Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara

Mësimi me video

Mësimi 10.1 Letërsia e gjysmës së dytë të shekullit XIX

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 10.1

MODERNIZMI

Letërsia e gjysmës së dytë të shekullit XIX

Zhvillimi i rrymave të reja të letërsisë në gjysmën e dytë të shekullit XIX
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, letërsia u zhvillua në rrethana të reja historike, politike e shoqërore që karakterizuan Europën. Ajo u shfaq me dukuri dhe prurje të reja që patën rëndësi të madhe në zhvillimin e letërsisë në shekullin pasardhës. Si për romantizmin dhe për realizmin, ishte Franca ajo që priu zhvillimet e reja të këtij gjysmëshekulli. Në këtë periudhë në Francë u shfaq një grup poetësh të cilët në historinë e letërsisë njihen me emrin parnasianë (nga greq. Parnassos, mal i lartë në Greqi ku, sipas besimit të të lashtëve, kanë jetuar Apoloni, perëndi e muzikës dhe përkrahës i artit, si dhe nëntë muzat e artit. Me këtë emërtim duket lidhja që i bëjnë parnasianët poezisë së tyre me origjinën e saj hyjnore.). Këtij grupi i takojnë poetët francezë: Teofil Gotje, Teodor dë Banvil dhe Lëkont dë Lil të cilët më 1866 botojnë përmbledhjen e parë Parnasi Bashkëkohor (Parnasse Contemporain, ku bashkojnë në një vëllim botime të tyre të mëparshme në revista e gazeta. Mes emrave të tjerë, në të është dhe ai i Sharl Bodëlrit, themeluesit të poezisë moderne europiane. Parnasianët ngrihen kategorikisht kundër çdo forme të pragmatizmit në art. Ata janë ithtarë të flaktë të kultit të formës, kujdesen për përpunimin e vargjeve deri në imtësi, kërkojnë që poeti të jetë virtuoz i rimës, metrit, vargut, strofës, duke ndikuar kështu pozitivisht në përsosjen e vargut. Ata mbrojnë pikëpamjen se arti i shërben vetëm vetvetes, l’Art pour l’Art, dhe shohin te poezia mundësinë e ikjes nga banaliteti dhe aspektet e rëndomta të jetës së përditshme për të arritur sferat më të larta të ekzistencës. Grupit të parnasianëve do t’i shtohen figura të tjera, si Stefan Malarmeja, Pol Verleni dhe Artur Remboja, të cilët do të bëhen të shquar pas viteve ’80 të shekullit XIX. Parnasianët do të shpërbëhen dhe vendin e tyre do ta zërë një grup tjetër poetësh që do ta quajnë veten dekadentë, dhe lëvizjen dekadentizëm. Poetët dekadentë i bashkonte prirja për të qenë ndryshe, për të dalë nga skema, për të thyer rregullat, jo vetëm në art, por edhe në jetën e përditshme. Ata u ngritën kundër kanuneve a rregullave morale e letrare, shpërfillën normat e mirësjelljes e idealet e larta për jetën. Një forcë të re kësaj lëvizjeje i dha revista Dekadenti. Shkrimtarët dekadentë patën idhujt e tyre: gjenitë Sharl Bodëler dhe Artur Rembo. Me këta emra do të lidhet dhe drejtimi letrar që u quajt simbolizëm.

Simbolizmi është një lëvizje kulturore e letrare që u zhvillua në Francë në vitet ’80 të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe pati përhapje të gjerë dhe në vende të tjera. Ajo shkriu në një të vetme elementet e shkollës parnasiane me ato të shkollës dekadente. Përfaqësuesit e simbolizmit janë zëdhënës të gjendjes reale që mbretëronte në Francë në vitet ’80 të shekullit XIX, ku kishte mungesë stabiliteti dhe anarki. Simbolistët synonin krijimin e një poezie të re, të përshkuar nga melankolia e trishtimi, nga dëshpërimi e ankthi, ku ndihej dhimbja e shpirtit delikat, shumë të ndjeshëm, të etur për dritë. Ata kërkonin ideale njerëzore në mjediset e errëta e të zvetënuara ku jetonin. Realiteti ku jetonin ua bënte të qartë që s’mund të ishin ëndërrimtarë e subjektivë, si romantikët; po kështu, futja në art e përditshmërisë, e së rëndomtës, e së zakonshmes dhe përshkrimi i tyre me objektivitet, sipas tyre, e zhvlerësonte artin. Simbolistët iu kundërvunë kështu realizmit. Sipas njërit prej të mëdhenjve të simbolizmit, Rembosë, heqja dorë nga mënyra tradicionale e të bërit poezi, duhet që të shpjerë në rikrijimin novator poetik të realitetit të ri, të jashtëzakonshëm. Është e nevojshme që poeti të barazohet me Zotin, sepse vetëm kështu përpara tij do të zbulohej kuptimi i fshehtë i qenies.

