Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 10.2
MODERNIZMI
Sharl Bodëler
Jeta dhe vepra
Sapo përmend Bodëlerin, të vjen në mend fjala “artist”, se ai krijoi veçse duke përmbushur deri në përsosje ligjësitë e artit të vërtetë. Në konceptin bodëlerian, të ishe artist, do të thoshte t’i shërbeje devotshmërisht së bukurës, ta shihje veten asket që i falet vetëm një shenjtërie: së bukurës; i lirë, i gjerë, i frymëzuar, i përkushtuar me gjithsej. Kritiku dhe miku i tij i zemrës Teofil Gotje, të cilit Bodëleri i ka kushtuar vëllimin e famshëm “Lulet e së keqes”, e kujton kështu artistin: “Flokët e rralluar dhe krejtësisht të thinjur, fytyra prej plaku, por, njëherazi dhe prej të riu, ia theksonin karakterin si të priftit pagan”. Ky është Bodëleri, artisti simbolist që jetoi veç 46 vite, nga 9 maji 1821 deri më 13 gusht 1867. Lindi dhe u shua në Paris. Kaloi një fëmijëri të trazuar. Mbeti që 6 vjeç pa babanë, një senator, i njohur si revolucionar i flaktë në kohën e Napoleonit. Martesën e dytë të së ëmës me një gjeneral e priti keq; ajo e egërsoi dhe e detyroi të bëjë një jetë si i dalëdore, një jetë bohemi. Studioi në Lion e Paris, për pak kohë ndjek studimet për drejtësi, po asgjë s’e kënaqte, përveçse letërsia. Njeh Balzakun dhe Nervalin. Familjarët e detyrojnë të bëjë një udhëtim jashtë Francës, në Indi, por pikëllimi dhe vetmia e ndoqën pas. Veçse udhëtimi i la mbresa të fuqishme me pamjet ekzotike, tingujt e mistershëm, me aromat dehëse.
Më 1842, pasi fitoi të drejtën moshore për trashëgiminë, iu krijuan kushte për një jetë kabaresh. Dhe kur pas dy vjetësh kishte shpenzuar më shumë se gjysmën e pasurisë, e ëma i vuri tutelë gjyqësore, duke e fyer rëndë djaloshin e duke e privuar nga jeta e lëshuar. Kështu iu forcuan prirjet rebeluese. Mori pjesë në Revolucionin e Shkurtit të vitit 1848, luftoi në barrikada, por ngjarjet e mëvonshme (1851) bënë që ai të largohej përfundimisht nga politika, duke iu përkushtuar vetëm letërsisë. Që në vitin 1847 kishte botuar novelën “Fanfarlo”, një lloj autoportreti ironik dhe ishte marrë me përkthime të Edgar Poes, nën gjurmët e të cilit Bodëleri do të ecte. Interesi i gjithanshëm që Bodëleri ka treguar për të pazakontën dhe përbuzja ndaj së rëndomtës, u shfaqën qartë në marrëdhëniet me gratë. Dy ndër to, mulatja Zhan Dyval dhe Sabatie, janë bërë burime frymëzimi për krijimtarinë e tij. Kënaqësinë dashurore Bodëleri e ka quajtur “Kënaqësi helmuese”. Përveç kësaj, poeti ka njohur edhe “parajsën artificiale” që ia ka shkaktuar opiumi dhe hashashi. Më 1857 doli vëllimi poetik “Lulet e së keqes”, kryevepra e Bodëlerit, për të cilën u akuzua për fyerje të moralit shoqëror dhe përbaltje të besimit fetar. Gjykata e dënoi me gjobë të rëndë. Procesi i bujshëm bëri të kundërtën; interesi për librin rrok majat, tirazhi kap shifra fantastike. E ribotoi librin më 1861. Boton më pas përmbledhjen me ese “Parajsat artificiale” dhe më 1865 boton prozat poetike “Brenga e Parisit”, ndërsa më 1866 vëllimin poetik “Rrënojat”. Veprat e tjera, si: “Kurioziteti estetik” (1868), përmbledhja kritike “Arti romantik” (1868), “Poemat e vogla në prozë” (1869), u botuan pas vdekjes. Në 24 prill 1864 niset për në Belgjikë, për një tur konferencash. Në Belgjikë, poeti u godit nga paraliza, u gozhdua në shtrat në prill dhe në gusht të po atij viti (1867), mbylli sytë në Paris. Vdiq kështu një poet i madh i cili u bë pararendës i Dekadentizmit. Sharl Bodëleri jetoi i rrethuar nga e keqja duke synuar të mirën.
