Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 3.2
ROMANTIZMI
Analizë “Katedralja e Parisit”
Koha dhe hapësira
“Katedralja e Parisit” është një roman historik, shkruar sipas mbresave të ngjarjeve të Revolucionit të 1830-ës, i cili përmbysi monarkinë. Si romantik, Hygoi e kërkon subjektin për veprën te historia e kombit të tij dhe përmes trajtimit të temës historike, tregon epërsinë e sistemit demokratik e republikan mbi atë monarkik e autokratik. Hygoi paraqet problemet aktuale të kohës, sidomos ato me natyrë morale dhe filozofike. Ai zgjedh t’i vendosë ngjarjet në mesjetë, në Parisin e shekullit XV: 6 janar 1482: parizienët u çuan nga gjumi prej këngës së të gjitha kambanave, që binin me furi e gëzim të paparë.
Subjekti
Esmeralda, cigania 16-vjeçare, mishërim i bukurisë morale e fizike, kishte një efekt magjik mbi këdo. E gjendur e vetme, natën, sulmohet nga gungaçi i katedrales dhe prifti i saj, Klod Frolo. Esmeralda shpëtohet nga kalorësi Febys dë Shatoper. Cigania e dlirë bie në dashuri me shpëtimtarin e saj. Klod Froloja, dashuruar marrëzisht me pasion demoniak pas Esmeraldës, nuk mund të tolerojë këtë dashuri, ndaj qëllon Febysin dhe, duke qenë se Esmeralda më mirë pranon të vdesë sesa të bëhet e tija, fajëson ciganen për këtë krim. Esmeralda, bashkë me dhinë e saj, e akuzuar për magji, për çoroditje morale dhe për vrasjen e zotit Febys dë Shatoper, dënohet me varje. Në çastin fatal të ekzekutimit gungaçi e rrëmben nga krahët e vdekjes dhe e strehon në Katedrale, por Klod Froloja nuk mund të heqë dorë nga pasioni i tij i çmendur. Ky i lig i pashpirt e çon ciganen drejt vdekjes. Fundit tragjik të Esmeraldës do t’i bashkohet dhe Kuazimodoja. Jeta e tij mbaron duke përqafuar Esmeraldën që s’jeton më. Pavarësisht këtij fundi, fitorja morale është e tyre: në ndeshjen dramatike të së mirës me të keqen, trumfi i takon së mirës.
Situata të pazakonta
Përshkrimi i varësisë së njeriut të mesjetës nga dogma dhe bestytnitë e përshkon tërë romanin. Nga ky këndvështrim, e papritura, e jashtëzakonshmja, rastësorja, befasuesja dhe tronditësja përbëjnë elementet bazë të rrëfimit romantik. Kjo bën që në roman të pleksen një sërë situatash të tilla të pazakonta, si:
• Kuazimodoja, një i shurdhër, merret në pyetje dhe gjykohet nga një ndihmësgjyqtar shurdh;
• Cigania Esmeraldë pranon të marrë për burrë Grenguarin vetëm që ta shpëtojë atë nga ekzekutimi me vdekje;
• E Vetmuara, nga biruca, varri i përkohshëm i nënës së pashpresë që ka humbur vajzën-foshnjë, shfryn e mallkon ciganen pa ditur që ajo është e bija për të cilën ka kaq vjet që po vuan. E Vetmuara njeh dhe ka pranë vetes të bijën vetëm në çastin që do ta humbasë përgjithmonë atë;
• Gungaçi besnik ngrihet ndaj Atit, Zotit të tij, arqidhiakut Frolo për të cilin më parë ishte gati të kryente çdo çmenduri;
• Pas vdekjes së Esmeraldës gungaçi zhduket. Në varrezën e Monfokonit gjejnë një skelet të shtrembëruar që mbante përqafuar një skelet gruaje. Kur i ndanë nga njëri-tjetri, skeleti i shtrembëruar u bë hi e pluhur.