Poetët simbolistë manifestojnë mungesën e besimit te shkenca, të cilën e konsiderojnë të paaftë të depërtojë në zonat më të errëta të qenies njerëzore e të shpjegojë thellësitë e shpirtit të tij. Sipas tyre, poeti mund të depërtojë në këto thellësi. Për këtë, simbolistët shfrytëzuan ligjësi më të veçanta të ngjizjes gjuhësore të ligjërimit poetik, të prirur deri te formime në pamje të parë alogjike, që mundësojnë ndriçimin e lidhjeve e korrespondencave nga më të ndryshmet, të afta të shprehin njëherësh emocione e ndjesi të shumëfishta. Poeti simbolist mundet të përcjellë përshtypjet nga më të vagëtat e të papërcaktuarat:

M’pas ësht’e nevojshme t’mos i zgjedhësh
Fjalët e tua pa bërë asnjë gabim,
Ësht’aq e bukur këng’e hirtë ku t’hedhësh
Saktësinë bashkuar me pasaktësinë.
(Arti i poezisë, Pol Verlen, përkthyer nga D. Thomollari)

Simbolistët shpallën kultin e përparësisë së formës e mbrojtën tezën e artit të kulluar. Rruga që zgjodhën për arritjen e synimit ishte krijimi i simboleve, të cilat, sipas tyre, jepnin mundësi për shprehjen e shumë kuptimeve dhe nënkuptimeve dhe kështu depërtohej në fshehtësinë e mistershme të botës. Idenë e krijimit të simboleve poetike, përmes të cilave arrihet tek e mistershmja, e dha Bodleri: Të mblidhen bashkë të gjitha ngjyrat, erërat dhe tingujt; sipas Verlenit:

Të jetë vargu mente dhe bli
Parfum në orët mëngjesore.

Po ashtu, simbolistët i dhanë përparësi kumbimit të vargut, se për to poezia duhet të ishte:

Vetëm muzikë,
Veç simfoni!

Ndaj ata sugjeronin: … zgjidh vargun tek, ose kërko gjithmonë fjalën që dridhet, me kujdes Rimën shiko… Simbolistët i kthejnë poezisë muzikën. Ajo nuk mbetet një stoli e jashtme për poezinë simboliste, por shndërrohet në burim simbolesh. Simbolistët ringjallin edhe forma të lëna në harresë si: romanca, tingëllima, balada, trioleti, ninulla, vajet, vargjet folklorike e ritmet spontane. Për simbolistët, vetëm poezia është art, të tjerat janë veç letërsi. Si e tillë poezia shpreh dhe i shërben së Bukurës, ndaj ajo s’ka të bëjë me moralin, me politikën, me filozofinë. Vlerat dhe shërbimet e saj janë vetëm estetike. Dalëngadalë poezia simboliste vështirësohet, bëhet e padepërtueshme dhe fiton karakter intelektual dhe elitarist. Po ndërkohë ajo u bë burimi nga do të rridhnin rrymat e shkollat moderne në shekullin XX, si: futurizmi, “arti i së ardhmes” (poetët Marineti në Itali dhe Majakovski në Rusi); ekspresionizmi, që i jep rëndësi mënyrës së shprehjes së poetit; surealizmi, rikrijimi i realitetit në mënyrë vetjake (Pol Elyar, Lui Aragon në Francë), dadaizmi në Zvicër etj.

Përfaqësuesit kryesorë. Llojet letrare që lëvruan

Zanafilla e simbolizmit duket se është krijimtaria e amerikanit Edgar Alan Poe (1809-1849). Poe është i mirënjohur për poezitë dhe tregimin e shkurtër. Poezia e Poes shquhet për prirjen intelektuale të shikimit të botës, për elegancë e hijeshi. Poe e mohon realitetin e rregulluar keq. Si poet, Poe shpreh idenë e të qenit i lirë, jashtë çdo kushtëzimi. Ankthi i humbjes pa kthim të njeriut të dashur, dhimbja e shpirtit që vuan, shndërrohet në një univers fantastik, tipik simbolist në poemën “Korbi” të Poes. “Kurrë më!” – thotë Korbi dhe poeti zhytet thellë për të gjetur kuptimin e fjalëve të vetme që dinte të thoshte Korbi. Është kjo poemë që rroku shpirtin e Bodlerit që u bë përkthyesi i saj, dhe Malarmesë, që mësoi anglishten vetëm ta shijonte në origjinal.