Krijimtaria
Titujt më në zë të krijimtarisë së Bodëlerit janë:
1. “Kuriozitete estetike” – përmbledhje me shkrime kritike për artin ku shquajnë artikujt për pikturën e Delakruasë. Më mirë se kushdo tjetër, Bodëleri e kuptonte se sa mund, sa sfilitje shpirti i duhej piktorit të përjetonte, se çmjeshtëri duhej zotëruar që të arrihej kjo ngjizje e së bukurës në mënyrë aq fluturake e magjepsëse. Ato që konstatonte dhe çmonte tek piktori, i gjente te vetja.
2. “Arti romantik” – përmbledhje me kritika për letërsinë ku shfaqen hapur kuptimi që ka Bodëleri për letërsinë si art dhe shijet e holla estetike të atij që mishëroi i pari në art mitin e “poetit të mallkuar”.
3. “Brenga e Parisit” – përmbledhje me proza poetike plot emocione që të trondisin me situata të pazakonta, detaje aq të qëlluara dhe ndjesi nga më të çuditshmet. Bodëleri shkroi në prozë për një kohë të gjatë dhe proza e tij është jo vetëm vazhdimësi, por edhe risi në vijimësi e krejt veprës së tij. Shtysa drej prozës mund të ketë lidhje të natyrshme me dufin e tij sfidues ndaj botës. Kështu në prozat (poetike) e këtij libri “shpaloset më mirë kundërtia midis shfaqjes banale të jetës dhe thelbit të fshehtë, shpesh misterioz. Në rrëfimin e një endacaku parizian, te hyrja e një restoranti, te një grumbull laviresh që qeshin ose që rrihen prej dashnorëve, Bodëleri kërkon të bëjë një zbritje ose një ngjitje danteske, për të patur kështu një vizion më të gjerë” – thotë Kadare në parathënien e botimit në shqip të veprës së poetit. Parisi i Bodëlerit është vendi ku të zihet fryma, ku të mbërthen ankthi e mërzia, ku gjallojnë burgjet, bordellot e spitalet. Dualizmi i Bodëlerit shprehet në ndjesitë që ai përjeton: nga njëra anë, ai ka lidhje të forta shpirtërore më të, ndaj thotë: “Të dua”, nga ana tjetër ai e shan, e mallkon si burim i splin-it, duke e quajtur “horr”, “i pacipë”.
4. “Parajsat artificiale” – një libër i quajtur monografi për drogat. Në këtë vepër, Bodëleri, i pakënaqur nga bota e ndërtuar keq, nga shëmtia që i rrok syri çdo ditë, krijon parajsën e vet artificiale, vendin, mjedisin, apo gjendjen ku ai mund të kuptonte se gjallonte. Pra, ai ishte në kërkim të një realiteti të ri, por jo si romantikët që fluturonin pas ëndrrës, por si artisti modern që, në përpjekje për të gjetur një botë tjetër, bën art të vërtetë. Në këtë këndvështrim, Bodëleri shpreh pikëpamjen, se arti është virtyt. Simbolizmi (arti) shndërrohet në drogë, e cila ia mundëson njeriut të jetojë në “parajsën” që dëshiron. Në këtë vepër, Bodëleri flet mbi efektet e drogave te njeriu. Ai kalon nga lëvdimi, se prej tyre njeriu merr “kënaqësinë e pafundme”, te mohimi tërësor, se shkaktojnë “dënim të pakthyeshëm”. Për këtë, ai thotë: “Artisti që ndjek Principet e Artit më të Epërm, nuk mund veçse të refuzojë drogat si mjete të aftësisë krijuese”
5. “Ditari intim” – përmbledhje me shënime letrare, por që e kalojnë fushën e letërsisë, sepse rrokin edhe fusha të tjera si atë të estetikës, të filozofisë, të moralit e të sociologjisë. Përveç të tjerave, në libër autori flet me shqetësim për rolin që i ka dhënë koha gjërave materiale, veçmas parasë. Ai ka një kuptim tjetër për përparimin shoqëror, ndaj shkruan se vetëm ngritja morale dhe shpirtërore, që vijnë nga brenda qenies, janë ecja e vërtetë përpara. Ai që quajnë njerëzit zhvillim, për Bodëlerin është thjesht absurd, përderisa njeriu është po ai që ka qenë, “i paracaktuar të jetojë nën skllavërinë e vesit të vet”, thekson ai.