Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Letërsia 11 Mësimi 6.2
ROMANTIZMI SHQIPTAR
Analizë vëllimi “Lulet e verës”
Gjerësia e tematikës, thellësia e ndjenjës, bukuria e vargut dallojnë vëllimin Lulet e verës. Lirizmi, si prirja më e natyrshme e talentit të Naim Frashërit, shpërthen aty me forcë. Motivet më të dallueshme që trajtohen në vëllim janë: motivi meditativ-filozofik; motivi erotik; motivi atdhetar.
Motivi meditativ-filozofik. Zoti, natyra, njeriu
Prirjet meditative-filozofike qenë shfaqur që më herët në letërsinë shqipe, me Budin, Bogdanin apo De Radën, por Naim Frashëri qe poeti i parë që krijoi poezinë filozofike shqiptare. Në këto poezi, më thellë e më gjerë se në çdo motiv, shfaqet botëkuptimi i Naimit. Botëkuptimi i Naimit u ngjiz nën ndikimin e rrymave filozofike të kohës, të arritjeve të shkencës bashkëkohore dhe me lidhjen e drejtpërdrejtë që ai pati me lëvizjen kombëtare. Problemi i parë me të cilin merret Naimi në poezinë filozofike është Zoti, kuptimi i tij, raporti i njeriut me të. Për Naimin, Zoti është një dhe vetëm një. Ai është i përjetshëm dhe i plotfuqishëm. Ai është Krijuesi. Sipas poetit, Zoti është vetë Gjithësia, është lënda dhe shpirti i gjërave dhe i Njeriut; i shkrirë në gjithçka. Ndaj çfarë shohim, ç’dëgjojmë, çfarë prekim, në çdo gjë konkrete e në çdo gjë abstrakte është vetë Ai, Zoti. Shfaqet kështu një prej elementeve bazë të botëkuptimit të Naimit, që është panteizmi.
Ç’sheh është Zot’ i Vërtetë,
Ç’dëgjon është zër’ i tija,
Gjithë ç’ka e s’ka në jetë
Është vetë Perëndija.
(Perëndija)
Te filozofia panteiste, Naimi gjen shpjegimin për botën dhe jetën, natyrën dhe njeriun. Panteizmi i Naim Frashërit nuk e mohon dhe nuk e kundërshton shkencën. Sipas Naimit, sa më shumë të njohim botën, aq më shumë njohim dhe vetë Zotin. Dhe njeriu, për panteistin Naim, ka aftësi të mëdha për të njohur, zbuluar e ditur, se Njeriu është shfaqja më e shkëlqyer e Zotit, është vepra më e përsosur e tij.
Ajo është gjithë ç’janë,
Është në çdo vënt
E duket në çdo anë
Në trup e në mënt.
E shohëmë në qiej
Në shi e në re
Ndër hën’ e nëpër diej
Është edhe në dhé.
2.Tema më e shpeshtë e poezisë filozofike të Naimit, pa dyshim, është tema e natyrës. Në poezitë e natyrës poeti filozofon dhe mediton për botën dhe problemet e ndryshme të jetës, duke u shfaqur si poet filozof. Naimi e adhuron natyrën. Ajo e mahnit me bukurinë, madhështinë dhe pafundësinë e saj:
Ç’është, ç’është kjo e paana Gjithësi?
Naimi e sheh universin në lëvizje të përhershme. Kjo lëvizje ka formë rrethore dhe shkakton dukurinë e përsëritjes në natyrë, në jetë dhe te vetë njeriu. Asgjë nuk humbet, por shndërrohet nga një formë në tjetrën.
Qeshë diell, ishja hënë…/ U bësh uj’ e baltë e erë…
Yll e zog e dash kam qenë/ pa dhe njeri shumë herë. (Perëndija)
3. Marrëdhëniet e njeriut me natyrën shprehen përmes meditimeve të Naimit si filozof, poet dhe njeri. Naimi e sheh njeriun në marrëdhënie të përhershme me natyrën. Ai është i bindur se njeriu me forcën e mendjes dhe të diturisë mund të zbulojë e të shpjegojë të fshehtat e natyrës dhe të jetës, edhe pse është i vetëdijshëm që jo gjithçka në jetën e njeriut e në natyrë ka kuptim e mund të shpjegohet nga vetë njeriu.
