Dy fjalë për autorin:
Mitrush Kuteli është mjeshtri i realizimit magjik, rrëfimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare
Kuteli lindi me 13 shtator 1907 në Pogradec, ku mori dhe mësimet e para. Studimet e mesme i kreu në Selanik, në Shkollën Tregtare rumune (1921-1928); U diplomua në Bukuresht, më 1931 dhe më 1934; mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë.
Në Rumani ka qenë funksionar në Ministrinë e Financave; drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë dhe i Bankës së Çernëucit. Mbrojti të drejtat e Rumanisë në kundërshtim me interesat e “aleatit gjerman dhe për pasojë e mobilizuan në ushtri dhe e dërguan ne frontin e Lindjes. Arriti të kthehet në Shqipëri në shtator të vitit 1942, dy javë pasi kishte ndërruar jetë nëna e tij.
Punoi pranë shoqërisë SASTEB, e pas shtatorit 1943 punoi këshilltar për çështje të monedhës pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. U largue nga Banka në tetor të vitit 1944, pasi kundërshtoi planet gjermane për të nxjerrë një monedhë të re që do të varfëronte Shqipërinë.
Pas janarit 1945, si drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, kontribuoi për rimëkëmbjen e financave shqiptare; dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk u pajtua me vendimin e shtetit të atëhershëm për kursin e këmbimit lek/dinar jugosllav që dëmtonte ekonominë e vendit.
Në maj 1947 Kutelin e arrestuan; e dënuan si “Armik i Popullit” me pesë vjet heqje lirie, pa asnjë akuzë konkrete, as si ekonomist, as si letrar dhe e dërguan në kampin-burg të Vloçishtit. U lirua “me falje” në prill 1949. Dosja e akuzës kundër tij është zhdukur. Pas këtij viti Kuteli punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri”, dhe për një kohë të gjatë iu hoq e drejta e botimit. Letërsisë i kushtoi kohën që i mbetej nga puna e normuar e përkthimit. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967.
Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.
MITRUSH KUTELI

Lexoni libra të autorit: