itali, por secila vjen me ngjyra e nuanca të veçanta. Kështu e para është melodramatike, e dyta, plot patos liridashës, e treta të mrekullon me natyrën dhe e katërta vë në dukje romantikën në histori dhe në art, ndonëse të katërta përshkohen pak a shumë nga të gjitha këto elemente. Falë këtyre, poeti herë entuziasmohet e herë dëshpërohet, herë proteston e bën thirrje, duke ndërhyrë pareshtur në zhvillimin e ngjarjeve. Në qendër të veprës qëndron Çajld Haroldi, heroi romantik, njeriu i ri i vetmuar, i pakënaqur me gjendjen aktuale, i zhgënjyer nga shoqëria e cila për të bëhet burg dhe atdheu “më i shkretë se qeli e murgut”. Në moshë fare të re “pa arrirë akoma pragun e burrnisë”, u vel nga jeta, iu mërzit shtëpia, nuk deshi më të rronte në atdheun e tij dhe jeta në Angli u bë më e tmerrshme se ferri. Mbi supet e Haroldit, Bajroni ka hedhur pelerinën e shtegtarit nën të cilën rreh një zemër njeriu. Dhe njeriu mund të jetë i lumtur vetëm kur është i lirë:

I velur argëtimesh, desh trishtimin;
Që t’ikte prej atdheut, dhe ferrin e pranonte.

Çajld Haroldi niset për udhëtim, duke u thënë lamtumirë vendeve ku lindi e duke u larguar pa ndonjë trishtim, pasi kujtimet dhe e shkuara nuk i sjellin ndonjë gëzim.

Në botë mbeta fill i mjerë,
Në detin pa kufi;
Përse të qanj unë për të tjerë-
Për mua s’qau njeri.

Në dy këngët e para, heroi i veprës shëtit nëpër Portugali, Spanjë, Greqi e Shqipëri duke u endur nëpër bukuritë e këtyre vendeve, nëpër kopshte e kodra romantike, nëpër male me ajrin e freskët që falin jetë, duke u kënaqur nga zhurmat e dallgëve të detit, i tërhequr nga bujaria e njerëzve të thjeshtë trima e liridashës. Me ç’zemër të ngrohtë i kujton bijtë e Shqipërisë!

Të rreptë bijt’ e Shqipes! Po vetitë
Nuk u mungojnë; veç t’ishin më t’arrira;
Armiku ua pa kurrizin ndonjë herë?
Kush e duron si ata mundimn’ e luftës?

Autori herë-herë harron heroin dhe jepet pas shijimit të pamjeve që ofron natyra, jep mendime për doket dhe historinë e popullit. Në këto vende, heroi përballet edhe me ngjarjet historike plot dramacitet. Të tilla ishin ato të Spanjës, ku ai qe vetë dëshmitar. Napoleoni, më 1808, për të pushtuar vendin futi brenda kufirit ushtrinë e tij, me ndihmë të aristokracisë feudale spanjolle dhe vuri mbret të vëllanë Jozef Bonapartin. Nisi lëvizja çlirimtare e popullit. Një nga episodet heroike të kësaj lufte ishte mbrojtja e Saragozës. Banorët, burra e gra, e mbrojtën qytetin e tyre për tetë muaj rresht. Bajroni, midis tyre dallon bijën e Spanjës, imazhin e vajzës së butë spanjolle, “Vajza e Saragozës”:

Ajo që zverdhej nga një shenjë plage,
E i fuste datën vaj i kukuvajkës,
Tani vështron si ndeshen bajonetat,
Si ndrijnë shpatat, mbi kufoma shkon
Me çap Minerve atje ku Marsi do të dridhej.

Kështu shfaqet në këto këngë figura e dytë, po aq e rëndësishme, ajo e popullit, njerëzve të thjeshtë që “luftojnë për liri…”. Në qendër të këngës së dytë kemi Greqinë e robëruar që ka humbur lirinë e madhështinë e dikurshme. Përballë Athinës, Maratonës e Termopileve të dikurshme, përballë lavdisë antike, poeti na bën të prekim robërinë e kohës. Për këtë Bajroni fajson Anglinë dhe Turqinë që i kanë vënë popullit grek zinxhirë të dyfishtë robërie. Midis dy këngëve të para dhe të tretës shtrihet një interval prej gjashtë vjetëve dhe poeti është më i pjekur. Në këto dy këngë stili bëhet më i fuqishëm. Në këngën e tretë, botuar në qershor 1816, Bajroni shpreh qëndrimin e tij ndaj Republikës borgjeze franceze të shekullit XVIII, ndaj luftrave napoleonike, ndërsa në këngën e katërt, botuar më 1818, Bajroni përshkruan madhështinë e dikurshme të Italisë, që ndërkohë është e copëtuar dhe nën zgjedhë. Fundi i veprës tingëllon si himn madhështor kushtuar detit, si përfytyrim i forcave të pashtershme të popullit. Kjo e bëri Pushkinin të thotë për Bajronin: “Ai, o det, qe këngëtari yt!”

Në fushën tënde nuk shkel këmbë e tij
Prej teje s’bën dot plaçkë; ja përbuz
Fuqinë e poshtër q’e përdor të prishë
Ç’ka nëna tokë; ti e flak prej gjirit
Duk’ e vërvitur kundrejt revet; rend
Me kujë e tmerr te perënditë e tij,
Ku ka të fundit shpresë se mos gjenjë
Ndonjë liman a skelëzë atje sipër;
Po prapë e zbret në tokë – e le të rrijë atje.

Në këtë vepër përshkruhen dhe jepen detaje të shumta kulturore, gjeografike dhe etnografike të vendeve që vizitoheshin. Ka trajtën e një rrëfimi të lirë, me strofa spenseriane 9 vargëshe, me varg pesëkëmbësh jambik. Kjo lloj strofe të le mjaft hapësirë për përshkrime dhe i shkon përshtat asaj çka Bajroni dëshiron të na përcjellë mes vargjeve. Në parathëniet e këngëve të para, autori thotë: “Strofa e Spenserit… lejon variacione të shumëllojshme”. Midis tyre ka dhe intermexo me strofa katërvargëshe, siç janë “Kënga e lamtumirës”, “Tamburxhi” etj. Gjuha e Bajronit në këtë poemë është e pasur dhe me figura stilistike. Që në fillim e deri në fund, vepra ngrihet si antitezë e fuqishme, veçanërisht në dy këngët e para që duhen kuptuar si kontrast ose antitezë me Anglinë e kohës. Bajroni e përdor këtë figurë edhe për të zhvilluar një temë tjetër në poemë; gjendjen e mjeruar dhe robëruese të Greqisë së kohës, së cilës i vë përballë lulëzimin e lashtësisë. Pas tablosë së qytetit të Seviljes, ku aristokracia mendon vetëm për dëfrime, ai paraqet popullin që kacafytet me pushtuesit. Në vepër ka përshkrime idilike të këtyre viseve. Aty jepen përshkrime të jetës, zakoneve të vendeve. Në dy këngët e fundit, poeti përdor gjerësisht krahasimet dhe metaforat. Natyra ka qenë për të një burim i pashtershëm krahasimesh dhe metaforash.

Çajld Haroldi është tipi i heroit romantik. Ai përmbledh në vetvete cilësi të rinisë përparimtare europiane në epokën që vjen pas Revolucionit Francez, mllefin e saj kundër realitetit dhe dobësitë e protestës së saj. Dëshpërimi i shpirtit të tij kthehet në një pikëllim botëror; qan me lot humbjen e lumturisë primitive nën peshën e fitores të së keqes, të padrejtësisë, shthurjes. Çajldi, pasi ka provuar gjithë gëzimet dhe qejfet e një jete të shthurur, është mbërthyer nga një trishtim i zymtë, është i lodhur dhe i velur nga jeta. Ai nuk kërkon dhe nuk pranon ndihmën e askujt, duke u kyçur në një vetmi krenare. Rrugëdaljen e gjen në largimin nga atdheu. Bajroni e tregon heroin në konflikt me realitetin të cilin nuk ka forcë ta zbusë.

Bajronizmi u krijua si një frymë e veçantë romantike, që lindi nga ndikimi i dyfishtë i Bajronit dhe i heronjve që ai krijoi. Vepra e Bajronit oshëtin nga motivet romantike të ëndrrës për liri: “O bij skllevërish! S’e ditkeni ju se robërit i këputin vetë prangat, kur i frymëzon zëri i lirisë!”