Botërat janë pa anë
Funt e krye nukë kanë. (E vërteta)
Është kjo arsyeja që Naimi, veç mendjes, njeh dhe vlerëson shumë rëndësinë e Zemrës, të ndjenjave. Sipas tij, nëpërmjet ndjenjave, njeriu mund të hyjë në raporte të drejtpërdrejta me natyrën dhe Zotin.
Në zemrën tënë e gjejmë Zonë,
shtëpi’ e ti ‘shtë zëmëra jonë…. (Besojmë)
Meditimet filozofike të Naim Frashërit shtrojnë pyetje të rëndësishme të karakterit ekzistencial si: Ç’është jeta, ç’është vdekja? Cili është raporti i njeriut me kohën? Për Naimin, Jeta është Pranvera. Ai e adhuron atë se ajo është mbretëresha e bujarisë dhe lajmëtarja e hirit, e begatisë. Naimi e dëshiron të vijë që “Ferrin prap’ta bësh parajs’…” Përkundër saj është Dimri i dhimbjes, i humbjes, është vdekja. Naimi e do fort jetën; “Pa qasuni të këndojmë..” – thotë ai, i bindur se vdekja është aty e nuk të fal: “Atje do të shkojmë..”. Dhe kur humbjet janë vetjake, dhimbja e poetit s’njeh kufi. Kështu ndodh në poezitë elegjiake për të bijën e vdekur ku dhimbja rrok qiell e dhé, ku shpirti i babait që vuan do ta veshë tërë botën në zi, do që yjet të mos ndrisin e hëna më të mos dalë:
Qiej! veshuni në të zi!
Edhe ju yj më mos ndrini!
O hënë, mos del përsëri!
Në këto poezi Naimi idealist beson se shpirti i njeriut nuk vdes kurrë. Naimi jetoi vetëm 54 vjet. Jeta e tij s’qe e lehtë. Mjaftojnë humbjet e mëdha familjare dhe sëmundja e tij e pashërueshme që ta bënin atë që të ndërtonte me kohën një raport jo të mirë. Koha për të është gënjeshtare, mashtruese, se ikën e na lë:
O! sa fletë m’u këpunë
Edhe ran’ e më s’i pashë!
Poeti e pranon ikjen e kohës, por ndien dhimbje për të shkuarën, për djalërinë dhe trishtohet për pleqërinë që po troket:
O ditët e djalërisë
Që kishit shumë gëzime,
Ratë në det t’arratisë,
Më latë në hidhërime.
Është ky detaj që e ngacmon Kadarenë të thotë: “Por në Rilindje asnjë poet nuk ka shkruar vargje më të bukura për ikjen e viteve të rinisë se Naimi.” Vuajtja e Naimit është vuajtje e bukur, poetike, ndaj fataliteti vjen aq i butë në këto poezi. Poezitë Fjalët e qiririt dhe Fyelli janë më të fuqishmet e motivit meditativ – filozofik të Naim Frashërit. Si në letërsinë e Lindjes ashtu dhe atë të Perëndimit gjendet e shprehur fort ideja se poezia është e shenjtë, është gjuha me të cilën Perëndia u flet njerëzve. Tek poezia Fyelli1, poeti e vendos historinë e dhimbshme të fyellit që vajton në një kontekst të gjerë filozofik dhe poetik, duke shprehur hapur misionin e artit dhe të poetit me dhunti hyjnore, në shërbim të njerëzimit.
Motivi erotik
Naimi është një nga nismëtarët e poezisë së dashurisë në letërsinë shqipe. Naimi është poet lirik. Lirizmi i tij i ëmbël, i brishtë dhe elegant shfaqet në të gjitha motivet e poezisë së tij, por te poezia e dashurisë ai ka gjetur shprehjen e tij më të plotë, më të bukur e më fine. Te Lulet e verës gjejmë një kryevepër të vërtetë të poezisë së dashurisë, ciklin Bukuria, një mozaik 16-pjesësh, të cilat i lidh mes tyre meditimi dhe përjetimi i ndjenjave të poetit. Për Naimin, ashtu si për shumë romantikë, ndjenja e dashurisë buron nga e bukura. Për të, thellësia e kësaj ndjenje dhe misteri që e shoqëron atë e bën njeriun të ndjehet më pranë Perëndisë. Naimi e trajton këtë motiv si një nga motivet më jetësore. Lirikat e mrekullueshme që krijoi, dëshmojnë se Naim Frashëri ishte pranë koncepteve romantike, sipas të cilave për dashurinë ia vlen të këndosh e të sakrifikosh, se ajo në natyrën e saj është hyjnore. Femra që bëhet objekt adhurimi për Naimin, nuk shquhet për gjë tjetër: ajo është vetëm tepër e bukur. Në vjershat e para, duket sikur poeti është rob jo i një gruaje, i një qenieje të gjallë, por vetëm i bukurisë që vezullon prej saj. Theksi platonik që i përshkon ato, të kujton një dashuri të parealizuar. Naimi e metaforizon bukurinë e gruas me fjalët “dritë”, “diell”, “ditë”. Më pas ai kërkon mjete të tjera shprehëse, krahasime e metafora, të ngritura mbi bazën e përqasjes së bukurisë së saj me objektet materiale:
Pashë pjeshkëtë ndër fletë,
pa m’u mejtua gjiri yt..