Mjedisi e personazhet
gjer lart në qiell, një simfoni e madhe prej guri, një tërësi e vetme dhe njëkohësisht e ndërlikuar ku koha ka lënë gjurmët e veta dhe koloritin e errët të shekujve. E mistershme, me kube të errta e pllakat të lagështa, kulla të larta, kërcënuese, të frikshme dhe fasadë të zymtë, Katedralja bëhet një godinë fantastike, e mbinatyrshme. Katedralja është pikënisja dhe pikëmbërritja e gjithçkaje. Rreth saj pleksen fatet e personazheve kryesore dhe fati i turmës së harbuar. Kështu, Katedralja ngjason me një gjallesë që vjen nga bota e miteve të lashta. Por trupi vigan i kësaj faltoreje nuk mund të kuptohet pa shpirtin e saj, pa Kuazimodon. E, kush mund ta njihte më mirë se Kuazimodoja, katedralen? Ndërsa, nga ana tjetër, Kuazimodoja, ky i ashtuquajtur njeri, nuk mund të kuptohet pa Katedralen. Katedralja kishte zëvendësuar për të jo vetëm njerëzit, por edhe gjithë rruzullimin, gjithë natyrën. Është e rrallë, e paarritshme shkrirja organike e një njeriu me një ndërtesë. Një bashkëjetesë e gjatë, e çuditshme, e lodhshme. Ajo u bë për të foleja, shtëpia, atdheu dhe vetë planeti. Përballë Katedrales qëndron potershëm turma e ekzaltuar, personazhi me mijëra fytyra e ngjyra. Skenat masive plot gaz e bujë popullojnë tërë romanin. Turma bën sheshin të oshëtijë prej gëzimit ose të lebetitet nga ankthet e saj; turma, e dehur, brohoret me klithma entuziazmi e mbulon me tallje, përbuzje e mallkime shëmtirën e shëmtirave, papën e gaztorëve, Kuazimodon. Por Kuazimodoja, i shëmtuar dhe i gjymtuar fizikisht, bart vlera të çmuara njerëzore. Ai ruan mirënjohje të thellë e të zjarrtë për Frolon, është zbatuesi i pavetëdijshëm i vullnetit të arqidhiakut, zërit të padukshëm që komandon, hijes që sheh gjithçka e askush nuk e sheh. Kuazimodoja ushqen dashuri të pakusht për mirëbërësin e tij, ndërsa dashuria e tij ndaj ciganes është vetëflijuese. Mirësia e Esmeraldës zgjon në shpirtin e tij ndjenjat më të fisme. Hygoi, përveç se qëndron përkrah njerëzve të dlirë, të pastër, që rrezatojnë mirësi e dritë, ngrihet në vepër, gjithashtu, kundër çdo gjëje çnjerëzore e obskurantiste që lidhet me shekullin XV. Pikëpamjet përparimtare e demokratike të tij shfaqen hapur dhe në qëndrimin ndaj sistemit mbretëror. Cinizmi, zemërngushtësia, mungesa e humanizmit, indiferentizmi ndaj mjerimit njerëzor, shtypja pa mëshirë e popullit janë disa nga tiparet me të cilat Hygoi karakterizon Luigjin XI dhe mbretërimin e tij. Hygoi, përmes kontrastit, tregon qartë respektin dhe vlerësimin që ka për njerëzit e thjeshtë, njerëzit e popullit, epërsinë morale të tyre ndaj përfaqësuesëve të feudalizmit dhe të klerit. Shoqëria njerëzore dhe vetë jeta merr kuptim falë njerëzve me veti të larta morale.
Heronjtë romantikë
“Katedralja e Parisit” vlerësohet si një ndër romanet më përfaqësues të romantizmit. Në logjikën e estetikës romantike, e madhërishmja puqet në skajin e vet me të ultën, e jashtëzakonshmja është rregulli, kurse e përditshmja e realja vetëm përjashtim nga rregulli. Esmeralda, dielli që shndrit bodrumet e Parisit, është mishërim i bukurisë morale, shpirtërore e fizike. Esmeralda dhe Katedralja janë simbole të së mirës dhe së bukurës së ekzaltuar romantike që i dhanë famë romanit. Kuazimodoja, gungaçi me shëmti të jashtëzakonshme fizike, është ndërmjetësi që siguron lidhjen mes turmës dhe Katedrales. Bukuria e Esmeraldës transformon Kuazimodon. Gjymtimi i tij fizik nuk cënon shpirtin e tij, vendin ku ruhet njerëzorja. Froloja, prifti i Katedrales, karakterizohet nga fanatizmi e obskurantizmi fetar mesjetar. Tek ai, edhe ndjenjat më të natyrshme njerëzore kanë shfaqje të shëmtuar. Keqardhja për Kuazimodon shtypet nga kryelartësia e klerikut të kohës së feudalizmit, kurse dashuria për Esmeraldën e bën më të lig, e bën hipokrit e vrasës. Përshkrimi i ngjarjeve që zhvillohen brenda dhe rreth Katedrales jepen në formën e një rrëfimi gotik, që imiton me mjeshtëri të rrallë arkitekturën gotike të Katedrales. Është i drejtë vlerësimi që thotë se katedralja e Notrë Damë dhe romani i Hygoit do ta ndajnë bashkë përjetë lavdinë.