Kurrikula
Kursi: Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara
Identifikohu

Curriculum

Letersia Klasa 11 Shtepia Botuese Filara

Mësimi me video

Mësimi 2.1 Romantizmi

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 2.1

Romantizmi
Romantizmi është një lëvizje ideore dhe artistike, që lindi në Gjermani dhe u zhvillua në Europë nga çereku i fundit i shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XIX. Kjo lëvizje gjeti pasqyrim në fusha të ndryshme të shkencës dhe të artit.

Kushtet historiko – shoqërore
Romantizmi u përcaktua nga një sërë faktorësh historikë dhe shoqërorë ndër të cilët më të rëndësishëm janë: Revolucioni Industrial Anglez dhe Revolucioni Borgjez Francez. Të dy këto revolucione sollën tronditje të mëdha në të gjitha fushat e jetës si në Angli ashtu edhe në Francë. Por jehona dhe ndikimi i tyre i kapërcyen kufijtë e këtyre vendeve dhe prekën mbarë Evropën. Këto revolucione, pavarësisht nga shtytja që dhanë, nuk mundën të bënin ndryshime rrënjësore e gjithëpërfshirëse. Karakteristikë që i afron është pakënaqësia që ato shkaktuan në klasa e forca shoqërore. E pakënaqur është aristokracia feudale. Ajo idealizon të kaluarën dhe do të rikthejë të pakthyeshmen, “parajsën e humbur feudale”. E pakënaqur është borgjezia, e cila nuk mund të zhvillojë plotësisht fuqitë e saj ekonomike dhe i duhet të vazhdojë betejat me aristokracinë, e cila, në agoni, ishte bërë më e egër se kurrë më parë. Por më e pakënaqur është masa popullore, që ndjehet e mashtruar në shpresat e saj për një jetë më të mirë. Ajo sheh se nuk vjen “mbretërimi i arsyes”, siç ëndërruan e shpresuan iluministët, as “mbretërimi i lirisë, i vëllazërisë dhe i barazisë”. Pakënaqësia u bë notë zotëruese e vetë epokës. Në këto kushte lindi në Europë lëvizja e romantizmit.

 

 

Romantizmi europian. Përfaqësuesit kryesorë
Romantizmi zhvillohet në vende të ndryshme të Europës dhe fiton tipare të veçanta, origjinale sipas kushteve specifike të vendit ku zhvillohet. Gjermani romantizmi u parapri nga lëvizja “Stuhi dhe vrull”. Baza e romantizmit gjerman ishte idealizmi. Ai pati karakter patriotik, vlerësoi krijimtarinë popullore, i dha vend të rëndësishëm natyrës dhe botës së ndjenjave. Përfaqësues të shquar janë: Gëteja dhe Shileri. Edhe në Angli romantizmi u parapri nga disa drejtime letrare dhe u karakterizua nga dy breza shkrimtarësh romantikë. Brezi i parë trajtoi temën e përditshmërisë, kultin e natyrës dhe synuan karakterin kombëtar të letërsisë. Shkrimtarët e brezit të dytë (Bajroni, Shelli) i kënduan lirisë dhe shprehën hapur konfliktin e tyre me realitetin. Romantikët anglezë evokuan epokën e Rilindjes dhe patën për model Shekspirin dhe veprat e tij. Romantizmi francez u ndikua thellësisht nga Revolucioni Borgjez dhe idetë e tij. Karakteristikë dalluese e tij është kundërvënia ndaj klasicizmit. Romantikët francezë qenë në ballë të betejës kundër klasicizmit duke e nxjerrë letërsinë nga sallonet aristokratike e duke e bërë atë pronë të njeriut të thjeshtë. Ata hodhën poshtë rregullat dogmatike dhe teknikat e ngurta, të tilla, si: kulti i arsyes, imitimi i modeleve të vjetra, rregulla e tri njësive1, etj. Në ballë të romantizmit francez qëndrojnë Lamartini, Zhorzh Sandi e mbi të gjitha, Hygoi i cili u bë prijës i romantizmit. Itali, romantizmi u përfaqësua nga Manxoni, Leopardi dhe Foskolo. Romantizmi Italian dallohet për ndjenjat kombëtare që lidheshin me nevojën për bashkimin e vendit dhe për pavarësi. Amerikë, romantizmi u zhvillua nën ndikimin e romantizmit anglez. Ai pati veçori: individualizmin, dashurinë për jetën primitive në gjirin e natyrës, idealet e lirisë e të barazisë. Romantizmin amerikan e përfaqësojnë denjësisht Edgar Alan Poe dhe Uolt Uitman.