Meditimet i lënë vendin ndjenjave, të cilat kalojnë nga njëri skaj në tjetrin, nga marramendja prej bukurisë te vuajtja e thellë për shkak të mospërfilljes. Disa nga këngët e ciklit janë shkruar në çaste më të qeta e më të kthjellëta, kurse shumica janë ngjizur në çaste dalldisëse të shpirtit. Më të kthjellëta janë pjesët 1,2, ku poeti, në frymën e thirrjes së muzës, përfton objektin e veprës: bukuria si krijim i Perëndisë, përkatësisht një e vetme – bukuri e Perëndi. Pasi e zbret bukurinë nga lartësitë qiellore, poeti e mbyll këngën e parë në frymën e përgjërimit popullor: “Të keqen, o pëllumbeshë..” Në pjesën e 2-të del që e dashura nuk është e zakonshme, në të ka vënë dorë vetë Perëndia: Zot i vërtetë/ ke mbledhur dritën/ Diellin, dritën…Edh’ ke bërë/ gush e krahruar/ Faqez’ e ballë/ Sy e qepallë…. Në pjesën e 3-të, vajza shkëlqen mes bukurisë natyrore:
Lulezët’ e majit sa janë të mira
Po përpara teje m’erdhë të pështira..
Pjesa e 4-tërt mbyllet me vargun: “Dhe ajo tin është bërë!”, ku gjithë bukuria është përqëndruar aty, te vasha e tij. Në pjesën e 5-të, poeti na bën të ndiejmë frymën e pranisë së gjallë të kësaj gruaje. Në pjesën e 6-të pohon se nuk është natyra ajo të cilën ka imituar njeriu, por njeriu, me bukurinë e shpirtit, e ka bërë natyrën të mësojë prej tij:
Ti e mësove trëndafilë
të çelet, të lulëzohet…
Në pjesët 7, 8, 9 ka herë tërheqje prej mospërfilljes, herë shpërthime:
Ç’pate që më vrave, ç’pate…
Pjesët 10, 11 mund të quhen dhe kulme. Aty ka shpërthime të fuqishme dhe shkohet deri në dorëzim: Balt’ e pluhur/ do të bëhem… Në të 11-tën, Naimi pranon një lloj nënshtrimi si një ndër shfaqet më komplekse e njëkohësisht më fatale të jetës: Pse heq unë/ hidhërime…./ Haj, e zeza jetë, haj! Tek pjesa e 12-të ka më shumë lutje se qortim: Mos i hap leshratë në erë….
