Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 5.2
ROMANTIZMI SHQIPTAR
Jeta dhe vepra e Jeronim de Radës
Jeta
Jeronim de Rada lindi më 29 nëntor 1814 në fshatin Maki të Kozencës, jo larg nga Shën Mitër Korona, qendër e kolegjit arbëresh të Shën Adrianit. Aty poeti nisi mësimet e para dhe u njoh me letërsinë antike dhe moderne si dhe me idetë iluministe. Pasi mbaroi kolegjin, qëndroi një vit në vendlindje, ku njohja me folklorin arbëresh dhe dashuria për vajzën e varfër të një bariu do të linin gjurmë të thella në krijimtarinë e tij letrare. Një botë më e gjerë hapet para De Radës më 1834, kur nis studimet për drejtësi në Napoli, qendër e madhe politike e kulturore e Italisë së Jugut. Aty i riu u njoh me lëvizjen letrare e politike të kohës, shkroi dhe botoi krijimet e para të tij. Që nga kjo kohë fillon për poetin arbëresh rruga e përpjekjeve aktive për t’i shërbyer atdheut të të parëve. Pjesëmarrjen në një komplot për të përmbysur regjimin e Burbonëve e paguan me arratisje dhe më pas me burgosje. Gjatë ngjarjeve të revolucionit italian të 1848, De Rada mbron aktivisht idetë përparimtare nëpërmjet gazetës së tij, “L’Albanese d’Italia” (“Arbëreshi i Italisë”). Shpërthimi i reaksionit të egër, pas dështimit të revolucionit, e detyron të mbyllë gazetën dhe të tërhiqet në fshatin e lindjes për të pritur “kohë më të mira”. Por përpjekjet e De Radës në shërbim të çështjes kombëtare nuk reshtën asnjëherë. Fryt i tyre ishte edhe vendosja e mësimit të gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Adrianit, më 1849, ku De Rada do të shërbente si mësues i saj.
Më 1850 poeti u martua me arbëreshen Madalena Melikji, me të cilën pati katër djem dhe gëzoi për disa vjet lumturinë familjare. Në vitet 1883-1887 botoi revistën e parë shqiptare “Fiamuri i Arbërit”, dhe ndërkohë vijon të mbajë lidhje me drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Njëherësh mbron si rrallëkush çështjen shqiptare duke evokuar jo vetëm të kaluarën e lavdishme të largët, por edhe qëndresën e gatishmërinë e popullit shqiptar për të mbrojtur me çdo sakrificë trojet, nderin dhe lirinë e tij. Vitet e fundit të jetës qenë të rënda e të mundimshme për De Radën. Fatkeqësitë familjare (vdekja e gruas dhe e djemve) nuk e mposhtën poetin, përkundrazi i dhanë më shumë vrull veprimtarisë së tij patriotike, intelektuale dhe krijuese. Më 1899 ishte përsëri mësues i shqipes në Kolegjin e Shën Adrianit. Vdiq më 28 Shkurt l903, në vetmi dhe në një varfëri të dhimbshme, kur ishte 89 vjeçar. Jeta e De Radës, e pasur në ngjarje, shënon dhe biografinë origjinale të arbëreshëve të Italisë, të cilët e ruajtën të paprekur ndjenjën e dashurisë për dheun e të parëve, gjuhën, zakonet, pasurinë shpirtërore stërgjyshore, si tipar të identitetit kombëtar, që nga shtegtimet e hershme të tyre.
Vepra
Jeronim de Rada konsiderohet si themeluesi i romantizmit arbëresh dhe, në një rrafsh më të gjerë, të mbarë romantizmit shqiptar. Ai ishte poeti dhe personaliteti më i shquar, më i frytshëm e më popullori që arriti të krijonte një nga veprat më origjinale të romantizmit në letërsinë shqipe. Në raport me autorët pararendës, De Rada do të shfaqet si poeti i parë i njëmendtë dhe një apostull i ideve të Rilindjes Kombëtare. Shkroi shumë vepra letrare por edhe vepra me karakter gjuhësor, estetik, folkloristik e politik, që patën një rëndësi të madhe në çështjen kombëtare. De Rada mbetet themeluesi i publicistikës shqiptare jo vetëm si nismëtar, por edhe si profesionist në këtë fushë. Gazeta “L’Albanese d’Italia” që u botua në tridhjetë e shtatë numra, në Napoli, është e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar me përmbajtje politike, shoqërore e letrare. Krahas informacionit për ngjarjet e ndryshme politike të kohës si në Itali ashtu edhe në vende të tjera të Europës, në të u përfshinë edhe pjesë nga veprat letrare të autorëve arbëreshë. Në fushën e publicistikës, De Rada kontribuoi edhe me botimin e “Fiamuri i Arbërit” (1883-1887), një revistë e përjavshme me rubrika politike, shoqërore, kulturore, letrare, e botuar në variantin arbëresh dhe gjuhën italiane. Revista shërbeu si tribunë e intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë për të shprehur, sa me pathos patriotik aq edhe me argumente shkencore, të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët.
