Kurrikula
Kursi: Gjuha Shqipe Klasa 9
Identifikohu

Kurrikula

Gjuha Shqipe Klasa 9

TEKSTI TREGIMTAR

0/22
Mësimi me video

Mësimi 1: Të folurit; Komunikimi

Fjala komunikim vjen nga latinishtja “communis”, që do të thotë “i përbashkët”. Komunikimi është një proces i dyanshëm që realizohet midis dy a më shumë personave, gjatë të cilit pjesëmarrësit jo vetëm shkëmbejnë informacione, ide dhe ndjenja, por, gjithashtu, krijojnë dhe ndajnë mendime të ndryshme. Komunikimi është një mjet i rëndësishëm që lidh njerëzit me njëri-tjetrin.

HAPAT DHE ELEMENTET E REALIZIMIT TË NJË KOMUNIKIMI
Procesi i komunikimit përbëhet nga disa hapa, përmes të cilëve, dërguesi i transmeton mesazhe marrësit. Procesi i komunikimit fillon kur dërguesi i përcjell marrësit një fakt, ide, opinion apo informacion të çdo lloji dhe përfundon kur marrësi reagon ndaj mesazhit të marrë. 

Dërguesi: Është personi që fillimisht planifikon dhe realizon në mendjen e tij një mesazh të caktuar dhe më pas e transmeton atë. Dërguesi është ai që nis procesin e komunikimit.  

Mesazhi: Mesazhi përbën thelbin e komunikimit. Ai mund të jetë: oral, i shkruar, simbolik apo joverbal. Për shembull, kur njerëzit asin, e folura e tyre përbën mesazhin; nëse shkruajnë një letër, fjalët dhe fjalitë e saj përbëjnë mesazhin dhe, nëse qajnë, lotët përbëjnë mesazhin.

Kanali: Është mjeti me anë të të cilit realizohet komunikimi ndërmjet dërguesit dhe marrësit. Si kanal komunikimi mund të shërbejnë: ajri, eta ku shkruajmë, telekomunikacioni, sinjalistika, gjestet, prekja, nuhatja dhe shija. 

Kodi: Është një sistem rregullash për të shndërruar shkronja, fjalë, tinguj, imazhe apo gjeste në forma të tjera përfaqësimi, të përshtatshme për komunikim. Sigurisht, kodi më i rëndësishëm është kodi gjuhësor që përbëhet nga gjuha e folur dhe ajo e shkruar. Personat që janë afër ndajnë mendime, ndjenja, ide, përmes gjuhës së folur, ndërsa gjuha e shkruar është ajo që zgjeron komunikimin në kohë dhe hapësirë.

Marrësi: Marrësi është pala tjetër në komunikim që pret mesazhin e dërguar nga dhënësi. Ky quhet ndryshe edhe deshifruesi, sepse ka aftësinë të mendojë dhe të kuptojë mesazhin e marrë.

Reagimi: Hapi i fundit i komunikimit është reagimi. Marrësi, pasi ka marrë dhe ka përpunuar në mendjen e tij mesazhin, reagon ndaj dërguesit duke i kthyer përgjigje. Ky hap shumë i rëndësishëm na siguron për efektshmërinë e realizimit të procesit të komunikimit dhe na vërteton që marrësi e ka kuptuar drejt mesazhin që i është përcjellë nga dërguesi.  

DISA LLOJE KOMUNIKIMESH
Komunikimet janë të shumëllojshme bazuar në qëllimet dhe nivelet e komunikimit. Sipas qëllimeve që mund të ketë, komunikimi mund të jetë formal (zyrtar), joformal (jozyrtar), terapeutik etj. 

Sipas niveleve të komunikimit, do të përmendim këtu: komunikimin intrapersonal, interpersonal, komunikimin në grupe të vogla dhe komunikimin publik. 

Komunikimi intrapersonal: Ndryshe e quajmë komunikim me veten dhe është një fazë shumë e rëndësishme e organizimit të mendimeve e qëndrimeve personale para se t’u komunikojmë diçka të tjerëve. 

Komunikimi interpersonal: Kjo është forma më e gjerë e komunikimit dhe përfshin komunikimin e jetës sonë të përditshme. Realizohet mes dy a më shumë personave. 

Komunikimi në grupe të vogla: Realizohet në grupe të vogla personash, të cilët mblidhen për të komunikuar ide dhe mendime të motivuara nga një synim i përbashkët. Si shembull do të shërbente një mbledhje e stafi t të mësuesve.

Komunikimi publik: Ky komunikim realizohet në grupe të mëdha njerëzish, ku zakonisht folësi publik i drejtohet publikut përmes fjalimesh që synojnë një ndikim në përmasa të gjera. Përveç fjalimit të hartuar me kujdes, folësi duhet të mbajë gjithashtu një qëndrim të duhur fizik dhe të transmetojë me zë të qartë e të plotë mendimet e tij. 

ÇFARË MUND TA PENGOJË KOMUNIKIMIN?
Nëse nuk realizohet qoftë edhe njëri nga hapat dhe elementet e komunikimit që u përmendën më sipër, komunikimi mund të dështojë. Në përgjithësi, pengesat kryesore në realizimin e një komunikimi janë: 

Pengesa të natyrës fiziologjike: Një person me aftësi ndryshe në të kuptuar, nuk e merr siç duhet mesazhin e dërguesit. 

Pengesa mjedisore: Në një mjedis me zhurmë të lartë, komunikimi rrezikon të dështojë.

Pengesa psikologjike: Shqetësimi, frika, ankthi, humbja e balancës emocionale, mosbesimi dhe keqkuptimi janë disa nga faktorët psikologjikë, të cilët mund të bëhen pengesë për komunikimin. 

Pengesa shoqërore dhe kulturore: Shoqëri dhe shtresa të ndryshme shoqërore kanë tradita, zakone dhe sjellje të veçanta. Po kështu, ekzistojnë edhe ndryshimet etnike, kulturore e fetare. Këto ndryshime mund të vështirësojnë komunikimin.