Keni Pyetje?
Mesazhi u dërgua. Mbylle
0
0 vlerësime

Filara Gjuha Shqipe Klasa 10

942 Studenta Regjistruar
  • Përshkrimi
  • Kurrikula
  • Vlerësimi

I dashur nxënës,

Sapo e more në duar këtë libër, u besove syve, gojës, veshëve, duarve dhe zemrës tënde thesarin më të çmuar: një instrument për të njohur e për të mësuar më mirë gjuhën shqipe. Më beso!

“Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar. Ajo është pasqyra e një kombi dhe e kulturës së tij”, – na kumton Eqrem Çabej. “Gjuha shqipe përbën themelin e diturisë dhe të atdhetarisë”, – do të shkruajë Mithat Frashëri. “Gjuha shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral. Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë”, – do të shtonte Hans Petersen.

Kur këta njerëz flasin për kombin shqiptar, ata e kanë fjalën për ty, sepse ti flet me gojën e paraardhësve të tu duke u bërë njëkohësisht udhërrëfyesi i s hqipfolësve të ardhshëm.

Filozofi gjerman Martin Heidegger thotë: “Gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve”.

Ndaj unë të ftoj që ta bëjmë së bashku këtë rrugëtim i cili uroj të jetë interesant e plot diell.

Për të ruajtur e zhvilluar më tej këtë thesar të çmuar, nuk nevojiten domosdoshmërisht rrugë të reja, por nevojiten sy të rinj , një këndvështrim i ri. Dhe një libër është një dritare për të parë botën. Libri “Gjuha Shqipe 10” është konceptuar si në strukture, dhe në përmbajtje sipas një mënyre të re, e cila i përgjigjet programit të ri që mbështetet në këto kompetenca:
Të folurit për të komunikuar dhe për të mësuar;
Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale;
Të dëgjuarit e teksteve të gjuhës së folur, së shkruar e mediatike;
Të lexuarit e teksteve të ndryshme: informuese, rrëfyese, përshkruese, udhëzuese dhe argumentuese;
Përdorimi i drejtë i gjuhës.

Teksti është strukturuar në tema që kryesisht ndërthurin disa kompetenca së bashku. Njohuritë gramatikore, rregullat e drejtshkrimit dhe të pikësimit janë integruar me studimin e teksteve përshkruese, rrëfyese, argumentuese, udhëzuese apo paraqitëse. Krahas njohurive teorike, janë planifikuar edhe orë ushtrimesh, punë praktike individuale dhe në grup, ese etj., të cilat synojnë zhvillimin gjuhësor e letrar për rritjen intelektuale, shoqërore, estetike dhe emocionale tënden. Gjatë udhëtimit në labirinthin e gjuhës, ti do të bësh tri ndalesa në të cilat do të plotësosh Ditarin e vetëvlerësimit, një mënyrë e re, e këndshme dhe e thjeshtë për të bërë vetëvlerësimin e arritjeve të tua në përvetësimin jo vetëm të njohurive, por edhe të vlerave, shkathtësive dhe qëndrimeve.

Ti do të aftësohesh që ta përdorësh gjuhën për të komunikuar në mënyrë të drejtë, për të plotësuar interesat e tua personale, për kënaqësi estetike, për të marrë informacion, si dhe për të përmbushur kërkesat e shoqërisë dhe të vendit të punës që synon në të ardhmen.

Gjuha është jo vetëm një mjet për të shprehur ndjenjat, idetë, besimet, vlerat, dijet, por edhe një medium që mundëson pjesëmarrjen aktive në jetën tënde si individ. Në mënyrë që të jesh i aftë për të përballuar ndryshimet e shpejta sociale, kulturore dhe teknologjike, duhet të pajisesh me njohuri, shkathtësi, vlera dhe qëndrime, të cilat mundësojnë të nxënit gjatë gjithë jetës. Nxënësit që dinë të dëgjojnë me vëmendje, të flasin qartë dhe rrjedhshëm, të lexojnë në mënyrë kritike, të shkruajnë saktë dhe të zbatojnë rregullat gramatikore e drejtshkrimore , përgatiten për të qenë të suksesshëm dhe të dobishëm për shoqërinë.

Nëpërmjet teksteve e fragmenteve të zgjedhura, ushtrimeve të shumta gjuhësore të punuara me nivele të përshkallëzuara vështirësie, punëve me shkrim dhe punëve praktike individuale dhe në grup, si dhe punës me projekte, ti do të demonstrosh ndërgjegjësim dhe saktësi në informacionet e marra. Në mënyrë që formimi yt të jetë tërësor e jo fragmentar, gjuha shqipe krijon lidhje me fushat e lëndët e tjera, si dhe ndërthur kompetencat e lëndës me kompetencat kyçe.

Gjatë këtij rrugëtimi të nevojitet dhe diçka tjetër, pak dashuri e përkushtim, por mendoj se ty, nxënësi im, këto nuk të mungojnë! Suksese në rrugën e dijes!

AUTORËT