De Rada shquhet si studiues në fushën e gjuhësisë dhe në fusha të tjera të artit. Në fushën e gjuhësisë dha kontribut jo vetëm si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetra vjet, por edhe përmes veprimtarisë së mirëfilltë si gjuhëtar. Në vitet l870-l894 boton punime shkencore mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, si dhe për strukturat gramatikore të gjuhës shqipe. Në të dy veprat gramatikore që hartoi vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Me nismën e tij, gjithashtu, ai organizoi dhe drejtoi punimet e dy kongreseve gjuhësore të shqipes në harkun kohor 1895-1897, ku referoi vetë për vjetërsinë e kësaj gjuhe dhe për vlerat e saj. De Rada bëri përpjekje të lavdërueshme për të hartuar një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe, si një domosdoshmëri për atë kohë. Pa u larguar shumë nga fusha e artit, më l861 botoi veprën Parimet e Estetikës, që është vlerësuar si testamenti i tij, manifesti i romantizmit shqiptar dhe një udhërrëfyes universal i krijuesve të çdo gjinie e arti për të zbuluar e lartësuar të bukurën e vërtetë në jetë. Me këtë vepër të rrallë dhe origjinale, ai zë një vend të nderuar midis estetëve europianë. Në vitin 1864 botoi Lashtësia e Kombit Shqiptar dhe pas dy vjetësh Rapsodi të një poeme arbëreshe, vepra, me të cilat synoi të propogandojë çështjen kombëtare shqiptare si historian, publicist e atdhetar.
Krijimtaria letrare e De Radës.
De Rada mbetet kryesisht poet. Që me tingëllimën e parë të vitit 1829 dhe me poemën Odiseu, të shkruar më 1832 deri në ripunimin e vazhdueshëm të poemave madhore Skënderbeu i pafan dhe Serafina Topia, De Rada dëshmoi se poezia ishte pasioni i tij, ishte ajo që e tërhiqte me një forcë të papërballueshme. Dhe ai iu përkushtua deri kur mbylli sytë. Poetika e De Radës është tepër origjinale. Ajo është një poetikë e sintezës dhe e nëntekstit, e depërtimit në shpirtin njerëzor dhe e figuracionit befasues. Burimet që e kanë ushqyer këtë poetikë janë: folklori shqiptar, estetika e poezisë greke-romake dhe poezia romantike. Poeti i ka shkrirë këto tri burime në një rrjedhë të vetme poetike, që është sa tradicionale po aq edhe moderne. Tri janë parimet krijuese të poetikës së De Radës: parimi epik, parimi lirik dhe parimi dramatik. Këto tri parime ai do kujdeset t’i zbatojë, njëkohësisht, në të gjitha poemat e tij të rëndësishme të shkruara në gjuhën shqipe, megjithëse në ndonjërën prej tyre, dy parimet e para do të kenë përparësi herë njëri, herë tjetri, duke e përcaktuar ashtu edhe strukturën e tyre ideoemocionale (si poema epiko-lirike apo liriko-epike). Këtë e pohon vetë poeti, kur për poemën Këngë të Serafina Topisë, princeshë e Zadrimës, shkruan: “dëshiroja që në ato këngë të shkrihen epika dhe dramatika në harmoni me lirikën”. Kjo poemë, që poeti e shkroi më 1839 dhe e ripunoi dhe e botoi përsëri më 1843 me titullin Një pasqyrë e jetës njerëzore, është, ashtu sikurse dhe Këngët e Milosaos, vepër e frymëzimeve djaloshare. Për shkak se në të shfaqet hapur thirrja për bashkimin e shqiptarëve, censura burbone e ndaloi qarkullimin e saj. Vepra është strukturuar si historia e dashurisë së Serafina Topisë, princeshës së Artës, me Bozdar Stresin, një dashuri pasionante, e kundërshtuar nga prindërit e Serafinës, pasi familjet ishin armike e kundërshtare të njëra-tjetrës. Serafina martohet me Nik Dukagjinin dhe bëhet princeshë e Dukagjinit. Ngjarjet e poemës janë të imagjinuara dhe të çojnë në shekullin XV, siç ndodh edhe me veprat e tjera të De Radës. Në figurën e Serafinës, De Rada ka mishëruar idealin e vet romantik dhe humanist për personalitetin e zhvilluar në mënyrë të gjithanshme, për bukurinë fizike dhe morale të njeriut. Poema epike Skënderbeu i pafan (1872, 1873,1877) është vepra e jetës së poetit. De Rada shkriu në të mundin e më shumë se katër dhjetëvjeçarëve, i nisur nga mendimi për të dhënë një tablo të gjithanshme të kohës së heroit të madh të kombit. Ai futi në këtë vepër madhore dhe shumë episode e këngë të poemave të tjera që kishte shkruar e botuar më parë.