Komponentët e rrjetit kompjuterik
Kur flitet për komponentët e rrjetit kompjuterik, kryesisht kemi të bëjmë me një koncept të gjerë të elementeve që e përbëjnë një rrjetë kompjuterike. Zakonisht, kompjuterët dhe pajisjet periferike janë vetëm disa nga komponentët e njohura të rrjetit kompjuterik për shumicën e njerëzve. Por, krahas kompjuterëve, pajisjeve periferike dhe komponentëve të përmendura në kapitujt paraprak, një rrjetë kompjuterike e përbëjnë edhe komponentët tjera si: arkitektura e rrjetit, teknologjia e qasjes së të dhënave, protokollet e komunikimit, sistemet operative të rrjetit dhe të tjera.
klientët – janë kompjuterët të cilët përmes rolit aktiv të tyre qasin resurset që ofron rrjeti kompjuterik në të cilin këta kompjuter marrin pjesë.
serverët – janë kompjuterët të cilët përmes rolit aktiv të tyre ofrojnë resurset në rrjetin kompjuterik në të cilin këta kompjuter marrin pjesë.
mediumi i rrjetit – apo mediumi për transmetim që shpesh quhet edhe kanali apo linja e komunikimit janë kabllot si: çiftet e përdredhura, koaksial dhe fibri optik që përdoren për të ndërlidhur kompjuterët, serverët, pajisjet periferike dhe pajisjet e rrjetit në mes veti. Në rastin e teknologjive të komunikimit pa kabllo medium i transmetimit është ajri. Këto pajisje kanë rol pasiv në rrjetin kompjuterik.
ndërfaqësi i rrjetit – janë pajisje si kartela e ndërfaqësit të rrjetit (në Ang. Network Interface Card – NIC) dhe portat në pajisjet e rrjetit të cilat mundësojnë
që klientët, serverët, pajisjet periferike dhe pajisjet e rrjetit të komunikojnë në mes veti. Këto pajisje kanë rol pasiv në rrjetin kompjuterik.
pajisjet periferike – janë printerët, skanerët, hapësirat për ruajtjen e të dhënave në rrjet (në Ang. Storage Area Network – SAN) dhe çdo pajisje tjetër periferike që ofron resurse për klientët qoftë përmes linjës së pavarur të komunikimit apo si pajisje e ndarë në rrjetë nga klientët apo serverëve. Këto pajisje kanë rol pasiv në rrjetin kompjuterik.
aplikacionet dhe të dhënat e ndara – janë komponente virtuale të rrjetit që përfaqësojnë aplikacionet dhe skedarët e ndarë në rrjet e që zakonisht ofrohen nga serverët. Këto komponente kanë rol pasiv në rrjetin kompjuterik.
habi dhe ndërruesi – (në Ang. hub dhe switch) janë komponente qendrore të rrjetit që mundësojnë ndërlidhjen dhe komunikimin në mes të klientëve, serverëve dhe pajisjeve periferike. Habat konsiderohen të jenë pajisje pasive ose aktive, ndërsa ndërruesi është pajisje aktive.
rrugëzuesi – (në Ang. router) është komponentë e rrjetit që mundëson rrugëtimin e të dhënave nga një rrjetë e hapësirës lokale (LAN) deri në Internet dhe anasjelltas. Rrugëzuesi ka rol aktiv në rrjetin kompjuterik.
Arkitekturat e rrjetit kompjuterik
Nëse llojet e rrjeteve kompjuterike merreshin me mbulueshmërinë e hapësirës si dhe topologjitë fizike dhe logjike me strukturën fizike dhe logjike të rrjetit kompjuterik, atëherë arkitektura e rrjetit kompjuterik paraqet dizajnin e rrjetit kompjuterik i cili mundëson që komponentët e rrjetit kompjuterik të komunikojnë në mes tyre. Kryesisht, në rrjetat kompjuterike dallohen dy lloje të arkitekturave si në vijim:
rrjeti i kompjuterëve homologë – (në Ang. peer-to-peer) është rrjetë kompjuterike në të cilin kompjuterët pjesëmarrës në rrjetë nuk kanë rol të paracaktuar por varësisht nga funksioni i momentit kohor i ndërrojnë rolet nga klient në server dhe anasjelltas nga serveri në klient. Për shembull, nëse kompjuteri A fillon të qasë të dhënat në kompjuterin B, atëherë kompjuteri A është klienti ndërsa kompjuteri B është serveri. Pas pak, nëse kompjuteri B fillon të qasë të dhënat në kompjuterin A, atëherë ndërrojnë rolet ashtu që kompjuteri B bëhet klienti dhe kompjuteri A është serveri.
rrjeti i klientëve dhe serverëve – (në Ang. client/server) është rrjet kompjuterik në të cilin kompjuterët pjesëmarrës në rrjet i kanë të paracaktuara rolet. Pra kemi të bëjmë me rrjetë kompjuterike në të cilën dihet se cilët janë klientët të cilët qasin resurse në rrjet dhe se cilët janë serverët të cilët ofrojnë resurse në rrjet. Pra kemi të bëjmë me rrjetë kompjuterike në të cilën ndodhen serverët e dedikuar për ofrim të resurseve në rrjet.