Romantizmi europian. Veçoritë, parimet
Romantizmi, si rrymë letrare, gëzon disa tipare a veçori që e dallojnë atë nga rrymat e tjera letrare. Veçori a parime kryesore të romatizmit evropian në letërsi janë:

1. Mohimi i “kultit të arsyes”: Në fushën e parimeve letrare, romantikët dolën kundër klasicizmit duke hedhur poshtë “Kultin e arsyes”, të bindur se arsyeja nuk mund të shpjegojë gjithçka ndodh me njeriun dhe brenda njeriut. Ndaj ata u kushtojnë vëmendje ndjenjës, mallit, ankthit, dhimbjes, vizionit. Ata hodhën poshtë rregullën e tri njësive në gjininë dramatike, parimin e veçimit të elementeve komike dhe tragjike, nuk ishin të detyruar t’i nënshtroheshin vetëm një ideali të së bukurës dhe mund t’i zhvillonin ngjarjet jo vetëm në një vend dhe hapësirë të kufizuar, por ku të donin, sipas nevojave të tyre artistike.

2. Mbizotërimi i ndjenjës: Përkundër klasicizmit, romantikët përqendrohen në analizën e botës së brendshme shpirtërore. Romantizmi kërkon shprehjen e ndjenjave në art. Vepra romantike lind nga një nevojë e brendshme e cila, përtej pamjes së jashme, përpiqet të pasqyrojë emocione si malli, zhgënjimi, mërzia, dashuria, pakënaqësia, rebelimi. Artisti romantik është njeriu krijues që shkruan, pikturon, kompozon e projekton, së pari, për të shprehur ndjenjat, ëndrrat dhe fantazinë e tij. Ai është një individ që ndodhet shpesh në luftë me botën, me njerëzit që e rrethojnë, madje edhe me natyrën. Duke e parë botën dhe shoqërinë me sytë e ndjenjave, romantikët shpesh i pasqyrojnë ato jo siç janë në të vërtetë, por ashtu si i fantazojnë apo i dëshirojnë ata.

3. Kulti i natyrës: Romantikët e konsideronin temën e natyrës si më interesanten. Artisti romantik e sheh veten si pjesë e vogël e natyrës madhështore. Ai kridhet e përhumbet teksa sodit i mrekulluar madhështinë e pafundësinë e saj. Për artistët romantikë, natyra është mjeti për t’u shkëputur nga monotonia e jetës së përditshme, për të kuptuar dhe admiruar pafundësinë e botës; është mënyra për t’u arratisur nga realiteti zhgënjyes. Natyra bëhet pasqyrë e ndjenjave të artistit dhe pjesë thelbësore e unit poetik. Shpesh heroi e gjen veten, paqen, ngushëllimin dhe kuptimin e jetës vetëm në gjirin e saj.

4. Ekzotizmi: Ekzotizmi është një arratisje imagjinare nga realiteti kohor ose hapësinor. Interes të gjallë kanë për romantikët vendet e largëta, sidomos ato të Lindjes, me natyrën madhështore apo me jetën e thjeshtë e primitive të popujve që jetonin në këto vende. Kështu tema ekzotike u bë një nga më të rrahurat në letërsinë romantike.

5. “Kulti i lirisë”: Liria është nevojë parësore për artistin romantik. Në kërkim të lirisë, romantiku rebelohet me forcë kundër sistemeve shtypëse, rregullave të ngurta, mjerimit e fallsitetit, por edhe arratiset realisht apo nëpërmjet imagjinatës në vende të largëta.