Sharl Bodëleri (Charles Baudelaire, 1821-1867) mishëroi i pari mitin e “poetit të nëmur”. Ai bën një jetë të shthurur e me shumë shpenzime, duke eksperimentuar së bashku me miqtë e tij artistë, rebelë si vetë ai, efektet e hashashit dhe pasioneve më të shfrenuara të ndjenjave. Bodëleri u bë themelues dhe lajmëtar i një drejtimi të ri të artit, të atij modernist, lloji më i afërt i të cilit ishte simbolizmi. Ajo që i dha atij famën e poetit të madh francez dhe botëror ishte përmbledhja poetike “Lulet e së keqes” (1857).

Artur Remboja (Arthur Rimbaud, 1854-1891) është dukuria më interesante në letërsinë franceze të kohës se shkroi jo më shumë se 3-4 vjet poezi dhe se pas të nëntëmbëdhjetave heshti si poet. Siç thotë Malarmeja, ai qe një yll i ri që u shua, sapo nisi të ndritë. Remboja ka arritur famë letrare në moshën 16-17-vjeçare, me poemën “Anija e dehur”, që bëhet dhe manifesti i parë poetik i simbolizmit. Me të e me poezi të tjera, ai u bë simboli i “poetit bohem” e këndon:
Si me telat e lirës këpucët e grisura,
I kam lidhur me spango së bashku me zemrën.
Ndikimet e para i ka pasur nga krijimtaria e Bodëlerit. Ky poet i talentuar e ka rritur energjinë e vlerës së simbolit dhe metaforës me qëllim që me ndihmën e efekteve të tyre të ikë nga ambienti i rëndë i dëshpërimit. Remboja është i pari poet simbolist që përdori vargun e lirë. E quajtën Shekspiri fëmijë.

Pol Verleni (Paul Verlaine, 1844-1896) është poeti i emocioneve fine, të thella e melankolike. Nga poetët bashkëkohës është cilësuar Princi i Poetëve, titull që pas vdekjes së tij do ta fitojë Stefan Malarmeja. Verleni, ky poet i dashuruar dhe i urryer më shumë se kushdo tjetër, diti të përkthejë në art gjithë zhgënjimet, pasionet e dramat e jetës. Pol Verleni ka shkruar mbi 1000 poezi. Krijimet e hershme janë nën ndikimin e parnasianëve, poetëve të “artit për art”, që shqetësoheshin vetëm për formën dhe bukurinë e vargut. Andej ai u ndikua nga Bodëleri. Melankolia dhe mungesa e rrugëdaljes u bënë motive kryesore të poezive të Verlenit. Verleni e bëri të vetën idenë e Bodëlerit dhe të Poes për hendekun e pakapërcyeshëm që ekziston ndërmjet ëndrrës, fantazisë së poetit dhe realitetit konkret të jetës që jeton. Më dukshëm nga gjithë të tjerët, Verleni mbrojti idenë e ngulitur të shumë poetëve se ëndrra, bota e fantazuar, e imagjinuar sipas ëndjes së krijuesit, është i vetmi vendstrehim i sigurt i poetit; aty ai e ndien veten të papërlyer nga fëlliqësitë e jetës reale, vetëm aty mund të fshihet nga e keqja e madhe që mban emrin “realitet i ndërtuar keq”. Sipas tij, sa më e fortë është imagjinata krijuese, aq më e madhe është poezia dhe aq më i fortë ndikimi i saj. Për poetin poezia:
Është si sy të bukur nën vel,
Është ditë vere me dritë të pakët,
Është, nën një qiell vjeshte të vakët,
Bluja e çrregullt kur dielli del!

Stefan Malarmeja (Stéphane Mallarmé, 1842-1898) bëhet kreu i poezisë së re simboliste. Poezia e tij, përgjithësisht hermetike, ishte pak e kuptuar në kohën e vet. Malarmeja përsosi efektet ritmike të vargut dhe thelloi kombinimet kuptimore duke i dhënë poezisë muzikalitet të lartë:
Po deshe ti dashurohemi
Me buzët tua pa thënë gjë,
Bën kaq ftohtë le të ngrohemi
Në një heshtje që nuk bën zë.

Në rrethet poetike bëhet i njohur me poemën “Herodiada”, 1871, që sot vlerësohet si kulm i poezisë franceze. Ndikimi i poezisë së Malarmesë do të shtrihet dhe në shekullin XX.