Pamundësinë për ta shprehur të plotë ndjenjën e dashurisë e jep pjesa e 13-të: Mos u mundo kot/ Nukë thuhet dot… Në pjesët 14, 15, 16 ndiejmë të gjallë ritmin e rrokullisjes së kohës, bashkë me venitjen e emocionit. Koha bën të vetën, asaj nuk i iket, edhe pse plagët e shpirtit vështirë se mund të shërohen ose mbyllen plotësisht. Në pjesë sundon toni elegjiak. Sugjerohet ideja e pajtimit, e tërheqjes, e qetësisë së brendshme. Po, pikërisht kur edhe ne pajtohemi me këtë, papritmas, Naimi na befason me një shpërthim të ri, përtëritës. Thjesht e madhërishëm, ai përgjërohet: “Shih, mos më lësh!”- ku ka dhe lutje, dhe klithje, dhe dehje qiellore, dhe përbetim, dhe frikë. Kjo tregon se Naimi e sheh gruan si simbol të vetë dashurisë, të fuqisë së saj ripërtëritëse, por edhe të dhimbjes, pa të cilën jeta do të humbiste kuptimin e vet. Në vjersha shfaqen qëndrimet e njohura romantike sipas të cilave bukuria është një urë që shpie te Zoti, te e vërteta, një shfaqje e cila, kur kuptohet dhe ndjehet si e tillë, ndikon thellë në shpirtin e njerëzve, aq sa konsiderohet si e vetmja mundësi për të ndrequr botën. Larmia e motiveve që përfshihen në poemthin Bukuria kushtëzon ndërtimin e copëzuar të tij dhe pasurinë leksikore, figurative dhe të trajtës ligjërimore. Motivet themelore zhvillohen në strofa, të cilat i lidh vetëm ideja e përbashkët mbi të bukurën. Poema shquhet gjithashtu edhe për larminë e formave poetike, rimës, ritmit, strofave dhe vargjeve të gjatësisë së ndryshme: dymbëdhjetërrokësh, tetërrokësh, gjashtërrokësh, pesërrokësh etj.. Naimi ka shfrytëzuar në mënyrë origjinale simbole të letërsisë persiane si qiririn, trëndafilin, bilbilin, duke ia përshtatur ato përjetimeve të tij vetjake. Vargjeve ua shton veçanërisht bukurinë mbështetja në poezinë popullore shqiptare. Kjo duket si në figuracion: vasha si thëllëzë, sorkadhe, pëllumbeshë, po ashtu dhe në konceptimin e përgjithshëm të vargjeve: Të keqen e këmbës sate…/ t’iu bëfsha atij syri..
Motivi atdhetar
Poezia atdhetare zë një vend mjaft të dukshëm në vëllimin Lulet e verës.Te kjo poezi shkrihen në mënyrë harmonike idetë iluministe, humaniste dhe filozofike. Motivi atdhetar shfaqet si dashuri dhe mall për vendlindjen, si dëshirë për liri, si respekt e adhurim për gjuhën shqipe, si mallkim ndaj tradhtarëve të atdheut dhe si besim e shpresë se për Shqipërinë:
Ditët e mira
Paskëtaj vijnë….
Vjershat Shpreh, Përse, Gjuha jonë, Korça, Tradhëtorët janë lirika, përmes të cilave poeti i bën jehonë ngjarjeve të kohës dhe idealeve liridashëse të Rilindjes Kombëtare. Në to shprehet poetikisht dëshira e madhe për ndryshimin e gjendjes së Shqipërisë. Në vjershën Shpreh, patriotizmi ndërthuret me idetë filozofike dhe iluministe. Kontrasteve dritë-errësirë u përgjigjen çiftet foljore të pres-nuk vdes, që theksojnë idenë e besimit të poetit tek e ardhmja e Shqipërisë. Ky besim poetizohet në vargjet ngazëllyese:
Lum kush të rronjë,
Ta shohë zonjë! (Shpreh).
Shpresa dhe besimi i poetit shfaqen në mënyrë më të drejtpërdrejtë te vjersha Përse, në të cilën poeti guxon të sfidojë edhe vdekjen në emër të realizimit të ëndrrës së madhe, “dit’ e bardhë”:
se të pres
nukë vdes…
Dy prej vjershave të këtij vëllimi, që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën për nga idetë dhe patosi që i përshkon, janë Gjuha jonë dhe Korça. Në to Naimi i ka thurur gjuhës shqipe vargjet më të frymëzuara. Si askush para tij, ai e bëri gjuhën shqipe me cilësi, vlera e përmasa të papara. Ajo shijohet si mjalti (sa e ëmbël), ajo të mahnit me vlerat (sa e bukur, sa e mirë), ajo të hap horizonte pa fund (sa e lirë). Naimi këndon plot gëzim për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887. Në vargjet: “Të marrim diturinë…, tani lipsetë dritë” (Gjuha jonë), shprehen poetikisht prirjet e tij iluministe dhe ideja se liria nuk mund të shkëputet nga përparimi. Për Naimin patriot e filozof, vlera e atdheut qëndron te njerëzit e tij. E ndërsa patriotizmi është vlera më e madhe morale, mëkati më i madh është tradhtia ndaj tij:
Buk’ e mëmëdheut i zëntë
Tradhëtorët’ e pabesë!
Për Naimin interesat e kombit janë më të rëndësishme se çdo lloj ideologjie fetare:
Besa është perëndia.
Në këtë mënyrë autori shpreh mesazhin e rëndësishëm të bashkimit kombëtar. Vjershat e motivit atdhetar dallohen për tonet nxitëse, moralizuese dhe didaktike dhe stilin oratorik në ndërtimin e ligjërimit poetik.