6. Heroi romantik: Heroi romantik është një individ i vetmuar dhe i pasigurtë, herë është indiferent dhe herë i pakënaqur, herë i nënshtrohet fatit dhe herë ngre krye kundër tij ose kundër botës me dëshirën për të krijuar një botë ideale të lirisë dhe të drejtësisë. Në veprat romantike shohim shpesh njerëz jo të rëndomtë, por heronj të jashtëzakonshëm, të pajisur me vrull të fuqishëm ndjenjash, me ëndrra e dëshira fisnike, edhe pse disi të mjegullta. Këta heronj jetojnë e veprojnë në rrethana të jashtëzakonshme, heroike ose tronditëse dramatike. Prandaj dhe veprat romantike përgjithësisht janë prekëse, mallëngjyese.

7. Raporti me historinë: Te romantikët interes të gjallë shkakton e kaluara, veçanërisht ajo kombëtare. Drejtohet vështrimi nga historia kombëtare, njihet kombi, traditat dhe zakonet e tij. Kështu merr shkas zhvillimi i romanit historik dhe bëhet e pëlqyeshme tema historike.

8. Koncepti i popullit dhe i kombit (nacionalizmi): Romantikët e drejtuan vëmendjen në thesaret e kulturës kombëtare. Ata përmblodhën e përpunuan me zell vjershat, këngët, përrallat, baladat dhe legjendat popullore. Veprat e disa romantikëve ziejnë nga patosi i kryengritjes dhe nga një urrejtje e papajtueshme për tiraninë dhe padrejtësinë. Heronjtë e këtyre veprave janë heronj me ideale të larta, por të zhgënjyer. Ata protestojnë dhe përleshen pa u epur me forcat e shtypjes dhe synojnë të gjejnë shtigjet për të përmbushur ëndrrat e idealet e veta.

 

9. Rivlerësimi i fesë Duke hedhur poshtë arsyen, romantikët iu rikthyen fesë dhe besimit. Feja u rivlerësua prej romantikëve si raport i njeriut me të pafundmen, përjetësinë dhe të mbinatyrshmen, kjo u pasqyrua dhe në veprat e tyre. 

10. Gërshetimi i gjinive dhe llojeve letrare: Me romantizmin, zhvillim të madh morën gjini e lloje të ndryshme letrare, si: poezia lirike; balada me karakter liriko-filozofik dhe fantastik (e marrë nga letërsia popullore); poema romantike epiko-lirike, romani në prozë e poezi, drama, novela, etj. Në kundërshtim me klasicistët, romantikët nuk ngritën mure midis gjinive dhe llojeve letrare. Estetika romantike pranon gërshetimin e tyre, kalimin e elementeve të njërës tek tjetra. Për këtë u parapëlqyen poemat liriko-epike e u gërshetua epikja me dramatiken, lirikja me tragjiken. Kështu ndodh në veprat e Gëtes, të Hygoit, të Bajronit, etj.

11. Arti i përqasjes: Gjuha dhe mjetet stilistike iu përshtatën tematikës së re dhe heronjve të jashtëzakonshëm. Në planin artistik romantizmi u afirmua, së pari, si arti i përqasjes, i përballjes së të bukurës me të shëmtuarën, tragjikes me komiken, i sublimes me groteskun. Gjuha e veprave romantike është e pasur, e fuqishme, me mjete shprehëse që tërheqin më tepër vëmendjen dhe janë të afta të shprehin ndjenja; ajo është plot ngjyra të forta, plot epitete, metafora, krahasime, antiteza, apostrofa e simbole. Veçoritë apo parimet krijuese të romantizmit letrar janë edhe veçori e parime krijuese të romantizmit në artet pamore, në ato dëgjimore, në filozofi, në politikë etj. “Djepi romantik” rriti dhe zhvilloi gjeni e mjeshtra të artit dhe të letrave, trashëgimia e të cilëve i përket sot letërsisë së përbotshme dhe artit mbarëbotëror.